Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për ngjarjet e shkaktuara nga veprimet e paligjshme të Policisë së Shtetit | 20 Tetor 2022

Në radhë të parë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së Leart Kurtit, i cili gjeti vdekjen sot në duart e Policisë së Shtetit! Ky është një lajm tragjik, që besoj se asnjë nga ne këtu nuk do të donte të ndodhte, nuk do të donte ta dëgjonte, nuk do të donte që të ishte pjesë e përditshmërisë sonë. Pse them “pjesë e përditshmërisë sonë”? Sepse nuk është rasti i vetëm që të rinjtë shqiptarë gjejnë vdekjen nga duart e Policisë së Shtetit, nuk është rasti i vetëm që të rinjtë shqiptarë gjejnë vdekjen nga mosfunksionimi i përgjegjësive që duhet të kenë ministritë e këtij vendi dhe policia e këtij vendi. Mjafton të kujtojmë Klodian Rashën, Jurgen Dukën dhe Jonada Avdian, të vrarë nga mospërgjegjësia shtetërore.

Fatkeqësisht, në këto 10 vjet keni krijuar një polici që vret njerëz të pafajshëm, një polici të dhunshme, represive, e cila nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve, por i tremb qytetarët. Nëse në një moment të kap paniku dhe mund të vraposh kur një polic të thërret, ki kujdes se ajo mund të jetë dita jote e fundit. Kjo është e frikshme.

Është e frikshme të jetojmë në të tillë shtet dhe askush të mos mbajë përgjegjësi për të tilla vrasje të të rinjve, si rasti i 32-vjeçarit të padënuar asnjëherë dhe pa asnjë problem me shtetin ligjor, i cili gjeti vdekjen nga policia, ndërkohë që ishte ajo që duhet ta mbronte, që duhet të ishte garante e ruajtjes së jetës së qytetarëve, e rendit; një polici që ju në këto 10 vjet e keni pajisur me armatime, me gaz, me instrumente të dhunës dhe e keni frymëzuar për të dhunuar qytetarët, nga retorika që përdor që nga Kryeministri juaj e të gjithë me radhë. Kjo nuk mund të shmangej sot nga ky parlament, sepse është realiteti që vret, realiteti për të cilin qytetarët do të reagojnë dhe protestojnë, sepse ju vetëm me protesta merrni vesh. Me protesta iku Sandër Lleshi, por nuk iku frymëzuesi i vërtet i dhunës, Edi Rama.

Përpara se të flisja për këtë projekt, që në fakt është projekti i radhës i vjedhjeve, abuzimeve dhe i rritjes së borxhit publik, e ndjeva detyrë qytetare që ngjarjen e sotme ta përcillja në këtë Kuvend, që jetën e qytetarëve duhet ta ketë në shenjtë, një nga detyrat kryesore dhe më pas mirëqenien dhe të drejtat e tjera të qytetarëve.

Sot na keni sjellë për miratim huan e radhës për të rritur borxhin publik të këtij vendi dhe në fund për të mos përfituar asgjë. Mirë që merrni para, por të paktën qytetarët t’ua kishin parë hajrin, por ju merrni para dhe nuk jepni llogari se çfarë është bërë me paratë e marra deri tani. Çfarë është bërë me 63,8 milionë euro që janë marrë në këta 5 vjet? Cilat janë projektet?

Në Komisionin e Politikës së Jashtme kërkuam të sillnit projektet me zëra konkretë. Nëse thoni se do të investoni për Sarandën, na i thoni projektet me zëra konkretë. Kur e pashë si pikë në rendin e ditës, pa sjellë informacionin paraprak, e kuptova edhe një herë më shumë që është thjesht plani juaj për të pasuruar disa klientë tuajt të pushtetit dhe për të mos bërë asgjë për qytetarët e zonave që i keni bërë pjesë të projektit.

Unë jam deputete e Sarandës dhe do të isha shumë e lumtur në qoftë se ju vërtet do të kishit projekte konkrete që ndihmonin Sarandën.

