Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në radhë të parë, më vjen mirë që kemi kohë për të folur, sepse herën e fundit që u diskutua mocioni me debat për procesin e integrimit, u limitua koha dhe numri i folësve. Më vjen mirë që këtë herë e keni zbatuar Rregulloren, duke qenë se është baza e funksionimit të këtij parlamenti. Ligji që ne do të votojmë sot, për të cilin nuk kemi ndonjë kundërshtim, kërkon që Kuvendi të ketë më shumë mundësi kontrolli. Në letër nuk na kanë munguar mekanizmat e kontrollit, por na ka munguar zbatueshmëria, sepse me arrogancën e kartonëve, e mandateve të blera dhe vjedhura, ju i keni mohuar të drejtën opozitës. Me arrogancën e një mazhorance që nuk pyet për Rregulloren, që nuk pyet për Kushtetutën, që nuk pyet për ligj, jo më larg sesa para tre ditësh ju e shkelët Rregulloren duke mos zhvilluar seancë për çështjet e zgjedhësve. Në fillim të kësaj seance unë ju drejtova me kërkesë për ta zhvilluar atë seancë sa më shpejt, por ju nuk më dhatë një përgjigje, vetëm thatë se e anuluat meqenëse deputetët tuaj nuk ishin.
Në cilën pikë të Rregullores së Kuvendit thuhet që mund ta lini pa zhvilluar një seancë parlamentare për problematikat e qytetarëve? Në cilën pikë të Rregullores thuhet që opozita nuk ka mundësi të flasë këtu pas Javës së Gjelbër, për 4 orë siç e kërkon Rregullorja, duke respektuar edhe proporcionet e grupeve parlamentare?
Ashtu siç do të miratojmë këtë ligj sot, nesër do të jemi përsëri në të njëjtën situatë, sepse me forcën e kartonëve ju nuk do t’i lejoni ata të vijnë.
Vazhdojmë me rastin tjetër konkret. Siç e kërkon Rregullorja e Kuvendit, shtatë deputetë të një komisioni mund të kërkojnë seancë dëgjimore. Me firmat e shtatë deputetëve në Komisionin e Edukimit, kam paraqitur kërkesën për seancë dëgjimore për çështjen e Butrintit me ekspertët Neritan Ceka, Apollon Baçe, Agron Alibali. Çfarë ndodhi? Përgjigjen e keni me audio dhe video. Nënkryetari i komisionit tha: “Unë nuk vij dhe ti nuk ke kuorum për ta zhvilluar mbledhjen”. Ligji u miratua, u kthye përsëri për shqyrtim dhe kjo seancë nuk u zhvillua kurrë, sepse ju i shkelni të drejtat që na kanë dhënë Rregullorja dhe këto ligje.
Po ju jap shembuj konkretë për të kuptuar që mungon vullneti politik për t’i zbatuar ligjet. Ligji që ne bëjmë sot, nuk do të ketë vlerë nëse ju do të vazhdoni me këtë vullnet politik.
Në tetor të vitit 2022 kam kërkuar seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave, me kryetarin jolegjitim të Akademisë dhe kryesinë e Akademisë, për çështje të rëndësishme të projekteve madhore, si: Fjalori, Enciklopedia, Historia e Shqipërisë dhe mënyrën si funksionon shkenca në Shqipëri.
Tani jemi në muajin mars. Cila Rregullore më ndalon mua të bëj seancë dëgjimore me institucionet e pavarura, në këtë rast Akademinë e Shkencave? E shpikni ju, duke mos thirrur për të dhënë llogari një njeri që nuk duhet të ishte fare në atë pozicion, një njeri që, edhe kur thirret për buxhetin, nuk ka guxim të vijë vetë, por dërgon gjithmonë kancelarin si zëvendësues, sepse është i paligjshëm dhe tmerrohet nga llogaridhënia përpara Kuvendit, sepse nuk është mësuar, se vjen nga modeloi sovjetik dhe është ish-ministri i fundit i diktaturës. Sa europiane është dhe sa na afron ne me procesin e integrimit dhënia me koncesion e portit të Durrësit, duke shkelur Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit? Kjo gjë është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Sa e respektoni ju Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, kur portin e Durrësit ia keni dhënë pa garë një kompanie offshore, kurse Bashkimi Europian nuk është informuar dhe kompanitë europiane nuk kanë hyrë në garë, në qoftë se vërtet doni të ndërtoni një model të ri të portit të Durrësit? Sa europiane është që neve na u deshën dy muaj për të realizuar një mocion me debat me Kryeministrin, i cili është konstatuar nga drejtësia amerikane se ka korruptuar agjentin e FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Bëmë dy muaj betejë parlamentare për një të drejtë kushtetuese që na e jep Rregullorja dhe në fund Kryeministri juaj bëri një monolog këtu, duke mos zbatuar Rregulloren, e cila thotë që ai duhet të jetë prezent gjatë mocionit me debat.
