Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë mbi trashegimine kulturore dhe parqet Arkeologjike / 9 Maj 2024

Në fakt, do të kisha preferuar që ministri i ri të ishte këtu, siç e ka edhe Rregullorja e Kuvendit, sepse, ashtu siç ministri ishte prezantues, do të ishte mirë edhe të na dëgjonte, aq më tepër, do t’i adresohesha atij. 

 Ne sot kalojmë pikërisht një marrëveshje, e cila titullin e saj e ka “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”. Nuk mendoj se ka ndonjë vlerë më të madhe dhe ndonjë moment më të madh që tregon një vend të qytetëruar se ruajtja e trashëgimisë kulturore, se sa përçimi i trashëgimisë kulturore të paprekshme te brezat e ardhshëm dhe se sa investimi, që trashëgimia kulturore të lartësohet dhe të njihet kudo në botë.  

Besoj se në këtë pikë nuk ndahemi dhe nuk duhet të ndahemi politikisht. Dhe më vjen keq që gjatë qeverisjes suaj, kultura, trashëgimia kulturore është kthyer në një temë debati të nxehtë, ndërkohë duhet të ishte një temë që të na bashkonte të gjithëve dhe vendimmarrja të ishte sa më konsensuale. 

 Ditën e martë kam marrë pjesë në një dëgjesë publike që e organizonte ministria e zotit Gonxhe. Ishte hera e parë, në fakt, që ata e kishin të hapur dëgjesën dhe e njoftonin. Ky është një ndryshim i mirë në krahasim me kohën kur ishte zonja Margariti, që gjërat nuk ishin transparente dhe marrëveshjet ishin sekrete. Unë pata mundësinë të isha pjesë e kësaj dëgjese dhe të shprehja të gjitha shqetësimet për planin e menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit. 

Bëhet fjalë për një projekt të Bashkimit Europian, ku janë marrë 6 milionë euro, për të qenë precize 6 milionë e 250 mijë euro; një projekt që ka 3 vjet e 6 muaj që implementohet, ku janë harxhuar 900 mijë euro dhe nuk është bërë asgjë. Janë harxhuar 900 mijë euro vetem në paga, në rroga, në dieta, në udhëtime, në shpenzime operative, por për asgjë që lidhet me trashëgiminë kulturore. 

Plani i menaxhimit, ai që u prezantua, në fakt, edhe ai për të cilin po punohet dhe uroj të ndryshohet, sidomos pas kritikave të shumta që ne i bëmë bashkë me një grup arkeologësh në dëgjesën publike, parashikon dhënien me koncesion, pra ngritjen e një fondacioni nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik për të administruar dhe menaxhuar Klosin dhe parkun arkeologjik të Bylisit.  

Duke qenë se paratë janë, duke qenë se Bashkimi Europian i ka dhënë paratë, dhe arsyeja thelbësore, që e kanë përdorur si arsye për të dhënë me koncesion (pra, ne nuk i kemi paratë dhe duhet ta japim me koncesion për të marrë paratë), ka rënë, sepse paratë janë, mjafton vullneti shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që këto para t’i mirëmenaxhojë.  

Edhe asetet janë. Ne kemi studiues të jashtëzakonshëm, arkeologë të jashtëzakonshëm, profesionistë shumë të mirë, të cilët mund të bëjnë jo vetëm planin e menaxhimit, por mund të drejtojnë edhe kërkimet në Bylis, mund të përgatisin dosjen e Bylisit për në UNESCO.  

Ishte për të ardhur keq se si gjithë ato para paguheshin dhe ai plan menaxhimi nuk kishte një fjalë për UNESCO-n, nuk parashikonte asgjë për ta çuar Bylisin, për t’i përgatitur një dosje për në UNESCO. Dhe këtë unë e kuptova, sepse ata e kishin planin me koncesion, por UNESCO nuk e pranon koncesionin.  

Që UNESCO nuk e pranon koncesionin, këtë e ka shprehur qartësisht në raportin që ka bërë për Butrintin, por, fatkeqësisht, atë raport, që Gjykata Kushtetuese e injoroi, Konventa e Parisit e thotë qartësisht se duhet të jetë një komitet ndërministror, ku fondacionet mund të japin vetëm donacione, por nuk mund të administrojnë dhe nuk mund të zëvendësojnë shtetin palë në marrëdhënie me UNESCO-n.  

Në korrik të këtij viti, në Indi, do të mbahet konferenca e UNESCO-s dhe ka në vëmendje Butrintin. Një nga rreziqet është që Butrinti shumë shpejt të vihet në listën e pasurive në rrezik dhe kjo, falë kokëfortësisë suaj, për ta dhënë atë me koncesion, ndërkohë që shikoni të njëjtën gjë te Bylisi. 

Mua më pëlqeu, në fakt, qasja e dy zëvendësministrave të rinj, ndoshta edhe mosha e tyre i bëri të ishin më pranues, se si thanë që do ta shikonin dhe do të merrnin parasysh një menaxhim shtetëror.  

Shqipëria ka resurse të jashtëzakonshme njerëzore.  

