Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, për çështjen e konventës besoj se biem të gjithë dakord dhe është nga ato raste kur do të ketë votat e të gjithëve, edhe të maxhorancës, edhe të opozitës.
Unë dua të ndaj me ju problemet konkrete, për të cilat ne ndahemi. Javën e kaluar ishte një protestë e pedagogëve të universiteteve për çështjet që ata kishin ngritur. Qeveria e trajtoi sikur ishte një rrufe në qiell të pastër, sikur nuk e priste. Në fakt, përfitoj që është ministrja sot, jo si javën e kaluar, të theksoj se në datën 07.07.2022 sindikata e punonjësve të universiteteve i ka çuar një letër ministres, ashtu siç e ka bërë edhe publike, me nëntë kërkesa, për të cilat ata protestonin. Kjo është letra e datës 07.07.2022.
Në datën 30.08.2022 Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka bërë një peticion, pra ka zgjedhur të gjitha rrugët zyrtare, drejtuar Kryeministrit dhe ministres së Arsimit, si dhe rektorëve të Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik, Universitetit të Mjekësisë, Universitetit Bujqësor, Universitetit të Durrësit, ato të Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe Vlorës.
Po këta pedagogë bënë një protestë para një jave, fiks para një jave, ndërkohë që ne ishim këtu në sallë e diskutonim. Pavarësisht të tria këtyre elementeve, duket sikur nuk ka ndodhur asgjë: ministrja nuk reagon, anëtarët e qeverisë nuk reagojnë, por presin ditën kur të fillojë shkolla për të vajtur në universitete dhe për të bërë propagandën e radhës: ndërkombëtarizim, digjitalizim e të tjera “izim, izim…” dhe në fund asgjë për pedagogët. Kur të ndodhin protestat e radhës, ju përsëri do të mundoheni të mbuloni zhurmën mediatike me një propagandë të radhës.
Në qoftë se ministrja nuk i di, po jua them unë kërkesat që kanë pedagogët: rritjen e pagave për pedagogët dhe për stafin ndihmës.
2. Rritjen e financimit për kërkimin shkencor.
3. Rivendosjen e shtesës për pagën, shpërblimet për laborantët, vështirësitë që kanë në punë kur punojnë me substancat e rrezikshme.
4. Rritjen e shtesës mbi pagën për vjetërsinë e punës për personelin akademik të punësuar me kohë të plotë për çdo vit pune nga masa 0,5%. E kuptoni sa është? 0,5%! Ata kërkojnë të rritet në masën 1% dhe nga 15 vjet, që është aktualisht, në 25 vjet.
5. Rritjen e pagesës për orët dhe për ngarkesën suplementare që kanë pedagogët e brendshëm, pedagogët e jashtëm dhe t’i afrohet në njëfarë mënyre dhe vlerës së pagesave që kanë shtetet e rajonit.
6. Rivlerësimin e orës mësimore, pasi ka një zbritje prej 50% të pagës së orës mësimore, tashmë ka dy vjet që nuk bëhet diferencim midis orës mësimore të leksionit dhe asaj të seminarit.
7. Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare. 8. Keni një amendim për sa i përket çështjes së titullit “Profesor”. Ju keni kërkuar udhëheqjen e doktoraturave, pastaj i keni
bllokuar doktoraturat. Keni krijuar një ngërç, i cili reflektohet tek ecja përpara e interesave akademike që kanë pedagogët.
Pra, peticionin e keni, kërkesën e keni, protestën e keni, unë jua solla këtu. Tani minimumi që duhet të bëni, duhet të reagoni, por jo për të thënë: “Sa bukur qeverisim ne; sa shumë që kemi bërë ne deri tani”, por për të kërkuar takim me rektorët dhe me pedagogët për të vendosur faturën financiare dhe se si do të bashkëpunoni për të ndryshuar VKM-të bashkë me rektoratin për të reflektuar kërkesat e pedagogëve.
Nga ana tjetër, kemi studentët, a mendon ndonjëri nga ju se studentëve, që do të vijnë në tetor nga rrethet, u është rritur kostoja e qirasë; që studentëve u është rritur kostoja e transportit; u është rritur kostoja për t’u ushqyer; u është rritur kostoja për t’u veshur; u është rritur pagesa e librave; u është rritur pagesa e orës së internetit? Gjithçka! Nuk ka asnjë paketë se si mund të ndihmohen studentët financiarisht. Kosova e ka. Iu dha 100 euro. Ne nuk u japim asgjë. Ne nuk i mendojmë studentët si një shtresë, e cila duhet të ndihmohet, i duhet dhënë një dorë, përkundrazi duan t’i shtyjnë të ikin sa më shumë dhe të studiojnë jashtë. 1 në 3 maturantë nuk ka aplikuar fare në sistemin tonë për universitet, por kanë ikur direkt; kanë aplikuar jashtë. Ky nuk është lajm i mirë, pavarësisht se është lajm i mirë që studentët tanë kanë aftësi për të fituar jashtë. Nuk është lajm i mirë që po na ikën rinia dhe do të presim pleqtë e Gjermanisë, siç thotë Edi Rama, që ta kthejmë Shqipërinë në një azil të madh pleqsh e plakash dhe të mos kemi më shpresë për vendin tonë. Besoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme, për të cilën ministrja duhet të japë përgjigje.
