Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për shkeljen e të drejtave të studenteve të mjekësisë nga qeveria | 6 korrik 2023

Në fakt, është e papranueshme se si duan t’u hedhin hi syve qytetarëve, ku një politikë kuturu, e një qeverie që ka dështuar në mënyrën e menaxhimit të vendit, për të cilën qytetarët po ikin nga sytë këmbët, duan t’ua faturojnë studentëve të mjekësisë. Me këtë ritëm se si po ikin njerëzit, studentët e mjekësisë punën e detyruar mund ta bëjnë në mbjelljen e kanabisit mjekësor, meqenëse do t’i kaloni në të njëjtën ditë. Këtu ka një problem të madh, sepse po ikin mjekët me 20 vjet në sistem, po ikën shtresa e mesme, juristët, teknikët, po ikin të gjithë ata që kanë një profesion. Burrë e grua, që kanë nga një rrogë, nuk duan të rrisin fëmijët e tyre në një mjedis ku mbizotëron krimi; në një mjedis ku mbizotëron padrejtësia; në një mjedis ku sistemi shëndetësor është totalisht në kolaps; në një mjedis ku arsimi ka dështuar që nga kopshti dhe deri në sistemin universitar.

Zoti Balla tha një të pavërtetë; e shkel Kushtetutën dhe këtu duhet të ishte mbyllur diskutimi, te shkelja e Kushtetutës, dhe të mos vazhdonim më. Nëse ju do ta miratoni më 20 korrik, të jeni të sigurt që më 20 shtator do t’jua rrëzojë Gjykata Kushtetuese, ku do ta çojmë ne, sepse shkelet Kushtetuta.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Lexojini të gjitha nenet e Kushtetutës!

Në nenin 49 të Kushtetutës thuhet: “Secili

…”

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Po, kam fituar dhe do ta fitoj betejën e Butrintit.

“Secili ka të drejtë të fitojë me mjetet e jetesës së tij një punë të ligjshme, të zgjedhur dhe të pranuar nga vetë ai. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës dhe sistemin e vet të kualifikimit profesional”. Pra, njerëzit janë të lirë, zoti Balla, që nga viti 1991, nëse nuk e keni kuptuar, ta zgjedhin vetë punën e profesionin e tyre dhe nuk i detyroni dot ju.

Gjithashtu, Kodi i Punës në nenin 8 e ka ndaluar punën e detyruar. Këto janë politika shumë të mira në një sistem komunist, por do të ngelen vetëm në nostalgjinë tuaj, se ne nuk jemi më një republikë popullore komuniste, por jemi republikë demokratike. Këto masa janë antikushtetuese dhe nuk janë asgjë tjetër vetëm radiografia më e mirë e një sistemi të dështuar. Ky sistem, për disa degë të boshatisura nga studentët, u ofron pagë studentëve sa paga minimale, kurse për ato degë ku ka studentë, ku duhet të bëjë politika për t’i mbajtur studentët, bën politika që t’i largojë ata, i detyron studentët ose të paguajnë një tarifë prej 5300 eurosh ose të qëndrojnë 5 vjet në sistem.

Nuk e kuptoj se ku i keni gjetur këto metoda antikushtetuese dhe nga cilat vende jeni frymëzuar, nga Korea e Veriut apo nga Kuba, sepse asnjë vend demokratik nuk i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut.

Vetë mënyra se si e keni ndërtuar këtë politikë tregon qartë se kjo qeveri nuk e kupton se fajtorja themelore është vetë ajo, dhe zgjidhja e problemit nuk mund të jetë fajtorja themelore. Nga këto politika në sistemin shëndetësor, mjeku është i detyruar të blejë vetë maska, (gjatë kohës së Covid-it dhe tani), është i detyruar që listën e ilaçeve të rimbursuara t’ia ndryshojë çdo 6 muaj pacientit, sipas marifeteve që vendos Ministria e Shëndetësisë, ku një aparaturë në shtet punon 1 ditë dhe 100 ditë të tjera është jashtë funksionit, ndaj qytetarët duhet të shkojnë në privat, ku puna brenda sistemit shëndetësor, për QSUT-në dhe për spitalet e Tiranës, fitohet me mik, futen nga brenda sistemit të patronazhistëve dhe nuk triumfon më i miri.

Kjo politikë është shumë e mirë, nëse doni të arrini që njerëzit të ikin edhe para se të studiojnë në Shqipëri, që studentët më të mirë të aplikojnë direkt për jashtë shtetit dhe të mos qëndrojnë për t’u edukuar dhe për të qëndruar më tej në Shqipëri.

