Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë | 25 maj 2023

Në fakt, me propozimin e zotit Berisha jam dakord, sepse, nëse do të vendosej sistemi i gjobave, e gjithë mazhoranca në fund nuk do të arrinte dot jo të merrte rrogën, por edhe të jepte nga pasuria për të paguar për gjobat që detyrohen për mashtrimet që thonë në këtë parlament, por edhe jashtë tij.

Vijmë në këtë parlament pas zgjedhjeve lokale, apo e thënë ndryshe, pas asaj masakre zgjedhore që ju e bëtë të certifikuar edhe nga çdo institucion i kapur i zgjedhjeve, nga KQZ-ja juaj, nga organet tuaja, të cilën e nisët që para se të niste procesi i zgjedhjeve duke mos na lejuar as të konkurronim ashtu siç ishim, si parti politike, si grupim politik, të përfaqësonim opozitën e vendit, atë që, në fakt, përfaqësojmë me dinjitet.

Ju keni rritur mbështetjen, tha Edi Rama para pak minutash. Po, ju keni rritur mbështetjen eksponenciale si kurrë më parë, në të gjitha burgjet e vendit. Historia politike do të shkruajë që në burgjet e Shqipërisë ka vetëm vota të majta. Shpjegimi është i thjeshtë, janë dy arsye: ose administrata e burgjeve ka manipuluar votimin dhe është flagrante se si ndërhyn shteti në votimin e të burgosurve, ose një shpjegim tjetër sociologjik, të cilin unë nuk e besoj, se krimi qenka vetëm socialist, dhe nuk paska demokratë të dënuar në burgje. Nëse ju e besoni këtë të dytën, atëherë mund të jetë edhe ky shpjegimi. Vetëm një nga këto të dyja dhe të dyja shpjegojnë shumë qartë se çfarë ka ndodhur me procesin zgjedhor.

Në Tepelenë 65 të burgosur votojnë pro jush dhe vetëm 3 pro kandidatit “Bashkë fitojmë”; në Peqin 119 të burgosur votojnë pro kandidatit tuaj dhe vetëm 9 vota pro kandidatit “Bashkë fitojmë”; në Burrel 55 të burgosur votojnë pro kandidatit tuaj dhe vetëm 10 vota pro kandidatit “Bashkë fitojmë”; në Belsh 25 të burgosur pro kandidatit tuaj dhe vetëm 4 vota pro kandidatit “Bashkë fitojmë”.

E fundit, por jo nga rëndësia, në fakt ajo që bëri edhe rokadën, Bashkia e Rrogozhinës në histori do të ngelet si bashkia që e morët me votat e burgut, ku kandidati i “Bashkë fitojmë” ishte 53 vota para dhe ju shfaqët në mënyrë magjike kutinë e burgut ku do të vulosnit fitoren e kandidatit tuaj me 92 vota pro dhe vetëm 12 vota për kandidatin “Bashkë fitojmë”. Kjo është mënyra se si ju keni bërë zgjedhjet dhe se si keni garantuar mbështetjen e lartë të qytetarëve për fitoren e kësaj mazhorance.

Para pak minutash, po Kryeministri tha: “Nuk duhet të bëni politikë me largimet e shqiptarëve”. I njëjti Kryeministër, që me zë dhe me figurë, regjistrim të cilin unë mund t’jua vendos edhe tani, ka thënë se shqiptarët ikin nga Shqipëria se këtu nuk jetojnë dot, por atëherë ishte viti 2013, kur ishte në opozitë dhe e mendonte që shqiptarët largohen pikërisht nga politika, nga keqqeverisja. Nëse largimet atëherë ishin 1/100- ta e largimeve sot, imagjinoni se çfarë ka ndodhur me qeverisjen dhe me politikën gjatë këtyre 10 vjetëve që qeveris Edi Rama. Përgjigjen besoj e kuptoni vetë.

Një popull i varfër është një popull shumë lehtë i kontrollueshëm dhe kjo, në fakt, është premisa me të cilën ju keni qeverisur. Një popull i varfër është një popull që blihet më kollaj në zgjedhje, një popull i varfër është një popull që kërcënohet më lehtë nga forca e pushtetit. Me këtë premisë e keni mbajtur popullin e varfër. Ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi të përcaktuar minimumin jetik. Është momenti që ky parlament të bashkohet njëzëri, majtas edhe djathtas, për të vendosur minimumin jetik. Sipas studimit të fundit të Avokatit të Popullit, 9,9% e pensioneve minimale janë më të ulëta se minimumi jetik, pra ata 9,9% jetojnë në kushtet e mbijetesës, jetojnë në kushte ku nuk dinë nëse do të kenë bukë për të nesërmen. 37,5% e pagesave të papunësisë janë më të ulëta se minimumi jetik.

