Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë mbi raportimin vjetor të Komisionit Prokurimit Publik | 22 qershor 2023

Dua ta nis me habinë time se si Komisioni i Prokurimeve Publike paska marrë një çmim! Nëse ky komision duhej të merrte një çmim, duhej ta merrte si “certifikuesi i vjedhjeve dhe i abuzimeve në prokurimet publike”. Në fakt, korrupsioni në Shqipëri, i nxjerrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe nga vetë raportimet e Ministrisë së Financave, të paktën për 129 njësi që janë audituar, në dekadën e fundit prokurimet publike i kanë sjellë një dëm buxhetit në shumën 120 milionë dollarë. Vetëm në periudhën janar-prill të vitit 2023 KLSH-ja ka bërë 20 procedura auditimi dhe në 20 procedura auditimi të 55 institucioneve kemi një dëm prej 21 milionë eurosh. Vetëm kryetari i bashkisë që e përdorte bashkinë edhe si një dhomë moteli, ka marrë 110 milionë euro tenderë. Për këta tenderë nuk foli njeri, derisa i plasi skandali publikisht.

Në fakt, kjo qeveri ka bërë një përmirësim, nga 1 në 3 procedura tenderimi me shkelje ka kaluar 1 në 2 procedura me shkelje. Sipas raporteve, 54 për qind e procedurave të prokurimit publik janë me shkelje. 54 për qind e procedurave janë ose pa garë, ose duke shpikur kritere me porosi, si “kostum me porosi” për atë që do të marrë tenderin, ku vihen elemente, si sa punonjës duhet të ketë; çfarë ngjyre duhet të ketë traktori, mundësisht edhe sa vjeç duhet të jetë administratori i kompanisë që do ta marrë tenderin, në mënyrë të tillë që këto kritere të shpikura me porosi të përmbushen posaçërisht vetëm nga ai që është paracaktuar si fitues dhe që në fund do të marrë tenderin.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit flet të vërtetën për klimën e investimeve në Shqipëri dhe për atë që ndodh në sektorin e prokurimeve publike, ku thotë se karakterizohet nga mungesa e transparencës (dhe institucioni juaj është pjesë e kësaj mungese të transparencës), nga kushtet e shpikura në funksion të fituesit të paracaktuar; flet për ekonominë shqiptare që karakterizohet nga ekonomia informale. Në fakt, Komisioni i Prokurimeve Publike shkel parimin e të drejtës administrative në vonesën që ka në dhënien e gjykimit për ankimimet.

Ju vetë në raportin tuaj thoni se janë 768 ankesa dhe nga këto 768 vetëm 21 kanë marrë përgjigje dhe ka përfunduar procesi. Ka procese që zgjasin 7 vjet, duke e bërë të pamundur ta marrin të drejtën, për arsye se ai që e ka fituar, ka mbaruar punë, ka marrë edhe paratë, është kryer gjithçka dhe vazhdon e vazhdon ankimimi te ju.

Ndërkohë që shpejtësia dhe transparenca janë dy parimet bazë, me të cilat ju mund të garantonit që, të paktën këta 768 ankimues, të merrnin të drejtën nga Komisioni i Prokurimit Publik. Absolutisht që keni të drejtë që, kur janë tenderët pa garë, nuk ka as ankimim, se nuk ka pasur garues të tjerë, është paracaktuar fituesi, por të paktën këto 768 subjekte që besuan ende se ju mund të ishit një institucion i pavarur, duhej të kishin marrë përgjigje nga ju dhe duhej të kishte përfunduar procesi i ankimimit brenda kuadrit që parashikon e drejta administrative. E kanë më kollaj të shkojnë në gjykatë dhe ta marrin të drejtën te kjo e fundit, ku proceset edhe për nga natyra duhet të jenë më të gjata dhe më të komplikuara, sesa të marrin të drejtën te Komisioni i Prokurimeve Publike.

Koha sot është shumë e limituar për shkak të 5­minutëshit. Për ta konkluduar, do të desha të them që, nëse ka një sektor ku ka dështuar dhe është vjedhur në mënyrën më skandaloze, është pikërisht sektori i prokurimeve publike, i tenderëve, ku qeveria ia jep një grupi klientelistësh, i paracakton dhe pasurohen vetëm këta mbrapa nesh, dhe asgjë nuk shkon për biznesin e ndershëm, për ata që mund të bëjnë punë që të mbrohen paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Faleminderit!

Replikë:

Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin. Kur unë flas për korrupsionin në Shqipëri dhe për prokurimet publike, që kanë shkaktuar 120 milionë dollarë dëm në dekadën e fundit, sipas KLSH-së, kryetari i grupit parlamentar thotë: sektor a jo sektor. Në çdo administratë prokurimet publike kanë një drejtori, kanë një sektor, quaje si të duash ti, që merret me prokurimet publike. Më e rëndësishmja është se ju mund të arrini një rekord: brenda burgjeve mund të krijoni – pikërisht për këto dëme e vjedhje që keni bërë me tendera e me prokurime publike – qoftë një grup parlamentar, qoftë shoqatën e bashkive. Për grupin parlamentar, sugjeroj që zoti Balla të kërkojë edhe drejtimin e atij grupi parlamentar.

Ndërkohë, dua t’ju kujtoj që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, meqenëse e citoni për standardet amerikane dhe jeni të gjithë proeuroatlantikë, flitet për mungesën e transparencës në prokurimet publike, flitet për ekonomi informale, për kushte të shpikura sipas…

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Po, raporti i fundit i DASH-it për klimën e investimeve. Merre, lexoje, se ke kohë dhe eja ta diskutojmë këtu! Madje, meqë ke të drejtë, si kryetar grupi, të kërkosh debat, bëjmë një debat të posaçëm në seancën e ardhshme vetëm për raportet e DASH-it.

Faleminderit, Kryetare!