Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë / 23 Korrik 2026

Sigurisht, nuk krahasohemi dot, sepse ti, Pirro, je në SPAK për Portin e Durrësit. Si do të krahasohesh me kolegët e opozitës?  

Jo, s’jam. Po them që je në SPAK për atë gjë. 

A je në SPAK?  

Kolegët nuk krahasohen me ju; ne nuk krahasohemi dot me ju. Sepse ti ishe ai ministri i Mbrojtjes që the: kemi 2 avionë gati për shuarjen e zjarreve, i kemi prenotuar, i kemi paguar. Ku janë këta avionët e tu, Pirro? Ku i ke? Apo i kalove lekët te Kanye West, 4,3 milionë euro të emergjencave, dhe nuk ke para për të blerë avionë?! Ja pra që nuk jemi njëlloj dhe sigurisht që do të krahasohemi dhe sigurisht që na krahasojnë, sepse që nga dita e parë që keni hyrë në zyrat e shtetit dhe që kur jeni futur në politikë, të gjithë punoni vetëm me një qëllim: t’i shërbeni Edi Ramës, pasurimit të tij, të rregulloni ndonjë punë për vete dhe nuk ka rëndësi se çfarë ndodh me qytetarët atje.  

Vini këtu dhe sulmoni kolegët. Zoti Balla gënjeu përpara 5 minutave, kur tha se zoti Bardhi erdhi më përpara sot për shkak se kishte frikë. Ndërkohë, ne kishim mbledhje të Konferencës së Kryetarëve dhe erdhëm më përpara sepse mbledhja fillonte në orën 09:00 (të gjithë kryetarët). Por zoti Balla e ka ves, dhe ju të gjithë keni mësuar nga i njëjti ves, se mendoni që është kryetari juaj dhe do t’ju prijë në gënjeshtra. Ky është diferenca…  

(Duartrokitje në sallë.) 

Ndërkohë, sa u përket qytetarëve, ti sot duhet të ishe çuar dhe të flisje për qytetarët që i zuri stuhia në Vlorë, në Sarandë, kudo, për dëmet e tyre; duhet të ishe çuar dhe të thoshe pse bashkia nuk kishte marrë masa, pse nuk kishin marrë masa autoritetet lokale, qoftë për të njoftuar, qoftë për të qenë atje; të bënit një bilanc dhe të vinit fonde në dispozicion, nëse ju ka ngelur ndonjë fond nga emergjencat civile, se i keni çuar të gjitha për ahengje.