Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për çeshtjen e auditimit të KLSH që ka zbardhur abuzimet me ushqimet e femijëve në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” | 3 Tetor 2022

Sot duhet të diskutojmë për problemet që kanë zgjedhësit tanë, por shqetësimi më i madh sot nuk duhet të jenë thjesht ata që na votojnë ne, por edhe ata që nuk na votojnë dot, që janë fëmijët. Kam menduar se do të ishte në dinjitetin e këtij parlamenti dhe të kësaj qeverie që të reagonte ndaj raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për gjendjen në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”.  Madje edhe për rastet e dhunës në shtëpitë e fëmijëve si në qytetin që unë përfaqësoj, Sarandën.

Është në dinjitetin e këtij parlamenti të kërkojë dhe të mbështesë kërkesën që deputetët e opozitës do të depozitojnë për një komision hetimor në lidhje me veprimtarinë e ministres së Shëndetësisë dhe të të gjitha organeve që kanë për detyrë t’i kontrollojnë këto institucione, deri te drejtoreshat e këtyre institucioneve. Janë të dhëna tronditëse. Dhe është vetëm maja e ajsbergut, është vetëm një raport i KLSH-së që nuk mbështetet askund tjetër, por vetëm te letrat, nuk shikon dot gjendjen reale si janë aty, si trajtohen fëmijët aty, nuk shikon dot sa lodra kanë fëmijët, nuk shikon dot a kanë mbështetje sociale dhe psikologjike. Vetëm letrat kontrollon KLSH-ja dhe vetëm me letra shihet që vjedhin bukën e jetimëve. Kjo është e rëndë, është kriminale, është tragjike. Kjo është çështja që duhet të na prekë të gjithëve sot, është çështje zemre. Pjesa më e madhe këtu jeni prindër dhe duhet të keni njëlloj ndjeshmërie më të madhe për fëmijët dhe të ardhmen e tyre. Në raportin e KLSH-së thuhet se marrin kuotë ditore rreth 2 mijë lekë më pak në ushqimet e tyre.  Gjithashtu, në raport thuhet se duke qenë se vendimi për kuotat, shumën ditore

ka dalë në vitin 2018, ministrja nuk i ka indeksuar me inflacionin, që kanë nevojë këto çmime.Edhe sikur të jepej kuota e plotë, siç është në vendim, prapë ata do të kishin një kuotë më pak në sasinë që do të mund të blinin.  Këtë e thotë KLSH-ja. 4 vjet që nuk kujtohen të indeksojnë vendimin për kuotat ushqimore të fëmijëve jetimë. Edhe atë që ua japin, ua vjedhin.

 Gjithashtu, në raport thuhet se menyja në vend që të jetë e përcaktuar nga një ekip multidisiplinor, nuk është e përcaktuar. Pra, këtë e thotë KLSH-ja jo ne, sepse ne nuk na lejojnë as të futemi.

 Gjithashtu, shqetësim tjetër është që operatorët e zgjedhur nuk janë ata që kanë certifikatën e AKU-së për cilësinë e produkteve që iu ofrohen shtëpive të fëmijës. Pra, edhe ato pak ushqime që i blejnë nuk dihet a e kanë cilësinë ose jo, sepse blihen nga operatorë ekonomikë, që nuk janë të listuar nga AKU-ja.

(Ndërhyrje pa mikrofon nga salla)

 A nuk ndiheni fajtorë? Ndihem unë që jam në opozitë. Ju nuk ndiheni fajtorë? Nuk ndihesh fajtore, zonja ministre? Nuk ke diçka për të reflektuar? Nuk mendoni ju se duhet të hetojmë?

Ne kemi, grupin e deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, dhe atje jemi shumë të mirë të gjithë për të bërë foto së bashku me fëmijët, por, kur vjen puna për çështje konkrete të fëmijëve këtu pastaj ndahemi. Nuk duan të hetojnë, sepse iu preket ministrja, se iu preket Kryeministri. Po ju, së pari, jeni prindër dhe nuk duhet të pyesni fare për këto çështje. Në fakt, bukën nuk ua shpërndan ministrja, por vendimet dhe kuotat e ka ajo për detyrë t’i caktojë dhe për këtë detyrë duhet të mbajë përgjegjësi. Të vijë këtu dhe të jetë e para që të kërkojë të krijohet një komision hetimor. Nga ana tjetër, këta fëmijë kanë mungesa të shumta dhe kam parë me dhimbje se si nuk lejoheshin as ndihmat e qytetarëve nga jashtë në veshje dhe ushqime për t’i mbështetur, meqenëse nuk paskan para për t’ia dhënë shtëpisë së fëmijës.

 Ne jemi qytetarë dhe si qytetarë të përgjegjshëm duhet të bëjmë çfarë është e mundur për fëmijët. Vërej se këto kohë keni një urrejtje patologjike. Ministrja tjetër, që iku, i mbyll shkollat dhe kopshtet, por për këtë çështje do të kem mundësi që në seancën e ardhshme të flas në një seancë pyetjesh.

Ndërkohë, siç po thosha, sepse nuk të lë Ermonela as të mbarosh, ju të gjithë, duhet të ndiheni sot fajtorë. Dhe të gjithë të bashkëpunoni që ky komision hetimor të jetë funksional.

Replikë:

Zonja Ministre, E para, të gjitha ato që thatë këtu nuk i kishe për mua, por për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në qoftë se ke vërejtje për Kontrollin e Lartë të Shtetit, mund t’ia thuash në një komision hetimor. Sa u takon atyre letrave që m’i tundje mua, duke më thënë që nuk t’i jap, se nuk je Kontrolli i Lartë i Shtetit, ke detyrimin të m’i japësh letrat, sepse unë jam më lart se Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse ne si parlament e

zgjedhim kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në qoftë se nuk e di hierarkinë e institucioneve, duhet t’i sjellësh letrat, të vish të referosh këtu dhe të thuash edhe ti të drejtën tënde!

Unë kam gjithë të drejtën e botës ta përmend Kontrollin e Lartë të Shtetit, besoj se nuk e quan institucion të kapur nga opozita, se e keni zgjedhur vetë, sepse ka thënë e zeza në të bardhë, se vlera e kuotës për periudhën 2019, 2020 dhe 2021 për muajt e përzgjedhur për auditim ka qenë më e ulët se kuota e miratuar, kjo e fundit përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtëpisë së fëmijëve në Tiranë. Akoma më e ulët, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, për shkak të mosidenksimit të çmimeve, përgjegjësi kjo e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë: “Në hartimin e menysë nuk merr pjesë ekipi multidisiplinar, veprim në mospërputhje me kërkesat e rregullores së brendshme të organizimit dhe të funksionimit”.

Nëse ju nuk e keni lexuar, por keni lexuar vetëm portalet, merreni raportin, lexojeni dhe kërkojuni llogari institucioneve, por në radhë të parë kërkojini llogari vetes suaj, që e latë situatën në këtë derexhe! Mos hajde këtu të më tregosh patetizma që po shohin fëmijët parlamentin! Edukatorët bëjnë shumë gabim nëse i vënë fëmijët të shohin parlamentin dhe jo gjërat që duhen për të parë.