Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, ky është një projekt që ne e kemi votuar në Komisionin parlamentar të Edukimit bashkërisht, edhe pse nga relacioni dukej sikur qeveria donte të na shiste një të pavërtetë shumë të madhe, sikur kishte ndonjë arritje të veçantë për programin “Fulbright”. Ky program ka nisur që në vitin 1992, por nëse lexon relacionin dhe raportin e sjellë në Kuvend nga Ministria e Arsimit, duket sikur historia fillon me Edi Ramën, me ministret e Edi Ramës dhe nuk fillon kur ka filluar realisht. Pra, citohet vetëm marrëveshja e vitit 2019, sikur ajo është fillimi i marrëveshjes së “Fulbright”-it dhe nuk citohen të gjitha qeveritë, që janë drejtuar nga Partia Demokratike apo ajo Socialiste, që kanë çuar studentë, që kanë pasur këtë program, dhe ka edhe njerëz që janë në politikë, që kanë qenë pjesë e programit “Fulbright”. Këtë nuk e thotë ministria, sepse kanë dëshirë që historia të fillojë me ta, kanë dëshirë të duken sikur po bëjnë ndonjë sukses të madh, por, në fakt, për arsimin nuk kanë asnjë sukses të prekshëm, nuk kanë asnjë arritje për të cilën mund të krenohen. Edhe bursat, që u premtuan studentëve për degët prioritare, nuk ua dhanë, e ndryshuan propagandën duke thënë që, nuk e kishim siç e kishim, por rrugës e ndryshuam dhe e bëmë për degët në rrezik. Degët në rrezik, në fakt, kanë më pak të regjistruar, kështu u jepen më pak bursa studentëve shqiptarë, ndërkohë që VKM-ja thoshte të ndryshme.
Në programin e “Fulbright”-it qeveria shqiptare jep rreth 165 mijë dollarë, që është një vlerë simbolike po të krahasohen me paratë që ikin për tenderë apo me paratë që shkojnë për orendi dhe për shpenzime operacionale për ministritë, pra është thjesht një pikë ujë në oqean, megjithatë është vullneti juaj për të mos i çuar paratë tek arsimi. Këtë e keni treguar me buxhetin e arsimit që ngelet ende në kuotën më të ulët 2,2% e GDP-së dhe e tregoni sa herë që diskutohet për arsimin.
Ministrja juaj e arsimit sot, edhe në prezantimin e programit të shkëmbimit, u përpoq të rikujtonte programe të tjera, nga të cilat përfitojnë studentët shqiptarë, por harroi të thoshte për standardet e studimit të studentëve tanë që shkojnë në universitetet me të cilat shkëmbehen dhe për standardet e studimit në Shqipëri; harroi të thoshte se në Shqipëri mësimi ende bëhet me dërrasa të zeza me lapustila apo me shkumës; harroi të thoshte që shënimet në inxhinierinë e ndërtimit dhe në degë që duhet të punohet me teknologji bëhen me fletore, ku ende ka materiale të vitit 1998, të vitit 2005, të vitit 2012, kur nuk ka asgjë të re dhe asgjë teknologjike, ku pedagogët shqiptarë trajtohen thjesht dhe vetëm si mësimdhënës dhe nuk u jepen paraja e duhur, bonusi i duhur dhe atributet e duhura për t’u kthyer edhe në kërkues shkencor.
Edhe në marrëveshjen me “Fulbright”-in keni futur mundësinë për të shkëmbyer stafe akademike, të cilat këtu paguhen me vlera qesharake dhe janë shumë larg vlerës që paguan edhe Kosova. Nuk guxoj ta krahasoj me Amerikën, se jemi shumë vite dritë larg, por po e krahasoj me pagesat që janë në Kosovë.
