Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë | 6 Tetor 2022

Dua ta nis fjalën time me një tërheqje vëmendjeje ndaj drejtimit të kësaj seance, e cila nuk njeh Rregullore. Kur deputeti e kërkon fjalën për procedurë, duhet t’ia japësh menjëherë fjalën dhe se si do të jetë procedura, atë e di deputeti. Ju mund t’ia tërhiqni fjalën nëse nuk do të jetë për procedurë, por jo pa folur deputeti ju ta dini paraprakisht dhe të ktheni edhe përgjigje. Një herë thoni ishte ministrja, më pas nuk ishte ministrja dhe më pas kërkoje llogari se ku isha unë.

Ju lutem, zbatoni Rregulloren!

Kur flet çdo deputet për procedurë, ka një minutazh të caktuar. Nuk mund që kush ka thinja, të flasë më shumë dhe kush nuk ka thinja, të flas më pak; ai që ju keni qejf të flasë më shumë dhe ai që nuk e keni qejf ju, të flasë më pak. Rregullorja nuk e ka këtë. Nëse keni respekt personal, këtë tregojeni në kafe, ndërsa këtu zbatoni Rregulloren për të gjithë njëlloj, se për atë jeni aty.

Për sa i përket trashëgimisë kulturore, t’ju them të drejtën, falënderoj qeverinë japoneze jo vetëm për donacionin, por edhe për mundësinë që na dhatë që pas 3 muajsh të dëgjonim të fliste ministrja e Kulturës në foltoren e parlamentit, sepse nuk flet më. Ia kanë këshilluar si strategji, siç duket, sepse pas të gjitha atyre bëmave që fliste në media, i thanë të mos fliste fare se do të dilte më mirë. Kjo është ajo që mendoj unë, ndoshta mund të mos jetë kjo, mund të ketë pasur edhe arsye të tjera, por këtë le ta sqarojë vetë.

Sot e dëgjuam teksa fliste dhe mburrej për paratë e dhëna nga qeveria japoneze, ndërkohë që nuk ka gojë për të folur për krimet që bëhen për trashëgiminë kulturore dhe menaxhimin e siteve të trashëgimisë kulturore me planet e saj të menaxhimit në Ministrinë e Kulturës. Në datën 13 shtator i kam dërguar kërkesë zyrtare Ministrisë së Kulturës dhe ende sot, në kundërshtim me ligjin, nuk kam marrë përgjigje, do t’ia çoj edhe Komisionerit për Informim, derisa ju të më jepni përgjigje se cilat ishin kriteret që ju zgjodhët Richard Hodges-in në bordin e administrimit të Butrintit. Cilët ishin rivalët e Richard Hodges? Pse nuk i zgjodhën ata, por u zgjodh Hodges?

A e dini ju, zonja Ministre, se sot që ne jemi duke folur këtu, Hodges-i gërmon në Butrint? Unë shkova atje dhe pashë që prisnin Hodges-in të vinte për të gërmuar, për të shkruar historinë tonë dhe të na tregojë identitetin tonë kombëtar. Keni 10 pyetje me shkresë zyrtare dhe nuk keni kthyer asnjë përgjigje.

Na tregoni si u zgjodh Lorenc Bejko, drejtori ekzekutiv. Si e vendosët, si do të jenë kriteret për drejtorin e ardhshëm, cilat do të jenë mënyrat që ju do të rekrutoni, apo e keni paracaktuar një boshnjake? Për këto duhet të ktheni një përgjigje zyrtare. Duhet të ktheni përgjigje zyrtare mbi kriteret, që edhe gojët e liga, që për rastin e Hodges-it dolën të vërteta, t’i shuajmë. Kthejini përgjigje zyrtare kërkesës sime se sa ciceronë dhe guida kemi ne nëpër sitet tona të arkeologjisë. Sa kemi nëpër muze? A janë ato qesharake, siç janë në fakt, apo jo? Ne për të gjithë Butrintin kemi 2 guida. Sa ture bëhen atje, sa qytetarë e vizitojnë Butrintin, ndërkohë që ju mburreni? Më pas ato para do t’i marrë fondacioni privat, por fakti është që sot ka 2 guida.