Gjithashtu, është një politikë shumë e mirë, nëse doni të shtoni numrat e universiteteve private, të cilat sot kanë një tarifë mesatarisht 2000 – 2300 euro për të mbaruar edhe në degët e mjekësisë. Nuk ka asnjë logjikë që kostoja e shtetit të jetë më e lartë se kostoja e privatit, ku pedagogët paguhen më mirë, ku kushtet, aulat janë shumë më të mira se në shtet. Kjo tregon qartë se ju jeni duke ndërmarrë një politikë që nuk ka fare të bëjë me të qenit patriotik apo në shërbim të prindërve, me notat patetike që futët në fund të fjalimit tuaj.

Nuk besoj se ka shqiptarë, ka studentë apo individë që dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre, të ndahen nga familja, të lënë prindërit dhe të mos duan t’u shërbejnë me profesionin e tyre të nderuar të mjekut, prindërve, xhaxhait, hallës dhe familjarëve të vet. Ata ikin, jo se nuk i duan këta dhe se do t’ua tregoni ju se si të jenë atdhetarë, por sepse e kanë të pamundur të jetojnë me dinjitet. Ata ikin, sepse duke u paguar më mirë atje, mund të jetojnë edhe prindërit më mirë këtu, mund të blejnë ato ilaçe që ju nuk i fusni në listën e rimbursimeve, mund të blejnë ato ilaçe që nuk gjenden këtu, por jashtë. Pra, ata ikin të detyruar. Ju nuk mendoni se si të bëjmë politika dhe si të hapim një debat kombëtar kundër emigrimit, por mendoni si të shkelni Kushtetutën dhe si t’i detyroni studentët që të ikin para se të regjistrohen dhe si këtë vend ta ktheni në miniaturë të një diktature, ku mbretëron sulltan Rama.

Ne jua kemi thënë me mijëra herë në këtë Kuvend, se ju keni dështuar në politikat arsimore, ju keni bërë një reformë në arsim që sot ju ka katandisur në universitete të boshatisura dhe nuk merrni vesh dot nga t’ia nisni dhe nga ta bitisni, sepse e keni shkatërruar sistemin në thelbin e vet, duke u marrë çdo të drejtë universiteteve, duke i marrë çdo të drejtë studentit, duke mos e ndihmuar studentin në asgjë.

Kur ne sollëm propozimin që t’u jepej studentëve buxhet, të paktën 100 euro si paketë për ndihmë pas Covid-it, pas krizës ekonomike, ju nuk e pranuat.

Studentët sot në Shqipëri, që ju thoni se mbahen nga taksat tona, mbahen nga taksat e prindërve të tyre, të cilët kanë një jetë që kontribuojnë për buxhetin e shtetit dhe nuk kanë marrë asgjë mbrapsht.

Ju thoni se shteti po kontribuon, por e bëtë si ajo shprehja e Arben Ahmetajt: “Asnjë lekë nuk do të paguajnë qytetarët, do të paguajë vetëm buxheti i shtetit”. Më falni, por buxheti i shtetit a janë lekët e atyre prindërve, e atyre qytetarëve që i kanë dhënë dhe duhet të marrin shërbimin?! Me këtë logjikë i bie që për të gjitha profesionet, se të gjithë po ikin, të vendosim detyrimin që të qëndrojnë këtu 3 muaj, 7 muaj, 5 vjet, 10 vjet, sa të doni ju, si të zgjoheni në mëngjes dhe si ta mendoni ju se mund t’i rregulloni këto gjëra kuturu, me politika, pa politika.

Mësojeni se Shqipëria sot është një vend që ka probleme nga keqqeverisja, nga vjedhja, nga mosdërgimi i parave të buxhetit të shtetit aty ku është e nevojshme: për studentët, për sistemin arsimor, për sistemin shëndetësor, por edhe për shtresat në nevojë, të cilat kanë nevojë për mbështetje. Ju i çoni paratë tek inceneratorët, te satelitët, te kanabisi mjekësor, që doni ta kaloni në të njëjtën seancë me studentët e mjekësisë dhe, në fund të ditës, patjetër që nuk ka para për rroga të mira, patjetër që nuk ka para për të investuar për kushte më të mira në sistemin shëndetësor, sepse i gllabërojnë sheikët që janë këtu pas meje.

Ndaj hiqni dorë nga kjo politikë, që të mos jetë më pas Gjykata Kushtetuese ajo që do ta rrëzojë këtë vendim krejt të padrejtë dhe në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Studentët janë edhe fëmijët tuaj, dhe ndoshta në të ardhmen do ta keni jetën në duart e tyre.

Faleminderit!