Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar/ 4 dhjetor 2025

Në fakt, po, ne do të votojmë pro për këtë projektligj, sepse ne bëjmë çdo përpjekje për t’u ardhur sado pak në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, në këtë rast personave të verbër ose me vështirësi në shikim.  

Ajo për të cilën duhet të angazhohemi, në fakt, nga ky Kuvend lidhet me gjendjen e mjerueshme ku i ka lënë shteti personat me aftësi të kufizuara. Nuk është arritje të bësh një aktivitet në ditën botërore, siç tha kolegia: bëmë një aktivitet shumë të bukur, ku dëgjuam që recitonte njëri apo tjetri. Ky nuk është kontribut për personat me aftësi të kufizuara.  

Unë do të sjell situatën reale që është sot në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, 6,5% e popullsisë mbi 5 vjeç jeton me një formë aftësie të kufizuar. Janë të regjistruar rreth 144 mijë persona, por vetëm 70 mijë prej tyre marrin ndihmë financiare. Pra, që këtu fillon problemi i parë, jo të gjithë personat me aftësi të kufizuara kanë mundësi të marrin ndihmë financiare. Unë do t’u referohemi të dhënave zyrtare. Fatmirësisht, ka njerëz që janë avokatë të mirëfilltë të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, një nga këta është zonja Emanuela Pepkola, e cila advokon të gjithë kohën, na bën edhe ne të tjerëve që të reagojmë kur njihemi me faktet dhe shifrat tragjike për atë që nuk bën shteti shqiptar, sepse nuk mund të them që bën shteti shqiptar në këtë harresë ku i keni lënë personat me aftësi të kufizuara. 

Më shumë se 55% e këtyre personave janë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social, dhe ky është treguesi më i lartë për Europën. Pra, edhe këtu ne arrijmë të thyejmë një rekord dhe të kemi treguesin më të lartë në Europë për keq. Ndërkohë, sensibiliteti duhet të ishte më i lartë për ata që nuk kanë mundësi tjetër për punë, për ata që e kanë të vështirë arsimin, për ata që e kanë të vështirë të kërkojnë vetë të drejtat e tyre, duhej të ishim ne, ligjvënësit, shoqëria, që t’u jepnim një dorë.  

Në Shqipëri ka mbaruar Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2021- 2025 dhe, jo për çudi, nuk ka asnjë raport monitorimi. Jo vetëm që nuk ka asnjë raport monitorimi nëse u realizua ky plan apo çfarë u bë, por nuk ka asnjë përpjekje për një draft publik, për një plan të ri 2026-2029 apo 2030, sepse ju nuk e keni prioritet.  

Edhe plani i parë ka qenë me advokim shumë të rëndësishëm nga organizatat. Jemi në dhjetor të vitit 2025 dhe as nuk ju bie ndër mend se duhej të ishte bërë një monitorim i plotë i atyre që u realizuan, i atyre që nuk u realizuan dhe çfarë duhet të kërkojë strategjia e re, plani i ri kombëtar. 

Ndërkohë, sa i përket arsimit, sepse dua të përqendrohem posaçërisht tek arsimi, rreth 15 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara ka Shqipëria, nga të cilët vetëm 3 575 ndjekin një shkollë publike. Pra, ju e kuptoni se çfarë shërbimesh ofroni. Vetëm 25% e shkollave janë fizikisht të aksesueshme dhe pjesa tjetër, 75%, e kanë të pamundur aksesin nga fëmijët me aftësi të kufizuara. Mungojnë materialet e përshtatura, mungojnë programet ndihmëse, mungojnë trajnimet për mësuesit që do të merren me këta fëmijë me aftësi të kufizuara. Punësimi i tyre mbetet minimal, pavarësisht se duhet të ketë kuota ligjore, për të cilat as nuk zbatohet ligji, as nuk i keni prioritet. Arsimi profesional apo programet e arsimit për punësim janë tërësisht të kufizuara për personat me aftësi të kufizuara. Vendet e punës nuk janë të adoptuara dhe nuk monitorohen nëse zbatohet ligji për ta. 

