Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, sikundër jeni në dijeni, fillimisht, në Konferencën e Kryetarëve, unë e kam kundërshtuar edhe për kohën në të cilën po e shqyrtojmë, sepse koha në të cilën po e shqyrtojmë vërteton tashmë në mënyrë shumë të dukshme faktin që kjo është një paketë që përdoret edhe për qëllime elektorale, përveçse për qëllime të njohura e të pamohueshme klienteliste. “Paketa e maleve” është faqja tjetër e ligjit “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”. Nëse ligji për investimet strategjike bëri që në Shqipëri vija bregdetare prej 580 hektarësh t’u jepej investitorëve strategjikë, bregdeti të bëhej i paaksesueshëm për qytetarët, të kishte kosto të larta e dëme mjedisore, të kishte favore të mëdha fiskale, të kishte oligarkë të zgjedhur që aksesonin dhe merrnin tokën publike, “Paketa e maleve” do të bëjë të njëjtën gjë, veçse tashmë jo në bregdet, por në male, në ato zona të lakmuara, të cilat kryesisht janë zona të tipologjisë së zonave të mbrojtura, por që tashmë, falë ligjit të Mirela Kumbaros nuk janë
më të mbrojtura. Pra, pasi mbaruat me detet, u keni hyrë edhe maleve.
Ky është një ligj klientelist, një ligj zaptues, një ligj që merr pronën publike dhe me një të rënë të lapsit e shndërron atë në pronë private; është një ligj që i merr tokën fshatarit, i cili e përdor për bujqësi e blegtori, për t’ia dhënë oligarkut, për t’ia dhënë të përzgjedhurit të qeverisë, që ai të bëjë me të çfarë të dojë.
E si përfitojnë komunitetet lokale kështu? Përfitojnë nëse oligarkut i lind në zemër që t’i marrë në punë si çirakë, se ndoshta edhe nuk i duhen. Ndoshta ata marrin në punë edhe filipinas, ndoshta bëjnë edhe ato vilat për rehatinë e vet e të miqve të tyre oligarkë. Siç bëhen edhe ato vilat private në Jug, tani do të bëhen edhe në Veri, edhe në zonat e tjera të Shqipërisë.
Kjo është një paketë, e cila krijon kushtet më të mira për përvetësim prone, një paketë që përbën lehtësim fiskal vetëm për të përzgjedhurit e qeverisë, një paketë që nuk i vë as njerëzit në kushtet e transparencës e të garës, qoftë edhe për të përfituar nga kjo paketë.
Ju thoni se kjo paketë do të jetë në dobi të zonave të pazhvilluara. Në fakt, nuk ka asnjë dobi për zonën, por është në dobi të atij që do ta marrë. Nëse zona është e pazhvilluar, mund të zhvillohej duke u dhënë mundësi banorëve lokalë që të zhvillonin veprimtari aty, jo duke e tjetërsuar, duke e vjedhur pronën, duke dhuruar terrene e pyje e duke e dhënë pa kosto të caktuara fiskale, por thjesht si dhuratë.
Po ashtu, malet janë një pasuri e çmuar për komunitetin, për ekonominë lokale, por edhe për mjedisin. Kjo që ju bëni mund të sjellë dëme të parikuperueshme në mjedis, sepse janë ndërhyrje kryesisht ndërtimore, gjë që s’mund ta mohoni, se te ju fjala “zhvillimore” dhe fjala “ndërtimore” janë barazuar. Pra, ju do të bëni në male resorte, komplekse vilash të oligarkëve, të cilët marrin tokën publike për interesa privatë. Madje, mund të qëllojë që ata, pasi kanë marrë tokën publike në bregdet, kur bën shumë vapë, të kenë edhe tokën publike për klimë malore. Kjo është e vetmja gjë që ju bëni: u jepni më shumë nga pasuria publike, më shumë nga ajo që u takon të gjithë shqiptarëve, një grupi oligarkësh të përzgjedhur dhe klientë të pushtetit.
Ajo që ju bëni tjetër është që praktikat tuaja të favorizimit për interesa të ngushtë, në këtë rast 100% të përputhshme me interesat elektoralë, i zgjeroni, dhe thjesht kaloni nga zonat bregdetare në zonat malore. Pra, është thjesht zgjerim i gllabërimit, një gllabërim i ligjëruar.
