Fjalim në Kuvend për paligjshmërinë e emërimit të Ministrit të Ekonomisë dhe problemet e rënda që po kalon ekonomia e vendit | 21 shtator 2023

Fillimisht dua vëmendjen tuaj, pasi këtu po shkelet Rregullorja, pasi ministri propozues nuk ndodhet në sallë gjatë kohës që diskutohet projektligji, të cilin ai vetë e ka propozuar. Nuk e kuptoj sa shpejt u lodh me Parlamentin që në ditën e tij të parë të punës si ministër i ri në këtë Kuvend. Ai duhet të ishte këtu, pasi është propozimi tij i parë, është dita e tij e parë dhe Rregullorja ia kërkon që të jetë këtu dhe nuk është këtu. Ju, si Kryetare, duhet të garantonit zbatimin e Rregullores së Kuvendit. Unë e kuptoj shqetësimin e zotit Mete, sepse është në fije të perit, pasi është bërë ministër pa qenë ministër sipas Kushtetutës, është ministër antikushtetues dhe kjo e detyron ndoshta të ketë më shumë shqetësimin personal se sa shqetësimin publik. E keni lënë besoj me qëllim vulnerabël që të kalojë edhe ai ato shkresat shpejt e shpejt, se ndryshe Gjykata Kushtetuese i heq mandatin e ministrit për arsye se dekreti i Presidentit Begaj ishte antikushtetues.

Në fakt, në këtë projektligj që diskutojmë sot duhet të sqarojmë se nuk kemi asgjë kundër skemës së pensioneve, por kjo nuk zgjidh asnjë problem që ka sot pensionisti shqiptar apo shoqëria shqiptare. Nuk e zgjidh aspak problemin që ka skema deficitare e sigurimeve shoqërore, për shkak se numri i lindjeve po bie, numri i të rinjve që ikin po rritet, numri i atyre që paguajnë në skemën shoqërore po ulet dhe, ndërkohë, numri i pensionistëve po rritet. Të gjithë ata që studiojnë politikat sociale thonë se kjo skemë do të përballet me pamundësi për të paguar mbrapsht pensionistët, ata që kanë kontribuar në sistem. Pra, kjo skemë ka nevojë për reflektime nga ana juaj.

Nga ana tjetër, pensionistët shqiptarë sot janë në kufijtë e mbijetesës, janë në kufijtë e varfërisë, sepse pensionet e tyre mbulojnë vetëm bukën dhe ujin, në rast se nuk do të kenë disa kursime mënjanë apo fëmijët që i ndihmojnë. Të kesh pensionin 60 mijë lekë të vjetër, 40 mijë lekë të vjetër apo 81 mijë lekë të vjetër në zonat urbane dhe në zonat rurale, është totalisht e pamundur të jetosh me dinjitet, por vetëm mund të mbijetosh. Ndërkohë, shtesat që bëni ju janë qesharake, sepse nuk kapin dot as normën e inflacionit të shportës ushqimore. Në qoftë se norma e inflacionit është 11,7%, ju e indeksoni me 8,6% pensionin, apo, e thënë ndryshe, për pensionet familjare 192 lekë, për pensionet e invaliditetit 712 lekë dhe për pensionet e pleqërisë 890 lekë në zonat rurale.

Janë mbi 585 mijë e 809 pensionistë në zonat urbane dhe 101 mijë e 114 pensionistë të tjerë në zonat rurale, ku asnjëri prej tyre nuk mund të thotë se jeton i lumtur dhe në kushte normale me pensionin që merr. Në këtë aspekt duhet të kthejmë sytë nga qytetarët, nga pensionistët, nga ata që duan ende të jetojnë në këtë vend. Kemi gati një vit që diskutojmë për minimumin jetik dhe ky Parlament e lë në sirtarët e komisioneve dhe nuk e fut për shqyrtim minimumin jetik. Nuk e futni për shqyrtim, sepse ju nuk doni t’i jepni zgjidhje, ndërkohë që bëhet fjalë për kërkesa minimaliste, për standarde 200 euro, në mënyrë që një familje normale shqiptare të garantojë ushqimin, ngrohjen, ndriçimin apo ilaçet. Ju nuk e fusni për shqyrtim minimumin jetik dhe lini në kufijtë e mbijetesës 600 mijë shqiptarë; ju lini në varfëri 600 mijë shqiptarë të persekutuar, të trajtuar si skllevër. Pra, janë pikërisht këta njerëz, të cilët ju i konsideroni si pjesën më të mirë se ku ju mund të drejtoheni në fushatat tuaja elektorale për të bërë pazarin e gjësë së gjallë; për të gjetur një çmim të lirë të votës; për të gjetur kufirin e mbijetesës; atje ku kryefamiljarit i dridhet buza se nuk blen dot ilaçet e fëmijës; atje ku pensionisti nuk shtyn dot muajin dhe vjen përfaqësuesi patronazhist me pesëdhjetëshen apo me X shifër për të blerë mbijetesën.

