Interpelancë me Ministren e Turizmit, znj. Kumbaro, mbi problematikat e sezonit turistik 2022 në vendin tonë | 13 Tetor 2022

Si deputete e një zone që mbahet për turizëm dhe është një nga perlat e Shqipërisë, e ndjeva për detyrë të kërkoja këtë interpelancë me ministren e Turizmit.

Në radhë të parë, dua ta falënderoj zonjën Kumbaro, e cila sot ka zgjedhur të vijë e pamaskuar, jo siç bënte inspektimet në plazhe, ndaj mund ta dallojmë se ku është dhe mund të kemi një komunikim të qartë me të! Vendi ynë është i bekuar nga natyra dhe nga njerëz shumë punëtorë, por është i mallkuar nga qeveritarët, të cilët, fatkeqësisht, nuk i kryejnë detyrat e tyre. Një nga këto raste është edhe Ministria e Turizmit e Mjedisit. Mjafton t’ju kujtoj ngjarjet e hidhura, që ndodhën gjatë sezonit turistik; mjafton një kërkim në Google, që ju të lexoni titujt: “Mbytet i mituri”; “Mbytet vëllai që shpëton vëllanë e vogël”; “Mbytet 47-vjeçari në Durrës”; “Mbytet djali i dytë”; “Mbytet 24-vjeçarja”; “Mbytet 40-vjeçarja”… Nuk do të doja të ndalesha, sepse në fund të ditës janë lajme shumë të hidhura, por a ka përgjegjësi ministrja për këto? Nuk përmenda ngjarje të tjera me vrasje kriminale, ku mund të ketë një ministër tjetër përgjegjësi.

Të gjithë e mbani mend vrasjen në Himarë, në Potam. Ngjarje e dhimbshme! A kishte përgjegjësi Mirela Kumbaro? Në një shtet tjetër, në një qeverisje tjetër, sot unë nuk do të isha duke bërë interpelancë me Mirela Kumbaron, por me një ministër tjetër, sepse Mirela duhet të kishte dhënë dorëheqjen për ngjarjen në Himarë, duhet të kishte dhënë dorëheqjen për shkak të dështimit të kryerjes së funksioneve të saj si ministre e Turizmit.

A e dini se për çfarë është përgjegjëse ministrja në funksionet e saj? Për dhënien e licencave dhe mbikëqyrjen e tyre, për sa u takon stacioneve të mjeteve motorike ujore; për distancën e stacioneve nga plazhistët; për rrethimin e perimetrit përkatës me tapa mbrojtëse. Po marr vetëm këto, që lidhen drejtpërdrejt me Himarën.

A mendoni se, nëse do të ishin kryer këto përgjegjësi, do të kishim atë tragjedi? A mendoni se ka njëfarë përgjegjësie, përveç atij që sot është në burg, edhe ministrja? Sigurisht që po!

Ministren e shikonim që shkonte natën në Durrës për të inspektuar plehrat, ndërsa ditën Durrësi lëngonte nga plehrat; Shëngjini lëngonte nga plehrat. Kronikat në të gjitha lajmet, që mund t’i shihni me një kërkim të thjeshtë në Google, tregojnë se si qytetet shqiptare lëngojnë nga plehrat, ndërkohë që harxhohen 420 milionë euro për inceneratorët që nuk djegin.

Dua t’ju tregoj një skemë.

(Deputetja Ina Zhupa tregon një fletë.)

A i shikoni këto pikat e vogla blu? Nuk janë si pikat blu të Mirela Kumbaros, që ishin një investim strategjik, një tokë e mbrojtur që ia jep privatit, por janë plazhe të sigurta.

Shqipëria nuk ka asnjë plazh të certifikuar blue flag, me flamurin blu, nuk ka asnjë plazh të sigurt dhe asnjë plazh që plotëson kriteret, që do t’jua them tani. Përgjegjësi direkte për këtë ka Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që Shqipëria është fillikat, e vetme, pa asnjë pikë blu.

