Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë / 4 Qershor 2026

Në fakt, do ta nis me diçka të papritur. Po shikoj një postim në Facebook të kryetarit të grupit socialist, Taulant Balla, që ma çuan në fakt. Ka bërë vetë një poster në greqisht dhe e ka nxjerrë aty sikur është poster i protestës. Keni filluar qysh në fillim të protestës të prodhoni vetë fakte fake, duke bërë dezinformim, vetëm e vetëm me idenë për të ngjyrosur me ngjyra nacionaliste një betejë që është vetëm dhe vetëm shqiptare dhe e drejtë.  Në fakt, nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve, por në këtë rast ju jeni duke bërë një dezinformim. Nxorët 2-3 deputetë bedelë nëpër studio, që shpikën autobusë …  

(Ndërhyrje pa mikrofon.) 

Klodiana Spahiu – Ju lutem, zonja Zhupa, kujdes me fjalorin!  

Ina Zhupa – Shpikën autobusë me targa … (Ndërhyrje pa mikrofon.) Taulant, qetësohu! 

(Ndërhyrje pa mikrofon.) 

Të njëjtën fjalë që thashë në mëngjes, por ishim më shumë veta dhe pate frikë, kurse tani janë më pak veta dhe u trimërove, më e qetë… 

Klodiana Spahiu – Zonja Zhupa, ju lutem, kujdes me fjalorin!

Zonja Zhupa, ruani etikën, ju lutem! 

Ina Zhupa – Përpara se t’i dezinformoni qytetarët shqiptarë për një protestë, të cilën e bëjnë vetëm shqiptarët; shqiptarë të ndershëm, shqiptarë që nuk kanë pyetur për partitë politike, shqiptarë që janë ngritur për dinjitet, duhet të kuptoni që Shqipëria u takon atyre protestuesve, që e duan zhvillimin shumë më shumë sesa një qeveri hajdute; shumë më shumë sesa një qeveri që 4 miliardë euro i ka vetëm abuzime tek AKSHI; shumë më shumë sesa një qeveri për të cilën KLSH-ja çdo vit thotë se vjedh të paktën miliona euro, që janë minimumi i minimumit të atyre që nxjerr SPAK-u dhe atyre që vidhen realisht.  

Zhvillimi i Shqipërisë, po, është i rëndësishëm. Investimet e huaja, po, janë shumë të rëndësishme, por janë të rëndësishme kur shkojnë në harmoni me atë që është standard në Bashkimin Evropian, me zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe me pasurinë kombëtare, që do t’ua lëmë fëmijëve tanë.  

U bë një emision i tërë për targa, për njerëz të veshur me xhup, me shtatë duar, që me demek ishin protestuesit, që kishin ardhur për të protestuar në Tiranë, në Vlorë dhe kudo nëpër Shqipëri.  

Sot, në fakt, nuk do të protestohet vetëm në Tiranë, do të protestohet në disa qytete të Shqipërisë. Pra, një valë e fortë do të jetë kudo nëpër Shqipëri, madje të shtunën do të protestohet edhe në Padova, edhe në Milano.  Mos u lodhni duke nxjerrë në “Facebook”prapë mediet greke, sepse, sigurisht që do ta reflektojnë. Pse nuk nxirrni edhe mediet italiane që e reflektojnë? Pse nuk nxirrni edhe mediet spanjolle? Pse nuk nxirrni edhe mediet amerikane? Pse nuk nxirrni edhe mediet gjermane? Me demek kështu po e bëni pis protestën. Përkundrazi, i motivoni më shumë qytetarët që të dalin atje, që të bëjnë parodi me ju, që të bëjnë ato pankarta fantastike, me ide brilante të një brezi të ri, që është rritur me Evropën dhe kërkon standardet më të mira evropiane për Shqipërinë.

Ajo që paraqiti sot Kryeministri i Shqipërisë ishte për të vënë duart në kokë. Na tregonte një Zvërnec të ndotur. Një qeveri, që e qeveris Vlorën prej 20 vjetësh në pushtetin lokal dhe prej 14 vjetësh në pushtetin qendror, thoshte: shikoni sa të ndotura i kemi ne zonat e mbrojtura. Por, ky është dështimi juaj; ky është turpi juaj; kjo është paaftësia juaj dhe e kryetarëve tuaj të bashkisë atje; nuk mund ta betonizosh sepse është e pisët.  

Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që, meqenëse nuk i kanë bërë mirë punët kryetarët e bashkive dhe e kanë lënë vendin si një thes i madh plehrash, edhe në zonat e mbrojtura, hajdeni t’i ndërtojmë.  