Tani do të flas për Muzeun Historik. Ju duhet të vinit këtu sot dhe të na flisnit se kur ka qenë hera e fundit që ju si ministri keni vënë dorë në atë muze? A e dini? Kur është hera e fundit që ju keni miratuar një fond, jo kur jua japin të tjerët, për atë muze? A po parashikohet, këtë e kam pyetje, muzeu, duke qenë se i prish punë kompleksit të kullave atje, do ta bëni kullë me muze apo muze me kullë, se e keni stil këtë? Këtë e parashikoj nga zona dhe nga ajo që flitet, që shumë shpejt mund të kemi si teatri me kullë edhe një muze historik me kullë, anash, majtas apo djathtas këtë e vendosni ju, kështu që dilni dhe sqarojani publikut. Ndërkohë, ashtu siç e kam thënë edhe në këtë foltore, të njëjtat plane menaxhimi përgatiten edhe për site të tjera si Butrinti që t’ia jepni privatit, duke treguar vullnet të qartë për të mos u tërhequr. Jo më larg se dje në Komisionin për Edukimin u diskutua projektligji “Për ndryshime të ligjit të trashëgimisë kulturore”. Nenet 171, 172 dhe 173 tregonin qartësisht urdhrin e marrë nga lart që ju nuk hiqni dorë nga dhënia me PPP e siteve të trashëgimisë kulturore, sepse planet i keni bërë gati, me siguri i keni zgjedhur dhe i keni paracaktuar, siç bëtë me Butrintin, ata që do t’i marrin. Jo më larg se këtu ku ndodhemi ne, është Pallati i Brigadave, pallati presidencial, që do të kalojnë me PPP shumë shpejt dhe parashikohet që aty do të ndërtohen hotele, restorante, parkingje për vizitorët, mjedise të tjera çlodhëse, ndërkohë që i gjithë interesi është te pjesa e parkut, e ndërtimit, e oligarkut dhe e biletave.

Nëse ju mendoni se ky model është modeli më i mirë i administrimit, e para, po bëni një shpikje që nuk e ka asnjë vend tjetër i botës, sepse e ndalojnë konventat, e ndalon Kushtetuta, që vendos garant shtetin shqiptar për identitetin dhe trashëgiminë kulturore, neni 3 i saj, ndërkohë që ju jo vetëm bëni shpikje, por edhe vjedhje të mëdha dhe abuzim me atë që duhet të jetë pasuria dhe trashëgimia jonë e përbashkët.

Fondet e qeverive, për rastin konkret të qeverisë japoneze, janë të mirëpritura. Pse? Sepse ju heqin juve të drejtën për të thënë që ne nuk kemi para për të investuar këtu apo atje.

Po ashtu, thatë që nuk keni para për pedagogët. Këtu dua që 2 minutat e fundit të flas për ta, meqenëse jam edhe vetë pedagoge dhe e ndiej këtë pjesë. Ju kam nxjerrë me të dhëna zyrtare, sepse dua të jem konkrete, nivelin e pagave mesatare të pedagogëve në vendet e rajonit. Në Shqipëri paga mesatare është 680 euro, në Kosovë 850 euro, në Maqedoninë e Veriut është 1072 euro, në Bosnjë është 1200 euro, në Serbi është 1679 euro dhe në Malin e Zi është 1830 euro. Pra, ne jemi me një pagë mesatare 680 euro, niveli dhe titulli “Profesor”. Ju nuk e dini sesa punë, mund dhe para duhen për të arritur këtë titull dhe më pas të paguhesh me 680 euro. Kjo është tallje, qesharake dhe abuzim. Ju thatë se nuk kemi para dhe do t’jua rrisim vetëm 7%. Si nuk keni para? A e dini sa është fatura financiare dhe efekti në buxhet për rritjen e pagave të 950 pedagogëve me 50%? 4,2 milionë euro, ndërkohë që 4,2 milionë euro është vetëm instalacioni në Kryeministri. Nuk i keni ju këto para? Mjaftonte të mos e kishit bërë instalacionin në Kryeministri. Ndërsa me 7% efekti në buxhet është 600 mijë euro. Si ka mundësi që nuk gjenden paratë sa herë flitet për qytetarët, për trashëgiminë kulturore, për mësuesit, për studentët, por gjenden para për pista, instalacione, lukse dhe zyra? Si ka mundësi që gjenden 420 milionë euro për inceneratorë që nuk djegin asgjë dhe plehrat janë në landifille? Ja, pra, ky është modeli juaj i keqqeverisjes, i vjedhjes, i keqpërdorimit dhe i shpërdorimit të parasë publike.

