Interpelancë me Ministren e Arsimit, Evis Kushi për ceshtjen e mbylljes arbitrare nga qeveria te Akademisë Albanologjike | 8 Qershor 2023

Kur e kam kërkuar interpelancën, mendoja se ende do të ishte një projekt-VKM për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike, por faktikisht sot kemi një VKM të miratuar me shumë shpejtësi, edhe në mungesë të Kryeministrit, vetëm se nuk priste mbyllja e albanologjisë.

(Zonja Ina Zhupa tregon disa foto.)

Në këto foto keni ministren e Arsimit, zonjën Evis Kushi, në takim me senatin e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Mund t’i gjeni në Facebook-un e saj lavdërimet më të mëdha për Akademinë e Studimeve Albanologjike, mund të gjeni vlerësimet për punën dhe statusin e veçantë që duhej të kishte Akademia e Studimeve Albanologjike dhe vijueshmërinë që duhej të kishte po sipas ministres Kushi. Në këtë foto keni ish-ministrin e fundit të diktaturës, në vitin 1987 (viti im i lindjes), zotin Skënder Gjinushi, i cili në vitin 1990 priste studentët. Ndryshe nga ministrja Kushi, e cila e lavdëronte Akademinë e Studimeve Albanologjike, Gjinushi nuk e fshehu kurrë se donte ta mbyllte atë dhe ta kthente në një aneks dhe në vasale të Akademisë së Shkencave.

Në vitin 2021, 2 vjet më parë,  Gjinushi do të shprehte atë që, në fakt, do të ndodhte.

(Zonja Ina Zhupa tregon një video, në të cilën flet zoti Skënder Gjinushi:  “…do ti, s’do ti; kjo nuk ka të bëjë me dëshirat personale, ky është debat konceptual dhe nuk e merr vendimin senati. Ata kanë ikur nga Akademia e Shkencave me vendim qeverie dhe do të vijnë tek Akademia me vendim qeverie”.)

Pra, na thotë që reformat në këtë vend i bën Skënder Gjinushi. Me sa duket, tani, vite më pas, paskemi përsëri ministër Arsimi Skënder Gjinushin, se del fjala e tij dhe jo juaja. Ai thotë: “Ashtu siç ikën me VKM, ashtu do të vijnë me VKM”. Dhe çfarë bëtë ju? Bëtë një VKM për t’i plotësuar dëshirat politike Skënder Gjinushit; bëtë një VKM, duke shkelur ligjin, për ta shkrirë dhe për ta mbyllur Akademinë e Studimeve Albanologjike, si dhe për ta kthyer atë në vasale të Akademisë së Shkencave.

Është njësoj sikur Akademia e Sigurisë të çohet një ditë dhe të thotë: “Unë dua të shkrihet Akademia e Arteve, se kam një projekt për jetë kulturore në burgje dhe të bëhet drejtori brenda Akademisë së Sigurisë dhe Ministria e Arsimit, meqë ka projektin për jetë artistike në burgje, ta bëjë këtë shkrirje”. Ky ishte justifikimi që kishte Skënder Gjinushi, i cili, meqë kishte projektet e fjalorit të enciklopedisë e historisë dhe i duheshin vasalët për të punuar në këto projekte, duhej shkrirë Akademisë së Studimeve Albanologjike. Justifikimi tjetër ishte që “aty lindën dhe nga aty mund të kthehen”. E para, nuk është e vërtetë, se albanologjia ka lindur shumë më herët se Akademia e Shkencave, e cila është ngritur në vitin 1972 nga një vendim i ish-Komitetit Qendror. Albanologjia ekzistonte më herët, por, edhe nëse do të ishte e vërtetë, ju e dini shumë mirë që “lindja” dhe “vdekja” nuk janë procese të njëjta dhe nuk kërkojnë të njëjtin angazhim. Për metaforë: ne lindim nga barku i një nëne, por, pasi fitojmë autonominë dhe lirinë, nuk mund të kthehemi përsëri në barkun e nënës. Kaq e thjeshtë është! Krijimi i një institucioni nuk është njësoj si mbyllja apo shkatërrimi i tij me një VKM, e cila nis duke cituar ligjin për Akademinë e Shkencave, ligj për të cilin ju nuk keni kompetencë dhe nuk është në varësi legjislative e ligjeve që ju keni si referencë, ndërkohë që Akademia e Studimeve Albanologjike është e njohur nga ministria juaj që në vitin 2018, me urdhrin nr. 296 të datës 29.05.2018, të lëshuar nga ministrja asokohe, zonja Lindita Nikolla, ku njihet statuti i Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Pse e them këtë?

