Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Doja ta nisja me diçka, në fakt, që mund ta kisha kërkuar edhe për procedurë, por për efekt të kohës dhe në respekt të çështjes së rëndësishme… Ka tri ditë që janë vënë në funksion, që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri i
Shqipërisë, Kryetari i Parlamentit, që do të doja të ishte duke drejtuar (se këta ushtarët e tjerë pastaj, Kumbaroja dhe Gonxhja, kanë qenë gjithmonë në shërbim), dhe në shërbim të pritjes së Granoff-it në Tiranë, për t’i mbushur agjendën dhe të ardhurat me trashëgiminë kulturore shqiptare. Pasi i dhanë Butrintin, pasi i dhanë DrilonTushemishtin, që sot rrezikojnë të hiqen edhe nga mbrojtja nga UNESCO, dhe kemi një raport negativ; pasi i dhanë Elbasanin, tani ka për detyrë që të shembë 70 shtëpi të durrsakëve, t’i japë edhe trashëgiminë historike të Durrësit, a thua se turistët nuk do të vijnë për të parë edhe shtëpitë e vjetra të durrsakëve dhe historitë njerëzore të njerëzve atje, por do të vijnë për të parë lulishtet që parashikon të ndërtojë AADF-ja!
Mos u bëni kaq vasalë! Kuptojeni që edhe fuqinë e lobimit e ka humbur, se tani atje janë republikanët dhe Presidenti Trump. Mundohuni të ruani më shumë historinë, trashëgiminë, identitetin e shqiptarëve sesa qokat tuaja për lobim ndërkombëtar. Për sa i përket Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, në fakt, dua ta nis me një thënie të Orwell-it: “Kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën, dhe kush kontrollon të kaluarën, kontrollon edhe të ardhmen.” Kjo shpjegon qartësisht edhe dëshirën tuaj që gjatë gjithë kohës të glorifikoni figurat e komunizmit, të ripërdorni në arenën publike simbolet e komunizmit, të jepni në postet e rëndësishme shtetërore, duke mos respektuar edhe ligjin, figura të komunizmit, sepse në fund të ditës jeni të lidhur pashmangshmërisht me atë kohë, me atë parti, edhe si një parti që thjesht i ka ndryshuar emrin vetes nga “Partia e Punës e Shqipërisë”.
Siç ndodhte, në fakt, në ministrinë e së vërtetës, ju bëni gjithçka që të zhdukni faktet, bëni gjithçka që ta rishkruani historinë, aq sa në Shqipëri jemi në paradoksin ku ky Institut nuk ka të drejtë të jetë bashkëpunëtor dhe të japë kontribut, kur shkruhet historia e Shqipërisë për pjesën e komunizmit, por historinë e Shqipërisë për pjesën e komunizmit do të duhet ta shkruajë, sipas jush (paratë dhe të drejtat ua jepni atyre), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila drejtohet nga Skënder Gjinushi, ish-ministër i kohës së komunizmit dhe diktaturës, i cili do të duhet të shkruajë historinë për atë kohë. Pra, ua keni dhënë xhelatëve që të shkruajnë për atë çfarë kanë bërë xhelatët. Imagjinoni se çfarë versioni të historisë së komunizmit do të marrim ne, kur ju nuk lejoni Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit që të japë kontribut për pjesën më të rëndësishme, pjesën më të errët të asaj që ishte komunizmi, të krimit çnjerëzor që i ka bërë shoqërisë shqiptare dhe pasojave tragjike që ne i vuajmë edhe sot në kulturën politike shqiptare, por edhe në brengat e atyre njerëzve, ish-të përndjekurve politikë, të cilët ende nuk kanë marrë drejtësi në Shqipëri, ende kanë këste pa marrë nga Shqipëria, ende fëmijët e tyre nuk trajtohen me dinjitetin që shteti shqiptar duhet t’u japë, që nga bursat në arsim dhe elemente të tjera të parashikuara nga ligji dikur. Ju e bëni këtë sepse doni që Skënder Gjinushi dhe Akademia e Shkencave të glorifikojnë paraardhësit tuaj, të glorifikojnë Partinë e Punës, të glorifikojnë Enver
Hoxhën, t’u japin një dorë për rishkrimin e historisë dhe për ta çuar historinë atje ku u jep ujë përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Se fatkeqësia është që, nëse ne nuk arrijmë dot ta studiojmë me objektivizëm historinë dhe ta fusim atë në tekstet shkollore për fëmijët tanë, rrezikojmë që historia të përsëritet. Dhe Shqipëria sot ndodhet në një diktaturë moderne, ku shumë nga elementet në të cilat vuanin paraardhësit tanë, janë një shfaqje e re, moderne, por e njëjta ide, që nga liria e fjalës te liria e veprimit, te mendimi i lirë, mbi të gjitha, te ligji që bëhet sipas “Maliqit”.
