Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë/ 5 Qershor 2025

 Kur Taulant Balla nxori letrën këtu për të folur për çfarë kishim dërguar ne në Parlamentin Europian, për një çast mendova se nxori letrën e famshme që çoi Erion Veliaj teksa vinte alarmin për Griseldën në Parlamentin Europian; mendova se ktheu në vëmendje të gjithë betejën që bëri Partia Socialiste për qarkun e Fierit, për të bllokuar integrimin europian. Ja, pra, këta jeni ju, dhe nuk e di ku e gjeni të drejtën të gjykoni pse thuhen të vërtetat në Parlamentin Europian, pse në Parlamentin Europian dërgohen raportet e OSBEODIHR-it? Kiamet! Problem i madh! Duhet të çojmë propagandën e Edi Ramës, duhet të çojmë fjalimet e Zeqinesë, Sara Miles apo fitoret publicitare të Tërmet Peçit. Kështu e keni kthyer Parlamentin. 

Edi Rama dilte në fushatë dhe bënte gafa. Dilte Edi Rama dhe thoshte: çyryk, autik… Të gjithë habiteshin dhe thoshin: si ka mundësi, çfarë po ndodh, si po gabon? Jo, në fakt, Edi Rama e tregoi qartë: nuk më intereson fare se çfarë mendoni ju, nuk më intereson se si doni të votoni ju, se në fund ata që do të vendosin janë oligarkët, bandat dhe kriminelët. Ju mendoni çfarë të doni, unë përsëri do të fitoj. Në fakt, ajo ndodhi, sa më shumë i shau shqiptarët, sa më shumë i vodhi shqiptarët, sa më shumë i masakroi shqiptarët aq më shumë u rrit në votë te shqiptarët.  A e shpjegon njeri dot këtë? Po, shpjegohet, sepse treni i Europës që fliste Elisa Spiropali, para pak, dhe Edi Rama gjatë gjithë fushatës, kishte qenë tren bullgar. Treni europian ishte tren bullgar. Kjo shpjegohet shumë qartë, se oligarkët, që sotkanë marrë gati vendimet e radhës për të marrë pronat shtetërore dhe investimet strategjike, e kishin me target, se sa vota dhe sa para duhet të hidhnin. Pra, ata që sot përgatiten të marrin pronat e ushtrisë, e dinin që dje dhe e kishin target çfarë duhet të bënin, ata, që do të uzurpojnë e do të shkatërrojnë shkollën EkoKampus në Sarandë për ta bërë hotele e resorte, edhe pse janë harxhuar para nga buxheti i shtetit, kishin target se sa duhet të sillnin dhe çfarë duhet të prodhonin nga kutitë e votimit. Ishte shumë e qartë.  

Thasët e Taulantit kishin modelin e përqindjeve kompjuterike. Nuk ka ndodhur në historinë njerëzore që të hapen të gjitha kutitë dhe të gjitha të kenë të njëjtën përqindje të ndarë sipas subjekteve.  

Çdo kuti e diasporës, e qarkut të Vlorës kishte të njëjtën përqindje, Taulant. Si nuk e prishe dorën një herë, se kishin të njëjtën përqindje, 70% Partia Socialiste? Pra, ishin njësoj.  

Po të paktën një kuti, Ulsi, mund të kishte dalë 25% apo 30%, ndodh ndonjëherë. 

Pra, ishte matematikë. Ai stilolapsi magjik, nuk e di si prodhoi aq shumë, si duket i keni blerë me shumicë, stilolaps blu, kryqi njësoj. Pastaj, na tregon zoti Taulant Balla se kryqi njëlloj bëhet, e nis lart dhe e zbret poshtë. 

Në rregull, keni shumë të drejtë të talleni, sepse me paratë që u vidhni shqiptarëve, me paratë që rrëmbeni nga buxheti i shtetit, të cilat sigurisht nuk ju dhimbsen, blini vullnete dhe tjetërsoni votat. 

