Fjalim në Kuvend për pensionistët dhe diasporen, 16 maj 2024

Të gjithë e dimë që marrëveshja e pensioneve është një gjë e mirë dhe besoj se për këtë nuk ka ndonjë debat, por debati që ia vlen të bëhet në këtë sallë lidhet me show-n që bën mazhoranca socialiste për mbështetjen që i jep diasporës. 

Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve, ndërsa pseudopatriotizmi, që përdorni ju, është streha e fundit e hajdutëve. Nje show i bërë në mes të Greqisë, që shumë mirë mund ta kishit bërë në stadiumin “Air Albania”, sepse njerëzit ishin të njëjtët, thjesht do të kishit një kosto më të ulët për autobusët e bashkive socialiste, sesa deri në Athinë. Aq shumë ishin angazhuar, sa nuk e fshinin mërzitjen kur u përgjigjeshin gazetarëve se si kishin ardhur me detyrim. 

Më erdhi shumë keq, personalisht, që ju e pushuat nga puna dhe e detyruat drejtorin e teatrit “Bylis” të jepte dorëheqjen, sepse unë mendoj se ai ishte i vetmi në vendin e duhur, në një teatër të madh, ku spektatorët ishin me detyrim dhe aktori kryesor ishte një hajdut, që vjedh vendin e tij dhe bën propagandë jashtë vendit të tij, se me demek e do shumë vendin e tij. Nëse do ta kishte dashur vendin e tij Kryeministri Rama, nuk do ta kishte vjedhur; nëse do ta kishte dashur vendin e tij Kryeministri Rama nuk do t’i kishte detyruar njerëzit të iknin nga sytë këmbët dhe të shpopullohej ky vend; nëse do ta kishte dashur vendin e vet do t’i trajtonte me dinjitet pensionistët, studentët, gratë, burrat, administratën e këtij vendi dhe nuk do t’i merrte me autobusë, me detyrim, për të mbushur stadiumin e Athinës, a thua se kishte entuziazëm për një Kryeministër, që thjesht i kishte dëbuar nga vendi i tyre. 

Aq shumë bajat ishte show, sa nuk gjetët dot një përfaqësues të kësaj diasporës që të dilte dhe t’i thoshte Edi Ramës “Kalos irthes”, “Mirë se erdhe” dhe morët për të folur Elisën, Blendin, ambasadoren. Por të paktën për respekt të atyre njerëzve mund të kishit gjetur ndonjë, edhe me pagesë, dhe ta kishit vendosur e t’i thoshte: mirë se erdhe, Kryeministrit! Por nuk pranonte askush nga emigrantët e ndershëm, që ka sakrifikuar për të jetuar në Greqi, që të bëhej pjesë e një fasade të pisët të një njeriu, që shkatërron jetët e familjarëve të tyre që jetojnë këtu dhe që është bërë sebep për vite të tëra, për 12 vjet, për të larguar edhe të tjerë nga Shqipëria.  

Ky është realiteti, që nuk e fsheh dot as me muzikën e Noizy-t, as me muzikën e vjedhjes, as me muzikën e parave që kërcasin në autobusë të paguar për të mbushur stadiumet e Athinës, me demek për t’i bërë karshillëk fqinjit përballë.  

E vetmja gjë e mirë që ndodhi nga ai koncert me fjalim ishte se më në fund patronazhistët patën mundësi të provonin sufllaqen origjinale greke, pasi janë ngopur me sufllaqet shqiptare apo me simite që ua jepni ju bodrumeve për të komentuar kundër opozitës, apo për të lavdëruar Kryeministrin tuaj në Facebook, nga honet e krijuara në një agjenci propagandë, që na e shet sapunin për djathë, a thua se realitetin nuk e jetojmë përditë dhe duhet ta shikojmë vetëm në televizor.  

Foli kolegu këtu se pse nuk paska një marrëveshje me Greqinë për pensionet. Po kujt po ia kërkonte përgjegjësinë, neve?! Keni 12 vjet në pushtet, hajdeni dhe na jepni llogari pse nuk ka marrëveshje me Greqinë për pensionet, kur zëvendësministri i Financave e pranoi që ishin në negociata për këtë? Pse nuk thoni të vërtetën? Pse nuk thoni që kostoja e një arrogance dhe kostoja e shkeljes së të drejtave të njeriut, do t’ju kthehet mbrapsht? Asnjë standard europian nuk e pranon këtë lloj diktature, ku Kryeministri vendos mbi zgjedhjet, mbi votën dhe ku Kryeministri është ai që thotë: “Do të merresh personalisht me mua dhe unë do të merrem personalisht me ty”. Ky quhet kërcënim publik, dhe këtë nuk ta fal asnjë europian, nuk ta falin as shqiptarët. Nuk ia kanë falur Edi Ramës shqiptarët se si e keqpërdor pushtetin dhe se si i ka katandisur shqiptarët që të jetojnë në vendin e tyre si të huaj, me dëshirën për t’u larguar sa më shpejt nga Shqipëria. 

