Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Së pari, dua ta nis fjalën time duke dënuar ashpër dhunën ndaj gazetares Odeta Gjevori dhe operatorit Igli Zela të emisionit investigativ “Stop” në televizionin “Klan”, të cilët për shkak të funksionit të tyre dhe për shkak të punës së tyre për raportimin e së vërtetës janë vënë përballë goditjeve dhe dhunës së ushtruar nga ata që denonconin. Mendoj se ky parlament, duke qenë se të hënën e kësaj jave prezantova në Komisionin e Ligjeve ndryshime në Kodin Penal pikërisht për të rritur dënimin dhe për ta ashpërsuar Kodin Penal për ata që godasin punonjësit e medies, gazetarët, fotoreporterët dhe operatorët, që janë në krye të detyrës për shkak të funksionit të tyre, duhet të reagojë dhe të mos e lërë në sirtarët e tij. Pra, ne duhet të jemi proaktivë si parlament për ta adresuar këtë problematikë. Sigurisht, në këtë rast u bëj thirrje organeve ligjzbatuese që të japin dënimin më të rëndë dhe të mos e kalojnë me moskokëçarje, si një konflikt banal apo si një konflikt i momentit,
Sepse të dy janë sulmuar për shkak të profesionit, duke kërkuar të vërtetën për interesin publik.
Sot diskutojmë një projektligj, i cili, në fakt, nuk është surprizë. Këtë e kemi cekur kur diskutonim paketën fiskale dhe projektbuxhetin, sepse ishte e pritshme dhe dallohej se do të vinte momenti që do të miratohej. Janë 20 milionë euro që parashikohen të merren nga xhepat e shtresës së mesme, 20 milionë euro që u merren 17 mijë profesionistëve të lirë në këtë vend, të cilët për shtetin nuk janë asgjë më shumë sesa 1 kilometër rrugë e vjedhur, ndërsa për profesionistët e lirë, për dentistin, për mjekun, për laborantin, për noterin, për avokatin janë shumë, janë para më të cilat mbajnë familjen. E them me përgjegjësi të plotë, ndryshe nga bizneset e tjera të vogla, të cilat mund t’i iniciojë çdokush me pak iniciativë personale për të hapur një dyqan lagjeje, për të hapur një shërbim të caktuar, që këto profesione nuk mund t’i ushtrojë çdokush, sepse kanë nga mbrapa një kosto të jashtëzakonshme, të cilën ju nuk e llogarisni, koston e shkollimit në profesione shumë të vështira, të cilat kanë interes të lartë publik. Këtë kosto ju nuk e merrni parasysh kur flisni për një doktor, kur flisni për një noter, kur flisni për një dentist, të cilët janë aty falë mundit dhe profesionit të tyre, të cilët me paratë e tyre, sepse kanë punuar me vite jetë, kanë investuar në klinikat e tyre private apo në njësitë e tyre të shërbimit, por ju doni vetëm e vetëm ta godisni shtresën e mesme, ta godisni qytetarin, t’i merrni atij çdolloj fitimi për ta çuar në buxhetin e shtetit, ku, në fakt, fillon edhe drama e dytë: mospërdorimi i tyre qoftë për shtresën në nevojë, qoftë për politika sociale, por përdorimi i tyre për vjedhje. Edhe një herë jua them: 20 milionë euro për ju janë 1 kilometër rrugë e vjedhur.
Në politikat tuaja antiqytetare dua sot të denoncoj vjedhjen, masakrimin që ju doni t’i bëni konceptit të pronës private, në kujtim edhe të metodave të partisë mëmë nga e cila vini, të Partisë Komuniste, e cila nuk e njihte pronën private dhe i kishte zët pronarët që kishin pronë private. Projektvendimi që ka qeveria për auditimin, me pretekstin e auditimit teknik të banesave 50-vjeçare, nuk është gjë tjetër veçse një projektvendim antikushtetues për interesin e marrjes dhe të përvetësimit të truallit të tokave në mes të pozicioneve, ku duan të ndërtojnë klientët e pushtetit. Auditim teknik nga shteti, auditim teknik për të vendosur nëse do të shemben apo jo, ku pronari i ligjshëm nuk ka asnjë rol as në procesin e auditimit, as në procesin e negocimit me palët e treta në rast se do të rindërtohet. Ky është shpronësimi i ri i metodës së vitit 2023, ku pronarëve u hiqet e drejta e tyre për pronën private, në shkelje flagrante të nenit 41 dhe të nenit 42 të Kushtetutës, që thotë: “E drejta e pronës private është e garantuar dhe prona fitohet me dhurim, trashëgimi, blerje dhe çdo mënyrë tjetër.” Nuk fitohet prona duke ia marrë shteti pronarit të ligjshëm dhe duke ia dhënë një ndërtuesi, dhe pronari i ligjshëm të degdiset, ose të marrë një vlerë, aq sa e vendos shteti, ose, ashtu siç po bëjnë me qytetarët e Kombinatit, që i çojnë të jetojnë në një vend tjetër, të cilin zgjedh shteti.
