Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me RTSH dhe Këshillin Drejtues Rtsh / 13 Shkurt 2025 / 17 Shkurt 2025

Besoj se ishte një gafë e deputetes parafolëse, sepse Shqipëria nuk është ajo që shikoni në diasporë, në diasporë shikoni shtetet përkatëse, jo Shqipërinë. (Ndërhyrje pa mikrofon) 

Ajo që shikojnë bashkëqytetarët është një Shqipëri e varfër, e vjedhur, 5 ministra në burg, një zëvendëskryeministër në kërkim, 17 kryetarë bashkish me çështje penale, dhe pensione të mjerueshme. Këtë e shikojnë jo vetëm bashkëqytetarët tanë, por edhe ata që jetojnë në diasporë.  

 Unë e kam kërkuar fjalën, sepse një pikë e rëndësishme e kësaj seance ka të bëjë me 9 projektvendime për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. Për aq kohë sa në procedurën e Kuvendit, projektvendimet nuk kanë një kohë të caktuar për të diskutuar, kam zgjedhur këtë pikë të fundit, për të ezauruar një çështje me rëndësi për aq kohë sa Kuvendi, seanca do të shprehet.  

Si kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, e ndiej detyrim t’i sqaroj të gjithë kolegët në lidhje me ngjarjet që çuan në këtë vendim të komisionit.     Së pari, dua të them se është një betejë 3vjeçare për mirëfunksionimin e Radiotelevizionit Shqiptar, një betejë 3-vjeçare që paligjshmëria e Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar të sillej në hullitë e ligjit, që zgjedhjet e drejtorëve në Televizionin Shqiptar të mos bëheshin si qoka partiake me njerëz partiakë, por të bëheshin në bazë të standardit të ligjit. Fatmirësisht, koha na dha të drejtë, të gjitha ato që ishin denoncuar me zë dhe figurë nga unë, si anëtare, kur isha anëtare e atij komisioni, tashmë pranohen edhe nga vetë mazhoranca, për shkeljet e Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar; tashmë pranohet publikisht nga të gjithë që edhe zgjedhja, aq e mbrojtur nga mazhoranca, e Alfred Pezës në krye të Radiotelevizionit Shqiptar ishte në shkelje të procedurave ligjore. Këshilli fitoi vetëbesim, mendoi se u bë i paprekshëm, mendoi se mund të shkelte ligjin sa herë të donte, sepse kishte mbrojtjen e mazhorancës socialiste. Mirëpo, zullumi kur trashet, atëherë këputet. Në shkelje të plotë të çdo rekomandimi të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk gjejmë dot një rekomandim të dhënë nga rezultat e  tre vjetëve të fundit nga Kuvendi i Shqipërisë, që të jetë zbatuar nga Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar.  

 Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar ka votuar me vendimin nr. 4 të datës 27.01.2025 që të mos përzgjedhë për të vijuar garën, kandidatë që i plotësonin kushtet; nuk ka zbatuar pikën dy të nenit 11 të statutit të RTSHsë, që përcakton të gjithë procedurën e zgjedhjes së drejtorit; nuk ka miratuar një procedurë standarde që t’i përgjigjej nevojës që i kërkonte statuti dhe ligji Këshillit Drejtues. Këshilli Drejtues ka konsideruar votë të fshehtë votën online nga Vietnami të një anëtari të Këshillit Drejtues, i cili i paska thënë sekretares së Këshillit: “Unë do të votoj pro këtij e kundër atij”, ajo e kishte mbajtur shënim dhe më pas ishte konsideruar votë e fshehtë, sipas procedurës së Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.  

 Ndërkohë, po me këtë pseudovotimin e fshehtë, vendosën të mos fusnin në garë ata që plotësojnë kriteret dhe vendosën të bënin një parakonkurrim ndryshe nga çfarë thuhet në ligj. Në ligj thuhet se kalohet një listë e të gjithë atyre që përmbushin kriteret dhe nuk thuhet se bëhet votim nominal për secilin, votim që do të duhet të bëhet në fazën kur përzgjidhet drejtori i përgjithshëm.   

 Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar nuk kërkoi për asnjë nga kandidatët zbatimin e shkronjës “h”, të pikës 1, të nenit 29, të ligjit nr.45/2015, që do të thotë për të kërkuar një dokument nga Autoriteti i Dosjeve, nëse kandidatët ishin apo jo me të shkuar komuniste, siç e kërkon dokumentacioni zyrtar për një kandidat për drejtor të Përgjithshëm. 

