Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Që në fillim dua të sqaroj, edhe për lajmet e fabrikuara nga ajo që ndodhi në këtë seancë, se Partia Demokratike e ka të qartë, e ka të shprehur publikisht, e ka pjesë të statutit të vet bindjen proamerikane dhe do të votojë pro marrëveshjes.
Vota kundër në nisje të seancës ishte për shkeljen e Kushtetutës së Shqipërisë, për futjen e një procedure që nuk ekziston as në Kushtetutë dhe as në Rregullore, që gjithçka të ndodhte brenda dymbëdhjetë orëve; ishte sepse kështu ju po vesoni atë që duhet të ishte një marrëveshje pa asnjë cen dhe që duhet të tregonte seriozitetin e shtetit shqiptar. Në këtë rast, për interesa të një lajmi për Kryeministrin, ju nuk zgjodhët të ruani dinjitetin e shtetit shqiptar për të bërë një marrëveshje pa cene, siç e kërkon Kushtetuta, por zgjodhët ta bënit me shpejtësi ditën kur Edi Rama nuk do të shfaqej askund si lider i vetëshpallur i Ballkanit Perëndimor, por në Davos do të ishte Vjosa Osmani, për të justifikuar që edhe ne si Parlament i Shqipërisë po e miratojmë këtë marrëveshje dhe Rama është po aq i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një marrëdhënie që ndoshta për shtetin shqiptar është më kuptimplote, duke filluar nga parimet e ish-presidentit amerikan, Wilson, i cili i mundësoi Shqipërisë njohjen si shtet i pavarur, më pas me të gjitha përpjekjet pas viteve ‘90, për të dhënë ndoshta kontributin më të madh nga partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetje politike dhe demokratike. Ju duhet të kujtoni që fushatën e parë Partia Demokratike e ka bërë duke pasur në krah ambasadorin amerikan. Ju duhet të kujtoni që i vetmi politikan shqiptar që ka shkelur në Zyrën Ovale, që është pritur nga presidentët amerikanë, është Sali Berisha. Pavarësisht takimeve të tjera që mund të kenë bërë, askush tjetër nuk ka arritur në Zyrën Ovale deri më sot. Duhet të kujtoni që partneriteti dhe bërja e Shqipërisë anëtare e NATO-s, që sigurisht na jep kreditet që sot jemi edhe në Bordin e Paqes, është meritë e padiskutueshme e Partisë Demokratike.
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në siguri, në ushtri, në ndihmë ekonomike, në zhvillim, në arsim dhe në kulturë. Programet “Fullbright” kanë arritur të bëjnë maksimumin për elitat shqiptare, për arsimin shqiptar, për kulturën shqiptare. Kështu që, në këtë aspekt nuk ka asgjë për të diskutuar sa herë vjen një ftesë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekje për sigurinë ndërkombëtare, në përpjekje për paqen ndërkombëtare.
Ajo që ne diskutojmë dhe që duhet të ndajmë është se çfarë është shteti shqiptar dhe çfarë përfaqëson qeveria shqiptare. Sigurisht, shteti shqiptar vlerësohet, është anëtar i NATO-s. Nuk ekziston në Shqipëri një parti politike parlamentare që të jetë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Besoj se nuk ka vend tjetër ku pëlqyeshmëria dhe pranueshmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga qytetarët është në nivele më të larta se në Shqipëri, por ajo që duhet të ndajmë është se çfarë përfaqëson qeveria shqiptare sot për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çfarë përfaqëson qeveria shqiptare sot për realitetin shqiptar?
Askush nga parafolësit e qeverisë nuk e përmendi atë që ka ndodhur, që Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s, i cili është futur në kufizimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizat ndaj qytetarëve të saj. Nuk ka një tjetër. Kjo po është falë “meritës së qeverisë”, sepse ata matin çfarë ka ndodhur, çfarë rreziku sjell për të shkuar dhe për të kërkuar azil, për të qëndruar në SHBA, për të vajtur në mënyrë të paligjshme në SHBA.