Faleminderit!

Faleminderit!

Në fakt, kjo është arsyeja pse dua që të flasë ministrja, që ta kuptojnë mirë qytetarët nivelin e propagandës dhe mungesën e argumentit. Sa më shumë të flasë ajo, aq më shumë e kuptojnë qytetarët të vërtetën.

 Ky që do të dëgjoni, është personiqë ka zgjedhur zonja.

(Deputetja Ina Zhupa vendos një audio në italisht.) Kjo do të thotë se këta kanë zgjedhur për të menaxhuar trashëgiminë tonë kulturore, Butrintin, një njeri që thotë se Saranda duhet të jetë tokë greke dhe që Butrinti është i Greqisë. Çdo gjë tjetër që mund të përpiqet zonja ministre ta fshehë, nuk e fsheh dot realitetin, nuk e heq dot zërin e Richard Hodges, nuk e fsheh dot faktin që Butrinti është dhënë me koncension, nuk e fsheh dot faktin që KLSH-ja nuk e auditon dot, nuk e fsheh dot faktin që nuk ka konventë jo vetëm ndërkombëtare, por nuk ka asnjë sens logjik që shtetet të dorëzojnë pasurinë e tyre kombëtare te njerëz privatë, të cilët në këtë rast kanë edhe qëllime të dyshimta në lidhje me shkrimin e historisë dhe identitetit të një populli.

Këtë nuk e zhbën dot, zonja Ministre, sepse e ka bërë këtë dëm, dhe po përpiqet që të njëjtin dëm që ka bërë me Butrintin, ta bëjë edhe me site të tjera të trashëgimisë kulturore. Për këtë, zonja Ministre, do të bëjmë gjithçka për të të ndalur. Faleminderit!

Për procedurë, në lidhje me këtë temë.

Neni 19 i Rregullores së Kuvendit shpreh shumë qartë se cilat janë kompetencat që ka secili nga komisionet dhe për Komisionin për Edukimin e Informimit Publik thotë: “Fushat përgjegjëse të këtij komisioni janë arsimi në çdo nivel, kultura, rinia, shkenca, sportet, media e shkruar dhe vizive.”. Pra, kultura është përgjegjësi direkte e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit dhe atë, që thotë Rregullorja, nuk mund ta gjykojë Konferenca e Kryetarëve, pra në qoftë se i takon apo jo kulturës. Ky nuk është i vetmi rast. Ky është rast i përsëritur dhe jam e bindur se ju këtë nuk e bëni si Konferencë Kryetarësh, sepse nuk lexoni Rregulloren, por e bëni për faktin se Komisioni i Edukimit drejtohet gjithmonë nga opozita dhe, duke u drejtuar nga opozita, mund t’ju prishë planet tuaja për koncesionin e Butrintit, për prishjen e teatrit, sepse këto çështje ju ia keni hequr komisionit tonë dhe ia keni çuar Komisionit të Ekonomisë, duke e trajtuar si mall, apo Komisionit të Ligjeve. Ndaj, ju lutem në vazhdimësi, i bashkohem kërkesës së zonjës Açka, të zbatoni nenin 19 të Rregullores së Kuvendit, ku komision përgjegjës për kulturën jemi ne:  Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.

Faleminderit!