 Këshilli ka shpallur garën për drejtor me një vonesë të pajustifikuar, duke e mbajtur pozicionin vakant që prej datës 6 shtator 2024. Nga ana tjetër, asnjë nga mbledhjet e Këshillit Drejtues nuk janë të zbardhura e nuk janë të dokumentuara sipas ligjit, qoftë zyrtarisht në website-n e Radiotelevizionit Shqiptar, qoftë të depozituara pranë komisionit. 

Në fakt, ajo që ka ndodhur është se shumicae anëtarëve ishin pleksur në konflikt interesi në marrëdhënien e tyre si anëtarë të Këshillit Drejtues. Disa kishin punësuar familjarët e tyre në Radiotelevizionin Shqiptar, disa të tjerë merrnin projekte nga Radiotelevizioni Shqiptar, ndërkohë që ishin anëtarë të Radiotelevizionit Shqiptar. Disa të tjerë merrnin e jepnin shpërblime, a thua se ishin në tokën e babait e jo në pronën publike të qytetarëve shqiptarë. 

Radiotelevizioni Shqiptar u katandis në këtë formë, sepse ju vendosët që me një opozitë korporatash ta kapnit atë 100%, duke marrë atje edhe vendet që i takonin opozitës, edhe vendet që i takonin mazhorancës, dhe vutë atje njerëz që nuk e njihnin më konceptin e ligjit, nuk e njihnin më përgjegjësinë para ligjit, sepse ishin zgjedhur pa ligj, sepse ishin zgjedhur me metoda ekstraligjore, me favore politike, e jo sipas rregullores. 

Kontrollet e Kontrollit të Lartë të Shtetit e nxjerrin Këshillin Drejtues aq të fajshëm sa edhe drejtorët e përgjithshëm, prej të cilëve njëri ka shkuar në burg, ndërsa të tjerët janë kandidatë për burg, sa i takon keqmenaxhimit dhe uzurpimit pa të drejtë të parave publike, të cilat jepen nga buxheti i shtetit për Radiotelevizionin Shqiptar. E nuk janë pak, por rreth 23 milionë euro çdo vit, të cilat shkojnë e përdoren për qejfet e Këshillit Drejtues, për një drejtor që bën qoka e për një tjetër që pushon disa nga puna e merr disa të rinj, e për një tjetër akoma, që rikthen ata të vjetrit dhe heq ata të rinjtë, duke e bërë koston dyfish më të madhe për të gjitha gjyqet që këta punonjës fitojnë, e që më pas paguhen nga paratë e buxhetit të shtetit. 

Radiotelevizioni Shqiptar nuk ka depozituar në Kuvend një kopje të raporteve mbi prodhimet e porositura nga fondi i prodhimit të pavarur, emrin e shoqërisë, emrin e personave të kontraktuar, përdorimin e fondit të prodhimit të pavarur gjatë vitit të kaluar apo shumën e mbetur pa shpenzuar. Pra, ishte kthyer në një flluskë, e cila mbante vetëm vetveten dhe nuk mbante asgjë nga interesi publik. Për sa më sipër, ne si komision kemi zhvilluar dëgjesa me secilin nga anëtarët e këshillit, ku nuk kanë munguar edhe pranime me zë e figurë të konfliktit të interesit, ku nuk kanë munguar edhe deklarata qesharake, që “ne e kemi shkelur ligjin, por vetëm sepse nuk e njihnim atë”, a thua se kur një vrasës e vret dikë në rrugë mund të lirohet nëse thotë: nuk e dija se vrasja dënohet me ligj! Janë njësoj të fajshëm edhe nëse nuk e dinin, edhe nëse e dinin dhe bëjnë rolin e budallait duke u hequr sikur nuk e dinin. 

Edhe në emër të kolegëve, unë dua të them këtu se gjithsecili nga anëtarët e këshillit mund të jetë njeri shumë i respektuar në karrierën e tij të mëparshme, shumë i nderuar për kontributet që mund të ketë dhënë në fushën artistike në Shqipëri, por në detyrat e tij si anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar ka shkelur ligjin, ka minuar besimin e këtij Parlamenti, ka cenuar interesin publik, ka keqpërdorur taksat e shqiptarëve. Prandaj, edhe në emër të komisionit, besoj duke përfaqësuar edhe vullnetin e kolegëve, nga ana e gjithë seancës plenare kërkoj miratimin për të shkarkuar secilin anëtar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. 

Shumë faleminderit!