Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për shkeljen e Rregullores në kalimin e ligjit “Gjinushi” për Akademinë e Shkencave | 20 korrik 2023

Në fakt, unë sot duhej të isha e lumtur që ju po bëni më shumë shkelje të Kushtetutës, në mënyrë që të kemi një fitore të sigurt për rrëzimin e ligjit për Akademinë e Shkencave.

Zonja Nikolla, po ju informoj se dje është zhvilluar një mbledhje e paligjshme e Komisionit të Edukimit, për të cilën, ndryshe nga çfarë e kërkon Rregullorja, duhej të kishte një kërkesë të protokolluar përpara se të fillonte, duhej të njoftoheshin deputetët nga sekretaria e komisionit që të merrnin pjesë, si dhe të njoftohej që të merrte pjesë kryetarja e komisionit, e cila tha: “Jam dakord me dëgjesën, me votimin”. Unë kam qenë në katin e parë të godinës dhe kam pritur një njoftim zyrtar nga sekretarja e komisionit, për t’u ngjitur lart në një mbledhje të paligjshme. Është një mbledhje 4 minuta, e njoftuar në WhatsApp, jashtë rregullave të Kuvendit, ku kryetarja nuk ka thënë në asnjë moment se nuk do ta drejtonte ajo mbledhjen; e protokolluar në orën 14:00, ndërkohë që mbledhja është bërë në orën 11:00, dhe e votuar, ndërkohë që ka pasur tri kërkesa të tjera procedurale. Komisioni i Etikës dhe ju, si Kryetare e Parlamentit, nuk mund të futni në rend dite një projektligj, i cili ka kaluar me mbledhje të paligjshme. Duhet ta dini që, neni 78 i Kushtetutës thotë: “Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas Rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë”. Pra, mbledhja dje nuk ka sjellë asnjë pasojë dhe, si rezultat, ne sot nuk mund të zhytemi në paligjshmëri dhe të futim në rend dite një produkt që ka ardhur nga një mbledhje e pathirrur sipas Rregullores; kaq e thjeshtë. Falsifikuat edhe rezultatin këtu. Ju keni frikë të përdorni elektronikën, ndërkohë që flisni për “e-Albania”,

Për qeverisje elektronike dhe i quani email-et që kanë çuar ata si thirrje zyrtare e mbledhjes. Unë kam qenë në orën 11:00 atje dhe nuk ka pasur mbledhje, janë mbledhur kaçakëshe në orën 11:25, pa njoftuar. Nëse ju e shkelni ligjin me të dyja këmbët në mes të ditës, Gjinushin, jo kryetar akademie, por merreni dhe bëjeni prapë kryetar Parlamenti, të vijë atje në vendin tënd, sepse me të njëjtën arrogancë dhe me të njëjtën mënyrë do të qeverisë…

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Patjetër, kryeministër e shkuar kryeministri, sepse ai vendos se çfarë duhet të bëni ju. Por është turp si ju pranoni sot që një tempull të dijes, siç është Akademia e Shkencave, e cila duhet të jetë gardiane e të drejtave, e vlerave dhe demokracisë, sot është pa një kryetar të ligjshëm, është pa një nënkryetar të ligjshëm, të cilëve u ka mbaruar mandati që dje, dhe ju sot ndërhyni në garë dhe doni të votoni që të ketë mundësi Skënder Gjinushi, mbi moshën 75 vjeç, dhe radhazi të marrë mandat të dytë. Është e papranueshme sesi një Kuvend bëhet vegël e ambicieve dhe e interesave personale të një individi, duke ndërhyrë në garën e institucioneve të pavarura…

Lindita Nikolla – Mbaroi koha, zonja Zhupa.

Ina Zhupa – Mbaroi koha, por nuk mbaroi e vërteta, sepse e vërteta është që ju dy projektligjet e tjera mund t’i kaloni, pasi kanë kaluar me procedurë të rregullt, por këtë projektligj nuk mund ta kaloni, zonja Kryetare, sepse nuk ka pasur një mbledhje të rregullt. Për Arben Ahmetajn, ju thatë: ”Duhet të njoftohet që të vijë”, ndërsa për Skënder Gjinushin e protokolluat në orën 14:00 dhe mbledhjen e kishit bërë në orën 11:00. Pse qenka më i rëndësishëm Skënder Gjinushi? Çfarë ka më shumë kjo, sesa të marrësh shkopinjtë e bejsbollit dhe t’i biesh kësaj foltoreje?! Çfarë ka më shumë se Arben Ahmetaj, që merr 1,8 milionë euro në Zvicër?!

Lindita Nikolla – Mbaroi koha, zonja Zhupa.

Ina Zhupa – Mbaroi koha, zonja Kryetare, por dua një përgjigje.

Lindita Nikolla – Fjalën e ka zonja Bakiu, më pas zoti Gështenja.

(Ina Zhupa flet pa mikrofon.)

E kam këtu.

REPLIKË: