Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Zonja Nënkryetare, para pak sekondash thatë: “I diskutuam këto dhe pastaj e miratuam”, por përsëri gënjyet, sepse ju i miratuat ndryshimet e rendit të ditës, pastaj u diskutuan. Pra, a ka kuptim që ne të diskutojmë, pasi ju i keni miratuar?! Ne kot që folëm, kur ju nuk paskeni kuptuar asgjë nga gjërat që ne thamë. Unë jua kam evidentuar juve si juriste shkeljet e Rregullores për projektligjet që futët sot, dhe cila ishte përgjigjja juaj?! Përgjigjja juaj ishte: “I miratuam”, por kjo nuk është përgjigje.
Ju vetë, para pak sekondash, thatë prapë: “Projektligjet që janë futur këtu, janë shpërndarë 48 orë para” dhe unë jua vërtetova që projektligji për Akademinë e Shkencave jo vetëm që nuk është miratuar 48 orë para, por nuk ka një raport sot, ka një draftraport, të cilin unë dhe zonja Gjylameti e kemi marrë në orën 09:52 dhe ende nuk kemi dhënë, të paktën unë nuk e kam dhënë mendimin tim. Do të kërkoj më shumë mendim nga Këshilli i Ministrave, siç ma kërkon Rregullorja. Si do të miratoni ju një projektligj, që nuk ka raport? Si do të miratoni ju një projektligj, që nuk është miratuar 48 orë para? Si do të miratoni ju një projektligj që e sjell “Petro Gjinushi” dhe “Skënder Beqiraj”, sepse kanë hallin e mandatit të Skënderit?! Më fal, kështu funksionon Parlamenti? Ju na thoni:
“Mbani qetësi dhe mbani rregull”, por ju shkelni Rregulloren. Zoti Gogu pesë minuta më parë tha që libri i përbashkët, që na mban këtu, është Rregullorja dhe ne këtë po kërkojmë: zbatoni Rregulloren dhe jepini mundësi këtij Parlamenti që të kthehet në normalitet. Në qoftë se ju keni vullnet për të zbatuar Rregulloren, gjithçka kthehet në normalitet; në qoftë se ju keni vullnet, mos i lini studentët e mjekësisë në 45 gradë përpara “Toptanit’, por thërritini në sallë, sepse ky Parlament është salla e tyre, është salla që ata kanë votuar, është salla për të cilën paguajnë paratë prindërit e tyre, është salla për të cilën ata paguajnë paratë e tyre. Në qoftë se ne nuk kemi kohë dhe dëshirë për t’i dëgjuar studentët ekselentë të mjekësisë, për të dëgjuar të ardhmen tonë, atëherë nuk ka kuptim që të dëgjojmë këtu deputetë të dalë nga votat e blera, deputetë kanabistë, që do të na flasin për ligjin e studentëve të mjekësisë. Ne, ose i dëgjojmë vetë studentët, ose nuk kemi pse dëgjojmë asnjë. Ju kemi dëgjuar mjaft në komisione. Në qoftë se doni ta ktheni në normalitet, thirrini studentët. Të vijnë studentët aty ku e kanë vendin, t’u jepet kjo foltore, që e kanë paguar ata dhe prindërit e tyre, dhe të flasin. Në qoftë se ju doni normalitet, i keni të gjitha mundësitë brenda Rregullores, që ta garantoni këtë. Në qoftë se ju doni normalitet, nuk e kalonit për 15 minuta në një sallë të Kuvendit, nga Komisioni i Ligjeve, ligjin për kanabisin, por e kalonit me lidhje online që ta shikonte e gjithë Shqipëria se si ju votonit fshehurazi për kanabizimin e vendit. Kishit mundësi që ta diskutonit dhe ta pranonit edhe propozimin që kanabisi industrial të mos ketë hapësira të pakufishme që ju sot të legalizoni në Shqipëri krimin dhe drogën, por të ketë kufizime. Ja, ky ishte një propozim. Ai nuk duhet pranuar fare, por ju nuk pranoni asgjë që ju cenon marrëveshjen që keni bërë me bandat; marrëveshjen që keni bërë me oligarkët; marrëveshjen që keni bërë me universitetet, të cilët do të pasurohen nga ata studentë që ju do t’i detyroni të shkojnë te privati, sepse nuk kanë kontrata detyruese, edhe sepse paguajnë një çmim shumë më të lirë se ai falsiteti që thoni ju këtu. Ministrja duhet ta dijë, rektori e ka pranuar vetë që ka shkresë zyrtare, ku Universiteti i Mjekësisë thotë që kostoja e studentëve të mjekësisë është 2300 euro.
Si shkoi kostoja nga 2300 euro në 6700 euro? Kostoja e babëzisë, kostoja e mashtrimit, kostoja e vjedhjes së studentëve, kostoja e burgut të tyre! Çfarë do t’u bëni studentëve, po nuk plotësuan kontratën, do t’i futni në burg?! Çfarë do t’u bëni mjekëve të Shqipërisë, po nuk plotësuan kontratën, do t’i çoni në internim, do t’i çoni në punë të detyruar, do t’i çoni në Spaç?! Çfarë do t’u bëni?! Çfarë kontratash keni parashikuar ju, “Gjinushët” deputetë?! Çfarë keni parashikuar?!