Do t’ju them një rast që më ndodhi jo më larg se dje. Shkova në një restorant dhe kamerieri më pyeti: ju jeni Ina Zhupa, që merreni me 

Butrintin? Po, i thashë. Ai shtoi: “Unë jam arkeolog dhe punoj kamarier”. Quhej Gledis Muça, është arkeolog dhe punon kamerier, “sepse nuk ka vend për ne”, – tha, sepse këta marrin të huajt, sepse ju Butrintin ia dhatë Hodges-it, Hernandez-it, me ekipet e veta nga Peruja, nga Anglia, dhe nuk kishte vend për studentët tanë, për arkeologët tanë nga shkolla shqiptare e arkeologjisë, që është një nga shkollat më të nderuara në Europë. Nuk kishte dhe nuk ka vend, sepse prapë i bëni gati për koncesion, ndërkohë që Shqipëria është e pasur me parqe arkeologjike, është e pasur me punë për arkeologët shqiptarë. Dhe, normalisht, duke mos pasur punë për një arkeolog që diplomohet me mesatare 9,2, edhe të tjerët nuk do të shtyjnë të shkojnë drejt këtij shkollimi. Kështu, do ta shuajmë shkollën e arkeologjisë shqiptare, që është thesari që na duhet për t’u treguar vlerat, kulturën, identitetin dhe historinë tonë brezave të ardhshëm. Pastaj, do të vini këtu dhe do të thoni: çfarë politikash të bëjmë që të shkojnë në shkollën e arkeologjisë? Ja, pra, politika që duhet të bëni është politika që t’i punësoni sot dhe t’ua jepni studiuesve dhe arkeologëve shqiptarë t’i bëjnë planet e menaxhimit dhe të menaxhojnë trashëgiminë tonë kulturore, jo ta jepni atë me koncesion që ta marrin të tjerët dhe ta shpërdorojnë për të fituar më shumë para, për ta trajtuar si mall tregu dhe jo si xhevahir për ta ruajtur për brezat e ardhshëm! 

Unë jua thashë edhe në dëgjesë, e them edhe sot këtu para jush, kolegë deputetë, që uroj ta bëni advokimin e trashëgimisë kulturore edhe te ministri, edhe te mazhoranca në përgjithësi.  

Kjo nuk është çështje partiake. Edhe unë, personalisht, para partisë, dua Shqipërinë. 

Kjo është një çështje kombëtare, që ne nuk duhet të na ndajë, por duhet të na bashkojë! 

Unë e kam parë vullnetin tuaj për të vjedhur në çdo lloj hapësire, e kam parë vullnetin e qeverisë që, sa herë ka një tender, t’i marrë maksimumin; sa herë ka një plan menaxhimi, ta çojë në koncesion. Të paktën, tek trashëgimia kulturore mbani dorën. Mbani dorën, sepse do t’ua lini trashëgim fëmijëve tuaj, nipërve tuaj! Përveç parave që do t’u lini, kanë nevojë edhe për pak krenari që janë shqiptarë; kanë nevojë edhe për pak histori, kanë nevojë edhe për atë identitetin e të parëve të tyre. Ta dinë, ta njohin, ta shikojnë, ta prekin! 

Nuk kanë nevojë qytetet antike, parqet arkeologjike që ju të bëni dyqane suveniresh; nuk ka nevojë të vini ekrane, ku tregoni histori, por kanë nevojë të prekin objekte, ta shikojnë si kanë jetuar të parët tanë; kanë nevojë të kuptojnë si ka ecur qytetërimi. Dhe këtë e kuptojnë duke qenë vetë në parqet arkeologjike dhe jo duke parë këto qendrat e vizitorëve që thoni ju dhe këto ekrane. Ato janë një aneks, por nuk duhet të jenë thelbi.  

Thelbi i trashëgimisë kulturore nuk është ekonomia, por është historia, identiteti, ajo që tregon çfarë jemi dhe ku duam të shkojmë.  

Prandaj do të kisha dashur që zoti Gonxhe të ishte këtu, për t’i kërkuar që të mos vazhdonte me të njëjtën rrugë që kishte paraardhësja e tij, sepse sot për sot në Shqipëri ka vetëm një organizatë që e ka statusin “partner strategjik” në trashëgiminë kulturore dhe çdo koncesion që bëhet, sot për sot është koncesion i atribuar për AADF-në, që ka marrë Butrintin, që ka planin e menaxhimit të Durrësit, që përgatitet të marrë Bylisin. Kjo nuk është normale. Ne nuk mund të zëvendësojmë UNESCO-n me AADF-në. 

Ne duhet të qëndrojmë te parimet që ta mbrojmë trashëgiminë kulturore, ta mbajmë në UNESCO, të regjistrojmë sa më shumë site në UNESCO dhe t’ua trashëgojmë brezave të ardhshëm, jo ta bëjmë atë një mall tregu, një portofol financiar të një organizate të caktuar, cilado qoftë ajo, që t’i nxjerrë maksimumin në para dhe në kredite. Është një detyrë që qytetarët na e kanë besuar dhe për të cilën nesër do të gjykohemi, për mirë apo për keq.  

E zgjidhni ju nga cila anë e historisë do të qëndroni.  

Faleminderit!