Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Të nderuar qytetarë,
Çështjet që këta i quajnë jashtë rendit të ditës së parlamentit, janë, në fakt, brenda rendit të ditës së jetës së qytetarëve shqiptarë. Varfëria dhe pamundësia e shqiptarëve shikohen si çështje teknike, madje arrijnë deri aty sa të thonë se të varfër nuk ka, nuk vdes njeri për bukë, ekonomia jonë po lulëzon. Kur kompanitë rrisin çmimin e miellit dhe Autoriteti i Konkurrencës nuk i gjobit dhe as merr masa, këta i përgëzojnë, mundësisht ta kishin rritur edhe më shumë çmimin, sepse nuk ka gjë, shqiptarët mbajnë, durojnë gjatë.
Sot nuk ka shqiptar që nuk e ndien në xhepin e tij rritjen e çmimeve, të paktën në shpenzimet ditore 2000 lekë të vjetër, 60 000 lekë në muaj shtesë. A shtuan ndonjë pension? A shtuan ndonjë pagë? A u shtua ndonjë asistencë? Jo, asgjë; mbajnë shqiptarët!
Shqipëria është i pari vend në Europë për konsumin e bukës, 87,5% e produkteve me të cilat ushqehen gjatë një muaji. Jo se duan të hanë bukë thatë, por se nuk kanë mundësi të blejnë produkte të tjera, se produktet e tjera të shportës ushqimore janë kthyer si produkte luksi, por këta nuk e kuptojnë. Këta nuk e kuptojnë, sepse këta mundohen ta heqin bukën nga dieta ushqimore, se ka shumë karbohidrate dhe ta zëvendësojnë me darka te Nusreti, me biftek me ar, me produkte peshku.
Siç e tha edhe deputeti juaj në tentativë, që e hoqët për shkak të herësit, pse vetëm bukë hanë shqiptarët?! Me të drejtë, shqiptarët i krahason vetëm me anëtarët e maxhorancës së këtij parlamenti.
Një pensionist në fshat merr 29 000 lekë të vjetër; i mbaron pensioni vetëm nëse paguan faturën e dritave dhe, kur nuk e paguante këtë të fundit, më përpara e fusnin në burg, tani thjesht i presin dritat dhe vdes nga të ftohtët, siç vdiq në fakt nënë Barbulla, por e keni harruar, se një vdekje për ju nuk do të thotë asgjë, por ka edhe qindra të tjera të mosraportuara nga turpi i familjarëve për këtë gjendje të mjerueshme. Një pensionist në qytet merr 66 000 lekë të vjetër. Nuk ia del dot të paguajë vetëm diferencën e ilaçeve që ka në recetë me ilaçet që rimburson shteti, të cilat nuk përputhen në shumicën e rasteve. Po marrim atë pensionistin që ka luksin të marrë 200 000 lekë, atë pensionistin “e pasur”. Ky pensionisti me 200 000 lekë duhet t’ia dalë të paguajë drita, ujë dhe një rimbushje telefoni për të folur me familjarët kur ka ndonjë hall; ilaçe, ushqime dhe gjithçka. Kurrë nuk ia del. Më gjeni ju një pensionist, qofshin edhe prindërit tanë, që arrin ta mbyllë muajin pa ndihmën e fëmijëve ose pa marrë borxh, ose pa vuajtur një pjesë të kohës nga uria dhe mungesat! Nuk do të arrini dot ta gjeni, sepse nuk ka! Kanë një jetë që kanë paguar sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore; një jetë që kanë punuar në socializëm, por edhe në demokraci dhe të mos arrijnë dot ta shijojnë pleqërinë në këtë vend!
Meqë jemi në tetorin e kancerit të gjirit, ju ftoj miqësisht, sidomos qeverinë që, para se të vendosë fjongot për sensibilizim, është më mirë një mamografi dhe një eko falas; është më mirë ndihma financiare, në mënyrë të tillë që të ekzaminohen në kohë, në mënyrë të tillë që të parandalohet sa më shpejt. Të sëmurat janë të detyruara të paguajnë dhe këtë e kam rast konkret. Ju ofroni me rimbursim Xeloda-n për kancerin e gjirit. Ajo që ofroni ju, pas analizave, nuk ka asnjë efekt dhe të gjithë janë të detyruar që të blejnë Xeloda-n e Roche-së, e cila kushton 100 mijë lekë plus asaj që rimbursoni ju. A e dini ju se një i sëmurë me kancer gjiri ka nevojë edhe për suplemente, edhe për vitaminën C?! (Bie gongu.)
Që nuk e keni me rimbursim, por duhet ta blejnë me paratë e tyre. Duan ushqim të mirë, trajtim të mirë, të cilat nuk i keni.
Një pensioniste më tha (dhe me këtë rast do ta mbyll fjalën time për efekt kohe): “Kam frikë të vdes, jo vetëm sepse e dua jetën, por sepse edhe për t’u varrosur u duhen fëmijëve të mi 1 milion e 700 mijë lekë, që duhet t’i marrin borxh”. Kjo është gjendja e mjerë në të cilën e keni katandisur vendin! Tmerr të jetosh e tmerr të vdesësh, ndërkohë që ju flisni për satelitë!
Faleminderit!