Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, pikat themelore të këtij projektligji janë: informacione dhe siguri. Kur vjen dhe diskuton këtu zoti Taulant “zarfi” (tani do të njihesh si Taulant “zarfi”, sepse sa zarfe ke plotësuar ti, nuk i ka plotësuar asnjë punonjës i postës që është në momentin e daljes në pension; sa keni kaluar ju nëpër duar e sa keni fabrikuar ju, nuk besoj se e ka njeri tjetër rekord në Shqipëri, por edhe në botë), e të flisni ju për informacione dhe për siguri, është të vësh duart në kokë.
Në fakt, një listë e mirëpërgatitur nga ambasadat shqiptare kudo në botë me numrat e telefonit të të gjithë emigrantëve, të cilët jetojnë në shtetet ku ata kryejnë funksiononin, është përdorur nga funksionarët e Partisë Socialiste për të dërguar mesazhe të personalizuara, për të kërkuar takime dhe vota, dhe ky është fakt. Aq fakt është, sa mjafton të shikoni sesi një ishministre e Jashtme, zonja Olta Xhaçka, merr votat e diasporës pikërisht nga aksesi që ka në ambasada, nga emërimet që ka bërë, nga listat që i shkojnë dhe përçudnon rezultatin edhe me partinë tjetër politike brenda radhëve tuaja.
Në fakt, marrja e të dhënave personale ka qenë publike. Se si rrodhën të dhënat personale dhe se si ju keni përdorur gjatë fushatës elektorale çdo të dhënë personale të individëve në Shqipëri për sistemin tuaj të patronazhimit të votuesit, ka qenë publike. Ndërkohë, në vend të nënshkrimit që duhet të kishin votat e diasporës, një nënshkrim personal, me firmë, me emër dhe i shkuar në banesën personale, sipas kontratës së bërë nga KQZ-ja dhe DHL-ja, Partia Demokratike ka provat e sakta, të cilat tregojnë qartësisht se këto nënshkrime mungojnë, që këto janë pika dhe viza, në rastin më të mirë, ose në rastet e tjera nuk ka fare as adresë, as nënshkrim dhe as zarfe, që janë mbushur nga ju për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Ne vijmë nga raportimi në Strasburg, vijmë nga takimi me eurodeputetët, të cilët janë informuar qartësisht, me fakte dhe me prova, se në Shqipëri nuk janë kryer zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ka funksionuar një shtet elektoral, i vënë në dispozicion dhe i bërë njësh me Partinë Socialiste, që, teksa ka shpërndarë çdo të mirë materiale në funksion të rezultatit zgjedhor, sot vjen me krenarinë për të miratuar disa ligje të tjera, që i shërbejnë po të njëjtit funksion: funksionit të ruajtjes së pushtetit dhe përdorimit të çdo aule, edhe të Parlamentit të Shqipërisë, si një aulë ku mund të kalojnë ligje dhe ku mund të bëhet gjithçka në emër të mbajtjes së pushtetit.
