Fjalim në Kuvend për dështimin nga ana qeverisë në menaxhimin e mbetjeve, problematikat e turizmit| 14 shtator 2023

Në fakt, Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian aty kanë qenë edhe në vitin 2013, edhe në vitin 2014, edhe në vitin 2015, në të gjithë këta 10 vjet, mund t’i ishit drejtuar dhe mund ta kishit pyetur ose mund t’ia kishit lexuar strategjitë, cila ishte mënyra më e mirë e administrimit të mbetjeve. Mirëpo ju nuk e bëtë këtë, nuk zgjodhët që të lexonit dhe të kuptonit strategjinë e Bashkimit Europian dhe të Komisionit Europian, por zgjodhët të zbatonit strategjinë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

Nuk zgjodhët t’i drejtoheshit për mendim apo për partneritet Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian, por zgjodhët t’i drejtoheshit për partneritet Stela Gugalljas!

Nuk zgjodhët ndonjë ministër që të shkonte dhe të merrte praktikat më të mira në Bashkimin Europian, por zgjodhët Arben Ahmetajn, Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, që të merrnin e-mail-e të gatshme nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri!

Atje ishte Gjermania, atje ishte GIZ-i dhe kishin të gjithë vullnetin, siç e kanë edhe sot, për të na ndihmuar si partnerë, por ju nuk i zgjodhët atëherë.

Nuk i zgjodhët dhe bëtë vjedhjen e shekullit: 430 milionë euro dhe sot qelitë kanë ministrat tuaj, deputetët tuaj, por që, në fakt, duhet të kishin kryeministrin tuaj.

Dhe unë, jo, nuk jam e kënaqur me rezultatet. Pres që të shkohet te koka e vërtetë e inceneratorëve dhe, me siguri, nuk është Lefter Koka, sepse nuk kishte asnjë mundësi që të firmoste vendimet e Këshillit të Ministrave në emër të Kryeministrit apo pa dijeninë e Kryeministrit.

(Deputetja Zhupa tregon disa pamje.)

Kjo është gjendja sot e menaxhimit të mbetjeve në Elbasan, tym e flakë!

Përsëri në Elbasan, në mes të sezonit turistik!

Kjo është Vlora në menaxhimin e mbetjeve; përsëri male me plehra, tym e flakë!

Kjo është Vlora turistike, por besoj deputetët e Vlorës e kanë parë vetë!

Ky është Kukësi, me male plehrash!

Ky është suksesi juaj i metodës së incenerimit, ku zjarre e flakë u vini maleve me plehra pasi keni paguar miliona euro për incenerimin e tyre.

E, në fakt, të vetmen gjë që inceneruan ishin paratë e shqiptarëve, që u groposën në themele

vilash, në gropa të zeza, ndoshta edhe në llogari bankare zvicerane.

Ajo që ju sot duhet t’u shpjegoni qytetarëve është: pse ndërruat mendje? Pse nuk vazhdoni ju me incenerimin, me suksesin e qeverisë suaj? Pse nuk shkoni prapë të bëni një mbledhje qeverie tek inceneratori i Elbasanit?

Pse nuk shkoni atje të ndryshoni ministrat e rinj, të bëni asamblenë e Partisë Socialiste, meqenëse është krenaria juaj, meqenëse është suksesi juaj?!

Pse kujtoheni sot dhe kërkoni ndihmë e para nga Gjermania? Pse nuk vazhdoni me atë suksesin tuaj?

Ne u jemi shumë falënderues, në fakt, Gjermanisë, shteteve të Bashkimit Europian për çdo ndihmë financiare dhe mbështetje që i japin Shqipërisë, por nuk mund të pranojmë kurrë që në xhepat tuaj të shkojnë edhe nja 100 milionë euro të tjera dhe ne të shikojmë çdo ditë malet me plehra që digjen. Të kemi Sharrën pa incenerator, që e paguajmë sikur djeg mbetjet.

Edhe sot që ne flasim këtu, 80 mijë euro çdo ditë nga buxheti ynë shkojnë për incenerim, 80 mijë euro minimumi.

