Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Lexova me vëmendje kërkesat që keni sjellë, por nuk mund të lë pa përmendur kërkesën e legjitimitetit që ju keni si Këshill Drejtues i RTSH-së, sepse sot nuk keni përfaqësues të zgjedhur nga opozita dhe funksiononi si një organizëm monokolor, i kontrolluar dhe i dirigjuar nga qeveria. Kjo besoj se duhet të jetë zgjidhja e parë që duhet bërë sa më shpejt edhe nga ky komision. Në këtë komision kanë kaluar 2 kandidatura, zoti Emond Tullumani dhe zoti Besnik Mustafaj, duke marrë miratimin e këtij komisioni, pastaj me të gjithë procedurën e letrave nën rrogoz me pseudopozitën i keni çuar për t’u votuar në seancë, duke kapur kështu edhe Këshillin Drejtues të RTSH-së. Jo se është risi, sepse ashtu janë kapur edhe institucionet e tjera, por kjo duhet të ndreqet sa më shpejt, pasi është një televizion që paguhet nga publiku dhe duhet t’i shërbejë të gjithë publikut.
Tani kthehemi në çështjen kryesore, se si i menaxhoni ju paratë dhe pse doni ju para të tjera nga taksapaguesit, për këtë unë do t’i referohem Kontrollit të Lartë të Shtetit. Unë ju them që sot është në burg ish-drejtori dhe disa zyrtarë të RTSH-së, por me atë që bëni ju në RTSH, ju duhet të kishit mbushur qelitë e Burgut 313, me abuzimet që bëhen me paratë e shqiptarëve. Konkretisht, pastaj do të bëj edhe disa pyetje… (Ndërhyrje pa mikrofon.) Jo, po lexoj raportin. Kur të të vijë radha ty, atëherë fol si prokuror apo si të duash. Si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve dhe punonjësve të RTSH-së është shkaktuar një dëm ekonomik, bëhet fjalë për vitin e kaluar, në shumën prej 237 milionë lekësh, që përfaqësojnë kryesisht vlera monetare për procedura prokurimi, të zbatimit të kontratave, si dhe për zbatimin e projekteve artistike. Janë konstatuar efekte negative në administrimin e fondeve publike dhe në menaxhimin me ekonomicitet dhe efikasitet në vlerën 922 milionë lekë në zbatimin e procedurave të prokurimit publik nga gjyqet për largimet e padrejta nga puna të punonjësve. Janë konstatuar mungesa të sigurimit të mirëpërdorimit të fondeve publike dhe transparencës për shpenzimet e parashikuara në shumën 1 225 000 000 lekë pa TVSH për tri investime. Po jua them të rrumbullakosura shumat. Veprimtaria e Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar ka shfaqur mangësi në lidhje me hartimin e një kodi sjelljeje. Radiotelevizioni Shqiptar e ka kryer veprimtarinë e tij në mungesë të planeve të zhvillimit, të planeve të biznesit, si një element bazë që ia kërkon statuti dhe ligji “Për prodhimet e programeve dhe transmetimin e tyre”. Bordi i administrimit ka dhënë miratim për të gjitha projektet artistike të paraqitura, sipas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm, pa asnjë ndryshim, duke i kaluar ato siç i vinin dhe pa i kontrolluar. Struktura organike ka pasuar ndryshime të shpeshta, duke mos qenë e konsoliduar, dhe një numër të konsiderueshëm pozicionesh pune, që ndryshonin çdo 6 muaj. Këtë mund t’jua them edhe me përqindje për secilin 6-mujor. Në RTSH ka një numër të konsiderueshëm të punonjësve organikë, të cilët kanë përfituar njëkohësisht pagë dhe honorare për projekte: 23 në 6-mujorine dytë të vitit 2017, 32 në vitin 2018, 71 në vitin 2019 dhe ka ardhur gjithmonë duke u rritur. I paguani nga dy herë, një herë si këshilltarë, për shembull, dhe një herë për një projekt. Gjatë zbatimit të projekteve artistike nuk janë vendosur dhe nuk janë zbatuar kritere në lidhje me përzgjedhjen dhe kontraktimin e subjekteve fizikë dhe juridikë për sa i përket statusit të tyre profesional dhe statusit të tyre gjyqësor. Këto që lexova janë një pjesë e konstatimeve, por kam një raport prej 99 faqesh dhe nuk ka një fjalë të mirë për mënyrën si i menaxhoni ju paratë. I ke aty për secilin tender që ju keni bërë, edhe në periudhën tuaj si zëvendësdrejtor, por unë nuk dua ta zgjas mbledhjen e këtij komisioni. Media ka transmetuar të dhëna alarmante edhe me emra konkretë, por unë nuk dua t’i përmend, sepse nuk kam asgjë personale me ju apo familjarët tuaj, nuse, dhëndër e të tjera, që ju i keni punësuar në Radiotelevizionin Shqiptar. Punësimet nepotike, kushëriri i këtij, burri i atij, vjehrri këtij, shoku këtij, janë modeli si bëhen punësimet në Radiotelevizioni Shqiptar.
