Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, kjo është një seancë e veçantë, për shkak se vjen një ditë pas shpalljes së listave zyrtare të kandidatëve për deputetë. Kemi dy skuadra të hedhura në kampe, pavarësisht se ka edhe skuadra të tjera të vogla, të cilat tentojnë, por dy janë skuadrat që bëjnë lojën politike dhe që luftojnë realisht për 71 mandate: Partia Socialiste dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Ajo që ne pamë, është se Partia Socialiste, përveçse, si në traditën më të mirë të saj, kishte ngrënë kokat e bijve të vet, kishte vënë disa njerëz që nuk përfaqësojnë asgjë, disa të rinj që janë më të vjetër se të vjetrit në politikë për nga retorika politike dhe për nga lavdet heroike që i bëjnë udhëheqësit legjendar, Edi Rama, por edhe disa biznesmenë të tjerë, me idenë se do t’u duhen për të mbushur disa xhepa lart e poshtë për të marrë disa vota, ndoshta nëpërmjet formës së bamirësisë që përdorin, duke përdorur dhe duke keqpërdorur, në fakt, edhe muajin e shenjtë të Ramazanit.
Nga ana tjetër, kishim një listë, dhe shqiptarët kanë një listë të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Kjo listë, pa dyshim, mund të kishte edhe 186 emra të tjerë të nderuar, që për shumë faktorë nuk ishin pjesë, por ama të 186 emrat vijnë si rezultat i kontributit në Partinë Demokratike; vijnë si rezultat i një pune të shkëlqyer në jetën e tyre profesionale; vijnë si rezultat i mbrojtjes së kauzave dhe betejave opozitare dhe janë njerëz, të cilët përfaqësojnë denjësisht komunitetet që i kanë zgjedhur të jenë kandidatë. Nuk kanë të krahasuar, janë dy botë, përveçse me dy ekipe krejtësisht të ndryshme për nga qasja, për nga mënyra se si u përzgjodhën, për nga procesi nëpërmjet të cilit dolën, po ashtu me dy qasje të ndryshme edhe për atë që përfaqëson secili dhe për atë që u ofrojnë shqiptarëve.
Partia Socialiste u ofron vazhdimësinë e vjedhjes, korrupsionit, keqmenaxhimit të parasë publike, vazhdimësinë e shtimit të radhëve në qelitë e burgjeve shqiptare, vazhdimësinë e gënjeshtrave dhe propagandës, ku i vetmi që nuk ndryshon, është ai që i hanë dardha, kumbulla, fiq mbrapa shpine, Edi Rama, kur, në fakt, është ai që po i ha të gjithë, këta që me demek po i hanë mbrapa shpine.Ndërsa Partia Demokratike me një aleancë prej 25 partish opozitare, ku ka mbledhur të gjithë spektrin politik, sepse secili nga ata, pavarësisht sa i vogël mund të jetë, pavarësisht sa vota mund të ketë, sepse jo të gjitha janë parti që kanë elektorat të konsiderueshëm, përfaqëson një shtresë të caktuar në të gjithë mozaikun që ka nevojë fitorja. Kontributi i secilit prej tyre është i vlefshëm në luftën kundër kësaj qeverie; kontributi i secilit prej tyre është votë kundër Edi Ramës që nuk shkon dëm, siç shkojnë votat e partive të tjera të vogla, që nuk do të prodhojnë dot mandate, që e kanë të pamundur në Tiranë, por edhe në qarqet e tjera të Shqipërisë, për shkak të mënyrës se si janë listat, por vetëm heqin vota, për të çuar ujë në mullirin e madh të Partisë Socialiste.
Kështu që, duhen përgëzuar të gjithë ata që zgjodhën t’i qëndrojnë ballë për ballë Edi Ramës, që t’i grumbullonin të gjitha votat në një drejtim, në drejtimin e ndryshimit. Ky Kuvend sot dhe të hënën ka dy seancat e fundit. Unë do të zgjedh që të hënën t’i bëj një rezyme punës së Kuvendit, por ajo që bie në sy, është se sot është një ditë zhgënjimi, sidomos për ata deputetë të Partisë Socialiste që shërbyen si mashë për çdo projektligj, për çdo ligj në Kuvend, por u hodhën me një të rënë të lapsit. Të gjithë ju, që firmosët fap e fap ndryshimin e ligjit të zonave të mbrojtura, ku jeni sot?! Sa prej jush janë ende deputetë? Ju zuri mallkimi i shqiptarëve! Ju që firmosët fap e fap zgjatjen e kohës së ligjit “Për investimet strategjike”, bashkë me koleget nga Vlora, ku jeni sot?! Ju fshiu fap e fap!
