Fjalim në Kuvend për shkeljen e të drejtave nga qeveria për studentët e Universitetit të Mjekësisë | 20 korrik 2023

Sot ka filluar dhe po mbyllet kjo seancë (në fakt, është në mesin e saj, se është ende shumë herët për t’u mbyllur) duke shkelur Kushtetutën hap pas hapi në çdo vendimmarrje, në çdo projektligj, si një model që keni si puçistë të Kushtetutës.

Zonja Kushi, ju këshilloj të mos uleni afër zonjës Margariti, sepse ajo ka eksperiencë në shkeljen e Kushtetutës dhe do t’ju katandisë edhe ju për në Gjykatën Kushtetuese. Më mirë zbrisni te vendi juaj dhe dëgjo zërin e studentëve që i ke atje jashtë, dëgjo zërin e studentëve që flasin,

sepse duan të rrinë në Shqipëri, sepse duan të punojnë në Shqipëri, sepse duan të kontribuojnë për sistemin shëndetësor shqiptar, sepse duan t’u shërbejnë prindërve të tyre, por duan të kenë kushte; duan të kenë motivim, duan të kenë marrëveshje të drejta, duan të kenë një shtet që u shërben, duan të kenë disa ministre që i dëgjojnë. Nuk duan të kenë myk dhe lagështi në klasat e tyre dhe ta paguajnë 6700 euro; nuk duan të kenë disa laboratorë të viteve 1998, 2000, 2005 apo 2014, por duan të kenë aparaturat e fundit, sepse duan që qeveria t’i trajtojë ata si pjesa më e mirë, t’i dëgjojë dhe t’i bashkërendojë politikat me ta dhe jo t’i tradhtojë, t’i hedhë tutje dhe t’u verë Gardën apo policinë për të mos i lejuar t’u afrohen, sepse kjo nuk ju nderon.

Unë e kuptoj ndoshta fobinë e Kryetares së Kuvendit, sepse nga protestat e studentëve është larguar si ministre dhe ndoshta ajo i kujtohet për të mos i lejuar të vijnë këtu, por të rrijë e qetë, nuk e heqin ata; nuk e kanë ata me karrigen e zonjës Nikolla, ata e kanë që t’u dëgjohet zëri i tyre, ata e kanë, sepse kanë punuar, kanë derdhur djersë, janë shkolluar dhe po punojnë ende sot për t’u bërë mjekë, për të na shërbyer neve dhe juve.

Zonja Felaj, tha këtu disa të pavërteta.

E para, e krahasoi me Magjistraturën, por është model krejt tjetër. Unë ju ftoj ta bëni si Magjistratura. Ministrja Kushi ka thënë në tetor, kur unë e kam pyetur në komisionin parlamentar, kur ende Edi Rama llomotiste nëpër televizione se do t’ju marrim diplomën: çfarë janë këto metoda komuniste, ajo tha: “Jo, ne do t’ju japim një pagë minimale; do të marrin një pagë sa paga minimale ekselentët, do të lidhin një kontratë dhe për këtë do të jenë të detyruar të qëndrojnë”. Pra, kjo është motivuese dhe jo lakun te fyti, nuk është zgjedhje ku të thonë vrit veten, ose me litar ose pi helm. Zgjedhje është ta vrasësh ose mos ta vrasësh, pra të ketë edhe të drejtën e jetës.

Shkolla e Magjistraturës u jep para çdo muaj, u jep rrogë dhe kur Shkolla e Magjistraturës nxjerr gjyqtarë, besoj se e keni parasysh se çfarë rrogash kanë! Flitet 6700 euro për gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, për të mos folur për…

(Ndërhyrje nga salla pa mikrofon)

Atë e tha zonja Felaj e jo unë, e krahasoi me Shkollën e Magjistraturës.

(Ndërhyrje nga salla pa mikrofon)

Jam dakord me ju, por kështu e tha zonja Felaj. Korrigjojeni, mësojeni, por unë po e kundërshtoj që shembulli nuk është i njëjtë, nuk është e njëjta gjë, ndërsa ajo e krahasoi si e njëjta gjë. Atëherë, urdhëroni dhe jepini, kur ndërkohë janë dy sisteme, siç e tha me të drejtë edhe zoti Xhafaj, krejt të ndryshme.

Ju sillni këtu shembuj kuturu për të na mbushur mendjen se po bëni një gjë të mirë, shembuj që nuk qëndrojnë as në qiell dhe as në tokë. Kushtetuta…

(Ndërhyrje nga salla pa mikrofon)

Po, zoti Xhafaj, Konispoli im, Finiqi, Fterra, Borshi, të gjithë kanë nevojë për mjekë. Po ku të shkojnë, te stalla e lopëve kur nuk ka klinika apo poliklinika? Ku të shkojnë, te shtëpia e infermierit, se kështu po punojnë? Pra, krijojuni kushtet, jepuni rrogat dhe pastaj kërkoni llogari ikin apo nuk ikin, kjo është filozofia. Jo, shko ti në stallën e lopëve dhe bëj lindje dhe gjilpëra, sepse nuk detyrohen njerëzit kështu, se jemi në demokraci.

