Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për ceshtjen dhënjes së autorizimit për arrestimin e Arben Ahmetaj | 13 korrik 2023

Në fakt, nuk ka ngjarje më të rëndë sesa, nga e enjtja në të enjte, grupit këtej t’i mungojnë dy deputetë; nga e enjtja në të enjte, kur bënin foto së bashku Arben Ahmetaj dhe Rrahman Rrajën, atje në fund të sallës, në këtë të enjte njëri është në arrati dhe kërkohet t’i hiqet imuniteti, dhe tjetri ka dhënë dorëheqjen për një batërdi që ka bërë ai, fisi i tij, me urdhër të tij, me mbrojtje nga ju, në Krujë. Ja, kjo është panorama më e saktë e asaj që jeni ju, dhe e asaj që përfaqësoni ju. Mos u çuditni që në gusht të na sillni në ndonjë seancë të jashtëzakonshme, sepse për atë që ishte regjistruar sot dhe e tërhoqi fjalën, Damian Gjiknurin, do të duhet t’i japim një autorizim SPAK-ut që të lërë imunitetin. Sot tha se e njeh Klodian Zoton. Nuk është mëkat të njohësh. Në komisionin hetimor nuk e njihte Klodian Zoton, tani e njeh, dhe pas pak ditësh, do të ketë edhe bashkëpunuar me të dhe do të dalin edhe gjëra të tjera.

Ja, ky është standardi juaj, ky është standardi i kësaj mazhorance, sepse këta emra që përmenda, nuk është se janë një përgjegjës në një fshat të fundit atje, por janë zëvendëskryeministra, ministra më me peshë, deputetë, drejtues politikë, njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Sot i keni drejtuesit politikë të listës së Qarkut të Durrësit ose në burg, ose të larguar nga parlamenti: Lefter koka në burg, Vangjush Dako në burg, Rrahman Rraja iku me turp. Këta ishin drejtuesit tuaj politikë, që ju siguruan ato mandate në Durrës.

Sot ju na tregoni forcën e kartonit dhe doni të flisni për zgjedhjet. Po për cilat zgjedhje?! Për zgjedhjet që bënë këta, me paratë që ua vodhën qytetarëve shqiptarë? Për çfarë do të flasim ne këtu sot, kur këtu sot duhet të kishim atë, Kryeministrin, me firmën e të cilit vazhdon sot e kësaj dite të paguhen inceneratorët, që nuk ekzistojnë. Kam vajtur në Sharrë, është një fushë me bar, ndërkohë që në Elbasan dhe në Fier janë dy godina që thjesht rrinë atje. Për këto, ne duhet të japim para?! Po si ka mundësi që dy ministra, një deputet si Alqi Bllako dhe dy ministra kanë bashkëpunuar me njeri – tjetrin, por nuk u quajtkan grup i strukturuar kriminal?! Ai që u jep komandë atyre dhe që e vë vulën dhe firmën, nuk u quajtka kryetar i grupit të strukturuar kriminal?! Si është e mundur? Ato para vazhdojnë dhe jepen, kur ata janë në arrati dhe ata janë në burg, sepse është vullneti politik juaji. Në komisionin hetimor Edi Rama, me zë dhe figurë tha: “Jo, unë i kam të dyja duart brenda”. I ka të dyja duart brenda, siç e dimë të gjithë. Të vijë pra dhe të japë llogari, se me cilën dorë bën, çfarë. Të japë llogari se me cilën dorë komunikon me prokurorët, me cilën dorë firmos dhe me cilën dorë numëron paratë. Le të vijë këtu dhe t’u tregojë qytetarëve shqiptarë, sepse janë taksat e tyre, për një krenari, sipas tyre, për inceneratorët që groposin mbetje, sepse nuk bëjnë asgjë tjetër.

Dikur Ben Blushi, në këtë foltore, ju ka ndarë në dy kategori: kanabistë dhe krenaristë. Sot e vërtetuat këtë gjë: si kanabistë, e kaluat për 15 minuta ligjin e kanabisit fshehurazi, pa kuorum, vetëm për t’u plotësuar dëshirën grupeve kriminale për të vazhduar të qetë të transportojnë dhe të prodhojnë drogë në Shqipëri; dhe si krenaristë, na bëtë moral sa krenarë jeni për këtë

drejtësinë e re, sa krenarë jeni që ju heshtni para drejtësisë, se nuk keni se çfarë të thoni. Krenaristë dhe kanabistë të vitit 2023, që bashkohen në këtë Kuvend, që vetëm është përkeqësuar për nga përfaqësimi i mazhorancës, që nga koha kur të paktën ishte një person që fliste këtu edhe kundër jush, brenda mazhorancës. Sot, askush brenda mazhorancës nuk thotë dot një fjalë, edhe pse kolegët i ikin ditë pas dite, dhe pse karriget përkrah i ndërrohen ditë pas dite. Nja 15 deputetë, që nga lista e parë e zgjedhjeve të vitit 2021 e deri sot, i keni mangët nga ata që duhet të kishin qenë fituesit e zgjedhjeve dhe fituesit e listave të vitit 2021. A keni moral politik ju që të vazhdoni të qeverisni?!

Faleminderit!