Nëse doni, mund t’jua tregoj se sa plazhe të certifikuara kanë vendet e tjera; mjafton t’ju përmend Kroacinë, që ka 93 plazhe të certifikuara, Marinën me 29 plazhe, për të mos folur për Spanjën, e cila ka 590 plazhe të certifikuara.

Por cilat janë kriteret dhe a lidhen ato drejtpërdrejt me punën e ministres?

Janë 32 kritere, por unë do të përmend vetëm ato që lidhen me keqqeverisjen, pra që lidhen drejtpërdrejt me punën e Ministrisë së Turizmit. Certifikimi jepet nga Fondacioni për Edukimin Mjedisor, ku thuhet: “Plazhi duhet të ketë uji të testuar çdo javë për pastërti (sigurisht, plazhet tona nuk e kanë); duhet të ketë një hartë me objektet ekzistuese të shënuara në të; mbeturinat mblidhen dhe rëra pastrohet; në plazh ka dushe dhe shërbim mbikëqyrjeje e shpëtimi (po të kishim shërbim mbikëqyrjeje dhe shpëtimi, nuk do të kishim mbytjet që ju lexova); në plazh ofrohet ndihmë emergjente; në plazh nuk ka transport motorik; nuk lejohen kafshë shtëpiake në plazh (besoj se i keni parë dhitë e shtrira në shezlonge); në plazh ka kushte për çlodhjen e personave me aftësi të kufizuar; në plazh ka dushe të certifikuara; në plazh ka shërbim për banjat e pastra dhe të certifikuara (të gjitha këto i bën publiku; nëse i bën privati, i bën pasi merr një kontratë me shtetin); në plazhe bëhen aktivitete të edukimit mjedisor me vizitorët e plazhit dhe ka informacione për ekosistemin e plazhit; plazhi i cili kalon këto certifikime duhet t’i ketë të mbledhura mbeturinat në të gjitha pikat e plazhit” dhe jo të gjejmë një kosh në fund të plazhit.

Megjithatë, për të gjitha këto kritere, por edhe për pjesë të tjera, të cilat do t’i sqaroj pas përgjigjes së ministres, kam thirrur në interpelancë ministren e Turizmit, që të na thotë problematikat dhe ecurinë e sezonit turistik të këtij viti.

Faleminderit!

PJESA 2 :

Mund t’i marr edhe 4 minutat që la zonja Kumbaro, se nuk kishte çfarë të thoshte më për arritjet në turizëm?

Në fakt unë prisja që zonja Kumbaro ta niste fjalën e saj me arsyet pse Saranda nuk ka një plazh të certifikuar për sigurinë dhe pastërtinë me standardet e Flamurit Blu. Nuk e tha këtë, sepse është përgjegjësi direkte e saj dhe normalisht nuk ka ardhur këtu për të pranuar fajin.

Saranda ka pasur vizitorë, por falë bukurisë së natyrës dhe njerëzve punëtorë. Zonja ministre nuk tha në asnjë pjesë të fjalimit të saj se çfarë ka bërë Ministria e Turizmit për të rritur numrin e turistëve në Sarandë. Problemet konkrete të Sarandës do t’jua them unë një për një, por para se të flas për Sarandën dua të qëndroj tek ajo që është plagë për të gjithë Shqipërinë: mungesa e plazheve publike. Rreth 1400 plazhe i janë dhënë privatit. Edhe kur flitet për Sarandën, meqë e donte për Sarandën, në të gjithë Ksamilin nuk gjen dot një plazh publik. Në plazhin publik të qytetit të Sarandës është ndërtuar pedonalja dhe ka ngelur një copë sa për të thënë që kemi një plazh publik.

