Fjalim për shkeljen e rregullores së Kuvendit dhe rrëzimin e projekt rezolutes për gazetarët- 30 maj 2024

Zonja Kryetare, unë e di që njohuritë tuaja janë shumë të cekëta, por minimalisht do të duhet të pyesnit juristët e Kuvendit, duhet të konsultoheni me stafin e Kuvendit kur merrni përsipër të shkaktoni një precedent, që nuk ekziston në Rregulloren e Kuvendit, por edhe që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në këtë Kuvend.  

Në cilën pjesë të Rregullores e keni lexuar që mocionet me debat do të duhet të bëhen vetëm për veprimtari të Këshillit të Ministrave? A më thoni dot ju, zonja Kryetare, që merrni përsipër të bëni zonjën ushtare, se në cilën veprimtari të Këshillit të Ministrave është lufta në Ukrainë, për të cilën ne kemi bërë një mocion me debat dhe një rezolutë? Në cilën veprimtari të Këshillit të Ministrave është masakra e Srebrenicës, për të cilën ne kemi bërë mocion me debat dhe rezolutë? 

 Në asnjë moment të rezolutave të Republikës së Shqipërisë, nuk ka asnjë detyrim që duhet të jenë veprimtari e Këshillit të Ministrave. Ju keni vetëm një të drejtë, që në rezolutën e fundit folët për një veprimtari të Këshillit të Ministrave, për korrupsionin, sepse korrupsionin e bën Këshilli i Ministrave, por është një rast, që nuk do të thotë asgjë, pra mund ta bësh për një veprimtari të Këshillit të Ministrave, ose mund të mos e bësh. 

Ju, zonja Kryetare e Kuvendit, cituat pikën 3 të nenit 89, dhe harruat,  por nuk pyesni as juristët, që neni lexohet në tërësinë e tij; neni nuk lexohet duke hequr pikat 1 dhe 2 dhe duke kaluar te pika 3. Në jurisprudencë, zonja Kryetare, meqë të kanë gënjyer, secili nen i Rregullores së Kuvendit lexohet në tërësinë e tij, por edhe Rregullorja lexohet në tërësinë e saj.  Ja, edhe tani, ndërkohë që flasim për gazetarët, ju po nxirrni gazetarët. Ky është shembulli më i mirë se si e respektoni lirinë e medies! Ja, gazetarët largohen! Nuk keni asnjë të drejtë që t’i largoni gazetarët nga salla e shtypit, maksimumi mund të largoni kamerat nga transmetimi, meqë kemi RTSH-në, por nuk mund t’i largoni kurrsesi gazetarë.  

Zonja Kryetare e Kuvendit, kthejini gazetarët në sallë, mos vazhdoni të cenoni lirinë e medies! Kthejini gazetarët në sallë! Gazetarët që kanë dëshirë të qëndrojnë në sallë, duhet të qëndrojnë në sallë dhe nuk mund t’i nxirrni me urdhra të paligjshëm, siç vazhdoni ta bëni parlamentarizmin, me SMS. 

Jo, nuk po lexoj SMS-të, por po lexoj Rregulloren e Kuvendit, të cilën e mbaj online, sepse jemi në epokën e digjitalizimit.  

Neni 89, ka edhe pikën 2, zonja Kryetare, dhe aty thuhet: “Kryetari i Kuvendit, pas këshillimit me Konferencën e Kryetarëve, mund të vendosë që pyetjet, interpelancat ose mocionet të grupohen, të mohohen, të diskutohet për datën”, pra…  

Lindita Nikolla – Thotë vetëm “të grupohen”, nuk thotë “të mohohen”, lexoje tamam.  

Ina Zhupa – Mos ndërhyni te fjala ime, sepse është koha ime. Po e lexoj unë tamam, është pika 2, pastaj pika 3.   

Lindita Nikolla – Aty thuhet vetëm “të grupohen”, kurse te pika 3 thuhet “mund t’i kthejë”.  

