Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, kur pashë titullin e aktit, mendova se mos ishte ndonjë çmenduri e radhës, se doni të ndryshoni edhe flamurin kombëtar, të cilin e pikturon Edi Rama dhe i vendosni ngjyrën jeshile e gjethen e hashashit. Fatmirësisht, nuk ishte kjo, por ishte vendosja e flamurit të Bashkimit Europian krah flamurit tonë shqiptar. Në fakt, është përdorur gjerësisht edhe para se të ishte me ligj, sepse aspiratat tona europiane kanë qenë të pranuara nga të gjitha qeverisjet dhe rruga e integrimit ka pasur më shumë suksese gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike se sa gjatë qeverisjes suaj.
Për sa u përket sfidave që kemi përballë kësaj rruge të integrimit europian, e kemi thënë shpesh, e keni thënë edhe ju, duhet të jemi të bashkuar, duhet të bëjmë hapa së bashku si opozita, si qeveria. Po ju tregoj se si i konceptoni ju sfidat e përbashkëta dhe bërjen bashkë të opozitës dhe të qeverisë drejt rrugës së integrimit për të mirën e shqiptarëve. Në datën 4 gusht nga Ministria e Arsimit na erdhi një ftesë për një kongres të arsimit, i cili titullohej “Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian”. Realisht, e pranova dhe e konfirmova pjesëmarrjen, sepse të bëhemi të gjithë bashkë, do të diskutojmë, sepse sfidat e arsimit në integrimin europian janë të rëndësishme si për opozitën, ashtu edhe për qeverinë.
Mirëpo nuk mund të ishte kaq e bukur, sepse ndryshe nuk do të ishit ju në qeveri. Vetëm dje na u konfirmua agjenda e këtij kongresi, e cila ishte bërë si kongres partie, nuk kishte asnjë përfaqësues të Komisionit të Edukimit. Pra, jo vetëm që nuk kishte përfaqësues të opozitës, po as përfaqësuesit tuaj të Komisionit të Edukimit nuk i kishit begenisur t’i vendosnit në agjendë. Kishit vendosur Kryeministrin Rama, të gjithë ministrat tuaj, të gjithë drejtorët e drejtorive; flisnit vetë; dëgjonit vetë dhe mburreshit për arritjet tuaja imagjinare. Kisha bindjen, në fakt, kisha shpresën se do të bënim diçka, meqenëse sfidat e integrimit europian janë të përbashkëta, por ju e treguat me fakte e me prova se nuk e doni kontributin e opozitës, por doni vetëm të bëni kronika të gatshme për ERTV-në; nuk e keni fare në vëmendje se cilat janë sfidat e arsimit shqiptar; se cilat janë sfidat ekonomi shqiptare; se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për t’i arritur ato standarde europiane. Ky është një shembull fare i thjeshtë për të kuptuar vullnetin tuaj për të bashkëpunuar me opozitën në procesin e integrimit.
Keni vënë sot në rendin e ditës një komision të posaçëm. Jam shumë e sigurt që në fund të ditës do të jetë një vendimmarrje e mistershme, pa e ditur se cilët do të jenë anëtarët, çfarë do të miratohet, në fund do ta miratoni ju me kartonët tuaj, pra se si doni vetë dhe se çfarë doni vetë. Nga ana tjetër, ne kemi disa shifra; kemi disa të dhëna dhe disa anketime.
Po ju lajmëroj për më të fundit, ndoshta nuk e keni parë, ndoshta nuk e ka parë as ministrja juaj, Banka Qendrore e Austrisë, e cila monitoron procesin e integrimit në Bashkimin Europin të të gjithë rajonit, ka evidentuar nëpërmjet një ankete se nivelet e larta të emigracionit në Ballkan shkaktohen pikërisht nga pakënaqësia që qytetarët kanë për shërbimet publike, ku veçon Shqipërinë dhe thotë se fenomeni në Shqipëri është i dukshëm; vitet e fundit po vihet re se njerëz me fëmijë të vegjël synojnë të emigrojnë më shumë si pasojë e pakënaqësive për shërbimet arsimore, shëndetësore dhe sigurinë publike.