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet që bregdeti në Shqipëri mbetet i parregulluar nga një ligj i veçantë, ndaj sot zonja ministre duhet të na thoshte pse mbahet ende në sirtar ligji i bregdetit. Çfarë vendi jemi ne që ende nuk kemi një ligj për të rregulluar bregdetin, siç jua thotë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit? Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se duhet vendosur një raport i drejtë mes plazhit publik dhe plazhit privat, ku ndarja e sipërfaqes të lejuar plazh privat dhe plazh publik të bëhet proporcionalisht sipas një raporti të drejtë, ku të prevalojë interesi publik, duke rritur aksesin e lirë të qytetarëve në plazhe. Ju nuk e bëni këtë, edhe pse e keni detyrë themelore për ta bërë. E thotë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, jo vetëm unë. Unë vij këtu me raporte, që të mos mendoni se këto që them janë për të bërë opozitë. Ky është realiteti që ju e dini shumë mirë, por që nuk flisni dot.

Vini këtu dhe lexoni disa revista të huaja që flasin për Sarandën si destinacion. Po, Saranda është destinacion, por pse nuk erdhe këtu të thoshe çfarë thonë revistat e huaja për fadromat që ti i fut për të prishur ndërtime në mes të sezonit turistik? Pse nuk erdhe këtu dhe të na thoshe çfarë thanë revistat e huaja kur turistët hanin mëngjes me fadromat në Prestige Resort? Pse nuk erdhe këtu të na thuash çfarë thanë gazetat angleze kur e vranë vajzën në Himarë? Pse nuk erdhe këtu për të na thënë çfarë u tha kur një 29 – vjeçare u mbyt duke bërë zhytje me një sport të certifikuar, që ju nuk e keni certifikuar, por e keni lënë që kush të dojë, çdo njeri, mund të marrë një bombulë oksigjeni dhe mund të futet në det për zhytje, duke sjellë edhe fatkeqësi? Këto nuk na i citove, meqë kishe ardhur me revista ndërkombëtare dhe jo me raporte dhe me përgjegjësi shtetërore. I harrove. Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se strukturat aktuale të menaxhimit kanë nevojë për reformim, për shkak se vërehet jo vetëm mungesë eficience, por nuk përbëjnë premisë as për një menaxhim të qëndrueshëm të plazheve të orientuara nga turizmi. Dua të ndalem pak edhe te shifrat, sepse fakti që ju e keni shpallur veten rekord në shifra është shumë qesharak. Folët për turistët spanjollë, finlandezë, edhe pse 100-200 turistë mund të kenë hyrë, por shifrat zyrtare të INSTAT-it për vitin 2022 janë këto. Një falënderim i zjarrtë për vëllezërit dhe motrat tona kosovare, që vijnë dhe bëjnë turizëm patriotik, që vijnë sepse e duan Shqipërinë dhe jo për standardet, që mund të mos ketë arritur ministrja e Turizmit. Në listën e vizitorëve të vitit 2022, të nxjerrë nga INSTAT-i, Kosova ka sjellë 2,4 milionë turistë, Maqedonia 443 mijë, por ka pasur edhe nga Italia. Këta janë shqiptarë me pasaportë italiane, të cilët vijnë në Shqipëri.

Për të kuptuar shifrat e turizmit, do t’ju lexoj një status shumë interesant të profesor Afrim Krasniqit. Besoj se me këtë i themi të gjitha.

Tetë anëtarë të familjes sime që jetojnë në Perëndim erdhën tri herë në Shqipëri në vitin 2022, dy herë për fatkeqësi dhe një herë për pushime. Për të shkuar në vendlindjen e tyre në Tropojë u detyruan të kryejnë hyrje-dalje tri herë nga tre nga Kukës-Morina. Kështu që, statistikisht nuk janë më tetë emra, por llogariten si 216 turistë, ndaj edhe jemi të suksesshëm”. Pra, u katandis kokoshi një thelë, i themi ne.

Të dhënat po të INSTAT-it, sepse INSTAT-i në këtë aspekt duhet vetëm të reflektojë shifrat, tregojnë që rreth 500 mijë turistë nuk dihet nga e kanë origjinën. Pse nuk dihet nga e kanë origjinën? Nuk dihet sepse ata kanë përdorur Shqipërinë si një vend tranzit për të kaluar dhe nuk kanë qëndruar këtu.