Sepse në po të njëjtën shkresë nga ministria, në atë kohë ka qenë Erzen Tola drejtor Juridik, të cilin sot e keni sekretar të Përgjithshëm,  datë 07.10.2022, kur ishit ju, drejtuar sekretarit tuaj të Përgjithshëm Alqi Kushi, thuhet: “Statusi i Akademisë së Studimeve Albanologjike është sipas statutit të vet, që është një institucion publik i arsimit të lartë dhe shkencës i cili merret me punë kërkimore e shkencore, me formimin e thelluar akademik universitar dhe përfshin në sistemin e vet institute shkencore, grupe kërkimore, me qëllim zhvillimin e kërkimit shkencor”. Kjo ishte Akademia e Studimeve Albanologjike, e thelluar për historinë, për gjuhësinë, për letërsinë dhe për antropologjinë e shtetit shqiptar! Dhe ju bëni një VKM, ku e prishni totalisht Akademinë e Studimeve Albanologjike, por, mbi të gjitha, shkelni Kushtetutën, shkelni ligjet, shkelni vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse ju shkelni autonominë dhe lirinë akademike. Ju shkrini një institucion që i raporton Kuvendit, një institucion që buxhetin ia miraton Kuvendi, një institucion që rektorin e ka të dekretuar nga Presidenti, një institucion që është pjesë e Konferencës së Rektorëve dhe e fusni brenda Akademisë së Shkencave, duke i shkelur autonominë dhe lirinë akademike, të mbrojtura nga Kushtetuta. 15 vjet në atë Akademi ka ndryshuar gjenerata e studiuesve, kanë ndryshuar stema, metodologjia, tezat, projektet që ata janë duke punuar sot. Si e zgjidhni ju? Duke i bërë vasalë të Skënder Gjinushit?

Kjo ishte për pjesën e parë.        

Meqë koha mbaroi, nuk dua t’ju marr nga koha juaj, ndaj pres argumentet tuaja që t’ju kundërpërgjigjem.

Zonja Ministre, ndodhi ashtu siç e prisja: ishin të njëjtat argumente, përgjigjet e të cilave do t’i merrni tani, sipas ligjit. Nuk doja t’jua thosha paraprakisht, sepse doja të shikoja nëse do të vazhdonit të thoshit të pavërteta edhe nga salla e parlamentit apo do të ndryshonit.

