Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, tema e raportimit nuk ndryshon shumë nga viti në vit, sepse nuk bëhet asgjë për të ndryshuar situatën e transparencës së kësaj qeverisjeje.
Pavarësisht mungesës së transparencës dhe pavarësisht se ju nuk i jepni me ligj asnjë mundësi Komisionerit që të mund të vendosë sanksione dhe detyrime mbi ju, ka disa të vërteta të patjetërsueshme, japin apo nuk japin informacion zyrtarët e kësaj qeverie; ka disa të vërteta për të cilat qytetarët do të protestojnë më 11 korrik, në orën 20:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ne renditemi në 10 vendet e botës me emigrimin më të lartë të trurit, për këtë do të protestojmë më 11 korrik.
Sistemi arsimor në Shqipëri është i degraduar, testi i PISA-s na nxori në fund të renditjes jo vetëm për Ballkanin dhe për Europën, por, paturpësisht, ne renditeshim edhe mbrapa Palestinës, Azerbajxhanit apo vendeve të tjera, të cilat nuk kanë lidhje fare me standardet europiane apo perëndimore, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
Kemi 100 mijë nxënës më pak në shkollat tona, 60 mijë studentë më pak në auditorët tanë, 9 mijë mësues më pak në Shqipëri, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik, në orën 20:00.
Janë 100 degë në prag të mbylljes në universitete vetëm nga shpopullimi, që po i bëni vendit, falë këtyre politikave, që çdo para po e çoni në xhepat e zyrtarëve publikë dhe jo në shërbim të publikut, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
Janë 2 mijë maturantë më pak çdo vit, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
Mësuesit trajnohen si patronazhistë, teksa detyrohen të jenë prezentë në aktivitetet partiake dhe t’u bëjnë like dhe share ministrave; teksa ministrja e Arsimit shkon me drejtuesit politikë të qarqeve, sipas ndarjes së Partisë Socialiste; teksa prezanton arritjet me paratë e buxhetit të shtetit, për këto duhet të protestojmë më 11 korrik. “Shëndetësia falas” doli mashtrimi më i madh, teksa falas njerëzit mund të marrin vetëm vdekjen në dyert e spitaleve shqiptare, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
Skandali tek Onkologjiku, në fakt, ishte pasqyrë e një realiteti, që lëngon në shëndetësinë shqiptare, teksa askush nuk merr dot shërbim në qoftë se nuk gjen mikun e duhur apo të japë paratë e duhura, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
60% e shqiptarëve i paguajnë nga xhepi shpenzimet shëndetësore, ndërkohë që miliona euro janë dhënë për koncesionet në shëndetësi. 455 milionë euro për 4 koncensione, dy prej të cilave po hetohen edhe nga Parlamenti i Shqipërisë. Çdo rast gjenden vetëm shkelje dhe abuzime të parasë publike. Sot një ish-ministër i Shëndetësisë u arrestua, në fakt, u arrestua për majën e ajsbergut të korrupsionit të tij qeveritar; ai u arrestua për vjedhjen e fondeve europiane, ende nuk i ka ardhur lista vjedhjes së parave të shqiptarëve, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
Ish-ministren tuaj të Bujqësisë e keni bërë këshilltare në Kryeministri, pasi zhduku fondet e BE-së, fondet e IPARD-it, dhe na futi në listën e zezë, ku fermeri shqiptar nuk merr dot më asnjë mbështetje, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
Ju u jepni atyre mbrojtje deri në momentin e fundit, deri atëherë kur zullumi është trashur aq shumë, sa nuk ka më asgjë që mund ta fshehë, për këtë duhet të protestojmë; për një drejtësi që nuk i lë të lirë kriminelët derisa trashet zullumi, hajdutët “5D” apo “6D”, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
Shqipëria është i vetmi narkoshteti i Europës, ku, në fakt, baza e ekonomisë janë: droga, vjedhjet abuzimi apo oligarkët strategjikë, për këtë duhet të protestojmë.
Duhet të protestojmë se si në Jugun e vendit investimet strategjike janë kthyer në vjedhje strategjike. Teksa kryebashkiakët e Himarës arrestohen njëri pas tjetrit, të gjithë të deleguarit tuaj, ata që zgjidhen apo komandohen nga ju, në fund dalin hajdutë pronash. Çfarë pronash? Ato që ngrihen me investimet strategjike të ministrave tuaj, për këtë duhet të protestojmë më 11 korrik.
47% e fëmijëve shqiptarë dalin të kequshqyer dhe vuajnë nga varfëria ushqimore, kjo ka dalë në raportin e fundit që u bë për Shqipërinë dhe për vendet e botës, për këtë duhet të protestojnë të gjithë prindërit më 11 korrik, në orën 20:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ne kemi barrën fiskale më të lartë në Europë, për këtë duhet të protestojnë të gjithë ata që duan të jetojnë me biznes të ndershëm në Shqipëri.
Ne tashmë i kemi zero investimet e huaja në Shqipëri, vazhdoni të mbaheni me ato që kanë ardhur në kohën e qeverisjes “Berisha”, teksa nuk mund të thoni dot një investim të madh të huaj që ka ardhur në Shqipëri si rezultat i punës së qeverisë “Rama”, dhe investitorë strategjikë quani vetëm oligarkët dhe klientët e pushtetit.
Jemi i vetmi vend në Europë që nuk e ka vendosur minimumin jetik. Partia Demokratike ju ka sjellë iniciativa ligjore për minimumin jetik, dhe ju nuk pyesni. Ky minimum nuk është thjesht vendosja e një shifre në letër, por të varfërve u jepet mundësi për të mbijetuar me dinjitet, që askush të mos marrë në Shqipëri më pak se 200 euro, kjo është një arsye e fortë për të protestuar më 11 korrik.
Ne jemi vendi me çmimet më të larta të shportës në Europë, këtë shqiptarët i ndiejnë çdo ditë, sa herë shkojnë dhe bëjnë pazarin e ditës. Me ato lekë që para 2, 3, 5 apo 10 vjetësh blinin shumë e më shumë gjëra, tashmë nuk blejnë dot as gjysmën e tyre. Ju mendoni se do t’u thoni shqiptarëve që janë më mirë? Ju mendoni se me këto paga, që ju po ndryshoni, reflektojnë gjendjen e këtij inflacioni të lartë, që ka ndryshuar Shqipërinë? Jo, nuk i gënjeni dot, prandaj ata do të protestojnë më 11 korrik, në orën 20:00, para bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Shqiptarët do të protestojë, sepse ata e duan Shqipërinë, sepse e duan vendin me opozitë, sepse shqiptarët nuk pajtohen dot me drejtësinë me telekomandë, sepse shqiptarët nuk pajtohen dot se si lideri i opozitës, pa asnjë akuzë dhe pa asnjë provë, mbahet i burgosur politik.
Shqiptarët do të protestojnë, sepse ata duan t’ju ndëshkojnë juve me votë, por që t’ju ndëshkojnë më votë, do të duhet që vota e tyre të lexohet siç hidhet dhe të jetë e barabartë.
Shqiptarët do të protestojnë më 11 korrik edhe për të kërkuar një qeveri teknike, që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Shumë faleminderit!