Çdo ditë strategjia juaj për të bërë male me plehra dhe në fund të gjithë ujërat e ndotur, siç e thotë edhe denoncimi, meqenëse flisni për ekonomi riqarkulluese, të gjitha ujërat me mbetjet kimike shkojnë dhe derdhen në Erzen! Nuk e di këtë Mirela Kumbaro, e cila ikën, që tha: “Jam sa një mal…”?! Po, fiks, sa një mal me plehra! Nuk e di Mirela Kumbaro këtë? Nuk e ka lexuar Mirela Kumbaro, sepse inspektorët e saj, që duhet t’i ketë në terren, nuk bëjnë asnjë punë?! Inspektorët e saj nuk i shikojnë dot malet me inerte në liqenin e Butrintit; që është zonë e mbrojtur, nuk i shikojnë dot…! Nuk është një qese plehrash e hedhur rastësisht, por janë male, të gjitha me inerte; nuk i panë inspektorët e Mirelës! Inspektorët e Mirelës nuk i shikojnë 34 ndërtimet pa leje në liqenin e Shkodrës; në zonë të mbrojtur!

Inspektorët e Mirelës nuk e shikojnë dot se ç’bëhet në zonat e mbrojtura të Shqipërisë, se si ndërtohet pa leje dhe se si janë grumbulluar inertet!

Po mirë, të paktën në Tiranë, nuk e shikojnë dot se si po helmohen qytetarët e Tiranës dhe se si po helmohet një lumë i tërë nga mbetjet e inceneratorit të Sharrës?

Po edhe kur media ia vë me fakte dhe prova,

pse nuk reagon ministrja Kumbaro? Sepse janë bashkëfajtorë, sepse këta e bëjnë syrin qorr, sepse këta kanë pjesën e tyre, ndaj edhe nuk reagojnë as kur ua vë përballë fakteve opozita apo media. Le më të funksionojnë si institucione!

E vetmja gjë që dinë të bëjnë shumë mirë është të japin me koncesion, mundësisht të zgjedhin dikë që nuk e njeh askush, që e ka ngritur kompaninë fiks si Klodian Zoto, për ta fituar koncesionin dy javë përpara, që nuk ka kapital, që mundësisht nuk ka as njohuri për çfarë do të bëjë (për çfarë i duhen, se mos do ta bëjë, në fund të fundit), por duhet të jetë gati për të qenë yesman, që me njërën dorë të firmosë dhe me dorën tjetër t’ua kalojë padronëve që i japin koncesionin.

Ky është menaxhimi i mbetjeve, i zonave të mbrojtura dhe i koncesioneve. Në fakt, kjo është mënyra si qeveria shqiptare ka arritur në 10 vjet të mos e kuptojë dot që strategjia e riciklimit paska qenë e mirë dhe strategjia e ekonomisë qarkulluese paska qenë e duhura. Pas 10 vjetësh e kuptoi qeveria shqiptare. Pasi futi në burg 3 apo 4 ish-ministra (të tjerë presin në radhën), nuk ka më fytyrë t’u thotë Shqiptarëve që incenerimi është mënyra e duhur dhe ne kemi sukses në menaxhimin e mbetjeve.

Suksesi imagjinar i qeverisë për shifrat e turizmit nuk ishte asgjë tjetër vetëm një sukses i shqiptarëve, i Shqipërisë, për aq sa ishte ekspozuar në rrjetet sociale, dhe për shkak të bukurive të veta natyrore dhe kulturore, kurse qeveria nuk i realizoi të gjitha detyrat që kishte, duke filluar nga menaxhimi i mbetjeve, që ishte skandaloz. Për këtë mjaftojnë vetëm pamjet që unë ju tregova. Në fakt, ju i keni parë edhe vetë malet e plehrave që nga maldivet e Europës, Ksamili, deri në cepin më të largët të Shqipërisë, në Vermosh. Në fund të ditës, edhe pse qeveria nuk i bënte detyrat e veta, sukseset e atyre pak biznesmenëve të ndershëm, që punonin, që prisnin turistë, ishin të qeverisë, ashtu siç janë edhe sukseset e Kombëtares. Çdo sukses në këtë vend është i Edi Ramës. Bile, edhe arrestimi i ish- ministrave të vet është i Edi Ramës. Madje, edhe kur të arrestohet Edi Rama, përsëri do të jetë një sukses i Edi Ramës.

Faleminderit!