Fjalim për narkoshtetin dhe qeverinë gjobëvënëse të Rames ndaj biznesit – 6 Qershror 2024

Kjo seancë nisi në mënyrën më të keqe të mundshme, por në fakt nuk pati asnjë risi, sepse, nga seanca në seancë, Kryetarja e Parlamentit ka marrë përgjegjësinë të shërbejë në shkelje të Rregullores, për të mbrojtur çdo lloj krimi, çdo lloj padrejtësie dhe çdo lloj korrupsioni të qeverisë. 

Është e dyta herë që ajo merr atributet e Konferencës së Kryetarëve, teksa ndalon të drejtat e opozitës për mocion me debat dhe për rezolutë.  

Nuk është detyrë e qeverisë lufta ndaj krimit të organizuar; nuk është detyrë e qeverisë garantimi i lirisë së ushtrimit të profesionit të gazetarëve, nuk është detyrë e qeverisë kjo, nuk është detyrë e qeverisë ajo.  

Pa na thoni, çfarë është detyrë e qeverisë?  Detyrë e qeverisë, sipas jush, është të koordinojë bandat? Detyrë e qeverisë, sipas jush, është të ndajë llokmat e Shqipërisë? Detyrë e qeverisë, sipas jush, është që të japim me koncesione trashëgiminë kulturore? Detyrë e qeverisë, sipas jush, është që të japë territorin shqiptar dhe atë ta quajë territor italian? Detyrë e qeverisë, sipas jush, është të bëjë ligje me porosi?  Detyrë e qeverisë, sipas jush, është që të pasurohet? 

Detyra e qeverisë, sipas jush, është ta vendosë aleancën jo me qytetarin, por me mafiozin, me kriminelin? Këto janë detyrat e qeverisë?!  

Në fakt, këto janë antidetyrat e qeverisë, ato për të cilat çdo qeveri, në çdo vend demokratik të botës, nuk do të ekzistonte, e cila nuk do të rrinte një sekondë në pushtet sikur një nga skandalet të kishte plasur, jo malin me skandale që ju është bërë juve teksa e keni kthyer Republikën në një narkorepublikë, teksa e keni kthyer Shqipërinë në një narkoshtet. 

Gazetat e huaja nuk flasin keq për Shqipërinë, nuk flasin keq për shqiptarët, nuk flasin keq për emigrantët shqiptarë që janë në Itali apo në Gjermani, por flasin keq dhe thonë realitetin për qeverinë shqiptare, flasin keq dhe thonë realitetin për Kryeministrin Edi Rama, flasin keq dhe thonë realitetin për një qeverisje, e cila ka bazën e vet korrupsionin dhe klientelizmin, ka bazën e vet dhënien e pasurisë publike tek oligarkët, dhënien e pasurisë publike te fondacionet, dhënien e pasurisë publike për qoka. Edi Rama dje nga Shëngjini thoshte: “Do të flas italisht, sepse këtu jemi në territor italian” dhe 5 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, 5 gjyqtarë që nuk kanë qenë 1 ditë gjyqtarë, thanë: “Jo, nuk preket territorialiteti”. 

Por me zë dhe figurë, Edi Rama e quajti tokën shqiptare si tokë italiane, sepse, në fakt, atë parashikon edhe marrëveshja, dhënien e tokës shqiptare tek italianët. 

Me zë dhe figurë, dje policia e Edi Ramës, garda e Edi Ramës, cenonte deputetin italian. Pse? Sepse janë mësuar që cenojnë deputetët shqiptarë, sepse janë mësuar që nuk respektojnë asnjë individ në të drejtën e vet për të protestuar dhe janë mësuar që protestuesit duhen gjakosur. Dhe doli kryeministrja e Italisë për t’i ndaluar, se për Kryeministrin e Shqipërisë nuk ka asnjë problem, është gjendje normale me të cilën duhet të trajtohen deputetët dhe qytetarët në Shqipëri. Por asaj i bëri përshtypje se si mund të gjakosej një deputet që nuk kishte as armë, asgjë, kishte thjesht fjalën e tij, por kundërshtonte kryeministren e tij.  

Kjo është të jesh një shtet policor, një shtet i dhunës së strukturuar ndaj qytetarëve, ndaj çdo njeriu që proteston pa asnjë dallim për ju. 