Zonja Ministre, ju pyetët se ku e ka të shkruar ligji për arsimin e lartë që mund të ekzistojë pa fakultete. Po ju sqaroj: neni 22 i ligjit për arsimin e lartë i kategorizon në të njëjtën vijë njësie bazë si fakultetet, si institutet dhe kolegjet, pra u vë një slash, për të thënë ose këtë, ose këtë, ose atë; janë të baraslarguara, ndërsa njësitë bazë janë departamentet, organizimin e të cilave e ka ASA-ja. ASA-ja sot është e ndërtuar në departamente. Ja ku është ligji “Për arsimin e lartë”, seksioni II, neni 22, ku njësitë kryesore janë fakultetet/institutet/kolegjet, kurse njësia bazë janë departamentet dhe qendrat kërkimore. Po ashtu, zonja Ministre, që ta kuptoni edhe ligjin për arsimin e lartë, në nenin 23 të tij, ku flitet për fakultetin, në kuptimin e dhënë, nuk kërkohet që kjo njësi të këtë domosdoshmërisht programe në të tria ciklet e studimit, por jepet vetëm si mundësi. Në nenin 23 thuhet: “Fakulteti ofron programe të studimeve të cikleve të ndryshme…”, pra nuk thuhet “në të tria ciklet”, por në cikle të ndryshme. ASA-ja ofron programe në dy cikle të ndryshme, në atë master dhe baçelor, siç e ka edhe statuti, që tashmë ju ia keni miratuar me urdhër ministri dhe e keni bërë ligjor. Nëse ju mendonit që statuti i ASA-së ishte në kundërshtim me ligjin, atëherë nuk duhet t’i kishit miratuar, nuk duhet të kishit lëshuar dy shkresa nga ministria juaj në periudha të ndryshme, që e njihnit brenda ligjit. Nëse keni gabuar ju, çfarë faji ka ASA-ja?! Mbylluni ju si Ministri e Arsimit, meqë keni gabuar, dhe për të forcuar punën e Ministrisë së Arsimit ta kthejmë në një drejtori brenda Kryeministrisë, duke e forcuar punën me të njëjtën paradigmë që keni ju, që forcuakemi ASA-n duke e kthyer në një institut afatgjatë brenda Akademisë së Shkencave. Ja, pra, si e thotë ligji dhe siç nuk e citoni ju, ndërkohë që ASA-ja është një IAL e kategorisë “akademi”, por që në nenin 3 të statutit që keni njohur ju, është e specializuar për kërkim të thelluar shkencor; atë që po bën më së miri dhe atë për të cilën ju nuk e monitoruat.

Pra, çuat një ekip, të cilit ia kishit thënë paraprakisht që duhet të mbyllet dhe për t’i thënë: pse nuk ke studentë? Por, në fakt, lind pyetja: ore, ASA-ja vërtet nuk ka dashur të hapë cikël të parë studimesh dhe keni të drejtë ju? Le të shikojmë faktet, ndryshe nga ç’thoni ju. Faktet janë që ASA-ja jo një herë, por disa herë, dhe jo vetëm, por edhe me partnerë të tjerë, që ju të mos kishit mundësi ta kundërshtonit, ju ka kërkuar të hapë cikël baçelor.

Më 26 nëntor të vitit 2022 ju ka sjellë katër programe, edhe masteri: antropologji, gjuhësi, muzeografi dhe historinë e feve. Ju ka sjellë një program baçelor në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër dhe ju i keni thënë, pra argumenti pse nuk duhet ta hapte (ja, ku është shkresa) ishte: “Sepse nuk evidentohet treg, nuk ka punë, mungon një studim tregu”.

Pra, ne presim që albanologjinë ta studiojmë ose ta mbajmë vetëm në qoftë se ka treg. Për shkencën që neve na studion origjinën, historinë, antropologjinë, gjuhësinë, ne shikojmë ka treg apo nuk ka treg, ka biznese që merren me këtë apo jo? Sigurisht, nuk ka biznes që merret me historinë. Por të gjitha këto refuzime, që unë i kam këtu me data (11.4.2022, 12.4.2023 e të tjera), që nuk kalon, nuk kalon, ishin pjesë e planit tuaj për ta mbyllur, për t’i bërë qokën Skënder Gjinushit!

Është kaq e thjeshtë. Ju i çoni një ekip vlerësimi me një metodologji vlerësimi që përdoret për IAL-të, që kanë fakultete dhe kanë studentë, dhe u thoni: ju nuk plotësoni këto kritere… Më fal, por është një IAL e një forme tjetër; e keni pranuar vetë dhe nuk e keni pyetur fare për kërkimin shkencor, për atë që ju thoni se është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjë ASA-ja. Dhe, në fakt, është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjë ASA-ja.

Asnjë pyetje, asnjë vlerësim për kërkimin shkencor, ndërkohë që vetë Akademia ka 30% formim dhe 70% kërkim shkencor që, në mungesë të studentëve, ata e kanë kthyer 100% në kërkim shkencor, derisa ju t’u jepnit leje që të hapnin programin baçelor. Kaq e thjeshtë. Varej përsëri nga ju, ndërkohë që ju i keni bërë një mungesë vlerësimit të punës së atyre. Ata nuk kanë vlerësim sot për punën e tyre të shkëlqyer si “profesor”, “profesor/doktor”, “profesor i asociuar” dhe “doktor”.

