Ina Zhupa fjalim në Kuvend mbi projektligjin e KOKSH / 26 Qershor 2025

Në fakt, 20 minuta të pavërteta dhe 20 minuta tregove se si nuk duhet bërë sporti! Projektligji që ju keni sjellë është qartësisht një projektligj që përmban, thellon ndërhyrjen e shtetit në organizimin, në funksionimin dhe në financimin e strukturave sportive në Shqipëri, përfshirë fondacionet, federatat dhe komitetet sportive. Kjo është një qasje në kundërshtim me parimet themelore të Kartës Olimpike, me vetë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që në nenin 46 të saj njeh lirinë e organizimit si një të drejtë themelore dhe jo që të ndërhyjë shteti në çdo formë organizimi dhe të futet edhe në sport. 

Ju, zonja Ministre, nuk na përmendët këtu se si shtete si Hungaria dhe Polonia, që kanë bërë ndërhyrje politike në federatat sportive, kanë marrë rezultate negative, përfshirë edhe ndërprerje të financimeve ndërkombëtare dhe pezullimin nga aktivitetet sportive. Ndërsa e kundërta ndodh për vende si Gjermania, Holanda, Zvicra, të cilët kanë bërë një model të ndryshëm nga modeli që ju sillni sot këtu, dhe janë vende që kanë rezultate më të larta, financimin më të mirë dhe sportin më mirë. 

 Çfarë propozimesh sjell ministria, për të gjithë ata që ndoshta nuk i kanë ndjekur komisionet, por që ndjekin seancën?  Në nenin 3 të projektligjit i jepet KOKSH-it rol zyrtar në organizmin e aktiviteteve jashtë procesit mësimor në bashkëpunim me ministrinë dhe institucione shtetërore, duke cenuar kompetencat ekzistuese të Federatës së Sportit Shkollor dhe Federatës së Sportit Universitar. Fasada është: “Nuk e bëjnë në orën e mësimit”. Tani, më thoni ju mua: federatat, kampionatin e bëjnë në orën e mësimit? Edhe Federata e Sportit Shkollor, edhe Federata e Sportit Universitar jashtë orës së mësimit e bëjnë kampionatin, nuk e bëjnë kampionatin dhe aktivitetin sportiv në orën e gjuhë-letërsisë. Vini këtu dhe flisni komplet jashtë çdo sensi logjik. 

Në neni 4 zgjerohet përkufizimi “organizata sportive”, për të përfshirë edhe fondacione sportive, të cilat mund të krijohen nga institucione publike dhe të financohen me fonde shtetërore. Pra, i mbani mend në kohën e komunizmit se si ndërmarrjet kishin skuadrat e tyre të futbollit, edhe se si sporti kthehej në bashkimin e sindikatave të pavarura. Këtë model keni marrë ju, zonja Ministre, modelin ku edhe sportin do e bësh ti dhe Fideli, bashkë, të dy, si dy kokat e shqiponjës së flamurit kombëtar! 

Neni 6 parashikon financim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për organizata si KOKSH-i dhe për këto fondacionet sportive që do të ndërtoni vetë, pa kritere të qarta ndarjeje, pa transparencë, si dhe krijon një avantazh të padrejtë të mbështetur nga shteti me institucionet e sportit, të cilat më pas do të bëhen si zgjatime të interesit të shtetit duke i ndarë “ca të nënës dhe ca të tjerë të njerkës”. 

Sigurisht, “i nënës” është Fidel Ylli, i cili nuk e fshehu në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, pasi erdhi atje dhe jua zhveshi komplet fasadën, dhe tha: “Unë e kam bërë ligjin. Unë e mora gjyqtarin dhe pyeta. Mua m’u tha: “E do Fidel ti këtë të ketë special olimpik brenda”? I thashë: Jo, s’e dua, lëre më vete”. Domethënë, ju keni bërë një ligj, për të cilin jeni konsultuar dhe keni marrë ekspertizë vetëm nga Fidel Ylli; me zë dhe figurë, e pranuar në Komisionin e Edukimit nga vetë Fideli.  

Ndërkohë, federatat e tjera jo vetëm që nuk i keni konsultuar, jo vetëm që nuk i keni thirrur, por kur kanë ardhur në komision me prezencën e sekretarit tuaj të Përgjithshëm dhe të zëvendësministrit, thanë: “Jemi parë këtu pas tre vjetësh, se nuk ishim takuar”. Erdhën në komision dhe flisnin jo vetëm për çështjet e ligjit, por edhe për çështje të tjera, sepse u mungonte konsultimi dhe takimet me ministrinë tënde, që e drejton si ta kesh zyrë personale. Neni 7 vendos bazat e krijimit të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv, të KAS-it. Një organ që është i pavarur (shikoni KAS-in në Lozanë), që është një organizatë private, në të cilën nuk duhet të ndërhyjë shteti, që duhet të ketë besimin e të gjitha palëve që nesër do të marrin pjesë në gjykim. Pra, nëse federatat do të hyjnë në një gjykim në gjykatën sportive, do të duhet që të gjithë ta besojnë atë si një autoritet të pavarur. Kjo bëhet kur mekanizmi i krijimit është i tillë që garanton pavarësi.  