Sipas raportit të OSBE-ODIHR-it, informacioni që qytetarët shqiptarë morën edhe gjatë fushatës elektorale ishte i privuar nga e vërteta, larg objektivitetit, i ndikuar nga paratë e dhëna nga qeveria te pronarët e medieve për biznese të tjera të tyre ose nëpërmjet reklamave qeveritare të monopolizuara, për të bërë propagandën e qeverisë. Po sipas raportit të OSBE-ODIHR-it, ju vendosët në mënyrë të njëanshme, duke shkelur edhe Kushtetutën, për të mbyllur një medium social, siç ishte TikTok-u, duke marrë një vendim që këtë do ta mbyllnit për një vit, por sot TikTok-u është hapur, sepse qartësisht, siç e parashikonte dhe siç e tha edhe opozita, e gjithë beteja nuk ishte për siguri, se nuk kishte lidhje me ndonjë siguri ndërkohë që nuk kishte ndodhur asgjë, por ishte për të monopolizuar informacionin në disa duar dhe disa medie që ju i kontrolloni dhe për të mos lejuar opozitën, kandidatët e pavarur, të shpalosnin për qytetarët, në këto rrjete të pakontrolluara nga ju, gjithçka ndodhte, qoftë fushatën, qoftë denoncimet. Ishit ju ata që, ndryshe nga sa parashikohet në nenin 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor, ku thuhet qartësisht se katër muaj para datës së zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi dhe nxjerrja e akteve ligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, e shkelët jo me të dyja këmbët, por këmbë e kokë brenda, duke dhënë çdo përfitim të mundshëm dhe duke dhënë nga buxheti i shtetit miliona e miliona euro, vetëm me një qëllim: marrjen e votës, blerjen e votës, tashmë në mënyrë shtetërore, tashmë në mënyrë të dukshme, shkelje e paprekur fare nga morali, nga ligji, sepse ne jemi shteti dhe ne bëjmë çfarë të duam! Mjafton t’ju kujtoj 6000 leje legalizimesh të dhëna në katër muaj: në Berat 419 legalizime, në Dibër 123, në Durrës 928, në Fier 801, në Gjirokastër 98, në Kukës 124, në Tiranë 1931, në Vlorë 590, në Lezhë 116. Të gjitha llogaritini minimalisht me 3-5 vota të paktën nga familja e tyre, një blerje vote e hapur, në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe në shkelje të çdo parimi gjatë periudhave zgjedhore, kur shteti duhet të ndahet nga partia dhe jo të bëhet njësh me të në funksion të blerjes së votës.
Vota po rinumërohet, thotë zoti “zarfi”. Po, vota po rinumërohet, por ajo votë u shkatërrua dhe u vra para se të futej në kuti dhe e vetmja gjë që po rinumërohet është transparenca e votës së kandidatëve për renditjen e tyre personale, se nuk mund të numërohet një votë për ndryshimin e së cilës nga krimi dhe shteti u paguan miliona euro; nuk mund të numërohet një votë e cila u votua 1 për 4; nuk mund të numërohet një votë e cila erdhi si rezultat i “trenit bullgar” e si rezultat i 100 mekanizmave të tjerë, me të cilët ju jeni bërë tashmë mjeshtër të ndryshimit të rezultatit zgjedhor; nuk mund të numërohet një votë, dhe mund ta rinumërosh edhe 200 herë, e cila ka pas vetes 76 milionë euro bonus elektoral për 730 mijë pensionistë, që ka 33,3 milionë euro asfalt elektoral, që ka 7,2 milionë euro për të marrë në punë 2376 punonjës të rinj në administratë, që ka 2,2 milionë euro pagesa ekstra për paaftësi; një votë që ka nga pas 200 milionë euro gjoba të falura; një votë që ka nga pas 29 mijë e 300 hektarë kanabis. Kjo nuk është më votë për t’u numëruar, kjo nuk është vota e shqiptarëve, këto janë paratë që futen në formë vote në kutitë e votimit nga përdorimi i çdo resursi shtetëror. Ndërkohë që Parlamenti Europian i dëgjoi të gjitha faktet dhe provat, realisht unë nuk e di se si guxoni të flisni akoma për integrim europian, se si flisni akoma për kritere politike, se si flisni akoma për zgjedhje të lira dhe të ndershme! Jemi në vitin 2025. Gjithçka mund të kishte ndodhur në Shqipëri, gjithçka mund të ketë ndodhur në diktaturë, por asgjë nuk e legjitimon që në vitin 2025, kur ne dhe ju bashkë shprehim vullnetin për të qenë një shtet anëtar i Bashkimit Europian, ju nuk plotësoni asnjë kriter minimal. Dhe pastaj anatemoni opozitën pse shkon dhe thotë të vërtetat atje, pse shkon me fakte të Strasburg, pse shkon në Strasburg me video, pse shkon në Strasburg me letra. Po me çfarë të shkojmë në Strasburg ne?! Të shkojmë me propagandën tuaj? Të shkojmë në Strasburg me injorimin e së vërtetës? Jo, ne do të shkojmë me të vërtetën, do t’i qëndrojmë së vërtetës deri në fund dhe do të jemi përballë jush për të vendosur misionin e votës së lirë në Shqipëri.
Shumë faleminderit!