Për shembull, zgjohet në mëngjes ministrja e Brendshme dhe thotë: nesër do të ndalohen monopatinat, dhe Policia e Shtetit, pavarësisht se nuk ka një ligj për këtë, i ndalon. Dhe kur qytetarët shkojnë në komisariat, u thonë: as ne nuk dimë çfarë do të bëhet me to, po presim kur të dalë ligji. Pra, ne jemi një shtet që funksionojmë me urdhrat e “Maliqit”. Dhe ky nuk është as rasti i parë, as rasti i vetëm.
Në këtë vend, edhe gjatë pandemisë, dilte Kryeministri dhe vendoste oraret se kur do të dilnin njerëzit, me autoritetin e Facebook-ut; në këtë vend del Kryeministri dhe shkarkon drejtorët e bashkive, me autoritetin e “Maliqit”; në këtë vend del Kryeministri dhe njerëzve që kanë paguar taksa dhe kanë kontrata të ligjshme për të pasur hapësira publike në vende të caktuara, ua prish nga sot, nesër, pa asnjë paralajmërim dhe pa ligj, sepse kjo është diktatura moderne, ku nuk ka nevojë për ligj, por ka nevojë vetëm për “Maliq”. Ndaj ju bëni gjithçka që të zhdukni kujtesën e përbashkët dhe ndërgjegjen për atë çfarë ka ndodhur në kohën e komunizmit, që njerëzit të mos heqin dot paralelizmat me atë që ndodh sot dhe se si cenohet, në fakt, e drejta çdo ditë.
Në Shqipëri ne vuajmë nga një shprehje që na ka ndjekur hap pas hapi, dhe unë mendoj se Shqipëria do të bëhet pikërisht kur ne do të heqim dorë nga shprehja “hapi rrugë budallait”, sepse në këtë mënyrë na kanë dalë të gjithë budallenjtë në krye dhe Shqipëria nuk po shikon një ditë të bardhë, për të arritur ato standarde që i duhen Shqipërisë, qoftë në demokratizimin e saj (se ju e patë që jemi 100 vjet larg standardeve të Bashkimit Europian, sipas studimit të Institutit të Vjenës), qoftë për të arritur më pas një mentalitet ndryshe, një rini të begatë dhe një Shqipëri ku njerëzit do të duan të jetojnë dhe jo të ikin nga sytë këmbët. Sot çdo sektor vuan tragjedinë e shpopullimit. Në fakt, unë kam reaguar edhe në rrjetet e mia sociale (prisja që ministrja e Arsimit do të reagonte, por duke ditur që është Mirela Kumbaro, pritshmëritë janë shumë të ulëta) për atë që po ndodh në Universitetin e Elbasanit. Intervistat e grave 53 dhe 56-vjeçare, të cilat nuk dinin se çfarë dege studionin, nuk dinin si ishin regjistruar, nuk dinin se ku po shkonin dhe çfarë po bënin, tregonin qartësisht se kishim të bënim me një skandal të regjistrimeve fiktive, për t’i mbajtur degët të hapura, me qëllim që universiteti të klikojë atë “dritaren” se i ka degët ende funksionale, për t’i mbajtur njerëzit në punë dhe fondet ekzistuese, dhe jo me një politikë shtetërore, siç duhet të ishte, ku të kthehen sytë nga arsimi, paratë t’i shkojnë arsimit dhe të motivojmë rininë shqiptare që të mos ikë, por të studiojë, të studiojë edhe në degët prioritare, si Mësuesia.
Ju mendoni se ne do ta bëjmë vendin me zonja që as nuk dinë të artikulojnë mirë shqip, nuk dinë çfarë lënde po bëjnë dhe se në çfarë dege janë, sepse s’kanë lidhje fare me universitetin?! Ja pra, të gjitha bashkë na çojnë në atë që, nëse ne i lëmë njerëzit pa arsim, nëse i lëmë shkollat pa ua çuar edhe atë literaturën e duhur, që përgatitet me shumë profesionalizëm nga Instituti, të cilin dua ta përgëzoj për punën e mirë, do të arrijmë në rezultatin ku do të kemi një shoqëri, e cila, realisht, jo vetëm nuk ka standardet europiane, por as nuk i kërkon ato, sepse as nuk e di që duhet t’i ketë, në rast se vazhdojmë me fiktivitet.
Për ta mbyllur, edhe për efekt të kohës, dua të citoj një thënie: “Edhe në burgun më të ftohtë siberian, të vetmet gjëra që nuk ngrijnë janë kujtesa dhe ndërgjegjja”. Prandaj, edhe shqiptarët do të dinë që me kujtesë dhe me ndërgjegje të mos lejojnë diktaturën e dytë, diktuarën e egër, moderne, të narkosit në Shqipëri.
Shumë faleminderit!