Ndërkohë, ju jeni duke shkelur një të drejtë kushtetuese, pra, duke mos vendosur minimumin jetik, ju jeni duke shkelur atë që thotë Kushtetuta e vendit, në përputhje me konceptin e dinjitetit njerëzor (të parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj), në mënyrë të tillë që individit, përpos një jete dinjitoze, duhet t’i mundësohet akses, të paktën minimal, në jetën kulturore, sociale dhe politike. Pra, ju i keni privuar njerëzit nga kjo e drejtë kushtetuese dhe nuk e keni fare shqetësim të diskutoni dhe të merrni vendime në Kuvend se çfarë duhet bërë për t’u dhënë mundësinë 600 000 shqiptarëve që të jetojnë me dinjitet.

Aksioni i fundit i Policisë së Shtetit, ku u arrestuan shpërndarësit e lëndëve narkotike, tregoi përmasat e frikshme të përdorimit të drogës tek të rinjtë shqiptarë. Kjo situatë është reflektim i privimit që ju i bëni jetës kulturore, sociale dhe politike të individit, të jetuarit të tij me dinjitet, pa vese, brenda të cilave zhytet nga stresi dhe pamundësia. Ju i keni krijuar vetëm probleme shoqërisë. Një qeverisje që i krijon shoqërisë vetëm probleme, sepse miratoni vetëm ligje në shërbim të një grupi të caktuar oligarkësh apo koncesione në përgjigje të xhepave të qeveritarëve.

Në këtë Kuvend është i ndaluar diskutimi për vendosjen me ligj të minimumit jetik, është i ndaluar diskutimi se si mund të rrisim pensionet e qytetarëve në zonat rurale dhe zonat urbane, se si mund të luftojmë fenomenin e drogës, që, ndërkohë po e legalizojmë. Ligji i fundit që ju sollët këtu ishte pikërisht legalizimi i kanabisit. Hajde ta ndajmë nëse do të jetë për përdorim vetjak, nëse do të dalë gabimisht nga prodhimi i ilaçeve apo ishte për trajtimin e sëmundjeve.

Kemi pasur raste flagrante, ku të ashtuquajturit mjekë ligjorë thyerjen e kafkës me shkop bejsbolli e trajtojnë si plagosje të lehtë. Imagjinoni se me sa lehtësi do të trajtohet përdorimi i kanabisit, pas legalizimit që ju bëtë, nga të njëjtët mjekë kur do t’ju duhet ta justifikojnë për arsye shëndetësore apo për përdorim vetjak.

Në fund, çdo aksion i ndërmarrë nga Policia e Shtetit do të katandiset: kokoshi një thelë, sepse nuk mund të bëhen të dyja, edhe ta luftojmë, edhe ta legalizojmë.

Gjithashtu, as nuk reagojnë për rritjen e çmimeve, as nuk indeksojnë, por hapin fondin për pensionet private. Fondi i pensioneve private i shërben shumë mirë shtresës që ka mundësi të paguajë, një shtresë që nuk besoj se reflekton nevojat e 600 mijë shqiptarëve, që sot nuk kanë mundësi për të mbijetuar.

E ardhmja e këtij vendi nuk mund të jetë me një shoqëri në varfëri, me një shoqëri në kufijtë e mbijetesës. Ky vend pretendon të plotësojë standardet e Bashkimit Europian, por qytetarët e vet jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, në kufijtë e mbijetesës. Nëse ky Parlament nuk e adreson këtë problematikë dhe nuk e ndien se një nga detyrat e tij është të zgjidhë bukën e përditshme të qytetarëve që na kanë besuar votën, nuk kemi arsye të vijmë këtu dhe të diskutojmë.

Faleminderit!

Replikë:

Si anëtare e Komisionit të Edukimit, do t’i them zotit Balla se çështja e sigurisë në shkolla ka qenë shqetësim i vazhdueshëm i opozitës. Unë e kam ngritur këtë problem edhe kur zonja Kushi ka qenë ministre, sepse kishte 1 punonjës policie për 6 shkolla.

Ju mirëpres të vini në Komisionin e Edukimit, të dëgjoni sugjerimet e opozitës, të kemi mundësi edhe të njihemi me planet tuaja, sepse kur bëhet fjalë për sigurinë në shkolla, nuk besoj se është një çështje që mund të zgjidhet vetëm nga qeveria, por kërkohet vullnet më i gjerë dhe bashkërendim.

Për sa i përket qasjes së qeverisë suaj ndaj drogës, shumë fakte flasin kundër jush, pasi ish- ministri juaj është dënuar për trafikim droge, avionët binin gjatë qeverisë suaj…