Fjalim në Kuvend mbi zonat e mbrojtura dhe pastërtinë e ujrave dhe deteve- 30 Maj 2024

Kjo seancë nisi në mënyrën më të keqe të mundshme, nga njëra anë, Kryetarja e Kuvendit rrëzoi kërkesën e deputeteve opozitare për një mocion me debat dhe rezolutën për dhunën ndaj gazetarëve, por, ndërkohë që ndodhte kjo, në lozhën e Kuvendit ushtrohej përsëri presion ndaj gazetarëve, me një gjuhë aspak etike nga punonjësit e Gardës së Republikës. 

Këtë projektligj ministri i Brendshëm, por edhe deputetët tuaj, si deputeti Gogu, e lidhën me turizmin, e lidhën me suksesin që do të kenë adresat tek turizmi, sepse turistët do t’i gjejnë lehtësisht adresat e shtëpive që do të marrin me qira. Në fakt, më duket një lidhje shumë e largët, sepse ka gjëra të tjera shumë të rëndësishme, që lidhen drejtpërdrejt me turizmin dhe me atë të mirë që duhet t’i vijë turizmit nga puna që bën qeveria apo nga puna që bëjnë bashkitë.   

Para pak kohësh ju kaluat ligjin “Për zonat e mbrojtura”, ku i hapët rrugë ndërtimit. Unë sot dua të denoncoj se si ka filluar realisht puna për të ndërtuar plane ndërtimore në këto zona. Konkretisht, janë dy njoftime publike në 

“Buletinin e prokurimeve publike”, ku i pari ka të bëjë me procedurën e hapur, pra me procedurën e njoftimit të kontratës, ku kërkohen hartime të planeve për liqenin e Shkodrës dhe për malin e Tomorit, me një fond limit 250 milionë lekë.  

Njoftimi tjetër është projekti i zbatimit për parkun natyror të liqenit të Ulzës dhe zonat përreth, me një vlerë rreth 4,5 milionë euro. Po çfarë kanë të veçantë këto? Këto janë kategorizuar si punime ndërtimi dhe nga Ministria e Mjedisit kërkohet një procedurë tenderimi, me fonde të konsiderueshme, për t’ua dhënë studiove urbanistike private, që të planifikojnë ndërtime në zonat e mbrojtura. Këto ndërtime do të justifikohen edhe me planet e reja të ndërtimit dhe të zhvillimit, të cilat kërkohen nga ministria.  

Në të gjithë botën studimet për zonat e mbrojtura kanë të bëjnë me masat që duhet të merren për menaxhimin e qëndrueshëm dhe shumëfunksional, për mbrojtjen, sigurimin dhe zhvillimin e biodiveristetit në kushte sa më afër natyrës, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta: hiqet statusi, ulet mbrojtja, si dhe bëhen planifikime për ndërtime urbane. Të gjitha këto janë në kundërshtim të hapur me konventat, me direktivat, me amendamentet ndërkombëtare dhe kombëtare.  

Këto janë tenderë me vlerë shumë të lartë, janë tenderë që flasin shumë për mënyrën se si duam t’i trajtojmë zonat e mbrojtura në Shqipëri, a duam të ndërtojmë një turizëm të natyrës gjithëvjetor, apo duam të ndërtojmë vila që u shërbejnë interesave private të oligarkëve dhe të ndërtuesve, që ua kanë vënë syrin zonave të mbrojtura. Kjo po që ndikon në numrin e turistëve, jo adresa dhe kodi i adresave që thoni ju. 

Gjithashtu, në numrin e turistëve ndikojnë (do ta shënoj në kalendar kur Mirela Kumbaro të jetë prezent në sallë kur të flas unë, zakonisht nuk është fare, por kur flas unë jo e jo), edhe disa faktorë, që janë shumë të rëndësishëm: cilësia e mjedisit, cilësia e ajrit dhe cilësia e ujërave, sepse turistët nuk vijnë për t’u sëmurur, por për të kaluar disa pushime të shëndetshme. 

