Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë / 16 Prill 2026

Në fakt, e nisëm seancën, por në pamundësi për t’iu përgjigjur fjalës pa limit të ministrave, do t’i përgjigjem tani. Edi Rama ka një meritë të padiskutueshme kur vjen puna te kontributi që ka dhënë për rritjen e numrit të diasporës. Është pikërisht falë tij, që në trembëdhjetë vite janë larguar 1,4 milionë shqiptarë. Ky është i vetmi kontribut që kanë qeveria socialiste dhe Edi Rama për sa i përket diasporës.  

Ministrja paska ikur vetë. Unë nuk e di se kur diskutohet një projektligj rri prezent vetëm ministri i Mjedisit. As ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin nuk rri të dëgjojë, le pastaj ministri i linjës. Pra, e keni bërë Parlamentin që kur keni dëshirë të jeni, jeni; kur nuk keni dëshirë, s’jeni. Njëlloj si në kafen e lagjes, që kur do merr pjesë, kur s’do nuk merr pjesë. Ndërkohë, ka një detyrim nga Kushtetuta dhe nga Rregullorja, që të qëndrojnë këtu për aq kohë sa diskutohen ligje që prekin drejtpërdrejt fushat e tyre, sidomos ministrja për Parlamentin.    

Për ta sqaruar, po i them një fakt shumë të thjeshtë: në Komisionin e Diasporës ne kemi pasur dëgjesa për ligjin e librit. Njëri nga botuesit, botuesi Bujar Hudhri solli disa fakte dhe tha se ambasadorët, e konkretisht mori shembull ambasadorin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vijnë e na kërkojnë ndihmë private për të çuar abetaren shqipe në diasporë. Filloni, të nderuar ministra, dhe e nderuara qeveri, duke bërë detyrat me diasporën, duke çuar abetaren shqip në diasporë, duke ngritur qendrat kulturore siç e kërkon ligji, duke trajnuar dhe duke përgatitur mësuesit shqiptarë për të mësuar gjuhën shqipe, duke ofruar kurse për ta, sepse gjuha është themeli dhe rrënjët e një shteti. Kjo është A-ja, për të cilën duhej të kishit diskutuar në samitin e diasporës. 

Thojuni pak përfaqësuesve të diasporës dhe pyetini ata: në shtetet ku ata jetojnë, a kalojnë ligje me porosi? Në shtetet ku ata jetojnë, a bëhet Kuvendi rrobaqepësi, që brenda dy ditëve të kalojë një ligj, siç kaloi ligji i porteve? Ligjin e porteve e futët për shqyrtim ditën e martë në tri komisione, ku komisioni i fundit mbaroi në orën 9 të darkës, dhe e futët në rend dite të enjten. Është një ligj i cili shkel tre kapituj të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, është një ligj që shkel Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, është një ligj që cenon konkurrueshmërinë, cenon interesin strategjik të Shqipërisë. Të nderuar kolegë deputetë, që kur mundet që një port me rëndësi strategjike, me rëndësi për menaxhimin e hapësirës bregdetare, me rëndësi për sigurinë kombëtare të trajtohet si pishinë private e një resorti?

Sot, brenda lejes që i jepni një investitori strategjik, që në fakt është një mik e një oligark, pasi deri më sot nuk keni ndonjë investitor strategjik që të jetë realisht strategjik, a të paktën të ketë një pasaportë të huaj, mirë të jetë biznesmen me famë, se është shumë të kërkosh këtë nga ju, janë thjesht miq, me të cilët ju ndani pazaret elektorale e financiare. Po si ka mundësi që brenda të njëjtës leje, ku ata kërkojnë parkingun, pishinën, saunën SPA, i jepkemi edhe portin! Pra, portin e qytetarëve shqiptarë, portin që duhej të ishte pasuri publike, ne ia japim si të jetë pishinë private një investitori strategjik. Pastaj vjen zonja, që i kishin dhënë detyrën për të prezantuar projektligjin, dhe thotë se po bën një arritje të madhe, se po heq rregullat; po bën një arritje të madhe, që të mos të vijë t’ia marrë portin ndonjë njeri tjetër. A thua se porti ishte personal dhe po vinte t’ia merrte ndonjë tjetër me konkurrencë. Po, portet mund të jepen me koncesion, por është ligji që i rregullon se si është gara, se si bëhet gara, kush merr pjesë dhe si fiton. Por ju doni të hiqni garën, doni të hiqni konkurrencën, doni të hiqni gjithë ato që përcakton Bashkimi Europian si metoda të prokurimit publik, si metoda të koncesionit, dhe të dhuroni nga një port tek oligarkët, a thua se porti është pishina e oligarkut. Ta gëzojë pronën shtetërore Rama me miqtë e tij, që kanë resorte nëpër Shqipëri, që kanë ndërtuar në këto pikat e vogla të Mirela Kumbaros.  