Ju thoni se nuk ka akreditim.

Ju, zonjë, me këtë VKM keni bërë edhe një dëm tjetër, keni ndërprerë një proces. Ata janë sot në proces akreditimi. Në qoftë se ju e ndërprisni procesin, normalisht që nuk ka akreditim. Është njësoj sikur unë të hyj për të mbrojtur diplomën, të ikin pedagogët dhe më thonë: jo, ti nuk ke diplomë, nuk punësohesh dot; të njëjtët pedagogë! Më fal, por, kur ti del dhe ndërpret procesin, sot që ne flasim ata ishin në mes të një procesi akreditimi, që e ndërpretë ju me një urdhër arbitrar! “I di unë emrat e atyre që janë kundër”. Më fal, me letra anonime do të flisni këtu? Keni një deklaratë publike të secilit departament, të secilit institut, mbledhje të përbashkëta. Kanë dalë shefat e tyre, të zgjedhur me votë sipas ligjit dhe sipas këtij ligji të arsimit të lartë, që thonë se janë kundër. Kemi vendim të senatit akademik në mënyrë unanime që thotë se janë kundër. Thojini emrat e atyre që ju paskan thënë juve fshehtazi se janë pro! Çfarë metode është kjo?

Për sa i përket Akademisë së Shkencave, unë nuk dua të harxhoj fjalë.

Me një studim, me një investigim që e ka bërë BIRN-i, po, Skënder Gjinushi sot, dhe ju i ndaluat, thatë “vetëm ata akademikë të ndaluar”, e ka kthyer në një çerdhe të qokave të ish-politikanëve. Numëroji sa ish-politikanë, deputetë të PS-së, ke aty, madje mund të bëni edhe asamblenë socialiste menjëherë, meqë e keni afër edhe sallën e Akademisë së Shkencave! Ky është realiteti dhe nuk janë të gjithë pro.

Është akademik i nderuar edhe Artan Fuga, por nuk e përmende, i cili nuk është pro. Sigurisht që nuk është pro, sepse ka një pikëpamje metodologjike perëndimore, ndaj nuk mund të jetë pro modelit sovjetik që thoni ju. Nuk ka sesi.

As ju nuk duhej të ishit pro, sepse jeni shkolluar në Angli dhe duhej të kishit një model perëndimor në mendje, jo të linit të udhëhiqeshit nga Skënder Gjinushi.

Por le të vazhdojmë me kundërargumentet.

Thoni se keni bërë një vlerësim të ligjshmërisë nga ministria juaj, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, dhe relacioni sugjeron mbylljen, ndërkohë që të gjitha shkeljet që ju nxirrni aty, janë të gjitha mosveprime të qëllimshme tuajat si ministre, me qëllim mbylljen e ASA-s, ndërkohë që do t’ju them një rast.

Ju, besoj e dini më mirë se unë, keni gjetur me shkelje të jashtëzakonshme universitetin “Pavarësia” në Vlorë…

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Prit, një sekondë, ta mbaroj!

Para se të arrinit te mbyllja e tij, keni dhënë pezullim dyvjeçar, apo jo? Ndërsa  ASA-n nga sot-nesër e mbyllni dhe nuk bëni as takim, as ngrini grup ndërinstitucional, as pezullim për t’i dhënë  kohë. Asgjë. Ju e mbyllni dhe e çoni atje ku ka kërkuar Skënder Gjinushi. Jua mora këtë rast që nuk ka lidhje fare me rëndësinë që ka ASA-ja dhe me punën që bën ASA-ja, por jua mora për të kuptuar se si funksiononi ju, se çfarë standardesh keni ju dhe se si e zbatoni ju ligjin, si Ministri e Arsimit dhe si grup pune.

