Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, raporti i DASH konstaton cënimin e rënd të lirisë së mediave në Shqipëri | 23 mars 2023

Në fakt, sfida e energjisë është e rëndësishme, por më e rëndësishme për Shqipërinë sot janë liritë dhe të drejtat e njeriut. Nëse nuk kemi liritë dhe të drejtat tona, çdo gjë tjetër kthehet në një nevojë dytësore; nëse nuk garantojmë dot të drejtën e pronës private; nëse nuk garantojmë dot të drejtën e jetës; nëse nuk garantojmë dot të drejtën e fjalës; si parimet bazë e Kushtetutës, mbi të cilat ngrihet një shtet ligjor, të gjitha të tjerat janë në radhë të dytë. 

E nisa kështu fjalën tim, sepse ky Kuvend, në mënyrë të vazhdueshme, shkel çdo të drejtë të opozitës për të diskutuar dhe për të marrë kohën e nevojshme, sipas Rregullores, për çështje të qytetarëve, për çështje të zhvillimeve politike, për çështje të raporteve ndërkombëtare, si raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ne nuk kemi ndër mend që, pavarësisht shkeljeve tuaja, t’i lëmë pa përmendur, të rrimë pa ngritur zërin, ndaj do ta përdorim këtë foltore si një moment për të ndërgjegjësuar këdo për shkeljet dhe mosreagimin e kësaj mazhorance ndaj këtyre shkeljeve që bëjnë qeveria dhe organet qeveritare me të dyja këmbët.   

Raporti i DASH-it ishte një skaner i qeverisjes së dështuar, ishte një skaner sesi sot demokracia është shumë larg të qenit reale, por jemi ende në një demokraci hibride; ishte shumë larg pritshmërive dhe retorikës që krijoni ju me ERTV-në dhe aktivistët me realitetin e tryezave shqiptare, familjeve shqiptare dhe jetën e shqiptarëve. 

Në fakt, ndodhi një akt i paprecedentë, ju urdhëruat, në shkelje të ligjit, në ditë paqeje dhe pushimi zyrtar, në ditën e Sulltan Novruzit, në natën e parë të Ramazanit, u sulmua prona private, u sulmua Prestigj Resort. Ku këtë e përdorni si metodë kërcënuese ndaj pronarit të medies, që ende nuk keni arritur ta fusni në thesin tuaj të propagandës. Me metoda tipike mafioze, me kërcënime hap pas hapi, duke i lënë afate dymujore për të reflektuar, ju arritët deri aty sa konfiskuat pronën private, as diktaturat fashiste dhe naziste nuk i kanë përdorur këto metoda që po përdorni ju sot. Ju, pasi i shkatërruat të gjithë pjesën e jashtme të resorit, duke vendosur tritol në godinat ekzistuese të resorit (kuptohet, duke i lënë një periudhë kohore për të reflektuar), tani konfiskuat edhe godinat e tjera të resorit, pra konfiskuat pronën private. 

Çfarë në pret pas kësaj? Keni përgatitur arrestime? Keni përgatitur plaçkitje të banesave private? Drejt kësaj rruge po shkoni, në rrugën e hyrjes në shtëpinë private të pronarëve të medies, vetëm e vetëm për t’i kërcënuar që të kthehen në mekanizma dhe në vegla të propagandës! Atë që nuk e fshihni dot nga raporti i DASH-it, doni ta fshihni nga sytë e shqiptarëve nëpërmjet medieve të kapura apo nëpërmjet ERTV-së.  

Raporti i DASH-it thotë: “Korrupsioni është i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë këtu PPP-të dhe prokurimin publik”. Kur thotë “korrupsioni në të gjitha degët”, asnjë nga ministret nuk ka imunitet. Ndaj, ligjet që bëni ju, sado që mund të duken bukur në të shkruar, janë ligje që do të zbatohen nga një qeveri e korruptuar, janë ligje që do t’u gjendet ana për të privilegjuar një grup dhe për të sulmuar një grup tjetër; janë ligje që lidhen drejtpërdrejt me interesa klienteliste. Kjo thuhet në raportin e DASH-i. 

