Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, / 13 Shkurt 2025 & 17 Shkurt 2025

Në fakt, kolegët harruan të thoshin se ka një sherif të ri në qytet dhe qasja ndërkombëtare dhe mbarëshqiptare ka ndryshuar për Partinë Demokratike dhe për opozitën shqiptare.  

Siç e patë, Kryeministri juaj bëri çdo tentativë për t’iu afruar sado pranë zëvendëspresidentit amerikan në Munih, por nuk ia doli dot. Nuk ia doli, sepse kishte shkuar mesazhi. Kishte shkuar mesazhi nga zyra e Donald Trump-it, nga Zyra Ovale, nga shefja e kabinetit, që i thoshte: mos iu afroni pupacit të George Soros-it! Në fakt, nuk mund ta shmangni dot erën e re që po fryn, dhe kjo është era e ndryshimit, era e opozitës. Ju folët për votën e diasporës dhe nuk pranoni që dokumentet e huaja janë të sigurta. Për ju të sigurta janë vetëm dokumentet shqiptare që prodhohen nga një kompani shtetërore, e cila drejtohet nga ky ministri juaj këtu. Pra, këto janë të sigurta, ndërsa dokumentet amerikane, dokumentet gjermane, dokumentet franceze nuk janë të sigurta. Ato po, falsifikohen, kurse tonat nuk falsifikohen dot, një logjikë që besoj se kushdo që e dëgjon, me dy fije shkollim, e kupton se sa komike dhe sa e pabazuar është, vetëm e vetëm për t’i hequr diasporës të drejtën për të votuar, dhe e bëni këtë, sepse edhe Kryeministri juaj (jo më ju vetë, që nuk keni shanse të organizoni takime të mëdha në diasporë) i ka organizuar takimet vetëm në Greqi dhe në Itali, sepse vetëm atje mund të mbusheshin autobusët dhe mund të çoheshin avionët me patronazhistë, vetëm atje i mbushni me kryetarët e bashkive dhe stafet e bashkive, sepse në Londër nuk i merrni dot patronazhistët.

E bën dot Edi Rama një takim të madh në Londër? E bën dot Edi Rama një takim të madh në Miçigan? E bën dot Edi Rama një takim të madh në Berlin? Të shkojë ta provojë, por Edi Rama nuk bën dot asnjë takim të madh, kur nuk e mbush dot me patronazhistë të bashkive socialiste dhe koha e ka provuar. Le ta bëjë dhe le të na tregojë të kundërtën! Çdo deputeti të Partisë Demokratike, jo më liderit të saj, i mbushen sallat, mezi e presin kudo në diasporë, sepse duan ndryshimin, sepse duan programin e Partisë Demokratike dhe sepse u ka ardhur në majë të hundës me vjedhjet dhe skandalet e kësaj qeverie dhe të këtij Kryeministri.  

Doli sot Kryeministri dhe paskësh thënë se vetëm dy ministra ka në burg! Ndoshta ka harruar edhe ministrat e vet, se vetëm nga kabineti i parë ka Lefter Kokën, Ilir Beqajn, Arben Ahmetajn, Erion Veliajn. Të gjithë këta i kishte ministra në kabinetin e tij të parë, pa kaluar te kabinetet e tjera dhe pa kaluar te kryetarët e bashkive.  Ju, të dashur kolegë, besoj se keni dëgjuar për qeveri në ekzil, qeveri të përkohshme, qeveri hije, por besoj se nuk keni dëgjuar për qeveri në burg. Në burgun e Durrësit keni zyrtarë më shumë se një qeveri e tërë. Atje keni të gjithë dasmorët e dasmës në kala të Erion Veliajt. Në rrjet qarkullon edhe një kërcim, ku Ilir Beqaj merrte mbi qafë Erion Veliajn, dhe mbase atje në burgun e Durrësit kujtojnë me nostalgji ato kohë kur keqpërdornin pasuritë tona kombëtare për të bërë dasma private. 