Ky Kuvend nuk ka miratuar një ligj, nuk ka miratuar dy apo tre, por ka miratuar 18 ligje, të cilat janë kostume me porosi, ligje që janë për interesa nominale, pasi dihet kush do ta marrë dhe çfarë do të marrë. Po ashtu do të kalonit edhe ligjin e Gardës, që e shtytë për javën tjetër, që prapë është kostum me porosi, pasi dihet se kush do ta marrë dhe kush do të bëhet drejtor. 

Ky Parlament nuk guxon të ngrihet në nivelin e detyrës që i është dhënë nga qytetarët që të miratojë ligje për qytetarët. Ky Parlament nuk miraton ligj për minimumin jetik, se nuk i del koha, nuk ka kohë. Ky Parlament nuk miraton ligj për statusin e minatorit, se nuk i del koha, nuk mundet, nuk ka parà, nuk miraton ligj për mësuesit, për rritjen e pagave të mësuesve, po përkundrazi, miraton ligje që t’i fusë në provim si të jenë studentë. E keni shndërruar Parlamentin në një parlament të frikshëm, në një Parlament ku vjen ligji, regjistrohet, futet në pesë komisione brenda ditës, miratohet të enjten, zbardhet në Fletoren Zyrtare, dhe ta gëzojnë Shqipërinë, njëlloj si të jetë plaçkë, si të jetë mall që duhet të ndahet e të plaçkitet nga mëngjesi në darkë prej qeveritarëve.

Prandaj, qytetarët nuk kanë rrugë tjetër se s’i t’u dëgjohet zëri, përveçse të protestojnë. Qytetarët nuk kanë rrugë tjetër, sepse ju nuk bëni as konsultime publike, nuk bëni as konsultime që janë të detyrueshme me ligj, sepse arsyeja pse ju sillni si propozim deputetësh projektligje, të cilat janë shkruar nga qeveria, është që të shmangni konsultimin e detyrueshëm që duhet bërë, në rastin kur projektligji vjen si propozim qeveritar. Nëse ligji i porteve do të vinte si ligj i qeverisë, do të duhej të bënte konsultim publik. Çdo ligj që vjen si propozim i qeverisë do të duhet të kalojë në konsultim publik, në afate të caktuara për t’u hedhur online, për t’u dëgjuar grupet e interesit. Për të shmangur këto, ju i paketoni ligjet si iniciativa të deputetëve. Në 99% të rasteve deputeti e merr vesh atë ditë që e firmos për ta depozituar si ligj të tij. Pastaj fillojnë e mësohen më pas, kur të vijë në komision. Në rastin më të keq ndodh si me deputeten e porteve, e cila s’e kishte idenë, sepse thoshte: “po e bëj për marinën”, ndërkohë që marina e kishte marrë portin. Ajo thoshte: “po e bëj ligjin për marinën e Vlorës”, ndërsa investimi strategjik atje e kishte marrë portin si koncesion me ligjin ekzistues.  

Për këtë arsye qytetarët kanë zgjedhur të protestojnë. Do të protestojnë me 17 prill, në orën 19, në bulevard, për të kërkuar që ky Parlament të miratojë ligje për ta, për të kërkuar minimumin jetik, për të kërkuar një qeveri tjetër, që të mos jetë më qeveria-simbol i korrupsionit, por një qeveri tranzitore, një qeveri që punon për interesin e qytetarëve, por mbi të gjitha që garanton që në këtë vend të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. 

Prandaj, protesta e 17 prillit nuk është thjesht një protestë e radhës, e stinës së protestave të opozitës, por tronditje për ju, sepse ka vajtur aty ku nuk mban më, sepse parlamentarizmi ka vdekur, sepse ligjet nuk bëhen më për qytetarët, sepse sot  qytetarët e paguajnë naftën më shtrenjtë se kudo në Europë, sepse sot 47% e qytetarëve jetojnë në varfëri ekstreme, me më pak se 5 dollarë në ditë… 

(Bie gongu.) 

Sepse qytetarët sot paguajnë tarifat më të larta të shkollimit për studentët, ndërkohë që nuk bëhemi dot aq sa Kosova. Kosova është shtet më i ri, ka buxhet më të vogël, por nuk ka qeveri hajdute e të korruptuar siç e kemi ne. 

Prandaj, të nderuar qytetarë, më 17 prill të jemi të shumtë, të jemi në shesh, të jemi përballë kësaj mafieje në pushtet, e cila po pengon edhe hetimin, duke mos ia hequr imunitetin… 

(Bie gongu.)  

Në orën 19.00, në bulevard, të gjithë së bashku, për interesin e Shqipërisë, sepse Shqipërinë e bëjnë vetëm shqiptarët. 

Faleminderit!