Para pak ditësh, me Komisionin e Edukimit, ishim në Universitetin e Arteve, dhe pedagogët atje na thanë se si paguheshin 700 apo 800 euro dhe ministrja para dy javësh kishte thënë se nuk ka pedagogë në Shqipëri që paguhen kaq. Në fakt, ja që kishte, e dëgjuan të gjithë kolegët që në Shqipëri kishte pedagogë, të cilët paguheshin 700 apo 800 euro, pavarësisht mohimit të ministres Manastirliu. Më vjen keq, sepse mohimi nuk i shërben përmirësimit të situatës në arsimin shqiptar, mohimi, justifikimi apo krahasimi me vitet e shkuara nuk u jep më shumë bursa studentëve, nuk u jep më shumë paga pedagogëve, nuk jep më shumë mjete didaktike për të studiuar në universitete, thjesht bën një propagandë të radhës që nuk i shërben askujt. Ndaj, unë jam e lumtur që ne si grup parlamentar do ta votojmë pro këtë marrëveshje; jam e lumtur kur vijnë të tilla marrëveshje, që të kenë mundësi të përfitojnë studentët shqiptarë, por ndiej keqardhje kur ky shtet punon pa statistika; kur ky shtet nuk i ndjek as studentët e “Fulbright”-it kur kthehen se çfarë bëjnë, ku janë punësuar dhe të ketë një politikë për t’i thithur në administratën publike, sepse ky shtet, një ministri nuk ishte e aftë t’u kthente përgjigje pyetjeve jotendencioze, minimaliste, të cilat i kemi drejtuar në komision, duke filluar që nga të dhënat se sa studentë kanë mbaruar Fulbright-in, të dhënat për punësimin e tyre, rrjetin e tyre apo edhe mënyra se si ju do t’i nxisni që të aplikojnë, që ta bëni më të njohur edhe programin e “Fulbright”-it, pavarësisht se duhet thënë se garancia e “Fulbright”-it është pikërisht stafi i ambasadës amerikane. Unë i ftoj që të aplikojnë të gjithë ata që kanë mbaruar një bachelor dhe që e ndiejnë se i plotësojnë kriteret, sepse nuk do t’i zgjedhë stafi i ministrisë së zonjës Manastriliu, ndryshe, po t’i kishin zgjedhur këta, do t’i çonin edhe në këto programe patronazhistët e tyre, do t’i kthenin edhe këto programe në qoka për fëmijët dhe nipërit e deputetëve, por shyqyr Zotit është stafi i ambasadës amerikane dhe këta kanë vetëm një përfaqësues. Kështu që i ftoj studentët shqiptarë që të aplikojnë, të njihen me programet, ashtu siç ftoj edhe Ministrinë e Arsimit që të bëhet pjesë e sesioneve informuese jo vetëm për këtë program, por edhe për programet e tjera që ofrohen, në mënyrë të tillë që studentët shqiptarë të njihen me këto mundësi. Në momentin që shteti shqiptar investon bursa, jep para apo jep kuota në programe të caktuara, duhet që të bëhet një bilanc se çfarë i kthehet pas dhe se si këta njerëz integrohen në tregun e punës dhe njohuritë që kanë marrë atje i vënë në funksion të mirëqeverisjes në Shqipëri.
Në fund, dua të përfitoj nga prezenca e zonjës Kumbaro, sepse pata fatin që erdhi, për t’i kërkuar një shpjegim, nëse e ka, për publikun. Vjet, kur kemi bërë një interpelancë bashkë, një nga momentet ka qenë pikërisht Syri i Kaltër, ku ju dhe unë me të drejtë ramë dakord që kishit bërë një investim për të rregulluar rrugën e Syrit të Kaltër dhe unë ju kam ngritur shqetësimin se si do të shkonin turistët atje. Sivjet keni vendosur një tren në Syrin e Kaltër; a mund t’u thoni shqiptarëve kur është hapur gara e këtij treni? Kush e ka fituar këtë tren? A është gruaja e nënkryetarit të bashkisë aksionere në këtë tren? A keni bërë një garë një hapur dhe me kritere? Si u përzgjodh kompania, që të kuptojmë ne se çfarë përfitojmë nga treni klientelist që ju keni vendosur edhe në Syrin e Kaltër? Sqarojeni për shqiptarët: po punoni për turizmin, apo po punoni për të mbushur xhepat e zyrtarëve tuaj, që nesër t’i keni gati për vota në qarkun e Gjirokastrës, në qarkun e Vlorës apo kudo nëse do të të vërë ende gjëkundi Kryeministri Rama? Kjo është një pyetje e drejtpërdrejtë. Uroj që të ktheni përgjigje, ndoshta prandaj po flisni edhe në celular, që të merrni vesh më shumë për trenin në Syrin e Kaltër, që për mua është një tren korrupsioni; faktet dhe provat do t’i publikojmë në vazhdim, por pres përgjigjen tuaj sot: si e keni përzgjedhur dhe kujt i takon ai tren në zonën turistike? A do të jetë ky modeli, që do t’i shfrytëzoni të gjitha zonat turistike për të bërë qoka te klientët, te pushtetarët, tek ata që ju bëjnë vota ju? Kjo ishte pyetja ime për zonjën Kumbaro.
Për ta mbyllur fjalën time në lidhje me projektligjin, Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë një parti, e cila mbështet arsimin; një parti, e cila mbështet të gjithë marrëdhënien e konsoliduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vota jonë do të jetë pro.
Faleminderit!