Ju dhe parafolësit këtu, që firmosët dhe bëtë mbledhje klandestine për t’i dhënë mandat të dytë Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, ku jeni sot?! Ju fshinë! Ju, që nuk e përdorët këtë foltore të Kuvendit për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të lartësuar votat që ju kishin besuar socialistët, por e përdorët për t’i bërë lavde Kryeministrit, ku jeni sot?! Ju fshinë! Uroj që ky të jetë një mësim! Ky të jetë një mësim për çdo socialist, nëse ka ende socialistë të ndershëm në këtë sallë, që të paktën deri në shtator, aq sa e kanë mandatin, ta ndryshojnë qasjen, të mos i votojnë verbërisht ligjet dhe të vazhdojnë ushtarë, edhe të vrarë në luftë, sepse nuk jua di njeri, përkundrazi, vetëm sa turpëroni veten, elektoralin që ju ka votuar dhe shqiptarët që ju shikojnë dhe ju ndjekin, ndoshta disa prej tyre realisht ju kanë besuar. Ata që përdoren, janë të parët që hidhen, dhe këtë e tregoi fare mirë Partia Socialiste. Ndaj, ngrihuni në lartësinë e detyrës në këta muajt e fundit të Parlamentit, përqafojeni ndryshimin, përqafojini qytetarët; votoni kundër ligjeve me porosi; paralizojeni këtë qeverisje, e cila ka paralizuar jetën e çdo shqiptari dhe hajdeni të bëjmë ndryshimin e madh për të gjithë shqiptarët më 11 maj të këtij viti!
Ne kemi mundësinë që t’u tregojmë shqiptarëve se Shqipëria ka njerëz patriotë; ka njerëz që duan Shqipërinë më shumë sesa partinë.
Ne kemi mundësinë që sot shqiptarëve t’u ofrojmë një program dinjitoz, që ofron një paketë dhembshurie, ku nuk do të ketë shqiptar me pagë nën 200 euro, aq sa është minimumi jetik, ku nuk do të ketë mësues që nuk do të përfitojë nga dyfishimi i rrogave, ku nuk do të ketë studentë në kushte mbijetese, por të gjithë do të kenë kartën e shpenzimeve dhe 200 euro mbështetje nga shteti dhe ku pensionistët nuk do të vuajnë për fundin e muajit dhe nuk do të jenë të detyruar t’i kërkojnë ilaçet te familjarët e tyre në diasporë, por do të kenë dinjitetin e tyre dhe do të jenë të respektuar në vendin e tyre, dhe paratë do të shkojnë për pensionet e tyre; ku pensionistët dhe familjet në nevojë do të kenë kartën e konsumatorit për t’i marrë ushqimet pa TVSH dhe për ta marrë rimbursimin e TVSH-së mbrapsht; ku çmimi i naftës do të jetë i konkurrueshëm, njësoj si në vendet e tjera të rajonit dhe jo ku mbytet nga taksat që merr qeveria, ku secili, sipas fuqisë së tij, kontribuon në shoqëri, por ama shoqëria do t’u përgjigjet të gjithëve njësoj, jo të privilegjuarve ndryshe dhe atyre që nuk kanë mundësi ndryshe.
Ndaj, është koha që nga ky Parlament sot, të gjithë bashkë, të japim mesazhin se ndryshimi bëhet; ndryshimi bëhet më 11 maj; ndryshimi bëhet, duke votuar Partinë Demokratike, Aleancën për Shqipërinë Madhështore, duke ndryshuar Shqipërinë, duke bërë një program, i cili e transformon Shqipërinë dhe duke zgjedhur një ekip njerëzish të denjë, profesionistë, njerëz që punojnë dhe jetojnë me krenari në Shqipëri, jo njerëz, të cilëve, fatkeqësisht, u ka rënë lapsi të jenë ose të mos jenë në listë.
Shumë faleminderit!