Qytetarët, të cilët hapën një shampanjë për të festuar arrestimin e Erion Veliajt, u morën nga policia, u çuan brenda dhe u gjykuan për tubim të paligjshëm, ndërsa qindra zyrtarëve të bashkisë që shkuan me urdhër para SPAK-ut, duke ndaluar makinat e prokurorëve dhe të të burgosurve, nuk u ndodhi asgjë, përkundrazi u quajtën nga ky që keni ministër këtu (mos t’i vë ndonjë emër, se çdo emër do të ishte pak para tipologjisë amorfe), tha se ata janë simpatizantë, ndërsa ata që hapën shampanjë duhet të procedoheshin. Ja, ky është standardi që keni vendosur me Policinë e Shtetit, ky është standardi që keni vendosur me drejtësinë në Shqipëri.  

Quhen organizime të paligjshme, kur i bëni ju, festa simpatizantësh, ndërsa kur hapet një shampanjë, quhet shkelje e ligjit; dy standardet e njerëzve të korruptuar. Ajo që ndodh në Shqipëri, mos mendoni se ngelet vetëm në Shqipëri; mos mendoni se diaspora shqiptare, sado kohë të ketë që është larguar, është ndarë nga zhvillimet e Shqipërisë; mos mendoni se familjarët e tyre në Shqipëri nuk u flasin dhe nuk jua paraqesin gjendjen që ka Shqipëria; mos mendoni se presionet tuaja mbi administratën do të ndikojnë në votën e diasporës.  Një qytetar, me të drejtë, kur familjarët e tij i kishin kërkuar kartën e identitetit, kishte thënë: pikërisht për të mos e dhënë këtë kartë identiteti kam ikur nga Shqipëria dhe nuk ka zot që të ma kërkojë njeri mua atë sot, që jetoj me forcat e mia në Itali. Ta harroni ju që mund t’u bëni presion atyre njerëzve që kanë ikur pikërisht për dinjitet mbi të gjitha, sepse shumica e atyre që kanë ikur gjatë 12 vjetëve i përkisnin edhe shtresës së mesme, që të ardhurat i kishin deri diku të mjaftueshme, por ikën, sepse këtu nuk kishin dinjitetin, sepse këtu nuk kishin të ndierit qytetar që respektohet, duke marrë parasysh edhe të gjithë trajtimin në sistemin arsimor, në sistemin shëndetësor apo edhe respektimin përpara ligjit, ku disa janë të nënës dhe disa janë të njerkës, me disa funksionon ligji dhe me disa funksionon Maliqi. Për ata shqiptarë që kanë dinjitet, ju sot, nëse keni kurajën, duhet të votoni që të votojnë me pasaportat e tyre të rregullta biometrike të shteteve ku jetojnë dhe ku punojnë. Në qoftë se ju nuk keni frikë nga vota e diasporës, tregojeni sot me votë dhe votoni që ata të shprehen me dokumentin e tyre, dhe jo vetëm ata, të cilëve u ka ngelur apo kanë një dokument shqiptar. Votoni sot, nëse nuk keni frikë, votoni sot, nëse mendoni se diaspora do t’ju japë votë, siç e parashtruat këtu.  

Ju jeni të qartë dhe të bindur se asnjë votë nuk keni për të marrë, jeni të bindur se goditja më e rëndë do t’ju vijë nga diaspora, jeni të bindur dhe jeni të tmerruar. Të gjithë ata patronazhistë që dalin dhe fshihen duke thënë: jemi punonjës të KQZ-së, e bëjnë sepse u vjen turp, përveçse kanë frikë të thonë se jemi nga Partia Socialiste, se nuk u qaset asnjë emigrant dhe detyrohen të thonë: jemi nga KQZ-ja, që t’u qasen emigrantët, që t’u japin siguri emigrantëve se nuk jemi duke i vjedhur të dhënat tuaja, nuk jemi duke i manipuluar të dhënat tuaja, siç është nami dhe gjëma e të gjithë patronazhistëve të Partisë Socialiste. 

Ndaj, të nderuar kolegë, ju ftoj të votoni ndryshimet që lejojnë votën e të gjithë diasporës me dokumentet e tyre biometrike europiane perëndimore, me të cilat hyjnë, kalojnë kufirin, njihen dhe certifikohen nga shteti shqiptar dhe nuk ushtrokan dot të drejtën e votës kur janë në listën e zgjedhësve. Këto janë vetëm alibi që ju i përdorni për të shmangur fuqinë e madhe të votës së diasporës, por ndryshimi nuk ndalet, fitorja është e padiskutueshme dhe më 11 maj ju do të merrni mësimin nga të gjithë shqiptarët.  

Shumë faleminderit!