Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Një ndërhyrje të vogël kam, për shkak të gjitha atyre që po dëgjonim këtu.
Janë disa argumente, për të cilat besoj se biem dakord të gjitha palët. Kur ka ardhur ministrja e
Arsimit në këtë komision, personalisht kam ngritur edhe shqetësimin në lidhje me cilësinë e
teksteve. Dua t’i informoj kolegët, që për cilësinë e teksteve ka përgjegjësi Ministria e Arsimit. E
para, për cilësinë e tyre materiale ata bëhen në bazë të procedurave të tenderit për prokurimet
publike dhe patjetër që hyjnë disa operatorë, që konkurrojnë. Ata shikojnë standardet e cilësisë…
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Është procedurë e prokurimit publik. Konkurs. Pra, është Ministria e Arsimit…
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Ta mbaroj, të lutem!
Pra, Ministria e Arsimit ka detyrimin të shikojë cilësinë, si cilësinë materiale, ashtu edhe
logjike, cilësore, por dhe nga ana didaktike.
Pra, kjo është një përgjegjësi që e ka Ministria e Arsimit. Nëse ju gjykoni se kjo përgjegjësi
ka dështuar, është dështim i Ministrisë së Arsimit. Pra, kur zgjidhet një tekst, i cili nuk është në
përputhje me moshën, me terminologjinë, me ngarkesën e të tjera, kjo është diçka që vjen edhe
nga moskontrolli i Ministrisë e Arsimit. Kjo duhet thënë. Nuk është barra e botuesit, nuk është faji
i personave që janë këtu, ndaj nuk është çështje që duhet t’u adresohet atyre, pasi kanë kaluar filtrat
e Ministrisë së Arsimit, kur është miratuar një tekst për t’u shkuar shkollave shqiptare dhe
nxënësve shqiptarë. Prandaj është Ministria e Arsimit një institucion, që duhet ta garantojë këtë si
në cilësinë materiale, ashtu edhe në cilësinë didaktike.
Më vjen shumë mirë, që mbas disa mbledhjeve, ju arritët në të njëjtin konkluzion, që unë
e kisha thënë që herën e parë, në seancë me ministren e Arsimit. Prandaj, nuk të heq asnjë fjalë.
Jam shumë dakord që tekstet kanë problematika, gjë që unë ia kam thënë e që ajo më është
përgjigjur: mos u merrni vetëm me ato që hidhen në Facebook!
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Jo, ta mbaroj, të lutem, se unë nuk të ndërpreva!
Për sa i përket sërish argumentit tuaj, se si i përdorin fëmijët librat, përsëri jam shumë
dakord. Argumenti juaj i dytë, që thatë se fëmijët nuk i përdorin librat si një pedagog, i hedhin,
kanë atë lirshmërinë e tyre, kanë edhe atë forcën kur shkruajnë e të tjera e të tjera, është i gjithi
argument që shkon pro asaj që thashë unë, por dhe pro asaj që kërkon edhe shoqata, që do të thotë
se librat rinovohen çdo vit.
E fundit lidhet me faktin që, sipas asaj që thotë Besioni, nuk janë mundësitë. Nuk është
çështje mundësie. Buxheti i shtetit i ka të gjitha mundësitë. Është çështje vullneti politik, se ku do
t’i çosh paratë. Pra, është vullneti politik, që ti do të rrisësh buxhetin e arsimit dhe ta çosh në 4 %,
në 5 % apo do t’i çosh paratë në një drejtim tjetër.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Është çështje vullneti, pra. Është çështje vullneti politik. Ti do t’i çosh në një drejtim tjetër,
do t’i çosh te inceneratorët, do t’i çosh për të paguar gjyqet ndërkombëtare në Strasburg, për ato
që ti bën.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Të gjithë e dimë se politika dhe buxheti është çështje zgjedhjeje politike. Pra,
do të thotë se qeveria zgjedh fushat prioritare se ku do t’i çojë paratë. Është baza e buxhetit. Kur
vinë e prezantohen, thonë: kjo është mënyra jonë se si e konceptojmë ndarjen e parave. Në këtë
komision, nga të gjitha institucionet që kanë ardhur, kemi arritur në konkluzionin se nuk janë fare
prioritet arsimi, kultura dhe pjesa mediatike. Buxheti reflekton këtë gjë, sepse mungesa e parave
në këto drejtime reflekton prioritetet e qeverisë, që nuk kanë lidhje fare me arsimin.
Prandaj, mos gjeni armiq të jashtëm, kur realisht përgjegjëse e vetme e procesit është
qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit.
Shumë faleminderit!
Shumë shkurt, fillimisht personalisht, por besoj edhe grupi ka të njëjtin
qëndrim, siç e tha edhe kryetari, ne ju falënderojmë për këtë rezyme që bëtë. Patjetër që jemi të
vetëdijshëm që kërkesat tuaja janë më se të drejta dhe duhet të kenë mbështetjen e këtij komisioni.
Atë që tha zotëria në fillim, Partia Demokratike e ka thënë gjatë gjithë kohës që librat realisht,
tekstet shkollore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë nuk janë falas. Koncepti “falas” do të
thotë që ata i marrin dhe i kanë për veten e tyre përgjithmonë, kurse librat në këtë arsim janë libra
në përdorim dhe, si të tillë, janë libra që jo vetëm duhet të kthehen, por ata që i marrin për herë
të dytë apo dhe ata për herë të tretë janë totalisht pa cilësi për atë që duhet të bëjnë, për njohuritë
që ata duhet të nxënë apo në raste të caktuara edhe librat, në të cilët duhet të mbajnë shënime, të
zgjidhin ushtrime matematikore apo gramatikore. Kërkesa juaj është më se e drejtë dhe duhet të
ketë edhe mbështetjen e qeverisë që t’i qëndrojë asaj që thotë në propagandë, t’i bëjë realisht falas.
Ju thatë nga klasa e parë deri në klasën e pestë, por, përderisa kanë thënë nga klasa e parë deri
në klasën e nëntë, le t’i bëjnë çdo vit deri në klasën e nëntë, siç kanë propaganduar, siç e thonë dhe
siç e besojnë.
Të njëjtën mbështetje keni edhe për procesin e digjitalizimit dhe për buxhetin e
bibliotekave në parashkollor. Një pyetja kam në lidhje me këtë gjë: vitin e fundit apo 4 vjetët e
fundit, varet se si i keni statistikat, nëse keni një statistikë të tillë, sa ka qenë buxheti ose sasia e
dhënë fondeve në përdorim nga Ministria e Arsimit për rinovimin, shtimin e librave në bibliotekat
e shkollave publike, qofshin këto 9-vjeçare apo gjimnazet? Nëse keni, nga marrëdhënia me ta,
nga dhënia e librave, një të dhënë të tillë, apo nuk ka fare fond për këtë gjë, të paktën për 2 vjetët
e fundit?