Para disa ditësh u zhvillua një pseudodëgjesë nga Fondi i Zhvillimit në bashkinë e Sarandës. Mbushën sallën me punonjësit e bashkisë dhe patronazhistë, jo grupe interesi, dhe bënë këtë dëgjesë. Dëgjesa e famshme për projektet e famshme, që me demek ishin për Sarandën, në fakt kishte zero zgjidhje për parkimin, zero zgjidhje për hapësirat e gjelbra, zero zgjidhje për ambiente sportive.

Ndërkohë, kemi thënë (është vazhdim i këtij projekti) se rruga “Skënderbej” do të shtrohej me pllaka guri si ato të bulevardit. Në fakt, dështimi i bulevardit duhet t’ju kishte bërë të reflektonit që nuk mund të shtrohej me atë lloj pllake, e cila nxihet dhe na nxin faqen edhe para turistëve. Janë investime për t’u hedhur në koshin e plehrave, miliona që nuk reflektohen askund, as në estetikë, as në lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.

Keni thënë që me këto fonde do të lyeni fasadat. Çudia e fasadave është kudo njëlloj, sepse lyhet njëra faqe dhe tri faqet e tjera ngelen për faqe të zezë, ashtu siç bëni çdo gjë sa për sy e faqe.

Nga rrugë me dy kalime, doni t’i ktheni në rrugë me një kalim; nga rrugë më të gjerë, doni t’i bëni rrugë më të ngushta. Nëse doni, mund t’ju jap raste dhe emra konkretë në Bashkinë e Sarandës.

Të votojmë ne pro këtyre projekteve? Të votojmë pro që ju të vidhni, të keqmenaxhoni, të rrisni borxhin publik dhe qytetarët e Sarandës dhe Ksamilit të mos marrin asgjë? Po marr shembull qytetarët e qarkut që përfaqësoj. Jo, nuk na bëni dot pjesë të vjedhjes, nuk na bëni dot kartonë për t’ju miratuar ju të gjitha bëmat që bëni në kurriz të qytetarëve? Duhet të jepni llogari dhe të tregoni ku i çuat 63,8 milionë eurot e para? Ku t’ua shikojmë dukun? Ku është produkti? Ku është e mira që u ka ardhur qytetarëve? Mos na thoni në numrin e turistëve, sepse në interpelancën e javës së kaluar e treguam edhe numrin e turistëve, si u katandis kokoshi një thelë.

Saranda ka po aq mjedise sportive sa kishte edhe 30 vjet më parë, me 1/3-n e popullsisë që ka sot. Ky është realiteti që ju nuk e fshihni dot dhe nuk ka  se si 30 milionë euro të tjera ju t’i merrni pikërisht duke na hedhur hi syve.

Në marrëveshje thuhet: “Alokohen fonde për trajnime në masën 2,5 milionë euro”. Vlerë 2,5 milionë euro për trajnime. Kush do të trajnohet? Çfarë trajnimesh do të bëni ju? Do të bëni trajnime për satelitët, që kërkohen specialistë të jashtëzakonshëm, për të cilët u dashkan 2,5 milionë euro?

Po ashtu, thoni se në kostot e trajnimit nuk përfshihen kostot e tjera të hotelerisë dhe ushqimit. E tmerrshme! Marrëveshja alokon 1,2 milionë euro kosto për punësimin e një stafi prej 9 personash. 9 persona, 1,2 milionë euro kosto. Me çfarë pagash do të punësohen këta? Çfarë do të bëni?

E gjithë marrëveshja, nga fillimi deri në fund, nuk ka asgjë për qytetarët. Ka miliona të hedhura kot, trajnime stafesh, dreka, darka, ngushtim rrugësh dhe lyerje fasadash, që në fund të ditës nuk prodhojnë asgjë të mirë jo për turizmin, sepse bota ka mrekulli, por as për qytetarët e atyre zonave, të cilët e njohin shumë mirë realitetin.

Për projekte të tilla, ku merrni vetëm para dhe shtoni borxhin publik, mos na kërkoni të ndyjmë duart dhe të shtypim butona.

Faleminderit!