A më thoni dot ju mua: cili është një investitor i huaj strategjik, i cili erdhi në Shqipëri me ligjin për investimet strategjike? Asnjë. Gaztorë të oborrit, njerëz me 1000 euro në xhep, që merrnin tokat publike, ose familjarë të ministrave! Çfarë do të bëni te “Paketa e maleve”? Të njëjtën gjë. Zero investime të huaja, zero emigrantë që vijnë për të kontribuuar. Cilët do të jenë? Gaztorët e oborrit, biznesmenët që do të mbulojnë fushatën, ata që do të ndihmojnë për vota personale edhe ministrin, meqë ka dalë në garë të hapur, e po ashtu ministra të tjerë, e pastaj na rroftë që e përdorim Shqipërinë si plaçkë elektorale, për të dhënë tokat në male, në fusha, në kodra, në bregdet e kudo!
Ky ligj, përveçse ka mungesë transparence e klientelizëm, ka edhe një rrezik tjetër: zhvendosjen drejt një urbanizimi të pakontrolluar. Malet kanë kuptimin e vet edhe kur janë thjesht male. Nuk është e nevojshme të ndërtojmë kudo. Filozofia e një qeverie nuk mund të jetë: vërë shkopin diku dhe ndërto, në male, në fusha, kodra e kudo. Nuk është zhvillimore nëse urbanizon çdo gjë. Nuk është zhvillimore, nuk është zhvillim i qëndrueshëm, nëse ndërton e betonizon kudo. Ne, qeniet njerëzore jetojmë me ajër dhe, me sa di, ajri prodhohet nga pemët e nga natyra. Nuk ka dalë ende ndonjë formulë, sipas së cilës ajri që ne thithim mund të prodhohet nga betoni, nga resortet e nga vilat. Po nxorët ju ndonjë formulë, sipas së cilës oksigjeni mund të prodhohet edhe nga betoni, na e thoni.
Pra, jeni duke ua marrë frymën shqiptarëve! Jeni duke ua marrë frymën dhe duke e bërë vendin të pajetueshëm. Sipas statistikave ndërkombëtare, sot Tirana është qyteti më i ndotur i Evropës. Kjo është me statistika. Tani, ju keni vizionin që si Tiranën ta bëni tërë Shqipërinë? Të urbanizoni edhe ato zona malore, edhe ato zona ku njeriu shkon edhe për një sëmundje, po edhe për të kaluar një kohë ndryshe, duke i kthyer në disa Tirana të vogla? Ky vizion nuk u shërben as qytetarëve, as shëndetit të tyre, as pasurisë publike, as zhvillimit të qëndrueshëm. Ky është një vizion që u shërben vetëm xhepave tuaj, xhepave të qeveritarëve, xhepave të oligarkëve, ambicies për të pasur një vilë në mal e një vilë në bregdet, pasurimit të pafre, dhe kaq. Nuk ka asnjë të mirë për qytetarët shqiptarë. Përkundrazi, parë në të gjithë parametrat, ky është një ligj që i shërben shkatërrimit të zonave malore. Ky është një ligj që u shërben klientëve të pushtetit për të marrë tokë publike. Është një ligj që i shërben vetëm ambicies suaj për të pasur edhe disa vota më shumë, edhe nja 500 grupe, të cilat do t’i aktivizoni me premtimin që do t’u bëni nga Paketa e Maleve. 500 familje, të cilat do t’i gënjeni, se në fund oligarkët e zakonshëm do ta marrin tokën, dhe do t’i kënaqni me lugën bosh për t’u marrë votën dhe në fund për t’u marrë edhe tokën publike, edhe pasurinë publike. Ata të mbajnë stresin, presionin dhe shkatërrimin, ju të mbani paratë dhe luksin.
Ndaj, ne do ta votojmë kundër, jemi kundër. Kjo paketë nuk zhvillon asgjë, është një paketë që vjedh edhe atë pak gjelbërim që ka ngelur në këtë vend, që po shkatërrohet dita-ditës, falë qeverisjes suaj të dështuar dhe në ikje.
Faleminderit!