Pse ka ndodhur ky ndryshim, kjo qasje ndryshe e qytetarëve shqiptarë, të cilët s’kanë qenë kurrë problem më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pse u futën në listën me vendet e botës së tretë? Kjo është meritë e qeverisë, e cila nuk arriti dot t’u garantonte qytetarëve shqiptarë shëndetësi, arsim, siguri, punësim dhe rritje ekonomike, por i detyroi të ishin me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Europë dhe të ktheheshin në problem edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vendosur rekordin e vendit të vetëm të NATO-s që i vihen këto kufizime vizash.
Dhe meqenëse sot ne kemi temë themelore Gazën dhe marrëveshjen e paqes, pamjet e para dy-tre ditëve në QSUT të, në kulmin e horrorit njerëzor, teksa njerëzit nxirreshin nga reanimacioni nëpër korridoret e ftohta të QSUTsë, një vend pa drita, gazetarët nuk i gjejnë dot as në Gaza, edhe po t’i kërkojnë. Edhe në vendet ku ka luftë spitalet kanë energji elektrike, edhe në vendet ku ka luftë të sëmurët nuk preken, kurse në Shqipëri rrezikohet jeta. Pse? Nga papërgjegjshmëria e një qeverie që jo vetëm nuk garanton në mënyrë të vazhdueshme furnizimin me energji elektrike, por është aq e paaftë sa të krijojë edhe ata gjeneratorët që funksiononin atje. Kjo qeverisje vjen e na flet këtu për standarde, për faktorë të rëndësishëm për t’u marrë shembull, ndërkohë që ka degraduar në çdo qelizë të qeverisjes së saj lidhur me atë që duhet t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë. Në çdo vend tjetër, sadopak demokratik, do të kishte dhënë dorëheqjen në sekondë drejtoresha, ministrja e Shëndetësisë dhe me radhë i gjithë zinxhiri që dështoi për të garantuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Të flitet këtu pastaj që ne jemi një vend me arritje të mëdha, është hipokrizia më e madhe. Kryeministri anatemoi kongresmenët amerikanë, duke u thënë se i paska futur në xhep Chris La Civita. Anatemoi se mund të blihen kongresmenët amerikanë, a thua se kongresmenët amerikanë janë Charles McGonigal, që e korruptonte Kryeministri i Shqipërisë, duke mos njohur as rëndësinë e atij institucioni dhe as integritetin e Kongresit amerikan. Kongresi amerikan dhe kongresmenët e tij janë politikanë që janë votuar atje për shkak të integritetit që përfaqësojnë dhe nuk janë si këta qeveritarët që kemi ne këtu, të cilët vijnë për shkak të krimit. Kështu që, kur flet Kongresi amerikan, nuk mund të dalë një politikan shqiptar dhe t’u thotë: ju jeni korruptuar, ju ka futur në xhep iksi apo ipsiloni, duke shkaktuar kështu edhe një sjellje jokorrekte diplomatike për atë që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kongresin amerikan. Strategia kundër karteleve të drogës e Presidentit Trump nuk është shpikje e opozitës; nuk është strategjia jonë e çuar te Presidenti Trump nëpërmjet Chris La Civita-s, por strategjia e tij dhe vizioni i tij për të ndalur narkotrafikun si një rrezik i sigurisë, sepse një vend anëtar i NATO-s, një vend kandidat për në Bashkimin Europian nuk mund të jetë njëkohësisht një vend që hap dhe lehtëson rrugët e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe të pastrimit të parave dhe cenon sigurinë kombëtare, rajonale dhe europiane. Ndaj edhe frika e sotme (ndaj edhe në fjalimin e sotëm u përmend 25 herë SPAK-u) është sepse drejtësia, e cila është investim amerikan, do ta gjejë herët a vonë rrugën e vet, për të arritur tek ai që është përgjegjësi kryesor i kësaj gjendjeje mjerane ku ndodhet Shqipëria. Madje, nuk ia ka fajin asnjë lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, asnjë personalitet dhe asnjë kongresmen, por ia kanë fajin lidhjet e tij të pashmangshme me kartelet, lidhjet e tij të pashmangshme me korrupsionin dhe të gjitha ato dosjet mal, që sot janë në SPAK.
Shumë faleminderit!