Këta kanë marrë të gjitha taksat dhe paratë e Radiotelevizionit Shqiptar.
Absolutisht, unë nuk jam fare dakord me atë thoni ju për rritjen e tarifave të qytetarëve, që ju të merrni dhe vidhni më shumë para nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Nuk jam fare dakord që juve t’ju rritet buxheti, përkundrazi, bëj thirrje që institucionet e SPAK-ut të mos qëndrojnë thjesht te tenderi i ish-drejtorit dhe mos t’ju lënë vetëm me auditimin e KLSH- së, por t’ju vënë përpara përgjegjësisë ligjore për atë që keni bërë me Radiotelevizioni Shqiptar. Një regjizor i njohur dhe shumë i respektuar nga unë, tha: “Radiotelevizioni Shqiptar është bërë si një lopë që e mjelin, por tani duan t’i hanë edhe mishin”. Unë kam dëshirë t’i drejtoj disa pyetje zotit Leka Bungo në lidhje me administrimin dhe buxhetin e Radiotelevizionit Shqiptar. Pyetjet e mia kanë të bëjnë me qenien tuaj drejtues i Këshillit të Radiotelevizionit Shqiptar, meqë keni mundësi më shumë se çdokush tjetër për të parë si menaxhohen paratë dhe buxhetet e shtetit, por edhe të ardhurat që ju mblidhni vetë si Radiotelevizion, si dhe me problematikat që ju mund të keni hasur gjatë kohës së ushtrimit të detyrës suaj. Konkretisht, unë dua t’ju pyes për tri gjëra kryesore dhe për atë që thoshte raporti i KLSH-së në lidhje me projektet dhe pastaj ju mund të më thoni edhe gjëra që ne nuk i dimë dhe mund të jenë në interes të publikut. Çfarë është klasifikuar dhe çfarë ka quajtur Radiotelevizioni Shqiptar projekte? Si i japin dhe si është menaxhuar dhënia e këtyre projekteve? Pra, janë thjesht emisione televizive dhe quhen projekte? A prodhojnë diçka të re? A e kanë justifikuar buxhetin që marrin për atë që i ofrojnë publikut? Gjithashtu, dua t’ju bëj një pyetje në lidhje me të drejtat e transmetimit që Radiotelevizioni Shqiptar ka pasur për ndeshjet e fundit, për kontratën që ka bërë me UEFAn. Ne të gjithë e kemi parë që ndeshjet nuk i transmetonte vetëm Radiotelevizioni Shqiptar, por edhe një platformë tjetër private. Radiotelevizioni transmetonte vetëm një ndeshje në javë …
Jo, të Kampionatit Europian, që sapo mbaroi.
Besoj e keni ndjekur. Mendova se ishit ndjekës më të mirë të futbollit. A e keni parë kontratën? Sa kushton kontrata? Si janë bërë negociatat për këtë kontratë shumë të majme, për të cilën ka shkuar një pjesë shumë e madhe e buxhetit? Në dijeninë time, është 1,8 milionë euro. A keni ju akses për ta parë këtë kontratë, për ta lexuar atë në shqip dhe a ka ardhur përpara jush? Gjatë ushtrimit të detyrës në funksionin tuaj si drejtues i zgjedhur nga parlamenti, a keni hasur në procedura të dyshimta, që ju gjykoni se mund të kenë shkaktuar një dëm ekonomik për sa i përket buxhetit të shtetit dhe parave të taksapaguesve shqiptarë?
Këto janë tri pyetjet e drejtuara për zotin Bungo, por jeni të lirë të përgjigjet gjithsecili nga ju në lidhje me observimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, jo të miat. Unë ju lexova vetëm një përqindje shumë të vogël. Për produktin që ofron Radiotelevizioni Shqiptar sot, që është i vetmi televizion që mund të shikohet edhe në fshatin më të largët të Shqipërisë dhe duhet të ishte një aset kombëtar për atë që transmetonte dhe për vlerat që duhet të përçonte, mund të gjykojnë shumë mirë ata që na ndjekin, qytetarët shqiptarë, duke na thënë sa herë e çojnë telekomandën e televizionit ne Radiotelevizionin Shqiptar. Sinqerisht ju them, taksa që ne paguajmë për Radiotelevizionin Shqiptar është nga ato taksa që nuk marrin asgjë pas, përveçse ka shërbyer për të pasuruar drejtorin e radhës. Zëvendësdrejtori, me sa duket, nuk e fshehu ambicien që të kandidonte për drejtor të radhës, kur foli për planet e tij për arkivën dhe digjitalizimin. Mua nuk më interesojnë emrat, por më intereson produkti dhe paratë e shqiptarëve. Ajo që sillni sot si buxhet, për mua është thjesht plani se si ju të keni sa më shumë para për të abuzuar dhe për të mos dhënë asnjë produkt në shërbim të qytetarëve shqiptar. Faleminderit!