Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë mbi gjëndjen problematike të rendit në vend dhe keqqeverisjen / 3 shkurt 2026

Në fakt, duhej t’i jepej fjala deputetit Spahia për replikë. Dua t’i them zotit Ministër që, ne me të vërtetë mund të kemi pasur ministra me profesione të ndryshme në krye të shëndetësisë, por nuk kemi pasur ministra që sot janë në qeli, si ish-ministri Beqaj, që ka vjedhur qytetarët; ministra të tenderave sekretë, si Ogerta Manastirliu, e cila i ka dosjet palë në SPAK; ministra që kanë vjedhur edhe gjakun e qytetarëve shqiptarë. Kështu që, kjo është një diferencë shumë e madhe midis ministrave me profesione të ndryshme, siç e lejon Kushtetuta, dhe ministrave që çdo ditë e shkatërrojnë shëndetësinë shqiptare. 

Sot, në fakt, kemi një temë shumë të rëndësishme, që lidhet me drogën në Shqipëri. Por të diskutojë për këtë temë një qeveri që legalizoi drogën, që e mbushi Shqipërinë me drogë, që i ranë avionët me drogë, që ka një ministër të dënuar për trafik droge, që është e vetmja qeveri e njohur si narkoqeveri, është paradoksale. Pra, të tjera thoni dhe të tjera bëni, dhe këtë qytetarët shqiptarë e dinë fare mirë. 

Po të shikoni, këtu kemi vetëm ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, sepse ai është i vetmi që nuk ka portofol dhe nuk jep llogari për ndonjë sektor të caktuar të qeverisjes, dhe, në këtë aspekt, konsiderohet i pastër. Ministrja e Shëndetësisë, e cila duhej të vinte këtu sot, sigurisht, nuk vjen.  

Një nga arsyet kryesore pse qytetarët protestojnë dhe do të protestojnë më 10 shkurt, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë, është edhe shëndetësia: ajo shëndetësi që ka rritur të gjitha çmimet e ilaçeve; ajo shëndetësi që i ikin dritat në reanimacion, ajo shëndetësi që infermierët nuk i paguan në kohë; ajo shëndetësi që nuk ka ilaçe për të sëmurët me kancer; ajo shëndetësi që është masakruar.  

Në fillim të seancës dëgjuam për mungesat në qendrat shëndetësore në mes të Tiranës, dhe bëri shumë mirë deputeti që i tha; imagjinoni çfarë shërbimi shëndetësor marrin qytetarët e Konispolit, qytetarët e Finiqit, që kanë një mjek që u shkon vetëm kur i do qejfi; çfarë shërbimi shëndetësor marrin qytetarët e Delvinës, ku spitali qendror është kthyer thjesht në një urgjencë për të bërë një gjilpërë, të cilën, në rastin më të mirë, duhet ta blesh vetë; dhe po nuk e gjete, Zoti qoftë me ty! Kjo është gjendja ku e keni katandisur shëndetësinë shqiptare dhe është një nga arsyet e forta pse njerëzit e refuzojnë këtë qeverisje dhe protestojnë. 

Qytetarët do të protestojnë, sepse u ka shkuar thika aty ku nuk mban më: protestojnë për interesin e tyre, protestojnë sepse ne sot kemi rekorde varfërie. Sot, sipas të dhënave të Eurostatit, një e treta e familjeve shqiptare nuk ngrohet dot. A e kuptoni çfarë varfërie ekstreme është kjo: nuk kanë mundësi të ngrohen në dimër?! 

Qytetarët do të protestojnë për pamundësinë e prindërve për t’u siguruar bukën e gojës fëmijëve të tyre. 43% e familjeve shqiptare, po sipas Eurostatit, jetojnë në kushtet e mbijetesës, me të ardhurat që kanë nuk mbyllin dot muajin. 

Studentët do të protestojnë për një arsim cilësor, për një arsim që u përgjigjet kurrikulave bashkëkohore, për një arsim që u ofron bursa, për një arsim që ka kushte në shkolla, për një arsim ku teknologjia është e integruar me mësimin dhe jo të mësohet me tabela të zeza dhe me shkumës. Shkollat shqiptare nuk e njohin internetin, jo më të kenë mundësi ta përdorin atë.  

Nxënësit do të protestojnë, sepse në Shqipëri ende shkollat ngrohen me dru dhe prindërit janë të detyruar ose të paguajnë një tarifë mujore, ose ta sigurojnë vetë ngrohjen për fëmijët e tyre. 