Sot e dëgjova për herë të parë, dhe nuk e di si keni arritur në këtë mbrojtje kaq absurde?! Në fakt, ju e kishit strategji, e keni përdorur edhe me Teatrin Kombëtar, nuk i vendosët një gozhdë, e latë të pikonte, të degradonte, sepse kishit planin tuaj. E keni bërë kudo: latë Pallatin e Kongreseve, sepse do ta bëni tani me kullë; keni lënë Pallatin e Brigadave, sepse do ta bëni me hotel. E keni strategji. Mirëpo kësaj radhe nuk ju funksionoi strategjia: degradoje me mbeturina, mos bëj punën tënde, si pushtet lokal dhe si pushtet qendror, pastaj justifikoje që duhet ta ndërtosh. Nuk ju funksionoi, sepse shqiptarët e ndjenë gjakun e tyre, e ndjenë që Shqipëria, vendi i tyre, është duke u përçudnuar dhe duke u trajtuar si një plaçkë nga Edi Rama, dhe reaguan, duke dalë të shumtë dhe të shumëllojshëm.  Atje ka dhjetëra parti politike, por ju garantoj se shumica e atyre janë demokratë, dhe jam shumë krenare për ta. Ka thirrje nga më të ndryshmet, gjithsecili ka kokën e vet, gjithsecili ka armiqtë e vet, dhe janë të lirë. Kjo është bukuria e një proteste pa lider dhe e një proteste të lirë. Mund të shajnë këdo, mund të më shajnë edhe mua, dhe jam shumë e hapur, por, në fakt, jam e vetmja që kam bërë betejë për zonat e mbrojtura, dhe e kam bërë me bindjen e plotë se e meriton Shqipëria; e kam bërë me bindjen e plotë që, pavarësisht se mjedisi mund të dukej si një temë, që nuk e prekte aktualitetin e vrasjeve që ndodhnin këtu, e rrëmbimeve të biznesmenëve që ndodhnin këtu, dukej si një temë pak më periferike, por do t’i vinte dita. Jam krenare që sot i erdhi dita dhe tema qendrore në Shqipëri është: mjedisi dhe jeta. Në fakt, është e drejtë kushtetuese. 

Më vjen shumë keq që për këtë ligj, të cilin sot Bashkimi Evropian kërkon ta anulojmë, që unë e kam depozituar për ta shfuqizuar, Gjykata Kushtetuese u nda katër me katër dhe nuk pati kurajën të ngrihej dhe ta ndalonte këtë gjë, ku katër gjyqtarë thanë se është shkelje e 

Kushtetutës, katër thanë se nuk është, pastaj hajde zgjidhe a është apo nuk është, ku, në fakt, qartësisht është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sepse lidhet me shëndetin e qytetarëve.  

Nuk është shpikur akoma formula se si betoni prodhon oksigjen; nuk është shpikur akoma formula se si njeriu jeton pa oksigjen. Këto dy postulate janë të thjeshta për të kuptuar që beteja nuk është për pemën për ta parë sa e bukur është, por është për jetën e njeriut, është për shëndetin e shqiptarëve, është për historinë e shqiptarëve.  

A mund të zhvillohet Shqipëria me një turizëm të qëndrueshëm, me mjedis të qëndrueshëm? Po, na bën edhe më të veçantë nga vendet e tjera, madje do të sjellë mijëra turistë, të cilët do ta kombinojnë turizmin malor me turizmin detar, me turizmin e zonave të mbrojtura. Kjo duhet të jetë strategjia e Shqipërisë. Por, në fakt, strategjia e Shqipërisë ka qenë: trajtoje pronën publike si pronë private; si oborrin e shtëpisë: ndaje, copëtoje, jep investime strategjike, bëj “Paketën e maleve”, bëj Korporatën Shqiptare të Investimeve, bëj porte turistike, të dhurojmë edhe nga një port.  

Ka nga ata që pyesin: “Ku ishin protestuesit?”. “Ku ishin protestuesit”?! Po më mirë vonë se kurrë. Ju e mbushët kupën, sepse nuk dhatë vetëm një copë të Shqipërisë, nuk dhatë vetëm Butrintin, nuk dhatë vetëm manastirin, nuk bëtë vetëm aeroportin e Vlorës, derdhet ajo një moment dhe nuk menaxhohet dot më.  Sot atje është një lum shqiptarësh të pavarur, me bindjet e tyre politike, madje disa mund t’ju kenë votuar edhe ju. Por, është e drejta e tyre të ndryshojnë mendim dhe të kuptojnë që ky vend po shkon për dreq me këtë qeveri, që i vjedh nga mëngjesi deri në darkë, dhe që e paraqet si investim një shkatërrim.  

A doni investim? Po, por investimi ka transparencë, investimi ka standarde evropiane, investimi tregon se kush janë investitorët, investimi tregon çfarë fiton populli shqiptar. Kështu do të ishte një investim serioz. Nuk ka investimi serioz tela me gjemba, banditë me uniformë të zezë, nuk ka tërheqje zvarrë; nuk ka investimi serioz buldozerë, kamionë e të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë, nuk ekziston një investim serioz kështu.  

Nëse mendoni se do ta kaloni këtë duke dezinformuar shqiptarët, duke prodhuar me inteligjencë artificiale përralla nga më të ndryshmet, vetëm i motivoni. Vazhdoni gënjeni, publikoni pamje të gënjeshtërta, nxirrini protestuesit si serbë, rusë, grekë, të blerë, të shitur, dhe më shumë do të jenë aty; më shumë janë sot, më shumë janë tani live atje, më shumë do të jenë nesër, më shumë do të jenë pasnesër; do të jetë e gjithë Shqipëria.  

Sot po protestohet në Sarandë, po protestohet në Vlorë, po protestohet në Durrës, do të protestohet në të gjithë Shqipërinë, derisa të arrihet ajo që duhet, pikërisht, dorëheqja dhe zhdukja e kësaj qeverie, që i vjedh shqiptarët dhe shkatërron jetën e çdo njeriu të ndershëm. 

Faleminderit.