Ina Zhupa – Pika 3 vjen në rrjedhojë të pikës 2, nuk është një pikë më vete.  

Pasi ju konsultoheni me Konferencën e Kryetarëve, që ta ka thënë shumë qartë edhe neni tjetër i mocioneve, brenda 3 ditësh duhet ta çosh në Konferencën e Kryetarëve, më pas mund të marrësh vendim. Pra, pasi konsultohesh, merr vendim. Ti nuk je konsultuar dhe e ke marrë vetë vendimin. 

Në Rregullore thuhet që mund të konsultohesh, në pikën 2, dhe më pas, në pikën 3, pasi je konsultuar, sepse konsultimi është thënë në pikën 2 dhe nuk ka nevojë të përsëritet te pika 3, pasi ka edhe një logjikë juridike (prandaj ju thashë konsultohuni, sepse ju kanë hedhur në zjarr pa e ditur se çfarë po bëni), pra në pikën 3 thuhet që ju, pas konsultimit, keni të drejtë të mos e pranoni këtë apo atë. Kur nuk e pranoni, zonja Kryetare, nuk keni të drejtë të shpikni argumente: “Nuk e pranoj, se nuk është çështje e qeverisë”. Jo, moj zonjë, sepse mocionet me debat dhe rezolutat nuk kanë detyrim të jenë vetëm për çështje të qeverisë.  Në cilën pikë të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë thuhet se ne do të bëjmë rezoluta vetëm për çështje të qeverisë! Ma thuaj! Sepse ne bëjmë rezoluta për punën e institucioneve të pavarura, ne bëjmë rezoluta për çështje ndërkombëtare, ne kemi bërë rezoluta kundër luftërave, ne bëjmë rezoluta për barazinë gjinore. Si qenkan këto “punë e qeverisë”?! Ku e lexon ti këtë?!  

Më vjen shumë keq që e vini veten në këtë pozicion, ndërkohë që bëhet fjalë për një rezolutë për barazinë gjinore, për dhunën ndaj grave, në veçanti për gratë gazetare. Ju, si grua, duhet të kishit thënë: “Po, faleminderit, që e sollët rezolutën! Kemi edhe ne 2-3 propozime të tjera, që duam t’i shtohen, sepse ndoshta nuk është vetëm Kryeministri, por është edhe klasa politike”. Pra, ju mund të kishit shtuar, por jo të vinit këtu e të thoshit që nuk është çështje e qeverisë.  Është një rast vërtet i paprecedentë, ku Kryetarja e Kuvendit, në shkelje të Rregullores, për t’i treguar Kryeministrit se nuk lejon që flitet për të dhe për gjuhën e tij linçuese ndaj gazetarëve, për dhunën verbale ndaj gazetarëve, shkel Rregulloren. 

Në Konferencën e Kryetarëve prapë ju e keni shumicën dhe nuk besoj se të tutë do të kishin dalë nga rreshti nëse do t’u kishit kërkuar që të mos e miratoni, por ti ke dalë si ushtarja e parë, që e bën vetë, e shkel vetë Rregulloren për t’i treguar besnikëri Kryeministrit.  

Rregullorja e Kuvendit është shumë e qartë dhe çdo jurist i vitit të dytë juridik, pa mbaruar shkollën, ta thotë se si lexohet neni në mënyrë integrale dhe se si lexohen nenet me njëra-tjetrën. Por juve ju dhemb, sepse Kryeministri i Shqipërisë i trajton gazetarët në mënyrën më të keqe të mundshme, ju dhemb sepse Shqipëria ka rënë në raportin e Freedom House, pikërisht edhe nga sjellja që kanë zyrtarët e lartë publikë dhe nga aksesi që i jepni medies për të marrë informacion, Shqipëria ka rënë 3 vende në “Reporterët pa kufi”, duke zbritur në vendin e 99-të, si e fundit në Ballkan për lirinë e medies, sepse juve ju dhemb fjala e gazetarëve, sepse ju keni frikë nga pyetjet e gazetarëve të pavarur, sepse ju i shtyni gazetaret me dorë dhe i prekni me dorë kur bëjnë pyetje, që nuk i pëlqejnë Kryeministrit tuaj.  