Mos e prisni votën tonë pro që ju të vazhdoni të vidhni, që ju të vazhdoni klientelizmat, që ju të vazhdoni të sulmoni mediet, të sulmon pronën private, që ju të vazhdoni, nëpërmjet keqpërdorimit të fuqisë shtetërore, të sulmoni individë të lirë. 

Krerët e atyre institucioneve që kanë ndërmarrë atë aksion në një ditë pushimi zyrtar, pa letra dhe pa ligj, sot duhen dënuar për shpërdorim detyre. Kryeministri këtu, sa herë që firmos, ka dikë për ta bërë kokë turku; ka dikë që mund ta arrestojë kollaj për paratë që merr si burim final. Shumë nga kolegët tuaj sot janë në qelitë e burgjeve, madje edhe disa të tjerë po përgatiten për atje, sepse, nëse kapeni dhe nëse ju dalin në treg, atëherë jeni fajtorë personalë; ndërsa kur bashkëndani privilegjet dhe paratë me Ramën, atëherë jeni ekip i suksesshëm. Siç po del këto ditë, ndonjëherë edhe dalja e lakrave në pazar bëhet me porosi të vetë Kryeministrit për të sulmuar anëtarët e kabinetit të tij. Kjo nuk është dëgjuar ndonjëherë, por vetëm në këtë Shqipërinë tonë të Zululand-it ndodhin këto gjëra, ku Kryeministri sulmon ministrat e tij. Raporti i DASH-it u referohet në mënyrë eksplicite institucioneve, të cilat mbrojnë territorin, Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, duke thënë që ka shkelje të rënda të ligjeve të vendit. Në këtë raport përmendet pikërisht i njëjti pronar dhe i njëjti hotel që ju e sulmuat edhe dje. Mendoni se i bëni dëm personal apo po kërcënoni pronarin, por nuk e kuptoni që mjafton ky raport i DASH-it që ai të fitojë çdo gjyq në Strasburg, sepse është goditur për arsye politike dhe është goditur për presion ndaj medies së lirë. Sigurisht, shqetësimi im nuk është fati personal i  një individi, që është i aftë ta mbrojë veten edhe kundër jush, por shqetësimi im është se çfarë i pret qytetarët; çfarë i pret banorët e Ksamilit, që sot po përballen njësoj si pronari i medies, me prishje të paligjshme; çfarë i pret banorët e Sarandës; çfarë i pret banorët e Durrësit; çfarë i pret banorët e Lezhës, sepse ju përdorni metodën e presionit politik, sidomos në prag të fushatave elektorale, për të bërë prishje selektive, për të legalizuar në mënyrë selektive, për të shembur në mënyrë selektive, sipas preferencave politike dhe partiake. 

Shtetin e keni barazuar me partinë dhe e keni vënë në funksion të partisë. Këtë e thotë edhe DASH-i: “Vota e lirë është e cenuar. Të gjitha mekanizmat e shtetit punojnë për të ndryshuar preferencat e njerëzve dhe për të ndikuar te preferencat politike të njerëzve”. Këtë ju, sigurisht, nuk pranoni ta diskutoni. Kur këtu duhet të flitet për hallet dhe problemet e qytetarëve, ju jo vetëm që nuk pranoni të diskutoni, por anuloni edhe seancën. Rekord sesi arrini të anuloni seancën për çështjet e qytetarëve dhe nuk e zëvendësoni, pavarësisht se nuk e kishit kuorumin atë ditë, e keni sot, e kishit një ditë tjetër. Por është vullneti i hekurt për të mos iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, për të mos folur për problemet e qytetarëve, për t’u fshehur si struci dhe për të ngritur kultin e individit, kultin e në qeverisjeje që punon.

Së fundi, të jeni të sigurt se realiteti është ai që do të vendosë edhe për votën e qytetarëve më 14 maj, ku të gjithë bashkë ne do të fitojmë, sepse ju e meritoni ndëshkimin nga qytetarët shqiptarë!

Faleminderit!