Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Sot kemi raportimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ne duhet ta kishim sa më të hapur informacionin dhe sa më të mbyllura të dhënat personale por, në fakt, kemi të kundërtën, kemi shumë të hapura dhe jashtëzakonisht shumë publike të dhënat personale dhe kemi të mbyllur informacionin.
Kur them se e kemi informacionin të mbyllur, nuk e kam fjalën për informacionet që një qytetar i thjeshtë kërkon të marrë nga institucionet publike, por ne deputetët, që kemi një status të veçantë, e kemi të pamundur të marrim informacion nga ministritë për kërkesat tona të përsëritura. Komisioneri nuk mund të bëjë asgjë tjetër, vetëm t’u rithotë ministrive që t’i dërgojnë.
Këtu lind detyra jonë, në fakt, sepse, në qoftë se kemi një detyrë, ajo lidhet me ligjbërjen. Duhet të vendosim sanksionime, zoti Balla, për ato ministri që nuk u kthejnë përgjigje deputetëve për informacion që ata kërkojnë.
(Ndërhyrje pa mikrofon nga salla)
E kemi ligjin “Për statusin e deputetit”, por nuk zbatohet. Çfarë ndodh kur ata nuk e zbatojnë?
Ja një rast konkret i Ministrisë së Kulturës.
(Ndërhyrje pa mikrofon nga salla)
Qeshni me kulturën, se ju duket qesharake!
I kam dërguar pesë kërkesa me të njëjtin objekt: vënien në dispozicion të mënyrës si janë marrë dokumentacionet, dosja e zgjedhjes së Richard Hodges-it dhe të gjitha komunikimet me UNESCO-n. Gjykata Kushtetuese ka thënë se informacionet duhen dërguar, por Ministria e Kulturës nuk i nis. Të gjitha kërkesat i kam me data dhe numër protokolli: Nr. prot. 3008, datë 13.09.2022; nr. prot. 3009, datë 13.09.2022; nr. prot. 3008/2, datë 18.10.2022, për të ardhur në vitin 2023 me kërkesat e fundit. E ke në ligj, thotë. E kam në ligj që mund ta kërkoj, por nuk e kam në ligj çfarë ndodh nëse një ministri nuk kthen përgjigje. Nuk besoj se jam rasti i vetëm, sepse ky është rast i përsëritur i kolegëve të opozitës, të cilët dërgojnë kërkesa për të marrë informacion, por informacioni nuk dërgohet. E drejta e informimit nuk zbatohet, sepse me siguri në këtë informacion fshihen shkelje, sepse, në qoftë se nuk do të fshiheshin shkelje, informacionet do të ishin dërguar dhe madje mund të ishin publikuar.
Nga ana tjetër, kemi të dhënat personale që, në fakt, duhet të jenë të paaksesueshme.
Zoti Balla, i cili sapo iku, tha se të dhënat personale i nxorën sulmet e huaja. Edhe pse sulmet e huaja ishin, kjo është e pavërtetë, sepse të dhënat personale kishin dalë shumë më përpara nga sulmet e brendshme, nga sulmet e kësaj qeverie, e cila i dorëzoi të gjithë databazën e e-Albania-s strukturave të Partisë Socialiste për të ndërtuar databazën e patronazhistëve, që nga karta e identitetit dhe të gjitha elementet e tjera të sigurisë, që duhet të ishin të mbrojtura me ligj. Jo vetëm kaq, por ndërtoi aplikacionin “Aktivisti”, duke i lejuar akses në celular Partisë Socialiste për të marrë dhe për të kontrolluar të dhënat personale të punonjëseve të administratës publike, të cilët, siç më kanë pohuar vetë, nuk e bënë me dëshirë, por me detyrim. Brenda çdo institucioni ka një koordinator që shikon sa persona e kanë shkarkuar aplikacionin “Aktivisti”, sa janë duke e shpërndarë, sa pikë kanë dhe i krahasojnë punonjësit me njëri-tjetrin për të matur performancën në punë. Pra, performanca në punë matet me sa share dhe like i bëhen Edi Ramës, ministreve apo ministrave.