Për mua momenti tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, ka të bëjë me koncesionet, si metoda e re e administrimit të trashëgimisë kulturore pas Butrintit, i cili sigurisht që do të rrëzohet shumë shpejt nga Gjykata Kushtetuese. Këta kanë përgatitur planin e menaxhimit të integruar për Durrësin dhe për Pallatin e Brigadave. Nëse i shikoni këto plane menaxhimi, e para bëhen publike pasi ndodhin; asnjëherë nuk ka një thirrje të hapur; asnjëherë nuk ka një lajmërim që të gjithë aktorët dhe faktorët të përfshihen për të dhënë idetë e tyre. Nëse shikoni planin e Pallatit të Brigadave, do të vëreni që meraku më i madh është të delimitojmë zonën e parkut që t’i heqin edhe ca ansamblit historik të Pallatit të Brigadave dhe t’ia japin oligarkut të radhës. Meraku më i madh është të ndërtojnë një hotel të madh atje që do të presë personalitete të huaja dhe shqiptare. Po kush do ta ndërtojë hotelin; kush do ta menaxhojë hotelin; kush do t’i marrë? Do t’i bëjë shteti shqiptar, apo do t’i japë me PPP, do t’i japë me koncesion? Meraku më i madh i Pallatit të Brigadave ishte si të hiqnin Gardën që atje dhe të ndërtonin disa zyra, asgjë që të kishte të bënte realisht me Pallatin e Brigadave dhe me merakun për Pallatin e Brigadave. Shkaku ishte i njëjtë me teatrin: lagështirë. Pallati i Brigadave ka lagështirë, hajde të ndërtojmë hotel për të zgjidhur problemin e lagështirës. Kjo është një logjikë që nuk e di ku e ka bazën, përveçse te mania për të marrë gjithçka, për të shkatërruar gjithçka në këtë vend, që të mos ketë me çfarë të identifikohet qoftë Tirana, qoftë Shqipëria, përveçse me ato që i ka shumë dëshirë ministrja, me pallate, sepse, siç thotë ajo dhe siç e keni parë në rrjetet sociale: “Nuk do të jetojmë në qytetet antike, por do të jetojmë në civilizimin e pallateve”. Zbulimet në Durrës i kanë mbuluar, siç i kanë mbuluar dhe parashikojnë përsëri t’i mbulojnë e të ndërtojnë pallate sipër, sepse fëmijët nuk jetojnë dot – thotë – në qytetet antike, por duhet të jetojnë në pallate, sepse i di zonat e trashëgimisë kulturore si vende ku mund të jetohet.
Vetëm në Shqipëri mund të kemi papërgjegjshmëri të tillë. Prandaj do t’ju lutesha që komisioni përgjegjës, i cili është Komisioni për Edukimin, të bëhet pjesëmarrës i planeve tuaja të menaxhimit; nuk është përgjegjës Komisioni i Ekonomisë, se nuk është mall tregtar as Pallati i Brigadave. Shumë faleminderit!
PJESA 2:
Po e nis me këtë të fundit. E kam pranuar ftesën, e kam konfirmuar dhe këtë do ta bëj publike, por, kur kam parë agjendën tuaj, pashë që ju na kishit vënë si spektatorë që të duartrokisnim arritjet tuaja. Asnjë anëtar i Komisionit të Edukimit, jo vetëm ne, të opozitës, se na keni frikë dhe është normale që nuk doni ta dëgjoni të vërtetën, nuk kishit vënë për të folur, madje as anëtarët tuaj të këtij komisioni. Pra, Komisioni i Edukimit i parlamentit, institucioni ku ju vini e jepni llogari, nuk paska rol në kongresin e arsimit! Nuk kishte as një folës, as nga tuajit dhe as nga tanët. Unë që të vij të duartrokas arritjet tuaja imagjinare, nuk e bëj dot, sepse jam deputete e votuar për të treguar të vërtetën dhe për të thënë të vërtetën. Prandaj, nëse doni të na ftoni, na ftoni dhe do të na keni atje, duke jua thënë të gjitha një për një!
Për sa i përket vitit të ri shkollor, në vitin e ri shkollor duhej të thoshim të vërtetën, duhej t’u thoshim qytetarëve se çfarë i priste fëmijët këtë vit. Ju i keni parë për ditë denoncimet e Partisë Demokratike. Dje unë isha te shkolla “Emin Duraku”. Nesër më shikoni në një shkollë tjetër. Sot ishte dikush te shkolla “Azem Hajdari”. Do të më shikoni edhe pasnesër, se ndoshta nuk i dini shkollat se si i keni lënë, se si keni tejkaluar afatet e ndërtimit, se si në mes të Tiranës zhvillohet mësim me dy turne.
Për sa u përket pedagogëve, e di shumë mirë që keni bërë pa fund dreka e darka, jeni mjeshtër për ta bërë takime pa prodhuar asgjë, por po them rezultatin. Protesta e pedagogëve ishte reale dhe ata nuk kanë asnjë rezultat nga ju, përveçse drekat e darkat që hani me rektorët.
Shumë faleminderit!
PJESA 3:
Faleminderit, zonja drejtuese!
Në bazë të vendimit nr. 61, të vitit 2018, ne kemi një Kod Sjelljeje të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Në pikën 3 thuhet: “Shpërdorimi i të drejtave procedurale”. Zotin Balla, gjatë gjithë kohës, ju e latë ta mbaronte fjalën deri në fund, ai keqpërdori të drejtën e tij për procedurë teksa fyeu të gjithë kolegët me fjalorin që përdori këtu. A mundeni ju t’i tërhiqni vëmendjen dhe t’i jepni një vërejtje zotit Balla, për gjuhën fyese që përdori ndaj të gjithë kolegëve këtu dhe për shpërdorimin e të drejtës së tij për të folur për procedurë? Kaq kisha.
Faleminderit!