Ministrja me këto mburret për arritjet në turizëm, nuk flet dot për atë që ajo ka bërë. Nuk thotë dot që kemi bërë 1, 2, 3 gjëra për ta përmirësuar turizmin, kemi dhënë kaq fonde këtu apo kemi bërë këtë gjë këtu. Nuk e thotë dot se nuk e ka bërë, sepse po ta kishte bërë, kishte 20 minuta në dispozicion dhe do të na kishte thënë dy gjëra të paktën. Nga ana tjetër, kur ka qenë ministër Blendi Klosi, keni thënë dhe premtuar me të madhe se Shqipëria do të arrinte të bëhej si Tajlanda, do të arrinim në dhjetë milionë turistë; keni thënë që 100 fshatra do të ktheheshin në 100 fshatra turistikë, por në fakt u kthyen në 100 projekte të vjedhura dhe të grabitura; keni thënë që keni nisur fushatën smile albania, por të vetmit që kanë buzëqeshur kanë qenë investitorët strategjikë, që kanë marrë bregdetet tona; keni thënë, dhe i numëruat edhe këtu, që ne kemi

kisha dhe manastire, site të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore, po, i kemi, por jo falë jush, sepse ju vetëm po i shkatërroni.

Unë e di shumë mirë që ju jeni kumbara e dhënies me koncesion të Butrintit. Edhe ju e dini shumë mirë, sepse gjërat janë publike, por për këto nuk flisni, sepse trashëgiminë kulturore, një gjë të veçantë që duhet të vijnë të shikojnë në Shqipëri, e keni shkatërruar. Mjaftojnë të vijnë në Tiranë dhe nuk kanë çfarë të shikojnë, por vetëm disa kulla të shformuara, që as ato nuk kanë ndonjë bukuri të veçantë, se ka kulla shumë më të bukura nëpër botë sesa kullat e Tiranës. Teatrin që e kishit, e shkatërruat. Çdo gjëje që ju mund t’i jepni vlerë, e paracaktoni ta jepni me koncesion, si Durrësin, Pallatin e Brigadave e të tjera.

Folët për turizëm gjatë gjithë vitit. Që të kesh turizëm gjatë gjithë vitit, do të thotë të përkrahësh edhe turizmin malor, sepse Shqipëria i ka potencialet të bëjë edhe turizëm malor.

Çfarë thotë për turizmin malor Kontrolli i Lartë i Shtetit? Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se në një auditim specifik që ka bërë për turizmin malor konstatohet se ka mungesë rakordimi mes institucioneve dhe federatave që duhet ta nxisnin këtë lloj turizmi në Shqipëri. Audituesit konstatojnë se regjistrimi i strukturave dhe mungesa e kategorizimit të tyre bën që edhe informaliteti të jetë një problem.

Mungesa e planit të masave për sigurinë e vizitorëve në zonat natyrore.

Sa herë keni parë nëpër lajme të thuhet që humbën turistët atje, humbën turistët këtu apo u nis helikopteri për të shpëtuar turistë? Pse? Sepse në fund të ditës, këto zona të turizmit malor u janë lënë individëve lokalë, me njohuritë e tyre lokale, që bëjnë guida lokale dhe nuk kanë një rregullim nga shteti. Ju e mbyllët edhe shkollën e guidave. Edhe në ato që i keni vende të certifikuara të trashëgimisë kulturore, si Butrinti, keni nga dy guida, jo më të ketë guida në zonat e turizmit malor, që të mund ta rivitalizojnë dhe ta bëjnë realisht atraksion turizmin malor. Grupi i auditimit thotë se cenimi i sigurisë së turizmit ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të ofruar, si dhe në uljen e numrit të turistëve që shkojnë në zonat malore. Audituesit thonë se duhet të digjitalizohen shtigjet dhe të pasqyrohen në e-turizëm destinacionet, në mënyrë që turistët ta kenë më të thjeshtë aksesin.