Në nenin 49 të Kushtetutës, thuhet: “Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme që ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës (atë që doni ju t’ia caktoni) dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional”.

Po në nenin 57, pika 4 e Kushtetutës, thuhet se arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm mbi kritere aftësie, jo mbi kritere pagese, jo mbi kontrata të shkeljes së lirive. Në fakt, këtu duhet të fillonim me një pranim të madh: në qoftë se doni të shkelni të drejtat, pranoni që jemi në emergjencë kombëtare; në qoftë se doni të shkelni të drejtat, pranoni që keni dështuar. Le të vijë ministrja e Shëndetësisë që nuk rri fare këtu, që e ka për detyrë, dhe të thotë: kemi dështuar, kemi një sistem të dështuar dhe nuk arrijmë dot t’i mbajmë në asnjë formë, nuk jemi të aftë, dhe do të përdorim këtë mekanizëm. Po ju nga njëra thoni: ne jemi të suksesshëm, në kohën tuaj ishin 1,2 mjekë për 1000 banorë, ndërsa tani janë 1,9, kemi përmirësim. Atëherë, si e justifikoni që përmirësimi t’ju çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe në një emergjencë apo në një hemorragji mjekësh, siç e përdorni? Duhet të bini dakord: ose njëra ose tjetra. S’mund të jenë të dyja, sepse i bie që janë të dyja të gënjeshtërta.

Nga ana tjetër, po, keni një portal “Mjekë për Shqipërinë”. Ku do ta çoni këtë portalin, se vendin e punës do t’jua gjeni ju, do t’jua caktoni ju?! Iku edhe një portal, i bërë që ata do të aplikojnë atje, do të zgjidhen me meritë dhe preferencë, ku do t’i caktoni ju. Ndërkohë ju i thoni, 1 vit ti do të rrish pezull, do të mbajë prapë mamaja dhe babai, se mbase të gjejmë punë; po nuk të gjetëm punë, do të të japim diplomën. Po çfarë, do të luani ju me jetën e studentëve? Do të luani ju me të ardhmen e tyre? Nuk ju kanë thënë kurrë studentët që ne nuk pranojmë një sistem shëndetësor që na ofron mundësi këtu dhe duam të ikim jashtë, jo, ju kanë thënë, hajdeni dhe bëjeni!

Nga ana tjetër, ky detyrim ka zbardhur një mashtrim të madh, mashtrimin me pagesën. Letrës së qëndresës qytetare, Universiteti i Mjekësisë i kthen përgjigje, 2 vjet më parë, se kostoja reale e studimeve është 2300 euro. Pa ndryshuar asgjë, kostoja vajti 6700 euro, aq sa e ka një universitet i ri privat. 6700 euro, thotë ai, të shkollohesh me lagështi dhe me myk; që lekët e tua të shkojnë për tenderë, për orenditë e mia, për security, të mos blesh asgjë, të mos kesh as bibliotekë, madje të të ikin edhe dritat mes orës së mësimit, gjë që na ka ndodhur edhe neve në universitete, të blesh edhe vetë maskat dhe të paguash 6700 euro. Ku i çoni? I çoni që të ikin me vrap te privati, sepse ata do të paguajnë më pak, do të kenë kushte më të mira dhe në fund do të marrin diplomën. Ky është qëllimi, ky është objektivi? Jini të qartë që ky është objektivi, që ne të fuqizojmë 1, 2 apo 3 klientët tanë, do ta bëjmë se kanë lobuar dhe na kanë sponsorizuar në fushatë, thuajeni, por thuajuni të vërtetën qytetarëve. Mos u thoni se po e bëjmë që të mos ikin nga Shqipëria. Sepse me këtë logjikë, që ne të ndalojmë shpopullimin, do të ndalojmë lëvizjen e lirë.

Në qoftë se ju ecni me këtë logjikë, që ne do të mbyllim apo do të kufizojmë lëvizjen e lirë, sepse kështu kufizojmë shpopullimin, atëherë ju po pranoni se doni të ktheheni në një diktaturë dhe doni të merrni të njëjtin model qeverisjeje, me rend, siguri dhe shqiptarë të lumtur, njeriun e ri socialist që kishte paraardhësi juaj apo partia mëmë, Partia e Punës dhe Enver Hoxha. Besoj se nuk ka ndonjë nga ju, që sot mund ta mbrojë se ky është sistemi që duan shqiptarët dhe për të cilin luftuan studentët e vitit 1991!

Ju nuk i dhatë zë Deas, Eliotit, Zinos, Mikelit dhe Trevorit, duke thënë kush janë ata. Ata janë përfaqësues të zgjedhur me votë, por ndryshe nga ju, ata janë zgjedhur nga studentët që t’i përfaqësojnë. Dhe e bëjnë shumë mirë këtë, sepse përfaqësojnë interesat e tyre. Ju jeni zgjedhur nga qytetarët për t’i përfaqësuar dhe e bëni shumë keq këtë, sepse përfaqësoni vetëm interesat e oligarkëve dhe të grupeve kriminale.

Faleminderit!