Ndërkohë, thatë: “Jo, nuk shkrihen ata profesorë, nuk ngelen pa punë!” Zonja Ministre, a e dini ju se ligji i Akademisë së Shkencave njeh vetëm institute afatshkurtra dhe afatgjata? A e dini ju se “afatgjata” nuk do të thotë të përhershme? “Afatgjatë”, në kuptimin e ligjit të Akademisë së Shkencave, është deri në 2 vjet, por nuk do të thotë i përhershëm, se edhe ne afatgjatë jemi në këtë botë, por nuk jemi të përhershëm. Edhe ti afatgjatë mund ta bësh edhe 10 vjet, por nuk është e përhershme, ndërkohë që institutet atje ku janë dhe siç janë, janë institute të përhershme që kanë punë, kanë projekte. Kanë projekte sot. Kanë 45 marrëveshje sot. Do t’jua dorëzoj unë t’i shikoni. Kanë projekte me universitete. Kanë projekte me qendra kërkimore. Çfarë ndodh? Ju hiqni subjektin juridik, ju shkatërroni 45 projekte, 45 marrëveshje. Ato nuk mund t’i bëjnë me Akademinë e Shkencave, sepse nuk ka këto kompetenca! Nuk pyesni, sepse keni urdhrin politik, pastaj thoni pse themi “urdhër politik”? Po se kështu është, pra, se është i pabazuar në pjesën juridike.

Departamenti është njësia kryesore, edhe në ASA departamenti është njësia kryesore dhe ka autonomi, zgjidhet me votim, që nuk është i tillë në Akademinë e Shkencave, sepse nuk ekziston në Akademinë e Shkencave një nukël që quhet departament, pra e shkrini.

Tani ma shpjegoni mua, shpjegojuani edhe shqiptarëve që, kur Akademia e Shkencave ka këto pozicione: “akademik”, “akademik i asociuar” dhe “akademik emeritus”, si do t’i integroni këta që kanë tituj të tjerë: “doktor”, “profesor i asociuar” dhe “profesor/doktor”? Si? Do t’i bëni vasalë të këtyre dhe do të thoni që po i ruajmë? Si, me çfarë ligji? As e keni menduar fare, fare, fare, thjesht keni bërë qokën!

Si mund të bashkohen uji dhe vaji? Nuk bashkohen. Ju i keni marrë dhe i keni çuar atje që, ejani, bëni punën që u duhet këtyre, se kanë marrë projektet që nuk duhej t`i merrnin, se shkon projekti tek institucioni dhe jo institucioni te projekti. Shumë e thjeshtë; gjëja më e thjeshtë. Pra, ju nuk keni sot një metodë rekrutimi, ju nuk keni sot një metodë avancimi në karrierë të këtyre profesorëve, që e zëmë se do t’i çojmë tek Akademia e Shkencave. Si do ta vazhdojnë karrierën e tyre në Akademinë e Shkencave? Aty nuk ka një sistem avancimi në karrierë të përshtatshëm për ta, se aty janë akademikë. Nuk e parashikon ligji. Çfarë bëhet, apo i lëmë ata?

Nuk ka gjë. Aq sa bënë deri tani, mjafton. Mjafton të jetë mirë Skënder Gjinushi.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Pra, ju keni kthyer një republikë VKM-sh, një diktaturë VKM-je, në të cilën, sigurisht, shkelni autonominë…

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Vendimi nr. 9, se ju do të na detyroni që të bëhemi ekspertë të shkëlqyer të së drejtës kushtetuese. Pas Elvës, që na çoi në Gjykatë Kushtetuese, mund të jeni ju e dyta. Vendimi nr. 9, datë 19.03.2008, i Gjykatës Kushtetuese thotë: “Qëllimi i autonomisë është ruajtja e lirisë së shkencës, kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, si dhe mbrojtja e studiuesve dhe profesorëve nga influenca politike, nisur nga ideja se shkenca dhe mësimdhënia mund të ekzistojnë dhe të sjellin progres vetëm kur janë të lira dhe të pavarura. Parimi i autonomisë universitare është i lidhur ngushtë me parimin e lirisë akademike, e lirisë së mendimit, e lirisë së shprehjes, e lirisë së kërkimeve shkencore dhe mësimdhënies. Pse jua citova? Sepse ju u thoni: “Shkoni dhe punoni tek ato projektet që ka Akademia e Shkencave”.