Aplikacioni “Aktivisti” ishte për të bërë propagandën e fushatës në të gjitha rrjetet sociale. duke i detyruar punonjësit t’i bënin like, share dhe koment propagandës suaj qeveritare dhe tallavasë suaj qytet më qytet. Për sa u përket listave të Partisë Socialiste, unë kam aksesuar një listë të Partisë Socialiste për një grup-seksion në Sarandë, e cila kishte të dhëna të çuditshme, si, për shembull, të aktiviteteve që bënte qytetari. Pra, kishte të dhëna sa banorë ishin në familje, ku punonin fëmijët, ku shkonte kryefamiljari dhe çfarë preferonte, që në këtë rast ishte shahu. Në fakt, ne si qytet kemi edhe kampion shahu. Ishte e tmerrshme!Një sistem kontrolli i ngjashëm me ish- Sigurimin e Shtetit, ku dinin edhe sa lugë ka në familje, dhe të gjitha në funksion të votës, të gjitha në funksion të blerjes së votës.
Nëse do të ishin të dhëna, të cilat merren me dëshirë nga qytetarët, dhe qytetarët i përgjigjen një pyetësori të Partisë Socialiste, do të ishte plotësisht e ligjshme, por në momentin kur ju i merrni të dhënat nga sisteme shtetërore dhe kur i detyroni punonjësit e administratës publike të shkarkojnë aplikacionin, se ndryshe do të pushohen nga puna, të maten pikët, atëherë kjo është totalisht e paligjshme. Kur shteti shkrihet me partinë dhe kur fushatën nuk e bën më partia, por e bën shteti, atëherë ne kemi një deformim të sistemit politik dhe të vullnetit të qytetarëve, sepse ju arrini të shkelni jo një, jo dy ligje, por të shkelni të drejtat kushtetuese të individëve.
Së fundi, diskutojmë këtu si mund të mbrohemi nga sulmet e shteteve të huaja, kur nuk ka më të rrezikshme se kjo qeveri dhe sjellja e saj prej pushtuesi dhe prej arroganti ndaj ligjeve. Shkelja në mënyrë masive e ligjeve me filozofinë enveriste “Pse ligjet tona do të na ndalojnë ne?!”, na ka bërë të jemi këtu ku jemi, në një situatë ku e drejta e informimit është zero dhe mbrojtja e të dhënave personale është po aq zero.
Unë nuk mund të gjykoj gjerësisht mbi rolin e Komisionerit, kur, në fakt, shkeljet i bën qeveria dhe hapësira ligjore është e tillë, që Komisioneri është vetëm në parametrat e tij rekomandues dhe në nivelin e ulët të iniciojë një proces ndjekjeje për të; asnjë gjë për Kryeministrin, asnjë gjë për ministrat, të cilët janë të parët, madje me urdhrin e tyre shkelet e drejta e informimit për të mos i dhënë informacion opozitës për vjedhjet dhe për shkeljen e ligjeve. Listat e Partisë Socialiste, në fakt, u shpërndanë masivisht edhe në medie, dhe patëm mundësi t’i aksesonim të gjithë, ashtu siç më pas dolën listat, po ashtu shtetërore, siç ishin targat, pagat, të cilat me siguri nuk kishin funksion fushatën elektorale, por kishin funksion për të treguar se sa shtet të dobët kemi ne, shteti që nuk pyet për të dhënat personale të individëve në Shqipëri, ku individi sot është shumë më i pasigurt se ç’ishte për shkak të këtij shteti që, në fakt, ka harxhuar miliona euro. Shikoni tenderët e AKSHI-t, shikoni kush i merr ato tenderë, dhe kuptoni nivelin e sigurisë kibernetike në Shqipëri! Nuk është rastësi. Kur ti i përdor këto edhe si qoka për të kapur politikisht dhe për të pasuruar klientët, sigurisht ky do të jetë niveli i mbrojtjes kibernetike dhe, sigurisht, ky do të jetë shteti prej kartoni, që i vë të gjitha si në një vitrinë, ku gjithsecili mund të dijë gjithçka për të tjerët.
I vetmi sistem që ka shpëtuar deri tani është ai i bankave, edhe këtë ju doni, në fakt, ta shkatërroni me planin e ri, që edhe bankat t’i fusni brenda e-Albania–s, që dhe bankat, meqë nuk janë hakëruar dot deri tani kursimet e shqiptarëve, me sistemin e-Albania t’i aksesoni edhe paratë e shqiptarëve.
Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj të bashkohemi për ndryshimet ligjore për të forcuar të drejtën e informimit dhe për të vendosur sanksione të rrepta edhe financiare, duke filluar që nga Kryeministri dhe ministrat, kur shkelin të drejtën e informimit të deputetëve dhe të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Faleminderit!