Nëse keni kurajën të flisni për diasporën, flisni edhe për votën e diasporës, një detyrim që ju vjen nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, një gjykatë që ju nuk e respektoni kur merr vendime kundër interesit tuaj dhe që e duartrokisni kur bën interesat e lidhura me mazhorancën. Kaq e thjeshtë është. Po të vijë për mandatin e Olta Xhaçkës, nuk e respektoni, po të vijë për votën e diasporës, nuk e respektoni, ama po të vijë dhe të thotë se nuk i shqyrton dot shkeljet kushtetuese për deputetët e opozitës, atëherë jeni të lumtur dhe e respektoni Gjykatën Kushtetuese.  

Ajo që mua më vjen keq është se njerëzit sot janë të detyruar që me paratë e tyre të paguajnë një propagandë kundër tyre dhe që u hedh hi syve. Jam kurioze, ndoshta ai që do të flasë pas meje mund ta shpjegojë: a shkoi Edi Rama në Athinë si Kryeministër i PS-së,  si kryetar i PS-së, apo si Kryeministër i Shqipërisë? Si ka shkuar në Greqi? Kush e pagoi show-n, koncertin në Greqi? A u pagua me taksat tona, të shqiptarëve, propaganda e kryetarit të PS-së, apo e Kryeministrit të Shqipërisë? E bëj këtë pyetje për të kuptuar që edhe show-n tuaj e paguajnë po ata qytetarë të varfër të këtij vendi, të cilët detyrohen që ta ndjekin me detyrim, të postojnë foto, madje të japin edhe prova që kanë qenë në show-n bajat pa dëshirë, por prapë me detyrim. 

 Rruga e radhës është për në Milano, ku kostot do të rriten edhe më shumë, që, sigurisht, do të paguhen nga qytetarët e varfër të këtij vendi, që ju t’u tregoni sa e mirë është Shqipëria atyre që kanë ikur nga ky vend pikërisht se nuk jetonin dot më këtu. A ka çmenduri më të madhe?!  

Pensionet, po, janë plagë e madhe e shoqërisë shqiptare, sepse sot në Shqipëri nuk gjen  një pensionist që mund të jetojë me dinjitet me pensionin e tij, qoftë në fshat, qoftë në qytet. Pensionistët ose jetojnë në kushtet e mbijetesës, ose presin nga fëmijët e tyre që jetojnë në Shqipëri apo janë emigrantë, për t’i ndihmuar me para. Ky është realiteti.  

Ju sfidoj, le të dalë një nga ju dhe të më thotë një pensionist që jeton me dinjitet me pensionin e tij në Shqipëri. Nuk ka. Kjo është reforma që duhet bërë, por, a e dini se si bëhet kjo reformë? Jo siç tha zoti Braçe, që nuk bëhet reformë nëse nuk paguhen taksa; reforma bëhet nëse ju nuk i vidhni taksat, sepse ka mjaftueshëm para nëse ju nuk i vidhni kontributet. Buxheti i shtetit ka mjaftueshëm para nëse ju nuk i çoni në “5D”, në incerenatorë, në check up, në sterilizim dhe në fund në xhepat tuaj. Ka para mjaftueshëm Shqipëria që t’ua kalojë të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit, por nuk ka vullnet për t’i çuar paratë aty ku janë të domosdoshme; ka vullnet të hekurt për t’i vjedhur ato para dhe për të mos zbatuar asgjë që lidhet me standardet europiane, apo edhe me standardet njerëzore të të jetuarit me dinjitet në vendin tënd. 

Ministria që na e propozon këtë është Ministria e Ekonomisë dhe Kulturës dhe, meqë herën e kaluar nuk e pata zotin Gonxhja, edhe pse iu drejtova me një fjalim të gjatë, dua t’i them se vetëm dje kreu i ADF-së ka sfiduar publikisht UNESCO-n, i cili ka thënë: “Punë e madhe se nuk është dakord UNESCO me modelin e Butrintit, ne kemi një model të ri, dhe UNESCO-ja mund të mësojë nga ne”. Pra, UNESCO-ja, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturën, Arsimin dhe Kërkimin Shkencor, mund të mësojë nga një OJF, e regjistruar në Delaware, që nuk i paguan taksat as në Amerikë dhe as në Shqipëri, se si menaxhohet pasuria kombëtare.  

Ju lutem, meqë te ju deri tani kam parë një qasje ndryshe, mundohuni që t’i vini fre kësaj qasjeje, që injoron UNESCO-n dhe që e bën Shqipërinë mish për top për interesat klienteliste të OJF-ve, që as taksat nuk i paguajnë në Shqipëri. Faleminderit!