Ndërkohë që ne, jo vetëm që nuk jemi në këtë fazë, por nuk kemi të digjitalizuar as transportin brenda-qytetas dhe ndërqytetas. Një turist që do të udhëtojë nga Tirana për në Sarandë, nuk di si të shkojë, nëse nuk njeh ndonjë shqiptar që t’ia shpjegojë, ose të pyesë rrugës, nuk ka si t’i gjejë stacionet. Janë disa furgonë që i çojnë. Ky është turizmi që ofroni ju. Nuk po flas për mungesë hekurudhe dhe mjete të tjera të transportit, se u hyj edhe ministrive të tjera, por për këtë që është drejtpërdrejt përgjegjësi juaja.

Kontrolli i Lartë i Shtetit flet edhe për e-turizmin, që juve nuk ju shkon në mendje dhe as nuk e përmendin.

Nga ana e institucioneve, në këtë rast nga ana e Ministrisë së Turizmit, nuk ka një produkt final që të ketë identifikuar zonat, ku mund të ngrihen pista skish apo të zhvillohet alpinizmi. “Po ashtu, – thotë, – nuk ka paketa turistike për aktivitete dimërore”. Atëherë, për çfarë dilni dhe thoni: “Turizëm gjatë gjithë vitit”?

Në momentin që Kontrolli i Lartë i Shtetit jua evidenton, nuk mendoni se duhet të merrni masa?

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Dhe nëse nuk i bëni dot 100%, nuk mendoni se duhet të bëni 10% një herë e 20% një herë tjetër? Se ju keni 9 vjet dhe “Jemi në mëngjesin e turizmit”, thatë pak më parë. Çfarë mëngjesi? Ju jeni në darkën e turizmit! Ju jeni në errësirën e turizmit!

Keni 9 vjet dhe këto gjëra duhej t’i kishit bërë! Ne sot duhej të ishim duke folur për hove të tjera që duhej të merrte turizmi në Shqipëri, për plane menaxhimi të tjera, të integruara, duke u lidhur edhe me vendet e rajonit. Ndërkohë, ne flasim ende për paketa turistike, për turizmin malor në këtë rast.

Megjithatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdon: “Krijimin e stacioneve të transportit turistik, që mungojnë dhe tregojnë dobësi në realizimin e detyrimeve ligjore dhe strategjike, si dhe mungesën e koordinimit”.

“Për pasojë…”, për të mos e zgjatur, “…sjell, – thotë, – një infrastrukturë mbështetëse të dobët për ofruesit dhe përfituesit e shërbimit turistik, mungesë të alternativave argëtuese, si dhe ndikon negativisht edhe në objektivat realë që ne kemi për zhvillimin e produktit turistik”. E thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Do të desha, meqenëse koha është e limituar, të përmend shumë shkurt disa elemente për Sarandën, meqenëse edhe ju e kishit merak Sarandën, duke menduar se unë jam edhe deputete atje.

Në takimin që pata me agjenci turistike në Sarandë, më thanë një gjë: “Mos na bëj foto dhe t’i nxjerrësh, se kush i duron pastaj me kontrolle, me telefonata. Mjaftojnë problematikat”. Pra, ju keni krijuar një terror, që po the problematikën dhe po fole me deputetin e zonës për to, ju të viheni këmba-dorës nga pas për të të gjetur një cen, për të të vënë një gjobë, si i gjithë mentaliteti se si i keni bërë kontrollet tatimore gjatë kohës së sezonit turistik, kryesisht në Ksamil dhe vetëm në biznese të djathta, në biznese që ishin takuar me deputeten, në biznese që ndoshta nuk ju kishin votuar ju, ndonjëherë duke u rënë më qafë edhe kot, se ndoshta nuk kishin votuar fare. U shkonit aty, me grumbuj, u rrinit te dera dhe u bënit terror në kohën e kulmit të sezonit turistik!

Problemet konkrete të Sarandës janë: mospërcaktimi i saktë i moleve të licencuara për ankorimin e mjeteve lundruese, mungesa e sinjalistikës detare në disa zona dhe mosmirëmbajtja e tyre, duke arritur deri aty saqë disa plazhe të shkëputen dhe të mos ekzistojnë më.

