Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, kjo është nga seancat e rëndësishme të Kuvendit të Shqipërisë, sepse jemi duke diskutuar për drejtësinë.
Më erdhi ndërmend, në fakt, që në seancën, ku ju keni miratuar me 140 vota reformën në drejtësi, është mbajtur një protestë jashtë dyerve të Kuvendit, ku protestonin qytetarë dhe shoqëria civile për t’u bërë presion pozitiv deputetëve që ta votonin, pasi ata ishin lodhur duke u endur rrugëve për të gjetur drejtësi.
Dhe, në fakt, ajo që ne duhej të kishim bërë sot do të ishte rezymeja nëse ata qytetarë që protestonin aty, sot e marrin drejtësinë më shpejt apo më vonë seç e merrnin para miratimit të reformës në drejtësi.
Fatkeqësisht, ky parametër tregon një dështim, pasi sot e marrin drejtësinë më vonë seç e merrnin para asaj proteste në dyert e Kuvendit.
Sot e marrin drejtësinë për 14 vjet, për çështje civile dhe për 10 vjet, për çështjet penale. Por, a është kjo drejtësia që i duhet qytetarit? A është kjo drejtësia për të cilën protestonte qytetari? Sigurisht që jo.
Në vende të tjera të botës, në vendet perëndimore, drejtësinë e kanë si mjet në dorë të pafuqishmit.
Drejtësinë e ka si mjet në dorë punonjësi i administratës publike.
Drejtësinë e ka si mjet në dorë punëtori, ai që ka mbi kokë një shef, një ministër, një drejtor, një biznesmen të cilin e kërcënon me drejtësinë, që të mos i bëjë padrejtësi, të cilit i thotë: “Do të të çoj në gjyq, nëse ti më pushon nga puna në mënyrë të padrejtë. Do të të çoj në gjyq, në qoftë se ti më shkel të drejtat dhe liritë e mia!” Pra, drejtësia është në anën e qytetarit.
Në Shqipëri është e kundërta. Në Shqipëri, i fuqishmi të kërcënon me drejtësinë dhe të thotë: “Ik, ore, më hidh në gjyq, po deshe”, sepse e di që gjyqi është nja 14-15 vjet dhe ai nuk do të jetë më as ministër, as drejtor, dhe drejtësia jote nuk do të vlejë për asgjë pas 15 vjetëve. Dhe kjo nuk është drejtësia për të cilën duhej të ishte krenar ky Parlament apo deputetët.
E në qoftë se ne duam të vëmë një fashë para syve dhe të themi: meqë e kemi votuar me 140 vota, është shumë e mirë, se nuk duam të pranojmë që të 140-ët kemi votuar një gjë që mund të korrigjohet, atëherë po bëjmë një gabim. Por do të duhet t’ia njohim gjërat e mira që mund të ketë bërë kjo drejtësi dhe ato gjërat e këqija t’ia themi përballë.
Askush nga ne sot nuk ka frikë nga drejtësia, të paktën ky krahu këtej, sepse nuk është ky krahu këtej, opozita e këtij vendi, që po bën korrupsionin. Nuk është ky krahu këtej që po vjedh asetet publike dhe paranë publike.
Korrupsionin njerëzit e quajnë fenomenin më të rrezikshëm. A e dini pse? Sepse i fut duart te xhepi i tyre, tek asetet e tyre, te paratë e tyre, te mirëqenia e tyre.
Nuk e quajnë të rrezikshëm korrupsionin në Afrikë, se nuk u intereson, nuk e kanë konceptin e korrupsionit si gjë e rrezikshme, por korrupsionin në vendin e tyre që ua bën të pamundur jetën. Dhe këtë korrupsion nuk e bën opozita, këtë korrupsion e bën qeveria. Dhe është tragjedi që ju bëni këtu si avokatët e drejtësisë. Se çdo qeveri duhej të kishte frikë nga drejtësia, sidomos kjo qeveria juaj që vetëm vjedh.
E në momentin që ju ktheheni në avokatë të drejtësisë, shtohen më shumë dyshimet se çfarë lloj drejtësie është kjo.
Kështu që, më mirë heshtni, se i bëni më shumë nder edhe drejtësisë, sesa ta mbroni ndërkohë që duhej të ishit në bankën e të akuzuarve; një qeveri që, në fakt, mërmërit me njëri-tjetrin se kush e ka radhën.
Sot Ilir Beqaj është në burg për fondet e Bashkimit Europian, por faturat nuk i lëshonte vetëm ai për atë event, i lëshonte edhe kjo ministrja tjetër, që iku, Mirela Kumbaro; lëshonte fatura për të njëjtin event si Ilir Beqaj. Dhe, sigurisht, ajo mendon se ka radhën.
Pastaj është ajo tjetra, që ishte ministre këtu dhe tani është këshilltare e Kryeministrit, që zhduku fondet e IPARD-it. Sigurisht, edhe ajo mendon se ka radhën.
E kështu mendoni të gjithë dhe, ndërsa mendoni se kush do ta ketë radhën, këtu ziheni se kush do ta ketë radhën për të folur më shpejt për të mbrojtur drejtësinë, ndërkohë që uroni të mos jeni ju ata të cilët e keni radhën në bankën e drejtësisë.
Foli ministri këtu për hartën e re gjyqësore dhe tha: është efekt i vetingut. Por nuk mundet që një drejtësi normale të marrë një vendim për hartën e re gjyqësore duke u nisur nga një proces, i cili quhet proces kalimtar.
Nuk mund të merren vendime përfundimtare, vendime që ndryshojnë strukturën e drejtësisë, duke u nisur nga një proces kalimtar.
Dhe kjo hartë gjyqësore…
(Bie gongu.) …ka ceduar në garantimin e aksesit në drejtësi, ka ceduar në atë që duhej të jepte drejtësi të shpejtë, eficiente, që duhej të reduktonte sadopak afatet e proceseve të rregullta gjyqësore. Për t’i shfrytëzuar këto pak sekonda, se, në fakt, ka shumë probleme drejtësia, doja të thosha edhe diçka tjetër në lidhje me komisionin që ju keni ngritur, Komisionin Antikorrupsion…
(Bie gongu.) …komision si vegël, në fakt, për ta kontrolluar drejtësinë, se si Kuvendi do t’i veshë vetes prerogativat për të kontrolluar atë pak drejtësi që po funksionon nga ajo reformë me 140 vota. Por antikorrupsionin nuk e lufton qeveria me komision apo me rezolutë. Korrupsioni luftohet me ligj. Korrupsioni luftohet me vullnet politik për të mos vjedhur. Në qoftë se e keni vullnetin politik për të mos vjedhur, fillojeni duke hequr dorë nga ato koncesione korruptive dhe lëreni Komisionin Antikorrupsion, sepse ai nuk zgjidh asgjë përveçse krijon një hallkë se si ju ta fshihni korrupsionin dhe se si ju t’i thoni drejtësisë: e bëjmë ne drejtësinë dhe nuk e bëni ju!
Shumë faleminderit!