Kjo është metoda e re e vjedhjes së pronës private, e kolektivizimit, e kooperativizimit, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me shtetin e së drejtës, me mbrojtjen dhe me liritë kushtetuese që duhet të ketë individi. Ky është plan juaj për t’i marrë çdo qytetari edhe sigurinë juridike të pronës private dhe për ta bërë që të ikë nga sytë këmbët nga Shqipëria.
Në rast se ligji e parashikon, institucionet shtetërore mund të shikojnë për interes publik sesi janë ndërtuar banesat, por kurrsesi të zëvendësojnë rolin e pronarit në marrëdhënien me palët e treta, në vendimmarrjen për banesën e tij apo në vendimmarrjen se çfarë do t’i ndodhë banesës së tij më vonë. Ky projektvendim është thjesht, i thënë me fjalë të tjera: vëri syrin një pallati, shpalle të degraduar, jepja ndërtuesit që do, ndërtuesi të ndërtojë atje kullat që do, në bashkëpronësi me këta këtu, që do të japin firmat, dhe pronari i ligjshëm, ai që e ka ndërtuar me djersë, ai që e ka ndërtuar me mund, të mos marrë asgjë ose, edhe kur të marrë, të marrë dëmshpërblim sipas asaj që vendosni ju; në fund të degdiset të jetojë në periferi apo në rrethina ku e doni ju, ku e vendos shteti që të jetojë, si në vitet e komunizmit që e vendoste shteti se ku do të jetonte qytetari. Mos thoni që nuk është kështu, sepse është skenar i nisur sot në zonën e Kombinatit, ku shembet banesa në mes të Kombinatit, e cila është e rregullt, dhe shpallet e parregullt nga ju dhe banorët çohen të jetojnë jo atje ku do të ndërtohet përsëri, por në një zonë tjetër, në një cep tjetër të Kombinatit apo të fshatrave përreth, dhe mos thoni që nuk është e vërtetë, sepse, duke vendosur një kufi 50-vjeçar, që sot është viti 1973, vitin tjetër është ’74-tra, vitin më pas është ’75-sa, të gjithë qytetarët duhet ta dinë që janë të rrezikuar.
Të nderur qytetarë,
Nëse pronës suaj ia vë syrin një oligark, ai bashkëpunon me shtetin dhe të dy bashkë vijnë dhe jua marrin, i vendosin kryqin e kuq dhe ju thonë: kjo pronë do të shembet, sepse përbën rrezik. Ndërkohë, ju, të nderuar qytetarë, nuk keni asnjë të drejtë për auditim alternativ, nuk keni asnjë të drejtë gjyqësore, nuk keni asnjë të drejtë të kërkoni negocim me palën ndërtuese për të marrë pronën tuaj dhe pjesë nga trualli juaj në ndërtimin e ri që do të bëhet atje.
Ky vend ka ligje. Trualli i një pallati është në bashkëpronësi me të gjithë pronarët e atij pallati dhe shteti nuk mund ta marrë si truall privat për t’ia vënë në dispozicion një privati tjetër (negociatat që bën shteti me privatin), por duhet të jetë vetë pronari që, nëse do të ndërtohet aty, nëse ndien rrezik apo çdo ndryshim të dëshirave të tij për të ndërtuar aty, të negociojë me privatin tjetër. Nuk është parë kjo gjë, ky është një vendim që shkon kundër interesave të qytetarëve, kryesisht atyre që jetojnë në zonat me çmimet më të larta preferenciale, kryesisht të qyteteve kryesore, si: Tirana, Durrësi, Saranda, Vlora, ku i kanë shtrirë sytë oligarkët dhe mendojnë se duhet të gjejnë sheshe të reja ndërtimi, sepse edhe sheshet e ndërtimit sot janë ato që janë, për shkak se janë mbushur me kulla dhe me ndërtime. Metoda e re është: vidhi pronën qytetarit, ndërto aty dhe degdise qytetarin në një vend tjetër, pa konsensusin e tij.
Unë do t’i ndjek deri në fund këto raste dhe do t’i denoncoj fort. Ju nuk mund t’i bini me shkelm pronës private, ju nuk mund të shkatërroni shtresën e mesme të këtij vendi dhe nuk mund të bëni politika, që në thelb nuk janë asgjë tjetër veçse politika antishqiptare.
Shumë faleminderit!