Me rëndësi për qytetin e Sarandës ishte bllokimi i linjës Brindizi-Sarandë, ku pushuesit italianë, në fakt, kanë zënë një vend gjithmonë të rëndësishëm atje.

Ka munguar një qendër informacioni dygjuhëshe, edhe anglisht, edhe italisht; kanë munguar sitet online; ka munguar stafi i specializuar, ndërkohë që ju erdhët me premtimin e një arsimi profesional, ku do të kishim më shumë stafe për strukturat tona akomoduese, por arritët që arsim profesional të ishte vetëm ikja në Gjermani.

Kjo ishte panorama shumë e shkurtuar e turizmit në vitin 2021, sepse vetëm 15 minuta kisha në dispozicion, por hall i madh…

…është, me këtë që thoni ju, se si do të jetë turizmi në vitin e ardhshëm 2023.

PJESA 3:

Ta dija, kisha ftuar në interpelancë kryetarin e Bashkisë së Sarandës, ndërkohë që unë mendova të ftoja ministren e Turizmit, e cila nuk na tha asgjë për kompetencat e saj.

Nejse, Saranda është shumë e bukur dhe jo falë teje, ta thashë dhe ta përsëris, madje të jesh e sigurt që do të vazhdojë të jetë shumë më e bukur kur të qeveriset nga demokratët.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Për sa u përket të dhënave, edhe një herë, INSTAT-i i ka nxjerrë. Ja, ku i ka nxjerrë dhe thotë: “Janar – gusht 2022 dhe është Kosova”…

Ja, ku janë Kosova, Maqedonia, Italia!

Ja, ku janë të dhënat…

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Nuk keni çfarë të nxirrni tjetër, se i ka nxjerrë INSTAT-i, që e ka për detyrë t’i nxjerrë. Për sa u përket parcelave “plazh publik-plazh privat”, tani unë nuk do t’u them asgjë më shumë qytetarëve sesa kaq: ju, kur bëtë pushimet sivjet, para hotelit tuaj kishit plazh publik apo plazh privat? Në qoftë se keni parë më shumë plazhe publike, atëherë ka të drejtë zonja

Kumbaro dhe, në qoftë se keni parë plazhe private, atëherë kam të drejtë unë. Po jua lë juve ta gjykoni.

Mjafton t’ju them vetëm kaq, se shifrat që lexon zonja Kumbaro, i lexon duke thënë parcelat në përgjithësi, por se sa është madhësia e parcelës që ka publiku, në krahasim me madhësinë e parcelës që merr një plazh privat, këtë nuk e thotë dot me sipërfaqe. E dini pse? Sepse është komplet disproporcionale. Sepse plazhet nuk kanë qenë të pushuesve, por kanë qenë të pushtuesve. Ata i kanë pushtuar dhe i marrin me vite, sepse shumica e tyre janë patronazhistët! Shumica e tyre janë pastërtorët e parave të pista! Shumica e tyre janë njerëz të lidhur kokë e këmbë me pushtetin! Ata janë të fortët! I keni parë se si plas pastaj pistoleta për një parcelë? Nuk kanë pistoleta njerëzit, qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, i kanë patronazhistët. Pistoleta kanë ata që kanë garancinë shtetërore se nuk do të preken dhe marrin çdo gjë, ashtu siç marrin edhe parcelat e plazhit. Këtë nuk jua them unë, jua thotë realiteti dhe mjafton t’i referoheni realitetit që keni jetuar vetë për të gjykuar se kush e ka të vërtetën.

Një sezon turistik dhe një ministre, që është përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin, sot realisht do të mbante përgjegjësi, sot do t’i skuqej fytyra nga lajmet që ka bërë Shqipëria dhe sot do t’i skuqej fytyra nga vdekjet që mbajnë edhe emrin e saj!

(Bie gongu.)

Por jo, ajo erdhi këtu për të treguar se papërgjegjshmëria është i vetmi standard që njeh kjo qeverisje!

Shumë faleminderit!