E para, ata janë duke bërë disa projekte vetë, por nuk mund të lënë projektet që kanë vetë dhe të shkojnë të merren me projektet e Akademisë së Shkencave, se nuk është kjo liria akademike.

E dyta, e zëmë se kanë dëshirë dhe qejf të punojnë edhe në ato projekte apo disa kanë edhe marrëveshje, ndërkohë që ju e dini shumë mirë se metodologjinë e ka shpallur Akademia e Shkencave, pra këta nuk kanë zë në metodologji. Po nuk ke zë në metodologji, nuk ke zë në kërkim. Është shumë e thjeshtë. Ndërkohë, prioritetet se cilat do të jenë kërkimore, i ka shpallur Akademia e Shkencave, që sigurisht nuk përputhen me prioritetet e këtyre studiuesve shumë më të rinj në moshë dhe me një karrierë për të avancuar.

(Bie gongu.)

Shikoj që koha kaloi, por ka aq shumë shkelje e aq shumë të pavërteta, saqë unë nuk ia dal dot.

Ndërsa për u përket doktoraturave, po, janë 26 doktoratura që vazhdojnë dhe që të kesh një kërkim të mirë, cilësor në fakt, do të duhet që të matesh nga puna që bën.Do t’ju jap shembull të një doktorature të jashtëzakonshme që është për Shqipërinë: “Mbijetesa, Shqipëria në postkomunizëm”, Klarisa Deval”, dhe i ka zgjatur 11 vjet. E ka nisur në vitin 1992, ka botuar edhe një libër, që jua sugjeroj ta lexoni dhe nuk tha njeri që është një doktoraturë e pavlefshme, por është një nga librat më të mirë për Shqipërinë dhe një nga studimet më të mira për Shqipërinë.

I ka zgjatur 11 vjet.

(Ndërhyrje pa mikrofon.)

E ka nisur në vitin 1992, siç e thotë ajo vetë, ndërkohë që ju duhet të kuptoni se cilësia e kërkimit në këto fusha, të cilat lidhen me historinë dhe me antropologjinë, ishte e vështirë dhe ka më shumë rëndësi që të jemi të vërtetë dhe të prodhojmë një material që u shërben brezave të ardhshëm, siç janë vetë këto shkenca, që u shërbejnë brezave të ardhshëm, sesa një gjë brenda afateve, sesa një gjë të mbyllur. Pastaj, nëse ju doni ta keni si kriter mbylljen, sepse nuk kanë afat doktoraturat, sot mund të mbyllim Universitetin e Tiranës ne, sepse ka shumë doktoratura që janë jashtë afatit, si dhe çdo universitet tjetër; po përmend të Tiranës, që është edhe më afër dhe më i rëndësishmi.

Ndaj, zonja Ministre, të gjitha këto që thatë, unë jua rrëzoj me argumente dhe janë thjesht vjega për një projekt të pafshehur të Skënder Gjinushit, që e quan “reformë”.

Në qoftë se doni të bëni reformë, jua sugjeroj unë. Ta bëjmë të gjithë bashkë dhe të kemi mundësi që këtë IAL, siç është ASA-ja, ta inkorporojmë, në qoftë se për një moment po marr që ekzistojnë këto shkelje, t’i japim mundësinë që për 6 muaj të inkorporohet dhe të gjejë një marrëveshje me një IAL tjetër, siç është Universiteti i Tiranës, sepse IAL-të mund të bashkohen dhe të shkrihen vetëm me IAL…

Po, ndjesë për kohën!

dhe jo me Akademinë e Shkencave, që nuk i lidh asgjë, përveç interesit të Skënder Gjinushit.

Ka shumë shkelje. Është një çështje jopolitike, zonja Ministre, është çështje kombëtare!

(Deputeti Braçe flet nga vendi pa mikrofon.)

Për të përfituar nga 3-minutëshi i fundit, zonja Kushi, prapë vazhdoni të thoni se nuk ka studentë. Unë pranoj propozimin e zotit Braçe: regjistrohem unë.

