Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Parafolësi ka të drejtë, sepse kanë bërë shumë për diasporën, kanë shtuar numrin e të larguarve nga Shqipëria dhe numrin e diasporës në mënyrë të jashtëzakonshme në 12 vjet qeverisje. 1,2 milionë shqiptarë janë larguar vetëm falë qeverisjes së zotërisë parafolës, të qeverisjes që ai përfaqëson dhe të Kryeministrit Edi Rama. Ky është kontributi i vetëm që keni për diasporën. U hodh një tezë këtu: nuk e kemi dërguar Abetaren, sepse prisnim që ta unifikonin, se ata nuk mund të mësonin me të njëjtën Abetare që mësonin nxënësit shqiptarë, por duhej të prisnin të unifikohej me Kosovën. Besoj se askush nga ne nuk i merr këto për të vërteta, siç nuk është asgjë e vërtetë nga jo që thotë dhe propagandon ministri i Parlamentit apo drejtuesi i diasporës. Nëse diaspora do të kishte kërkuar një rrënjë hashashi, të jeni të sigurt që do t’ia dërgonin menjëherë, ndoshta edhe disa varietete, sepse për këtë shquhet “Rilindja”. U kanë kërkuar Abetare dhe i kanë zënë ngushtë, sepse nuk kanë një marrëdhënie të mirë me librat dhe me atdhedashurinë. Ky ka qenë problemi që ka pamundësuar çuarjen e Abetares dhe mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Shqiptarët që votojnë për herë të parë nga vendet ku jetojnë, duhet të kenë të njëjtën të drejtë si shqiptarët që jetojnë brenda Shqipërisë; duhet të kenë të njëjtën mundësi për të votuar, pavarësisht faktit që kanë shumë vjet që janë larguar nga Shqipëria dhe nuk kanë një mjet identifikimi shqiptar. Pasaportat biometrike të vendeve europiane, pasaportat biometrike të vendeve Perëndimore, janë më të sigurta e më me cilësi se vetë pasaportat dhe kartat tona. Nuk e besoj se mund të dalë ndonjëri nga ju e të na thotë: ne nuk kemi besim në mjetet e identifikimit të Republikës së Italisë, të Gjermanisë, të Francës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Le të na i thotë dhe të bëjë një listë të shteteve që nuk ka besim, por t’i mohosh të drejtën për të votuar një shtetasi shqiptar, emri i të cilit është në listën e zgjedhësve, i cili ka mundësi të identifikohet me një mjet të sigurt, është njësoj sikur t’i mohosh të drejtën kushtetuese, është njësoj si ajo që bëtë në zgjedhjet e vitit 2021, që nuk e lejuat diasporën të vinte të votonte, sepse mbyllët kufijtë.
Në atë kohë mbyllët kufijtë dhe ua shpalli jokushtetuese Gjykata Kushtetues, tani doni të mbyllni ciklin, rrethin e dokumenteve të lejueshme, me të cilat mund të ushtrojnë të drejtën për të votuar.
