Ina Zhupa ndërhyrje për procedurë seancë plenare / 16 Tetor 2025

Për çështje proceduriale. Kur raporton Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit raporton, ka detyrimin për të qenë prezent ministri që e mbulon, ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sporteve, zoti Blendi Gonxhe. 

Blendi Gonxhe mburret sa andej-këndej, që është student i Dhjetorit dhe se ka kontribut për rënien e regjimit, ndaj do të ishte mirë të vinte këtu, sepse jo vetëm duhej të respektonte atë që i takon, sipas rregullave të Kuvendit, por dhe sepse një çështje themelore e Institutit lidhet me zyrat e tyre, të cilat kanë marrëdhënie shkresore me Ministrinë e Kulturës dhe janë ende pa përgjigje, ende nëpër zyra të tjera me qira, duke mos pasur një godinë të përhershme, të cilën mund ta shfrytëzojnë edhe për botimet e tyre, për t’i paraqitur e për të krijuar një kënd tjetër në Tiranë e në Shqipëri, për t’u njohur me pasojat e krimeve të komunizmit. E dyta, në lidhje me këtë që sapo tha zoti Mentor Beqa, dua të them se ish-Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ka zgjedhur anëtarët e rinj të bordit të këtij Instituti, e më pas edhe seanca plenare i ka votuar. Kështu që, edhe zoti Beqa është një nga anëtarët e rinj. Në komision ka ardhur drejtori Ekzekutiv, në mandatin e tij të dytë, zoti Çelo Hoxha, i cili e ka paraqitur edhe pjesën e problematikës që lidhet me Autoritetin e Dosjeve, dhe patjetër që ne si komision përgjegjës do ta ndjekim. I kemi dhënë edhe rekomandime në lidhje me procesin shkresor, që duhet lënë gjurmë midis dy autoriteteve të Kuvendit.  

Shumë faleminderit!