(Ndërhyrje pa mikrofon.)

A ka mundësi, zonjë?

(Ndërhyrje pa mikrofon.)

Nuk e keni hapur ju, jo se nuk ka studentë! Nuk e keni hapur ju dhe s’kishte se si të kishte studentë!

(Ndërhyrje pa mikrofon.) Kur ju refuzoni t’i hapni master në drejtime të shkëlqyera, vetëm sepse thoni që nuk ka treg (“nuk ka treg” është i vetmi refuzim, i kam shkresat aty dhe jua tregova), atëherë nuk ka se si të ketë studentë. Pra, të gjitha shkeljet që ju thoni se janë të ASA-s, janë tuajat, janë nga

mosveprimet tuaja. Janë të bëra qëllimisht për të arritur në ditën e sotme. Sigurisht, unë zgjidhjen jua ofrova: ejani të integrohemi në një institucion të arsimit të lartë, që është i njëjtë, që i prek i njëjti ligj, sepse ti nuk mund të reformosh një institucion me ligjin e një institucioni tjetër!

Nuk bëhet, nuk e lejon ligji. Është kaq e thjeshtë. Nuk e reformon dot një IAL me ligjin e Akademisë së Shkencave. Është normale që nuk ka asnjë përputhje.

A kanë marrëveshje bashkëpunimi? Po, kanë. Fakti se kanë marrëveshje bashkëpunimi, tregon se është e panevojshme shkrirja dhe bashkimi, se ato punë që kanë për t’i dhënë atje dhe kontribut ku kanë rënë dakord, e japin edhe sot. Pse do të bëhet bashkimi? Të tjerat nuk kanë fare as fushë interesi, as dëshirë, nuk janë as pjesë e punëve të tyre të përditshme. Atëherë, përsëri bashkimi është i pavlefshëm.

Thoni se është me ligjin e vjetër. Nuk është me ligjin e vjetër. Në vitin 2018 ka qenë ministre Lindita Nikolla.

(Ministrja Evis Kushi ndërhyn pa mikrofon.)

Lindita Nikolla iku.

Lindita Nikolla i njeh kështu siç janë. Lindita Nikolla, ministre…

(Ndërhyrje pa mikrofon.)

Nuk u ka kërkuar asgjë. Ja, ku është shkresa dhe sekretari juaj i Përgjithshëm e ka konfirmuar këtë shkresë. Në qoftë se gaboni, shkelni ligjin, është faji juaj, jo i atyre.

(Ndërhyrje pa mikrofon.) E fundit, zonja Ministre, sepse unë nuk dua të më ndërpritet fjala nga efekti i kohës, ja ku është edhe shkresa e kohës suaj. Zonja Ministre, e gjitha kjo është një fiktivitet i madh. Ju doni që të kapeni pas një fijeje bari. Është jashtëzakonisht e dhimbshme që albanologjia sot të trajtohet në një interpelancë mes një deputeteje të opozitës dhe ministres, kur ne të dyja bashkë duhet të ishim në një vijë mendimi për ta fuqizuar këtë shkencë, për të mos kërkuar vjega që, a ka studim tregu apo nuk ka studim tregu në albanologji, në histori apo në gjuhësinë shqipe, por për të gjetur sa më shumë fonde. Por ju nuk e patët kurajën të na thoni se me çfarë guximi ju sot prishni 45 marrëveshje, 45 projekte që janë në vazhdimësi, 45 institucione?

(Bie gongu.)

Ju lexuat vetëm katër persona, që nuk e di si i keni marrë dhe në qoftë se janë të vërteta, ndërkohë ju keni publikë 100 studiues, të cilët kanë firmosur me emër dhe mbiemër nga e gjithë bota për të kërkuar të mos mbyllet. Keni publik senatin akademik, keni publik çdo vendim të instituteve! Mos e bëni këtë gjë, pasi është antiligjore! Do ta ndjekim në Gjykatë Administrative, do ta ndjekim në Gjykatën Kushtetuese, por ju do t’ju ngelet emri i keq që vratë albanologjinë!

Faleminderit!