Seancë pyetje-përgjigje në Kuvendin e Shqipërisë me Ministren e Arsimit, Evis Kushi, për ceshtjen e mbylljes së 2 institucioneve arsimore private | 13 Tetor 2022

U mbyllën një shkollë dhe një kopsht, të dyja në shërbim të fëmijëve shqiptarë.

Po të shikoni, kjo është një certifikatë nderi, të cilën Lindita Nikolla dhe Edi Rama ia kanë dhënë pikërisht gjimnazit privat “Mehmet Akif” si shembull juaji dhe udhërrëfyes për t’u siguruar nxënësve arsim cilësor që meritojnë.

Ua kanë thënë vetë, ndërkohë, nga ana tjetër, na thonë: “Nuk kanë standarde”. Po çfarë standardesh?

“Nuk kanë standarde në godinë, – thotë ministrja, – as kopshti “Zubejde Hanim”, as gjimnazi “Mehmet Akif”. Me thënë të drejtën, në Shqipëri nuk kam parë një gjimnaz publik apo një kopsht publik me standardemë të larta se këto dy institucione.

Unë e sfidoj ministren e Arsimit, pasi jam e gatshme të ikim të dyja së bashku, kur të dojë ministrja, që të më gjejë një kopsht apo një gjimnaz në Shqipëri  me standarde të barabarta me këto dy institucione që mbylli, shkollën dhe kopshtin. Në qoftë se më gjen një të vetëm, atëherë, mund të them se ka shumë të drejtë. Nuk po them t’i tejkalojnë kushte e tyre.

 Ja cilat janë standardet e shkollave, e gjimnazeve dhe e kopshteve në Shqipëri.

(Bie gongu.)

Sa të tregoj pak fotot, që t’i shikoni.

Këto foto janë marrë, e para në Librazhd, e dyta në Baldushk, në Tiranë dhe kështu me radhë. Ky është  niveli i shkollave tona. Niveli i shkollave, ku bie çatia natën. Niveli i shkollave, ku nuk ka tualete. Niveli shkollave, të cilat ngrohen me dru.

Tani, më shpjegoni dot se çfarë standardesh nuk plotësonte “Mehmet Akif” dhe  “Zubeyde Hanim”, meqenëse, koha është vetëm 2 minuta, dhe unë vazhdoj të jem e çuditur sesi me një të rënë të lapsit mund të mbyllen një shkollë dhe një kopsht në shërbim të shqiptarëve?

Faleminderit!

PJESA 2:

Zonja Ministre, ju thashë: hajde shkojmë bashkë me kamera në një shkollë apo në një kopsht, të cilat i plotësojnë standardet më shumë se këto dy institucione që mbylle. Po të kishe ti këto standarde zvicerane në Shqipëri, sot ne nuk do të kishim nëpër shkolla kushte migjeniane, ku  nxënësit bëjnë mësim duke u ngrohur me dru, duke ndarë radhën se kush do të sjellë dru gjatë vitit shkollor! Këtë harroni ju.

 Ju, edhe shkollën  “Sami Frashëri”, që e bëtë me 4 milionë, nuk e keni kurrë me standardet e shkollës “Mehmet Akif”, sepse në atë shkollë nuk ka as tabela inteligjente, as wi-fi, madje nuk ka as oborr, imagjinoni të tjerat.

 Për sa i përket ligjit, ju gënjyet këtu. Gënjyet, sepse ligji, nuk ju thotë që t’u hiqni licencën, por në një nen të ligjit thuhet se duhet të jeni proporcional edhe në masat që merrni. Neni 42 i ligjit nr. 69/2012, thotë se në fillim, ju i paralajmëroni institucionet, pastaj u vini afat për të rregulluar shkeljet, pastaj u vini gjobë dhe mbasi u keni vënë gjobë, shkoni i kontrolloni përsëri. Pra, ka një proces. Lexojeni më shumë ligjin, por edhe të ta shpjegojnë! Por ju si qeveri vasale keni marrë urdhra për t’i mbyllur ato institucione, sipas asaj që tha edhe dikush tjetër këtu në këtë foltore, sepse dikujt nuk i pëlqejnë institucionet, që, sipas tij, marrin fonde nga Gyleni. Kjo është e turpshme dhe unë i qëndroj deklaratës që bëra: kështu siç po veproni ju, çdo institucion privat nesër, pasnesër, nëse nuk i pëlqen Kryeministrit tonë apo kryeministrit të ndonjë vendi tjetër rrezikon të mbyllet me një të rënë të lapsit. Nuk fshihet elefanti pas një fijeje bari. Keni gjetur si arsye një fije bari, shkakun se institucioni ndryshoi godinën. Ndërkohë, kopshti “Zubeyde Hanim”, ndodhet që prej vitit 2004 në atë godinë. Apo edhe arsyeja tjetër që nuk paska palestër. Po le që është kopsht një herë, dhe nuk është se kopshtet e tjera kanë palestra!

Ju duhet të kuptoni se çfarë po u bëni atyre fëmijëve. Nuk e di se në çfarë moshe i keni fëmijët, por unë  e kam në kopsht dhe nuk ka gjë më të tmerrshme sesa të detyrohem ta çoj në një kopsht tjetër (nuk është rasti), sepse është mësuar me edukatoret, është mësuar me fëmijët e tjerë dhe e ka shumë të vështirë përshtatjen.  Por ju nuk pyesni për mirëqenien e fëmijëve. Takojini një herë ata prindër! Mos lini t’i takojë sekretari i përgjithshëm, meqë kishte të njëjtin mbiemër me ju. Takojini ju, dëgjojini, dhe kuptojani hallin që kanë, se nuk po i bëni keq biznesit.

Ju keni një problem shumë të madh, mendoni se po i bën keq biznesit. Jo, biznesi do ta fitojë çështjen në gjykatë, në mos në gjykatën shqiptare, do ta fitojë në gjykatën ndërkombëtare, madje do t’ju marrë edhe lekët, një për një. Por ju po u bëni keq nxënësve shqiptarë, po u bëni keq fëmijëve shqiptarë, për të cilët nuk pyesni, sepse u mbyllni shkollën dhe kopshtin sipas urdhrave që ju jep vasal Kryeministri dhe ju bëheni vasale e vasalit. Imagjinoni sa e rëndë është situata, sa arrini deri në këtë pikë.

Ndërkohë, keni cenuar edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara, e cila thotë: “Interesi i fëmijës duhet të jetë i pari”. Edhe për ju, si ministre e Arsimit, interesi i fëmijëve duhet të ishte konsiderata mbizotëruese, por ju nuk patët konsideratë mbizotëruese, por thjesht na treguat numrin e fëmijëve, duke na thënë sa shkuan në një shkollë këtu, dhe sa shkuan në një shkollë atje. Normale, se fëmijët nuk do të rrinin pa shkollë, por ju si ministre e Arsimit mbyllët në mënyrë të padrejtë dy institucione arsimore me standarde shumë më të larta se të gjitha shkollat dhe kopshtet publike në Shqipëri, se këtu jetojmë dhe i kemi parë.

Sfida është  e hapur: hajde, më ço ku të duash dhe do të vij bashkë me kamera t’i shikojmë.

Shumë faleminderit!