Është turp që ne sot këtu të kërkojmë të drejtat tona minimale, mocion me debat dhe interpelancë, dhe të kërkojmë të dëgjohen grupet e interesit, të dëgjohen studentët dhe të zbatohet Rregullorja. Duhet të bëjmë plot katër orë debat për të kërkuar atë që na jep Rregullorja e Kuvendit: zhvillimin normal të një seance normale, ku respektohen taksapaguesit, ku bëhen ligjet për interesin publik, jo për interesin e Gjinushit, për interesin e Tom Doshit, për interesin e bandave të kanabizimit dhe për interesin e universiteteve private, që ju kanë kapur për fyti. Jo, nuk janë ata që ju kanë zgjedhur ju këtu, pavarësisht se ata ju kanë zgjedhur, por janë qytetarët, të cilët duhet t’i përfaqësoni me ligj, me atë betimin që keni bërë si deputetë, ku jeni betuar se do të respektoni Kushtetutën, jeni betuar se do t’i respektoni qytetarët. A e mbani mend betimin tuaj? A e mbani mend që jeni çuar këtu e keni thënë: “Betohem”? Për çfarë jeni betuar, në emër të Tom Doshit, në emër të Skënder Gjinushit, në emër të bandave, në emër të kanabisit? Për çfarë jeni betuar?! Jeni betuar në emër të Kushtetutës. Kini pak respekt për ata që ju kanë votuar; kini pak respekt për ata pak socialistë të ndershëm, që ende mund t’ju besojnë, ju që vidhni çdo gjë, ju që na keni turpëruar dhe na keni shënuar në njollën e zezë të Ballkanit Perëndimor vetëm sepse vidhni pa pushim jo vetëm taksat e shqiptarëve, por tani edhe taksat e europianëve.
Vidhni pa pushim taksat dhe flisni për bujqësinë e për fermerin, ndërkohë që ministrja juaj, si ish-drejtoreshë e AZHBR-së ka krijuar një skemë të mirëfilltë piramidale, ku vidhnin dhe zhduknin taksat, që duhet t’i merrte fermeri i ndershëm i Lushnjës, i Fierit dhe i Konispolit. Ishte çudi pse nuk ishin ata dhe pse nuk dëgjoheshin ata. Pse kur sillte zoti Duka projektligj për interesin e fermerit, nuk ia miratonit dhe i thoshit: “Është shumë i mirë, por nuk e miratojmë dot, sepse po presim strategji”?! Sepse po prisnit si t’i zhduknit të gjitha fondet e Bashkimit Europian. E, pra, kjo është njollë turpi.
Ju jeni shndërruar në puçistë të parlamentarizmit, jeni shndërruar në puçistë të Kushtetutës, jeni shndërruar në puçistë të demokracisë, sepse të gjitha këto i minoni çdo ditë me veprimet dhe mosveprimet tuaja, duke e hedhur në kosh Rregulloren e Parlamentit, ligjet e këtij vendi dhe interesin publik.
Betejë e madhe për të dëgjuar një akademik; betejë e madhe për të dëgjuar studentët; betejë e madhe, ndërkohë që Parlamenti jo vetëm duhej ta kishte detyrim, por duhej ta kishte edhe për nder t’i dëgjonte, t’i respektonte dhe të bënte ligje që u shërbenin atyre. Ju duhej të ishit të parët që të kërkonit të dëgjoheshin grupet e interesit, jo t’u thoshit se ju bëni çfarë doni vetë dhe se erdhët këtu sa për të larë gojën, sepse në fund do ta miratoni vetë. Do të ishte në dinjitetit tuaj të kërkonit sot që studentët të ishin aty; do të ishte në dinjitetin tuaj të kërkonit sot që Kryeministri të ishte këtu.
Zoti Toni Gogu thotë: “Cila është urgjenca?!” Urgjenca është vjedhja që po i bëhet buxhetit të shtetit; urgjenca është se, ndërkohë që ne flasim këtu, paratë shkojnë tek inceneratorët; urgjenca është se, ndërkohë që ne flasim këtu, bosët, të cilët janë në kërkim, dhe ish- zëvendëskryeministri, i cili është në kërkim, mbahen me ato para. Nuk është urgjencë kjo?! Nuk është urgjencë vjedhja?! Nuk është urgjencë marrja e parasë publike?!
Doli edhe ministrja e Financave, e cila foli si Arben Ahmetaj dikur, tha se asnjë lek nuk do të paguajnë qytetarët, por do ta paguajë buxheti i shtetit. Nuk e di me çfarë logjike i bëni këto deklarata.
Zonja Nënkryetare, edhe në cilësinë tuaj si juriste, jua kam përsëritur shumë herë sot, kthejuni Rregullores dhe do të keni normalitet në sallë; kthejuni Rregullores dhe hiqeni ligjin e Akademisë së Shkencave, si i pamiratuar deri tani, sepse nuk mund të futet një gjë e pamiratuar që të votohet nga seanca; kërkoni që të vijnë studentët këtu dhe të dëgjohen për ligjin për studentët; sillni Kryeministrin Edi Rama të japë llogari dhe të flasë për vjedhjet që po u bëhen taksave të shqiptarëve për inceneratorët, dhe unë ju premtoj se do të ketë një seancë më se normale, ku do të jemi ne të parët që do t’i dëgjojmë me shumë vëmendje studentët e mjekësisë, do t’i dëgjojmë me shumë vëmendje shpjegimet e Kryeministrit Edi Rama, do t’ju dëgjojmë me shumë vëmendje ju, kur të tërhiqeni nga paligjshmëria, nga shkelja e Kushtetutës dhe nga bërja e këtij Parlamenti si një sallë lotoje, ku secili
nga ju fut numrin që preferon, grupin e interesit që preferon dhe, bingo, fitoni vetëm ju.
Faleminderit!