Pse, zonja Ministre, ne kemi në Kushtetutë mënyrën se si zgjidhen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë? Për të dhënë garanci në pavarësinë e procesit. Kur ne kërkuam që të kemi garanci, dhe unë propozova amendament që federatat të kenë garanci se si do të zgjidhej KAS-i dhe të mos ta zgjidhte KOKSHi, ju, jo vetëm që nuk e pranuat, por ju duket sikur po i merrnit ndonjë thelë Fidelit. Edhe mund t’ju vinte SMS-ja në sekondë, sepse nuk kishit ardhur për interesin e sportit në komision, por kishit ardhur me urdhrin dhe me diktatin e Fidel Yllit, edhe KOKSH-it.  

Juve si ministre nuk ju bëri fare përshtypje se si dje Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një vendim të asamblesë për të pezulluar anëtarësinë e saj në KOKSH, edhe falë këtyre ndryshimeve skandaloze që keni bërë ju atje, sepse nuk mundet që një federatë të hyjë në gjykim në KAS, kur KOKSH-i vendos se kush do të jetë KAS-i. Se vjen këtu dhe na thua: “Jo, do të jetë asambleja e KOKSH-it dhe asambleja janë të gjitha federatat”.  

Që të sqaroj publikun: është njëlloj sikur Kuvendi i Shqipërisë, meqenëse janë të gjithë deputetët anëtarë, të krijojë një gjykatë vetë, e cila të gjykojë për kushtetutshmërinë e ligjeve dhe mos t’i çojmë ligjet në Gjykatën Kushtetuese; ta ngrini ju këtu, se normalisht do të vendosë mazhoranca, pasi ju i keni votat se kush do të jenë gjyqtarët dhe, pastaj, ju do të gjykoni nëse një ligj është antikushtetues apo jo. Këtë doni të bëni edhe me KOKSH-in, duke qenë se aty janë të gjitha federatat, por ama të gjitha federatat nuk janë dakord me mënyrën se si qeveriset KOKSH-i dhe mund të kenë edhe problematika me KOKSH-in, siç kemi ne si deputetë në opozitë me mënyrën se si e drejtoni ju Kuvendin dhe se si sillet mazhoranca në Kuvend.  Këta tani duhet ta kenë garancinë e drejtësisë te gjyqtarët që do të vendosë Fidel Ylli dhe KOKSH-i, meqenëse asambleja, që do të thotë shumica e asamblesë, ka marrë atë vendim! Ja, këtë sillni ju! A ka logjikë kjo, zonja Ministre? A ka logjikë që njëra palë të vendosë gjyqtarët dhe të shkojë në gjykim me palën tjetër? Këtë bëni ju. Këtë keni bërë dhe vini këtu dhe thoni: “Po bëjmë arritje për sportin”. Ndërkohë, jurisprudenca ndërkombëtare e ka natyrën e arbitrazhit si drejtësi private dhe si një mënyrë ku autoritetet publike qëndrojnë sa më larg, se ndryshe ata shkojnë dhe gjykohen në gjykatë. Gjykatat janë këtu dhe mund të merren edhe me interpretime statuti, por këtë ju nuk e lejoni. 

Për procesin e konsultimit besoj se nuk ka nevojë të shtoj gjë, sepse kanë qenë live federatat, e kanë thënë me zë dhe me figurë, që ishte zero dhe nuk keni pyetur askënd. Ndërkohë, vetë projektligji nuk bën një përafrim me një detyrim që ka ky Kuvend, për të cilin ju flisni, me standardet e Bashkimit Europian, me acquis communautaire, përkundrazi krijon një model që po e largon Shqipërinë nga standardet që ka Bashkimi Europian; krijon shkelje të dispozitave të Kartës Olimpike; krijon shkelje të dispozitave të Kartës Europiane të Sportit dhe rekomandimeve të EPA-s; përbën shkelje të vetë ligjeve në fuqi dhe dispozitave, neneve, me njëritjetrin. Diku në një nen është Federata e Sportit Shkollor dhe Federata e Sportit Universitar, që kanë ekskluzivitetin e aktiviteteve në shkolla dhe në universitete, por tashmë ju fusni edhe KOKSHin, dhe nuk i jepni pak, por i jepni 5 milionë euro për këto aktivitete që duhet t’i bënin federatat, ia jepni Fidel Yllit dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.  

Nëse keni vullnet, se unë nuk e kam kohën të pakufizuar si ju, që të bëni diçka të mirë për sportin, hajde të votojmë një amendament, të paktën që ndryshon KAS-in dhe që u jep garanci federatave që nuk do t’i vendosë Fidel Ylli gjyqtarët dhe arbitrazhin dhe pastaj do të shkojë si palë atje, por të jenë të gjithë të barabartë, të paktën, para KAS-it. Të gjitha ndryshimet që sillni ju këtu fshehin një ligj fidelist, që u shërben interesave klienteliste të KOKSH-it dhe të Fidel Yllit. 

Shumë Faleminderit!