Qytetarët do të protestojnë për kushtet e vështira dhe për krizën ku i keni katandisur fermerët. Bëni dëgjesa me fermerët për të mos i dëgjuar, bëni dëgjesa me ta që t’ua mbyllë gojën 

Kryeministri Rama, duke i lënë atij kryebashkiakut të Divjakës… Ishte tip, në fakt, për mënyrën se si e lavdëronte Kryeministrin, në një garë të ethshme me ministrat. Ndoshta shikon një ish-kryebashkiak që u bë ministër dhe thotë: pse të mos bëhem edhe unë, receta qenka të lajmë dhe të lyejmë Kryeministrin. Të gjithë i dëgjuat, anëtarët e qeverisë, kryebashkiakët, por vetëm fermerët nuk i dëgjuat, vetëm hallet e tyre nuk i zgjidhni, por i injoroni sa herë kaloni projektbuxhete këtu. Ndaj, më 10 shkurt, fermerët do t’i bashkohen protestës së opozitës. Do t’i bashkohen protestës edhe minatorët e dëshpëruar, të keqpaguar dhe të përdorur, sepse ky Parlament kurrë nuk arriti të ngrihej në lartësinë e detyrës për t’u dhënë atyre status, dinjitet dhe rrogat që meritojnë, për një nga punët më të vështira që kryejnë në Republikën e Shqipërisë. 

Pensionistët do të protestojnë, sepse i keni përdorur aq shumë për propagandë, i përdorët edhe në këtë buxhet, dhe në fund, si gjithmonë, kokoshi katandiset një thelë.   

Nëse më përpara një fëmijë emigrant u dërgonte familjarëve të tij 100 euro, ata kishin në xhep 140 mijë lekë të vjetër. Sot, kur i njëjti emigrant u dërgon 100 euro prindërve apo familjes së tij, ata marrin vetëm 95 mijë lekë të vjetër. Kjo për të kuptuar se si narkoqeveria ka zhvlerësuar euron. Narkoqeveria ka krijuar një narkoekonomi, që ndikon te çdo biznesmen i ndershëm shqiptar, te çdo familje e ndershme shqiptare, te çdo pensionist që jeton me remitancat, sepse në këtë vend lulëzon ekonomia informale, lulëzojnë paratë e drogës dhe paratë e krimit.  

Në këtë vend nuk punohet për njerëzit e ndershëm. Në këtë vend është ulur këmbëkryq papunësia, varfëria, mjerimi, padrejtësia dhe braktisja totale e shtetit. Këto janë arsyet pse qytetarët më 10 shkurt do të jenë përpara Kryeministrisë. 

Ne do të protestojmë edhe për policët e ndershëm, të cilët nuk kanë mundur të kenë dinjitet përballë kriminelëve, ku kolegët e tyre përdoren si masha, drejtuesit e tyre janë të njëanshëm dhe marrin urdhra me sms se cilin biznesmen të rrëmbejnë në emër të tenderave të qeverisë, ndërkohë, ata të keqpaguarit, ata të vuajturit, vihen në rresht të parë për të sulmuar opozitën.

Ne do të jemi në shesh më të shumtë se në çdo protestë tjetër; ne do të jemi në shesh, sepse zullumi është trashur, sepse edhe kur kapeni në vjedhje, edhe kur kapeni në përgjime, edhe kur kapeni në korrupsion, edhe kur faktoheni me dosjet mal, me 13 mijë e kusur faqe, edhe kur qelitë janë mbushur me kryebashkiakët tuaj dhe me ministrat tuaj, përsëri kapeni dhe nuk lëshoheni nga mburoja që ju jep ky Kuvend, nga mburoja që ju japin 83 mandate, 50 prej të cilave vijnë nga krimi, nga droga, nga paratë e pista dhe nga grupet kriminale. Mbaheni fort pas tyre dhe mendoni se do t’i fshiheni popullit. Harrojeni! Popullin do ta keni përballë, qytetarët do t’i keni të shumtë për të marrë të drejtat e tyre, për të kërkuar atë që meritojnë: një Shqipëri që integrimin europian e ka çështje standardesh, jo çështje për të miratuar ligje në shërbim të oligarkëve me fasadën e integrimit. Ndaj, më 10 shkurt, në orën 17:00, të gjithë përpara Kryeministrisë.