Diaspora këtë kuptim ka, që është jashtë Shqipërisë dhe që ka dokumentacion tjetër, të ndryshëm nga ai shqiptar dhe jo vetëm atë shqiptar. Ideja juaj për ta vazhduar këtë rrugë për t’u pamundësuar një të drejtë kushtetuese qytetarëve, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë pasur mundësinë të pajisen me një dokument identifikimi shqiptar, është vetëm e vetëm frika juaj e madhe për rotacionin që do të sjellë diaspora. Ju e dini shumë mirë se çfarë pritje ju bëjnë në diasporë; ju e dini shumë mirë se si jeni detyruar të kërkoni formular me dhjetë emra nga çdo punonjës i administratës publike dhe se si tani u bëni presion që ata dhjetë emra të regjistrohen në sistem; ju e dini shumë mirë se si jeni duke përdorur konsullatat dhe ambasadat shqiptare nëpër botë për të ndërhyrë dhe për të marrë pjesë në procesin e identifikimit dhe regjistrimit; ju e dini shumë mirë se si flamuri kuq e zi valëvitet në dyert e konsullatave dhe ambasadave krah përkrah me dritaren e zyrave të regjistrimit të Partisë Socialiste, dhe keni rastin flagrant në shtetin fqinj të Greqisë; ju e dini shumë mirë se si ambasadorët vijnë e ulen në rreshtin e parë të takimeve elektorale të drejtuesit politik për diasporën apo edhe të Kryeministrit, kur shkon, sepse jeni duke përdorur çdo resurs financiar e njerëzor në shërbim të votës. Sot më shumë në diasporë, sepse deri në datën 4 mars mund të regjistrohen, nesër sigurisht që forcat shtohen në Shqipëri për të manipuluar vullnetin e zgjedhësve, për të manipuluar atë rezultat që ju e shikonit qartë në çdo sondazh privat që bëni dhe që e shikoni të qartë në çdo takim që bëni. Diaspora do të jetë faktori kryesor i rotacionit politik dhe ajo që do t’ju japë përgjigjen e merituar për dëbimin masiv që i keni bërë në këta 12 vjet dhe për keqqeverisjen, që u keni bërë të afërmve të tyre që jetojnë këtu, por edhe vendit të tyre, duke e kthyer në kopertinat e para të revistave botërore si vendi i hashashit, i drogës, i krimit, si vendi ku zëvendëskryeministri sot në kërkim azili, hap dosjet, flet me fakte; flet me ngjarje konkrete; flet me emra për afera që lidhen drejtpërdrejt me kreun e organizatës kriminale “Rilindja”, Edi Rama; flet për tenderat e AKSHI-t; flet për tunelin e Llogarasë që shtohet me një të rënë të lapsit me 50 milionë euro; flet për verën 33 mijë euro që pi Edi Rama dhe më pas i ripaguan ato euro me tenderat dhe me pronat publike të shqiptarëve; flet qartësisht se si është kalbur ky sistem dhe se si nuk vepron drejtësia për të bërë drejtësi dhe për të çuar para drejtësisë Edi Ramën pas të gjitha atyre provave tashmë që ka edhe nga vetë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, siç ishte zoti Ahmetaj, që ka qenë për një kohë shumë të gjatë ulur atje. Ndoshta në pozicionin që sot është zoti Balla, ka qenë i ulur dikur zoti Ahmetaj. Uroj që zoti Balla të mos ketë fatin e zotit Ahmetaj!
Asete elektorale i keni shndërruar të gjitha institucionet publike. E thashë që në fillim, që nga Parlamenti dhe çdo zyrë të administratës e keni kthyer në një aset elektoral në funksion të fushatës elektorale. Ky Parlament ka detyrë të bëjë ligje për interesin publik; ky Parlament ka detyrë të reflektojë për nevojat që ka shoqëria Vetëm sot ne po kalojmë dy ligje që u shërbejnë drejtpërdrejt grupeve të oligarkëve dhe grupeve që nuk prekin popullsinë, qytetarin e thjeshtë, por vetëm një kastë të caktuar; po kalojmë për të disatën herë ligjin për zgjatjen e afatit të investimeve strategjike, ku përfitojnë të përzgjedhurit e pushtetit, dhe pasi t’u japim një investim strategjik, pra, pasi t’u japim një tokë falas dhe të gjitha shërbimet falas, u heqim edhe taksat me ligjin tjetër që kalon Klosi, sepse investimet strategjike hotele me 5 yje do të jenë, resorte, nuk do të jenë të vogla, ua heqim edhe taksat dhe jua japim të gjitha dhuratë nga qeveria dhe investitorë strategjikë pastaj dalin gaztorët, dalin njerëz të pushtetit, dalin njerëz që nuk kanë punuar një ditë në jetën e tyre, por janë investitorë strategjikë në Shqipëri, kur koncepti duhej të ishte i brendeve ndërkombëtare, edhe nëse do të bëhej për një afat 1-vjeçar, siç e nisët në vitin e largët 2015.