Nëse flasim për transportin publik, autobusët janë tërësisht të paaksesueshëm, ndërtesat dhe hapësirat publike shkelin standardet. Gjithçka që është informacion publik duhet të ketë edhe gjuhën e shenjave, edhe formate alternative; nuk ndodh në Shqipëri. Pra, nëse flisni për standarde, kini parasysh se ato nuk janë thjesht dhe vetëm një marrëveshje e miratuar nga Kuvendi, por janë para, fonde publike, që duhet të vihen në dispozicion të këtyre personave.  

Nuk mund të thuash se bën për ta kur u jep një pension nga 5 mijë lekë deri në 6 mijë lekë të rinj, që është e padëgjuar. Ju nuk pranoni ta vini minimumin jetik, sepse nuk do të kishte më në Shqipëri pagesa për paaftësinë, pagesa për ndihmën ekonomike, pagesa për njerëzit me aftësi të kufizuar nën minimumin jetik.  

Sot ju jeni duke u rënë në qafë, sot ju jeni duke u dhënë lëmoshë, por nën minimumin jetik. Nëse ky Parlament do të kishte dinjitetin për të vendosur minimumin jetik, askush nuk do të merrte më pak se 200 euro, ata që sot marrin 50 mijë lekë të vjetër 60 apo 70. Nuk e di se si mund të mbijetojnë, sepse të jetosh me dinjitet do shumë më shumë se aq, por, sigurisht, ky nuk është shqetësimi juaj.  

Edhe pagesën për shërbimin e kujdestarisë e përfitojnë vetëm 1 në 4 persona, të cilët kujdesen për personat me aftësi të kufizuara, dhe përsëri ky nuk është shqetësimi juaj. 

Sa u përket procedurave që shteti ka vendosur për të famshmin komision, i cili vendos për dhënien e pensionit të KEMP- ve është tragjike; është tragjike se si personat me aftësi të kufizuara do të duhet të enden për të ribërë procedurat herë pas here, me dokumente dhe me komisione, vetëm e vetëm se këtë e keni shpikur si metodë për të marrë disa para, si metodë klienteliste, si metodë për fushatë elektorale, sepse, në fakt, janë disa persona me aftësi të pakufizuara që i marrin ato pagesa, dhe ata që realisht kanë nevojë për këto pagesa nuk i marrin, sepse duhet të enden në zyrat e shtetit dhe duhet të gjejnë njeriun e duhur. 

Ndërkohë dje, bëtë aktivitete, por në buxhetin tuaj, në atë buxhetin tuaj më të madh në histori nuk ka ndonjë shtim, nuk ka ndonjë vëmendje, nuk ka ndonjë fond për personat me aftësi të kufizuara. Madje as ky Kuvend nuk i dëgjoi organizatat që merren, pikërisht, me personat me aftësi të kufizuara, për t’u dhënë mundësinë të shprehen për buxhetin, për fondet, për problematikat e tyre, sepse nuk i keni prioritet. Kur vjen puna që të dëgjoni klientë, oligarkë, njerëz të pasur, njerëz që do të duhet të marrin një llokmë të Shqipërisë, për ata keni gjithmonë kohë, për ata Kuvendi është i hapur dhe dëgjon.  Ndaj sot, kur të miratoni këtë traktat, mendoni se çfarë duhet të bëjmë si ligjvënës për të mirën e personave me aftësi të kufizuara. Gjeja e parë që ne duhet të bëjmë për të gjithë qytetarët, në fakt, është miratimi i minimumit jetik, që askush të mos marrë një pension, një pagesë, një ndihmë ekonomike nën minimumin jetik, për të jetuar me sado pak dinjitet në këtë Shqipëri.