Pra, ata njerëz që jetojnë me pagesat e papunësisë jetojnë në kushtet e mbijetesës, 37,5% e tyre. Ky duhet të ishte shqetësimi i këtij parlamenti. Është minimumi jetik i llogaritur nga Avokati i Popullit dhe është 3-fish më i lartë se ndihma ekonomike, 300% më shumë. Pra, njerëzit që jetojnë në këtë vend me ndihmë ekonomike e kanë të pamundur edhe konceptin e mbijetesës, po nuk u ndihmuan nga të afërmit, po nuk kërkuan lëmoshë dhe po nuk sakrifikuan çdo ditë të tyre si të fundit. Dhe për këtë përcaktimi i minimumit jetik është edhe më i rëndësishëm, sepse lidhet me pagesat e papunësisë, me pensionin, me ndihmën ekonomike, lidhet pikërisht me atë shtresë, e cila ndihet më e shtypur, më e varfër, më e nëpërkëmbur dhe me të cilën ju tregtoni kollaj edhe votën për një pushtet të blerë.

Në fakt, zgjedhjet e treguan qartësisht se si shkelej Kushtetuta ditën me diell, se si Kryeministri 5 fjali të fjalimit të tij i kishte të gjitha në shkelje të Kushtetutës, se si kërkonte mospjesëmarrjen në zgjedhje, shkelje e hapur e Kushtetutës, se si thoshte që nuk do t’u jepte fonde kryetarëve të bashkive nga koalicioni “Bashkë fitojmë”, shkelje po aq e hapur e Kushtetutës dhe me këtë krenohej, dhe i fuste një tallava në fund. Në fakt, tallavaja, mjafton të shikoni kasetat e atyre viteve, më kujtoi takimet që bënte nëpër qytete Rrapush Xhaferri, të cilin e prisnin njësoj si Ramën, me dajre, muzikë, me këngë për të dhe në fund premtonte edhe ai mrekulli njësoj si Edi Rama. Fundin ia dini besoj dhe besoj se do të jetë i njëjtë edhe për Edi Ramën. Zonjën Shkodër e shndërruat në shoqja Shkodër. Me gjithë makinerinë e shtetit, me gjithë makinerinë e parave të pista të bandave, të njerëzve të cilët kërcënuan dhe manipuluan rezultatin e një qyteti, i cili, të jeni të sigurt, demokrat është, demokrat do të jetë dhe ju nuk e shndërroni dot sado të mund të blini rezultatin zgjedhor

Meqenëse keni nisur turin e falënderimeve, turin e falënderimeve përveçse duhet ta ndalni në çdo burg të vendit si mbështetja juaj më popullore, duhet ta ndalni edhe në çdo rajon të policisë. Duhet ta ndalni, sepse Policia e Shtetit kësaj radhe mori pjesë në mënyrë aktive në fushatën elektorale. Mjafton t’ju them rastin e Delvinës, ku kandidati nuk ishte më shumë sesa kushëri i parë i Ardi Veliut dhe Policia e Shtetit kishte urdhër të prerë të monitoronte kandidatin e opozitës ku shkonte, kë takonte dhe për t’i dërguar mbrapa njerëz me uniformën e policisë për t’i kërcënuar.

Policinë e Shtetit jo vetëm kaq, por e përdorët edhe për takimet tuaja elektorale, duke i reklamuar këto me paturpësi edhe në Facebook, teksa deputetja shkonte në Delvinë dhe thoshte, sot në një familje të nderuar të policit, njeriut që nuk duhet të kishte marrë pjesë në fushatën elektorale, sipas ligjit. Por ju nuk pyetët për këtë, sepse ju jeni vetë ligji, vetë Maliqi. Ju arritët të sillnit në Sarandë bandat. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Në fakt, ai që foli para meje ka qenë përballë meje në vitin 2021 dhe nuk i solli bandat në Sarandë, nuk arriti deri aty, sepse e dinte që është një qytet me shumë kulturë që nuk i pranon bandat. Për herë të parë keni një rakord tjetër në Sarandë, keni humbur këshillin bashkiak në Sarandë. Keni humbur atë që nuk e keni humbur në 32 vjet, e humbët kësaj radhe. Pse? Sepse paratë i hodhët vetëm për kandidatin, për kandidatin e importuar të mafies së ndërtimit dhe e latë mënjanë këshillin bashkiak, kjo për të kuptuar mbështetjen reale që ka Partia Socialiste. Çfarëdo që të bëni, ju nuk na ndaloni dot që ne të themi fjalën tonë këtu, të jemi opozitë. Edhe e vetme ngelsha, opozitë do t’ju bëj çdo ditë.

Faleminderit!