Kjo duhet të na shqetësojë për procesin tonë të integrimit europian, por edhe për jetesën tonë këtu si shqiptarë me dinjitet. Të dhënat tuaja (këtu u referohem të dhënave që janë publikuar dhe janë njohur nga të gjithë si raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit) evidentojnë se vetëm gjatë vitit 2021 dëmi ekonomik është 633 milionë euro, jo nga padia, jo se nuk dinin se çfarë po bënin, por nga korrupsioni dhe nga urdhrat klientelistë për të zgjedhur klientët e pushtetit për të dhënë tenderë, për të dhënë koncesione dhe për të zgjedhur gjithmonë ofertën më të lartë në kurriz të taksave që paguajnë qytetarët shqiptarë.
A e dini që me 633 milionë euro ne sot mund t’ia kishim rritur pagën 20% çdo qytetari shqiptar të punësuar, sipas të dhënave të vetë INSAT-it? 633 milionë euro kthehen në industrinë më me fitim me pronar Edi Ramën, më shumë se të gjitha industritë e tjera prodhuese në Shqipëri! Nuk e kanë këtë shifër të qarkullimit dhe të fitimit, sepse është korrupsion që ju mban ju aty; se gllabëroni taksat e shqiptarëve. Ky nuk është model europian dhe kjo nuk është rruga që na përafron me standardet e Bashkimit Europian. Ju jeni qeverisja, që do të përafrohet dhe sukseset imagjinare i keni vetëm ju. A e dini që, jo sipas realitetit, por sipas INSTAT-i, i cili i ka normat e inflacionit jo të vërteta me ato që janë realisht normat e inflacionit, paga reale neto në Shqipëri në 9 vjet është rritur vetëm 14 euro, duke u lidhur me masën e inflacionit dhe me fuqinë reale, me çmimet për të blerë mall për qytetarët shqiptarë? 14 euro është rritja në xhepat e shqiptarëve për sa u përket rrogave dhe pagave. Realisht, ne kemi ulje, sepse normat e inflacionit real nuk janë ato që jep INSTAT-i, por janë shumë më të larta, ashtu si tani, që kemi një normë 12% të inflacionit. Sigurisht situata bëhet më alarmante, më e frikshme dhe më larg standardeve të Bashkimit Europian. Gjithashtu, alarmante është se një në tre maturantë të sivjetshëm, nuk po e krahasoj me vitet e tjera, ka zgjedhur të largohet nga Shqipëria dhe të vazhdojë studimet jashtë.
Vetëm 21 mijë aplikues, nga 31 mijë që ishte numri i maturantëve të këtij brezi, aplikoi në Shqipëri. Kini parasysh se në këtë numër aplikimesh vijnë edhe aplikimet e mbartura nga vitet e tjera.
Duan të ikin nga Shqipëria. Duan të ikin në vendet e Bashkimit Europian, ku standardet nuk janë thjesht retorikë politike, ku standardet nuk janë thjesht flamuri i vendosur përbri flamurit shqiptar, por janë reale, janë standarde që jetohen në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, në fushën e sigurisë, të cilat ishin tri fushat kryesore ku shqiptarët ndiheshin të kërcënuar dhe për të cilat kishin dëshirën për të emigruar. Ky është realiteti që ju nuk e fshihni dot me çfarëdolloj flamuri që të vendosni, me çfarëdolloj ERTV-je të transmetoni, sepse ky është realiteti.
Por ju mund të thoni: “Nuk kemi para. Këto janë paratë”. Mjafton t’ju kujtoj një instalacion druri, një shtëpi bari, që keni vendosur në mes të Kryeministrisë, me vlerën 4,3 milionë euro, që nuk u shërben fare qytetarëve shqiptarë.
4,3 milionë euro që Edi Rama të ketë një shtëpi bari atje, personale, që të kënaqë sytë e tij artistikë kur të bëjë kosh në zyrën e vet apo kur të pikturojë për ekspozitën e radhës. Sillni një paketë financiare me 5 milionë euro si ndihmë për pensionistët dhe për familjet në nevojë, pra e barabartë pothuajse me vlerën e një instalacioni në Kryeministri, ndërkohë që vlera e saj… (Bie gongu.)
…sidomos në kohë krize, mund të ishte kaluar fare mirë për pensionet, për pensionistët, të cilëve gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht u thatë: “Ngrohuni në diell, sepse nuk ka asnjë rritje për ju”. Këto janë standardet me të cilat ju qeverisni dhe janë shumë larg të qenit europiane. Shumë faleminderit!