Është e vërtetë që në rezolutë ne kemi marrë shumë raste dhe në shumicën e rasteve është Kryeministri aktor, por nuk është faji ynë që Kryeministri bëhet aktor në shumicën e rasteve kur cenohen gazetaret femra, është faji i Kryeministrit. Nëse ne do të kishim marrë raste dhe do të kishim lënë disa të tjera, atëherë mund të na thoni që e keni bërë vetëm për Kryeministrin, dhe mund t’i kishit shtuar ju rastet kur i kemi dhunuar ne.  

Kjo qasje e Kuvendit, që e ktheni në një aneks të qeverisë, ku këtu duhet të kalojnë vetëm projektligjet që sjell qeveria, vetëm mocionet dhe rezolutat që sjell qeveria, vetëm komisionet që sjell qeveria, është qasja më antiintegruese dhe më diktatoriale që ekziston.  Çdo gjë që sjell opozita për ju duhet refuzuar, çdo gjë që sjell opozita për ju duhet masakruar, në shkelje të Rregullores. Nuk gjendet sot një argument, pyesni juristët e grupit tuaj parlamentar, nëse gjejnë dot ndonjë argument, që ti të lexosh pikën 3 dhe të mos lexosh pikën 2, apo që ti të mos e lexosh Rregulloren si një e tërë. Pyesni nënkryetaren e Kuvendit, se ndoshta jua sqaron. 

Zonja Lindita Nikolla, ju ftoj të mos e hidhni në votim, sepse do të shkelni Rregulloren, ju ftoj ta fusni në agjendën e Konferencës së Kryetarëve, ta diskutoni sipas Rregullores, të merrni vendimin që do të merrni, për të cilin ne më pas do të mbajmë qëndrim, por mos shkelni Rregulloren kur bëhet fjalë për lirinë e gazetarëve, për një të drejtë të opozitës për të sjellë mocione me debat dhe projektrezoluta në këtë Kuvend. 

Kjo është një qasje, që do t’i kushtojë Shqipërisë përsëri në raportet ndërkombëtare, do t’i kushtojë Shqipërisë përsëri kur të bëhet fjalë për lirinë e medies, do t’i kushtojë këtij Kuvendi kur të dalë përsëri shumë poshtë me pikë se si i respekton të drejtat kushtetuese të opozitës dhe të pushteteve të tjera, dhe më pas mos hajdeni këtu të na tregoni se sa e zbatoni ju ligjin, Kushtetutën dhe se sa do ta luftoni korrupsionin, kur ju, në fakt, bëni korrupsion edhe me Rregulloren, sepse lexoni një gjë dhe nuk lexoni një tjetër, kur ju bëni korrupsion legjislativ në këtë sallë, ku zgjidhni se kush do të futet e kush jo, apo kur bëni ato ligjet me porosi. 

Jepini sot dinjitetin kësaj salle dhe për gratë, për zonjat gazetare, të cilat sakrifikojnë ditë pas dite, përballen me kushte të vështira në profesionin e tyre;  të mos jetë pengesë ky Kuvend, por ky Kuvend të çojë një mesazh, që ne e respektojmë atë profesion, respektojmë gratë gazetare. Patjetër do të ishte e udhës të shtonim edhe gazetarët meshkuj, por ne kemi zgjedhur pjesën më vulnerabël, dhe ky Kuvend patjetër mund ta zgjerojë objektin e tij, po kurrsesi që ju, zonja Kryetare, të shkelni Rregulloren, dhe, me një të rënë të lapsit, të harroni se këtu jeni thjesht Kryetarja e Kuvendit, jo diktatorja e Kuvendit. 

Faleminderit!