Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Po e nis nga kjo që tha ministri: çdo shqiptar është në luftë, përveç Edi Ramës. Ai duket se është në luftë me Albin Kurtin dhe me Kosovën e jo me armiqtë e Kosovës. Ky është ndryshimi i vetëm që ka ky Parlament sot.
Jemi ratifikuar të gjithë tek ajo rezolutë e përbashkët, që besoj se do ta votojmë bashkërisht, ama jam kurioze nëse Edi Rama do të paraqitet në momentin e votimit. A do ta ketë guximin të vijë dhe të votojë rezolutën që ka brenda saj rezolutën e Kosovës, ku dënohet Serbia? Kurioze jam, por besoj se nuk do të vijë, nuk do të ketë fuqi të vijë dhe të shtypë butonin “pro”: pro rezolutës së Kosovës, pro dënimit të Serbisë! “Toleranca dhe takimet me Vuçiçin kanë vlerë”, – tha ministrja Spiropali. Po, ndërsa për
Albinin, në fakt, ju nuk përdorni të njëjtin standard dhe jo vetëm nuk përdorni të njëjtin standard, por minimalisht nuk duhet ta sulmoni.
Ju anuloni mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive; ju anuloni takimet kokë më kokë; ju bëni gjithçka që Kosova të ketë edhe një herë në rrezik integritetin e saj territorial, duke u dhënë zë të gjithë atyre armiqve të Kosovës, që flasin për rikonceptim kufijsh, që flasin për ndarje të Kosovës.
“Patriot nuk të bëjnë fjalët, por veprat”, – tha zoti Klosi. Jam munduar t’ju mbaj shënim të gjithëve në qëndrimet tuaja sot. Po, pikërisht, fjalët dhe veprat, por juve ju mungojnë të dyja. Edi Rama e ka sulmuar edhe me fjalë, edhe me vepra Kosovën. Edhe sot nuk hoqi dorë nga ajo, në fakt, që është arsyeja e vërtetë përse Serbia e bëri sulmin në Kosovë: për të krijuar perceptimin se ka një realitet të ri në Veri, i duheshin viktima; për të krijuar perceptimin që atje nuk ka siguri, i duheshin viktima. Dhe më pas, që ky realitet i ri të shfrytëzohej nga armiqtë e Kosovës, për të thënë që Veriu ka nevojë për KFOR-in, për të thënë që është toka e askujt, plani shkoi shumë mirë, sepse Rama u vu në një linjë me planin e Serbisë dhe nuk e mohoi as sot këtu, nga ky Parlament, të njëjtën gjë, të cilën për një moment mendova se do ta ndryshonte duke thënë: “Nuk e kisha për Kosovën, por e kisha për Veriun e Kosovës”.
Në fakt, Veriu i Kosovës është Kosovë, nuk ka asnjë ndryshim nga pjesët e tjera të Kosovës. Është Kosovë dhe Kosovë do të ngelet, për të gjithë shqiptarët që e duan dhe kanë luftuar për Kosovën. Nuk është gjaku i askujt, gjaku i atyre që kanë rënë në ato troje! Të gjitha familjet e shuara në ato troje, nuk janë familjet e askujt, por janë familje shqiptare. Dhe të gjithë ne kemi për detyrë t’i qëndrojmë krah për krah Kosovës!
Edhe kjo vonesë, që nga data 24 shtator e deri sot, për të arritur në një rezolutë të përbashkët, nuk na nderon. Duhej të kishim qenë krah për krah, të ishin mbledhur të dyja kuvendet në të njëjtën ditë, i Kosovës dhe i Shqipërisë, që të miratonim të njëjtën rezolutë. Ky, po, do të ishte një mesazh i drejtpërdrejtë i mbështetjes së pakufishme për Kosovën, pa dredhi, pa deklarata kundër Kosovës. Por jo, ne pritëm dy javë të mos dakordësoheshim, të diskutonim dhe më pas, më në fund, ju arritët, ndoshta edhe pa vullnetin e Kryeministrit apo me lojën e tij, që ta mbajë mirë nga të dyja anët, që të dakordësoheshit me një rezolutë në mesin e tetorit për një ngjarje që ka ndodhur më 24 shtator.
Në fakt, qëkur erdhët në pushtet, meqenëse zonja Xhaçka tha se: “Në këto 10 vjet është bërë shumë”, vetëm sa keni shtuar zërat për ndarje territoriale, vetëm sa i keni ngulur thika pas shpine Kosovës. Nuk keni arritur dot të loboni asnjë njohje të re, por keni arritur të vini një tra në Rrugën e Kombit për të na vendosur ndarje edhe një herë me Kosovën në këta 10 vjet, ndërkohë që ju ka ngelur ora atje ku thotë zoti Manja, te “Fajin e ka Saliu”. Pra, edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, edhe për sulmet në Veri, edhe pse e vononi ju rezolutën, edhe pse drejtoheni me broçkulla në gazetat ndërkombëtare duke sulmuar Kosovën, përsëri, sipas jush, fajin e ka Saliu.
Zoti Gjiknuri, në fakt, m’u duk të ishte i vetmi autoreferencial kur thoshte: “Ëndërro më të mirën dhe përgatitu për më të keqen”. Uroj të përgatitet edhe ai, sepse e keqja nuk ka ardhur akoma, por do t’i vijë. Le të ëndërrojë për më të mirën, por më e keqja do t’i vijë si kolegët e tij, që sot e kanë pësuar pikërisht nga e njëjta aferë për të cilën akuzohet edhe ai vetë!
Qëndrimi amerikan, në fakt, ka qenë i palëkundur në mbrojtje dhe në mbështetje të Kosovës. Ambasadori amerikan në Prishtinë, në intervistën e fundit për “Zërin e Amerikës”, në fakt, do të thoshte atë që nuk kishte guxim ta thoshte Kryeministri shqiptar: “Nuk është grup individësh spontanë. Këta individë posedonin armë shumë të sofistikuara, që nuk blihen në tregun lokal, duhet një strukturë”, dhe është zakonisht një strukturë shtetërore që ua ofron këto armë.
Ambasadori thotë: “Është Serbia, – dhe u vë emër, – janë struktura shtetërore serbe, që i kanë pajisur me këtë material ushtarak dhe që po krijojnë destabilitet në Veriun e Kosovës”. Nuk ka ekuivoke.
Nevoja për hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë lidhur me organizimin e këtyre aktiviteteve terroriste dhe me vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore në territorin e Serbisë, duhet të jetë, edhe një herë, njëzëri nga kjo sallë kërkesa jonë, ashtu siç duhet të jetë kërkesa jonë që Serbia nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar për këtë krim.
Nuk mund të kalohet lehtësisht në arenën ndërkombëtare sikur nuk ka ndodhur asgjë, sepse të jeni të sigurt që do ta përsërisë krimin, ndoshta në përmasa edhe më tragjike, që zërat për jostabilitet në Kosovë, zërat për ndarjen e Kosovës, zërat për heqjen e autoritetit të Kosovës nga Veriu të shtohen dhe që armiqtë e Kosovës ta përdorin këtë kundër vetë Kosovës.
Ndaj duhet të jemi të qartë sot në qëndrimin që do të mbajmë në mbështetje të rezolutës së Kosovës, duke i qëndruar pikë për pikë asaj që ka thënë Kosova, pa pasur frikë t’i kërkojmë ato me zë dhe me figurë, me qëllim që Republika e Kosovës të gëzojë atë që ka merituar edhe falë partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, një pavarësi të plotë dhe një shtet i pacenuar në asnjë centimetër të tij.
Shumë faleminderit!
