Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Fillimisht, dua t’i bëj me dije seancës që neve na ka ardhur me e-mail një draftraport, program dhe kalendar, që kishte dy projektligje dhe nismën e deputetëve të opozitës, dhe vetëm gjatë kohës së zhvillimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve na erdhi një kopje tjetër, ku shtoheshin jo pak, por 17 projektligje, të cilat ju doni t’i kaloni sot në projektkalendar dhe në projektprogramin e këtij Kuvendi.
Është pa sens që, nga ora 9:00 deri në orën 10:00, ju të sillni 17 projektligje të reja, pa caktuar komisionet përgjegjëse dhe për dhënie mendimi, thjesht dhe vetëm sepse kështu keni marrë urdhrin nga qeveria.
E dyta, ne kemi paraqitur mocionin me debat për programin politik. Nuk ka ende një datë në projektkalendarin tuaj, në projektprogramin tuaj, ndërkohë që duhej të ishte baza e fillimit të diskutimeve të këtij Kuvendi dhe e interesit publik, sepse ne ende sot nuk kemi debatuar se çfarë pritet të ndodhë në katër vitet e ardhshme, prioritetet ose joprioritetet e kësaj qeverie. Prapë këtë e keni lënë pa datë.
Vetëm një projektligj, përkundrejt 19 të tillëve që kemi nga qeveria, një që ka ardhur nga deputetët, i cili duhej të ishte prioritet për shkak se rolin ligjvënës e kanë deputetët, është pa datë. Nuk ka datë, sepse vjen nga deputetët e opozitës. Madje, në traditën më të keqe të këtij Parlamenti, ne e kemi mbyllur Parlamentin e kaluar, sesionin e kaluar, legjislaturën e kaluar, duke ua kthyer mbrapsht deputetëve projektligjet, pasi i kishin depozituar që nga viti i largët 2021, për t’ua kthyer mbrapsht në vitin 2025, sepse ju nuk gjetët kohë, me dy kryetare të ndryshuara Kuvendi, për t’i futur dhe për t’i shqyrtuar në komisione dhe në seancë. Nëse do të vazhdoni të njëjtën traditë, që projektligjet e deputetëve rrinë në sirtarët e Kuvendit, kjo jo vetëm nuk i bën nder parlamentarizmit, por është kundër interesit publik dhe në shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit.
E treta, dhe shumë e rëndësishme, ka të bëjë me mocionin për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit.
Në dijeninë tonë, duhet të ishte futur në Konferencën e Kryetarëve.
Ju thatë se diskutohet njëherë në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas shkon në Këshillin e Legjislacionit, që zoti Kryetar i Kuvendit tha se do ta mbledhë nesër, ndaj ne jemi në pritje të mbledhjes dhe zbatimit të kësaj pike të Rregullores. E fundit, në lidhje me raportimin e institucioneve të pavarura, keni ndërtuar një mbikomision, një komision që duhet të jetë mbi të gjitha komisionet, dhe të gjitha komisionet e tjera i trajtoni si nënkomisione të komisionit “Xhafaj”.