Sa europiane është dhe sa na ndihmon ne në procesin e integrimit kur ministra dhe deputetë, të cilëve sot po u bastisni shtëpitë në mënyrë po aq arrogante sa qeverisni, kapen në përgjime se kryejnë veprimtari të paligjshme? Si ka mundësi dhe sa është në përputhje me Rregulloren, me Kushtetutën që sot ne nuk kemi mundësi të ngremë një komision hetimor për çështjen “Rama-McGonigal”, edhe pse e kanë kërkuar 44 deputetë me firmë, ndërkohë që Rregullorja e detyron Kuvendin ta ngrejë këtë komision? Pse nuk e bën? Nuk ka asnjë arsye të ligjshme për të mos e bërë, përveç arrogancës së kartonëve, të cilët do t’i përdorni edhe në rastin e Komisionit për Çështjet Europiane, siç do të quhet tani, sa herë që do të kërkohen ministrat, sa herë që do të kërkohet llogari për procesin e integrimit, sa herë që do të kërkohet përballje me institucione të larta shtetërore, për ta çuar atë në kalendat greke, për të mos i dhënë kuorumin e nevojshëm mbledhjes së komisionit.
Kur doni të shkelni Rregulloren, marifetet janë të shumta, por janë të gjitha të paligjshme, sepse janë në shkelje flagrante të Rregullores.
Sa herë kemi kërkuar ne masa ndëshkimore ndaj jush dhe nuk është marrë asnjë? Jo sepse nuk e keni shkelur Rregulloren, por sepse nuk e lexoni me syzet e ligjshmërisë,e lexoni mesyzet e politikës, me syzet e urdhrave politikë! Ju doni që ne sot të besojmë se ky ligj i ri, që do të miratojmë, do të ketë fat të ndryshëm nga Rregullorja e Kuvendit? Do të ketë fat të ndryshëm nga Kushtetuta e këtij vendi? Jo, të njëjtin fat do të ketë, do të shkelet në mënyrë të vazhdueshme me arrogancën e një pushteti që nuk jep llogari!
Por prapë ne do ta votojmë, sepse mendojmë se e kemi detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë që të votojmë sa herë që parlamentit i shtohen kompetencat, që të votojmë sa herë vëmë një tullë të mirë në procesin e integrimit dhe në mekanizmat e llogaridhënies, sado që ju nuk i zbatoni, sepse, siç e tha me të drejtë zoti Mediu, mund të tregohen me raste konkrete kur qeveriste Partia Demokratike se si përfshiheshin edhe në votimin e ligjeve, edhe në marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit, edhe në rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërkohë që sot ndodh e kundërta, arroganca e një pushteti që nuk jep llogari për asgjë.
Ambasadorja e Bashkimit Europian, me shumë elegancë, disa herë madje, ju ka kërkuar edhe publikisht llogari për fondet e Bashkimit Europian.
“Ku janë fondet e Bashkimit Europian?” – thoshte ambasadorja në kongresin tuaj të Arsimit, kur vjen puna te ndërtimi i shkollave apo te baza materiale e tyre.
“Ku janë fondet e Bashkimit Europian?”, kur vjen puna te procesi i rindërtimit.
“Ku janë fondet e Bashkimit Europian?”, kur vjen puna tek trashëgimia kulturore. Me shumë elegancë jua ka thënë diplomatja.
Megjithatë, ju bëni veshin shurdh dhe nuk i ktheni përgjigje…
(Bie gongu.)
…se si edhe në këtë rast, edhe me fondet e Bashkimit Europian, ju bëni gjithçka për t’ua dhënë klientëve tuaj, bëni gjithçka për t’i fryrë.
Ndërkohë, për ta mbyllur, meqenëse edhe koha e diskutimit është e limituar, ne do të jemi gjithmonë në krah dhe do të qëndrojmë gjithmonë me vlerat më të larta euroatlantike jo vetëm në krah të Bashkimit Europian, por edhe të partnerëve tanë strategjikë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë edhe për të kërkuar që në këtë vend të zbatohen Kushtetuta dhe ligjet e vendit! Shumë faleminderit!