Citova pak më parë, në përgjigje të ministrit të Brendshëm, raportin e fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit, që ka dalë dje, i cili e rendit Shqipërinë të fundit në listë, për sa i takon pastërtisë së ujërave në dete, liqene apo lumenj, duke hedhur poshtë propagandën e qeverisë. Si do të vijnë turistët për t’u larë, ata vetë dhe fëmijët e tyre, në detin shqiptar kur të lexojnë këtë raport të Agjencisë Europiane të Mjedisit? Ky raport ka analizuar ujërat larës gjatë vitit 2023  për dy parametrat shëndetësorë, ku bëhet fjalë për përmbajtjen e baktereve, si escherichia coli e të tjerë. Publikimi i këtyre rezultateve është një informacion publik, të cilin mund ta aksesojë çdo turist që di anglisht.   

Ky është një faktor tjetër, që do të ndikojë në numrin e turistëve dhe është drejtpërdrejt përgjegjësi e ministres së “Ndërtimit” tashmë, Mirela Kumbaro. Po ministrja është e zënë me këngë e valle, sepse mendon se turistët do të vijnë në Shqipëri, nëse kërcen bukur Mirela apo nëse merr një iso labe me Tërmet Peçin. Në fakt, nuk është kjo, nuk vijnë për këtë. Mund të jetë interesante për like dhe share në Facebook, por nuk është arsye pse turistët zgjedhin të vijnë në Shqipëri; adresat jo e jo, besoj. 

Mua më vjen keq, sepse kriteret për operatorët që funksionojnë në zonat turistike (unë i kam denoncuar edhe këtu); kriteret për ata që marrin plazhet; kriteret për ata që marrin trenat; kriteret për ata që marrin pak aktivitet ekonomik atje lidhen me njerëzit që janë afër pushtetit, me teserën e partisë apo me nivelin e njohjes me ministren Mirela Kumbaro. 

Ishte prezente këtu kur unë i kam kërkuar (tashmë i kam çuar edhe kërkesë zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë), të na shpjegojë se cilat ishin procedurat e garës, afatet, thirrja dhe kriteret që përdori për të dhënë trenin te Syri i Kaltër, por ajo heshti. Ajo heshti, sepse e di shumë mirë që e vërteta është një e vërtetë që vret propagandën. Atë shërbim e kanë marrë pa asnjë procedurë njerëz të lidhur me familjen e nënkryetarit të Bashkisë së Sarandës. Kjo, sigurisht, nuk i shërben klimës në vend, nuk i shërben turizmit apo biznesit. Ne ia dimë adresën Syrit të Kaltër, por nuk ia dimë adresën pronarit të trenit të Syrit të Kaltër.

Ju bëtë ligjin “Për zonat e mbrojtura”. Ne ua dimë adresat të gjitha zonave të mbrojtura, por nuk ua dimë adresat oligarkëve, që ju keni planifikuar t’u jepni zonat e mbrojtura në Shqipëri; nuk e dimë adresën e atyre specialistëve, të cilët duhet të bënin referenca në ministrinë e 

“Ndërtimit” të zonjës Kumbaro mbi impaktin mjedisor dhe mbi shqyrtimin që duhet t’i bënit ligjit, sepse,  në fakt, nuk i pyetët, nuk i morët fare në refene as specialistët, as organizatat e shoqërisë civile, as deputetët e opozitës, por morët në referencë vetëm atë që ju kërkonin oligarkët, të cilët i kishin bërë gati planet, me adresa të caktuara. Adresa është për Parkun e Karavastasë për “Kingcoast resort”; adresa është për Butrintin, për të ndërtuar ato pikat e vogla, me resorte, të Mirela Kumbaros, që i flet edhe UNESCO; adresa është për Zvërnecin; Nartën dhe zonat e mbrojtura dhe, së fundi, për malin e Tomorit; për liqenin e Shkodrës apo për Ulzën.  

Këto adresa njihen shumë mirë dhe nuk kanë nevojë për kodin me 18 shifra të zotit Balla, por kanë nevojë për shifrat me 18 zero, që i vënë në funksion oligarkët për të ndërtuar resortet dhe vilat e tyre, të cilat nuk janë aspak në shërbim të qytetarëve shqiptarë, në shërbim të turizmit, por vetëm në shërbim të xhepave të atyre vetë dhe të qeveritarëve që sjellin në këtë Parlament seri ligjesh me porosi, seri ligjesh kundër interesit publik, të cilat kanë vetëm një adresë: Kryeministrinë dhe Kryeministrin Edi Rama, si dërguesi i këtyre ligjeve. 

Faleminderit!