Më vjen keq që ky Parlament, majtas dhe djathtas, nuk arrin dot t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve, sepse ju keni vendosur që Rregullorja e këtij Kuvendi të bëhet një letër si freskuese, e cila mund të përdoret vetëm për t’u bërë fresk djersëve të ftohta që ju vijnë nga arratisjet e zëvendëskryeministrit tuaj, nga ata që sot keni në qeli, nga ata që kanë bashkëpunëtorët tuaj më të afërt dhe që dinë shumë më shumë se ç’kanë thënë. Dhe ende ka shumë më shumë për t’u bërë tërmet. Ka akoma kohë. Nuk keni parë asgjë, akoma. Tërmeti nuk ka ardhur akoma dhe është shumë më i fortë se dosja “184”. 

Për ju, në fakt, do të desha sot të kisha folur shumë në pjesën e menaxhimit të ujërave, sepse jeni bërë edhe një qeveri gjobëvënëse. E keni menaxhimin e territorit dhe menaxhimin, në këtë rast edhe të ujërave të ndotura, si mundësinë për të vjelë dhe për t’u vënë gjoba bizneseve të ndershme, hoteleve të zonave turistike. 

Unë jam deputete e Sarandës dhe me përgjegjësi të plotë ju them se jeni duke bërë një krim ndaj hoteleve.  

Keni nxjerrë një akt normativ, atë nr. 8, të datës 28.12.2023, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Mjedisit (ministret e të cilave nuk qenkan këtu si rastësisht), për marrjen e masave urgjente për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Deri këtu është gjithçka në rregull, të trajtohen ujërat e ndotura. Por çfarë keni vendosur më tej? Keni vendosur ju se çfarë lloj impianti dhe ku duhet ta blejnë hotelet. Ju keni vendosur gjoba të majme, duke i trajtuar si tituj ekzekutivë, për të cilët vetëm në gjykatë mund të ankohen. 

Këto janë disa nga gjobat e hoteleve të Sarandës, që fillojnë nga vlera 15 milionë lekë deri në vlerën 30 milionë lekë. Këta nuk i hedhin ujërat e ndotura në det, përkundrazi kanë krijuar gropa septike, kanë krijuar mënyra të ligjshme deri dje, por nga sot, dje, ju ndërroni sistemin dhe bizneset do të duhet të paguajnë për oligarkun që keni zgjedhur ju të bëjë këto impiante. Bizneset e turizmit në Shqipëri, për të cilët, me demek, ju krenoheni,  kanë marrë gjoba.  

A e dini ju që disa nga këta biznesmenë që janë gjobitur, kanë aplikuar në e-Albania për të marrë leje për këto impiante, që zënë edhe hapësirë të konsiderueshme dhe kanë gjashtë muaj që nuk marrin përgjigje? Si i bëhet, qeveri gjobëvënëse? Qeveri gjobëvënëse! Nuk keni prioritet të bashkëpunoni me biznesin, nuk e keni me prioritet t’i jepni mundësinë biznesit për të ndërtuar edhe këto impiante, në qoftë se mendoni që janë zgjidhja me mirë për ujërat e ndotura, por i vini gjoba. I vini gjoba një herë, dy herë dhe më pas u hiqni mundësinë për të bërë veprimtari, ndërkohë as lejen nuk ua jepni me e-Albania, ndërkohë që edhe po të marrin lejen, duhet të marrin leje tjetër për sipërfaqen që quhet “ndërtim impianti”. Po ku do ta gjejnë atë sipërfaqe, sepse kanë ndërtuar dhe i kanë zënë sipërfaqet?  

Pra, këto janë akte normative që ju i bëni për të mbushur arkën e shtetit, për t’u vënë gjoba bizneseve të ndershme të Republikës së Shqipërisë dhe s’kanë të bëjnë fare me ndotjen, sepse po të ishin biznese që ndotin ujin, atëherë po, le të gjobiten, por kanë të bëjnë thjesht me marrjen e parave nga xhepat e qytetarëve për t’i çuar në xhepat e qeveritarëve, që më pas ju t’i shpërndani te klientët tuaj të pushtetit.  

Do të kisha dashur të ishte këtu zëvendëskryeministrja, se Mirela nuk vjen ndonjëherë, që t’ia jepja këto gjoba, që u vihen bizneseve të hotelerisë në Shqipëri, në mënyrë të padrejtë duke i cenuar në biznesin e tyre.  

Tërhiquni nga ky akt normativ, jepni standardet europiane në trajtimin e ujërave dhe mos vendosni me paracaktim se ku do ta blejnë impiantin e çfarë impianti do të vënë, por jepini mundësinë Shqipërisë dhe biznesit në Shqipëri të lulëzojë, sepse po lulëzojnë vetëm narkotrafikantët.  

Shumë faleminderit!