Ndaj, nga ky Parlament sot do të doja ta ftoja mazhorancën të reflektonte për të mos votuar ligje që u shërbejnë vetëm një grushti njerëzish, që shërbejnë për të pasuruar klientët e pushtetit dhe vetë pushtetarët, por të bënte ligje, të kalonte ligjet e propozuara nga deputetë te Partisë Demokratike për t’i çuar paratë e buxhetit të shtetit në funksion të qytetarëve, në funksion të pensionistëve dhe të rinisë shqiptare, që ajo të mos na kthehet shumë shpejt në diasporë.
Faleminderit!
REPLIKË:
Siç jua bëmë me dije, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, edhe në Konferencën e Kryetarëve, ju jeni duke futur në kalendarin dhe në programin e punës projektligje, të cilat reflektojnë një ligjvënie elektorale. Ju jeni duke përdorur Parlamentin dhe kartonët e deputetëve për të kaluar ligje që u shërbejnë grupeve të caktuara shoqërore, si oligarkëve në rastin e ligjit të zotit Klosi apo siç keni futur me një korsi të shpejtë ligjin “Paketa e maleve” për të dhënë 100 grante elektorale në emër të votës për Partinë Socialiste. Jua bëra me dije edhe në Konferencën e Kryetarëve, por e kam rishikuar edhe një herë projektkalendarin dhe projektprogramin e datës 20 janar, kur ne jemi mbledhur. Ju keni futur në projektprogram “Paketën e maleve” pa datë, sepse kishit parashikuar një datë boshe në protokollin e Parlamentit për t’i vënë datën 10 janar në mënyrë të tillë që, sipas jush, nuk futej në periudhën zgjedhore. Por futen në periudhën zgjedhore, sepse, së pari i keni falsifikuar dhe së dyti do ta miratoni brenda 4-mujorit që e ndalon Kodi Zgjedhor.
Jeni duke e përdorur këtë Parlament, kjo është edhe arsyeja kryesore pse ne nuk kemi qenë dakord në Konferencën e Kryetarëve, si aset elektoral ku deputetët po kthehen në firmosës së dhënieve të fondeve publike me qëllim votën për Partinë Socialiste të Shqipërisë. 100 grante parashikohen për “Paketën e maleve”, 100 grupe të caktuara, të përzgjedhura nga Partia Socialiste, për të marrë pjesë nga “Paketa e maleve”, të cilën shumë mirë mund ta quani “Rilindja e maleve”, sepse do të jetë në funksion të rilindjes suaj. Po ashtu, ne kërkuam në Konferencën e Kryetarëve që prioritet në kalendar të kenë iniciativat e deputetëve, sidomos të deputetëve të opozitës, të cilat kanë 1 apo 2 vjet që rrinë ose kalojnë nga kalendari në kalendar dhe nuk e gjejnë kurrë korsinë për t’u shqyrtuar në komisione dhe as për të ardhur në seancën plenare, sepse ato kanë një ndryshim të thellë nga ligjet që sillni ju; ato janë ligje për t’u dhënë minimumin jetik shqiptarëve; janë ligje për të garantuar më shumë të ardhura për shqiptarët; janë ligje që anulojnë koncesionet tuaja; janë ligje që u japin para ish-të përndjekurve politikë; janë ligje që u japin dëmshpërblime të përmbyturve nga përmbytjet që kanë ndodhur në Shkodër dhe tani po ndodh diçka e ngjashme edhe në Durrës. Ju këto nuk i fusni në kalendar, ju këto nuk i parashikoni, por parashikoni të fusni, dhe ne t’i miratojmë me shpejtësinë tuaj, ligje, të cilat do t’i përdorni si kartë elektorale, siç po i përdorni në fakt, për fushatën e 11 majit. Kjo ishte arsyeja kryesore pse ne në Konferencën e Kryetarëve e kemi votuar kundër. Shpresojmë se ju do t’i ktheheni ligjshmërisë.
Na thatë që i jeni drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por do të duhet që ne të njihemi me shkresën që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jua miraton juve që t’i kaloni këto ligje që i keni futur në projektkalendar për javët e ardhshme, përndryshe gjithçka tjetër këtu është në funksion elektoral dhe në funksion të çuarjes së parasë publike si aset për Partinë Socialiste.
Shumë faleminderit!