Çdo patronazhist kishte detyrim që jo vetëm të siguronte votat brenda Shqipërisë, por dhe 20 vota jashtë Shqipërisë. A e dini se cila ishte çudia më e madhe? Që edhe pse e bllokuat TikTok-un, aty dilnin video me votat nga diaspora. Po të numërohen votat që kanë dalë në TikTok, për qarkun e Vlorës, me votat që nxorën kutitë, nuk dalin llogaritë, sepse kemi më shumë foto sesa vota. Hajde të shpjegosh se çfarë masakre keni bërë me thasët e diasporës.  Ju vodhët edhe votat e njëri-tjetrit, aq sa e nxorët Olta Xhaçkën deputete të diasporës dhe i hoqët të drejtën kandidates Blerina Gjylameti që të ankohet, sepse kishit hall se çdo ankesë prishte procesin e vjedhjes dhe mund të dilte në pah masakra që kishte ndodhur. 

A mund të më thoni se cili emigrant zgjohet në mëngjes e thotë: do të votoj Olta Xhaçkën? Për çfarë arsye duhet ta votojnë? Çfarë ka bërë Olta, pra për çfarë e mbajnë mend që duhet ta votojnë, përveçse si investitore strategjike? A keni dëgjuar, a ka bërë ndonjë betejë? Nuk e di, na e shpjegoni ju që ta kuptojmë edhe ne.  

Flisni për listat. Vetëm për listat nuk mund të flisni, se listat tuaja janë listat më qesharake që ka pasur historia e këtij vendi, janë listat më të turpshme, me njerëz që nuk dinin të fillonin dhe të mbaronin një fjali dëftore, me njerëz që edhe në mitingun tuaj nxirrnin celularin për të bërë ëllëllë ëllëllë… Pra, kjo ishte cilësia dhe njerëzit zgjoheshin në mëngjes e thoshin: do të dal të votoj Zeqinenë apo të votoj Sarën.  

Askush nuk ka guxim të flasë dhe të thotë që këto zgjedhje kanë pasur standard. Në qarkun e Vlorës, në Sarandë, në Konispol, në Finiq dhe në Delvinë, dilnin hapur të gjitha strukturat e shtetit. Dilnin hapur dhe hapnin shkollat për takime me kandidatët, edhe në inaugurime shkonin me kandidatët, edhe kur shpërndanin fondet e bujqësisë shkonin me kandidatët. Pra, shteti u bë njësh me kandidatët. Nuk dinim se ku fillonte njëri dhe ku mbaronte tjetri. Ishin të pandarë. Të pandarë në zullum, të pandarë në vënien në shërbim të shtetit në funksion të kandidatit dhe të zgjedhjeve, aq sa bashkitë u kthyen në zyra elektorale të kandidatëve. Këtë mund ta dëshmojnë kandidatët tuaj të listës së hapur, se si ndikuan bashkitë për njërin apo për kandidatin tjetër. E thonë vetë ata. Pyetini dhe ua thonë.  

Por, atë që ata e thonë nën zë, ne kemi detyrimin ta themi me zë të lartë, ne kemi detyrimin që kudo të themi të vërtetën për këto zgjedhje, që kudo të kërkojmë standarde për proceset elektorale në Shqipëri. Asgjë nuk e ndalon opozitën në kërkimin e së vërtetës, në përballje me të keqen, sepse legjitimitetin nuk jua japin votat e blera, legjitimitetin nuk jua japin mandatet që ju shtohen nga njëri 4-vjeçar në 4vjeçarin tjetër, a thua se keni qeverisur më mirë, legjitimitetin nuk jua jep dot as Sueli, as bajrët, as troplinën, nuk jua jep dot askush që sot përpiqet në medie, me analistë të blerë dhe të shitur, të tregojë për suksesin e Partisë Socialiste.  Nuk ka formulë në botë që e shpjegon se si një pensionist, që i premtohet pensioni minimal 200 euro dhe një biznesi që i premtohet se do ta ketë taksën e sheshtë 10%, të zgjedhë të masakrohet nga qeveria e Ramës, të zgjedhë të jetojë në skamje, të zgjedhë të vidhet. Askush nuk e zgjedh këtë nëse do të kishte zgjedhje të lira dhe të ndershme, por, kur tjetërsohet, kur vidhet dhe kur u hidhet hi syve shqiptarëve, patjetër që gjithçka mund të ndodhë. Pra, është detyra jonë, është detyra e çdo shqiptari të përballet me ju dhe përballë do të na keni. 

Faleminderit!